Revista “Poeteka”, një antologji mbarëkulturore

Nga Kopi Kyçyku

Krijuesit e penës, penelit dhe pentagramit, zakonisht nuk janë të zot të merren me punë organizative, apo, siç thuhet shpesh e më shpesh sot, me veprimtari menaxheriale. Në këtë pikë bën përjashtim poeti, prozatori, eseisti dhe botuesi i mirënjohur Arian Leka. Festivali i përvitshëm “Poeteka”, që zhvillohet nën drejtimin e tij, me pjesëmarrje të gjerë ndërkombëtare, çmohet lart për përmbajtjen e thellë dhe larminë, dy veçori këto që spikatin gjithnjë e më dukshëm.
Revista “Poeteka”, që mbushi një dekadë jetë qysh nga numri i parë, është “bija” e Festivalit të sipërpërmendur. “Ati” biologjik e shpirtëror i saj është pò Arian Leka. Jam duke shfletuar numrin më të freskët (36/2015). Freskia konceptuese bie në sy që në mbulesë dhe vazhdon të fryjë si fllad i shëndetshëm në të 192 faqet, përmes rubrikave të tërheqëse: Letërsi shqipe, Letërsi e huaj, Esse, Përballë tekstit, Studime – albanologji, In Memoriam, Ad Honorem. Për nga frymëmarrja tematike kjo revistë mund të cilësohet pa frikë antologji mbarëkulturore.

