Virion Graçi: Herezi në gjirin e realizmit socialist

Ismail Kadareja hyri në letërsi si poet. Me gjithë arritjet, si poet nuk ka shkuar më larg se bashkëkohësit e tij: D. Agolli, F. Arapi, Rr. Deda, A. Podrimja, A. Shkreli. Ndërkaq, si prozator, është midis shkrimtarëve më të njohur europianë dhe botërorë. Në prozë, Kadare i ka dhënë letërsisë shqipe një sërë kryeveprash, pikërisht në klimën shterpëzuese të doktrinës së realizmit socialist. Me “realizëm socialist” do kemi parasysh versionin më liberal të tij, përkufizuar nga studiuesja amerikane Irina Gutkin (1890-1934) në “Zanafillat kulturore të estetikës së realizmit socialist”, Evanston: Northwestern Universiti press, 1999 (f. 13)
Kryesorja për principet e realizmit socialist është që të paraqesin personazhe kryesorë pozitivë, politikisht të bindur e që kryejnë akte heroike. Misioni politik i krijimeve të tilla artistike është që zgjidhja e konfliktit të jetë optimiste, tu thuret lavdi mësimeve të partisë komuniste dhe të arrihet një përfundim pozitiv.

Meqënëse doktrinës zhdanoviste tek ne i qëndronte në mbrojtje një shtet totalitar, i pamëshirshëm me ata që devijonin nga parimet e tij, guximi krijues i Kadaresë, shfaqur më së miri