Vendin kryesor, siç është e natyrshme për profilin e këtij periodiku, e zë poezia. Nga poetët shqiptarë janë përzgjedhur me shijë krijime të poetit të shquar Petraq Risto e të Ilir Kalemajt, ndërsa nga të huajt janë botuar poezi autorësh gjithaq të famshëm në vendet e tyre, por edhe në botë: francezit Alën Boske, polakes Viclava Simborska dhe rumunit Dan Koman.
Shkrimtarët Ylljet Aliçka dhe Roland Gjoza janë përfaqësuar me materialet hulumtuese: “Lufta e pamëshirshme për të parë televizor” (i pari) dhe “Çerek-ëndërr amerikane” (i dyti). Violeta Murati del me studimin “Shmangie e gabime në transmetimin e tragjedisë ‘Neomenia’ të Santorit”, ndërsa Naim Kryeziu na sjell në kujtesë, përmes shkrimit “Unë e kapa për fyti shekullin tim”, shkrimtarin nobelist Elias Kanetti, me rastin e 110-vjetorit të lindjes së tij.
Rubrika “In Memoriam” e numrit 36 të revista “Poeteka” i kushton gjithashtu një “Dossier” të plotë dramaturgut Et’hem Haxhiademi, duke nxjerrë në dritë përmes dokumenteve, dorëshkrimeve e faksimileve të ndryshme përmasat e panjohura dhe fare pak të njohura të një shkrimtari të pafat, por me talent të spikatur. Janë fotografi, dorëshkrime, veprat, copëza rrëfimesh nga i biri Emini, nga e mbesa Hortensia Haxhiademi (Pëllumbi), kritika letrare nga Jozef Radi e Anton Çefa, si dhe krijimtari poetike dhe të pjesë të zgjedhura nga tragjeditë e këtij autori të shquar të viteve ’30, lënë krejtësisht në haresë dhe jashtë vëmendjes së historishkrimit letrar. Tërheq vëmendjen një tekst i titulluar “Shënime mbi jetën T’ime” shkruar nga Et’hem Haxhiademi, ku gjenden fakte e të dhëna të rëndësishme mbi jetën e dramaturgut të shquar, i cili, mes viteve '30, konsiderohej një emër i shquar, ndërsa gazeta letrare greke Vatra së Re (Nea Hestia) e cilëson "dramaturgu të shkëlqyer – pse jo edhe të pashok – shqiptar". Ky jetëshkrim mund të konsiderohet edhe si një rrëfim autorial, krijuar si dorëshkrim nga vetë autori, Et'hem Haxhiademi, mbi jetën e tij. Sipas dëshmisë së të birit, Eminit, ky tekst është kërkuar dhe parë nga poeti Lasgush Poradeci dhe është marrë në Elbasan më 9 prill 1938. Shënimi në krye të faqes është i vetë Lasgushit. Origjinali i këtj teksti i është dorëzuar të birit, Emin Haxhiademit, më 15 shkurt 1996 nga e bija e poetit, Marije Poradeci. Për të parën herë një fotokopje i është dhënë si material botimi shkrimtarit Petrit Velo. Fotokopja e dytë i është dorëzuar Muzeut të Genocidit.
Duke përfshirë edhe këtë dokument, revista "Poeteka boton mbi 50 faqe materiale letrare dhe faktologji, duke hedhur edhe më shumëdritë mbi jetën, por sidomos edhe fatin e veprave dhe dorëshkrimeve të shkrimtarit që u shua në burg, duke e rikthyer atë në vëmendjen e munguar prej dekadash, por edhe ritheksojnë vlerën letrare dhe estetike të veprës së tij poetike dhe dramaturgjike.
Me interes të veçantë është theksimi i një të vërtete të rëndësishme. Jo vetëm shqipëruesit e mirënjohur Edmond Tupja, Pandeli Çina, si dhe Fadil Bajraj, kanë vënë në punë me sens mase dhe elegancë të gjithë pasurinë e mjeteve shprehëse të figurshme, duke bërë të mundur tingëllimin sa më saktë e më bukur në gjuhën tonë amtare të krijimeve të huaja, por edhe të gjitha materialet e tjera të revistës “flasin” (me shkrim) një shqipe të pastër e të pasur. Nga ky këndvështrim, “Poeteka” i sjell shërbim të vlefshëm ruajtjes e pasurimit të shqipes letrare dhe e meriton të këqyret si një model për t’u ndjekur nga simotrat e saj, brenda dhe jashtë vendit.
Marrim shkas të tërheqim vëmendjen se, në një kohë kur pothuajse kudo në botë, jo vetëm në fakultetet filologjike, por edhe në të gjitha të tjerat, përfshi ato të shkencave të sakta, gjuha amtare përkatëse figuron ndër lëndët kryesore, tek ne u dashka hequr qafe shqipja korrekte, letrare, e njësuar, edhe nga shkollat e mesme, – siç ka ndodhur, mjerisht, për vite me radhë!, – sikur të qenkej jo më e gjallë se të gjallat, por e vdekur.
Që është një e vërtetë e hidhur kjo që sapo thamë, e dëshmojnë jo pak intelektualë që flasin në televizor, por edhe jo pak gazeta e revista. Ka edhe më keq: atë që ne, “konservatorët”, e quajmë gjuhë korrekte, shumëkujt i duket pedantizëm, “tekë” filologjike e panevojshme. Por, në të vërtetë, e folmja dhe e shkruara jokorrekte nuk janë veçse tregues i diçkaje më të rëndë, sepse, po të pranojmë që ky gjymtim i papërgjegjshëm vjen jo aq për shkak të mosdijes se sa nga mungesa e vëmendjes, do të zbulojmë se në thelb qëndron mungesa e përpjekjeve dhe e vetëkontrollit. “Etika e autenticitetit”, siç e ka cilësuar Çarls Tejlori humbjen e vetëkontrollit, bën ligjin në qëndrimet e në sjelljen e shumë njerëzve të ditëve tona.
Rënia e vetëkontrollit është më e dukshme në një shoqëri “në tranzicion të përjetshëm”, siç po duket të jetë kjo e jona. I pari ka qenë pikërisht sistemi komunist ai që bëri çmos t’i edukonte qytetarët të jetonin pa vetëkontroll, sepse duheshin kontrolluar jo nga ata vetë, por nga partia, ndërkohë që “parimi udhëheqës” nuk gjendej në logjikën apo në ndërgjegjen e secilit, por në Komitetin Qendror të PPSH-së.
Më vonë, në fillimvitet ’90 të shekullit të kaluar vetëkontrolli u cilësua si pengesë në rrugën e oreksit për të përfituar sa më shumë, pa ngopje, nga liria, nga mundësitë për zhvillim biznesi apo veprimtari politike. Kështu shpjegohet shpalosja e lakmive të të babëziturve të biznesit e të politikës me një shqipe që mezi kuptohet nga shqiptarët e thjeshtë. Pra, nga një gjuhë e drunjtë u kalua në një tjetër gjuhë të drunjtë.

Të flasësh e të shkruar pastër e hijshëm shqip nuk është diçka formale, por dëshmia më bindëse që jemi shqiptarë. Sepse vetëm gjuha është sinonimi i identitetit kombëtar. Kjo mjafton që t’i heqim kapelen revistës “Poeteka”.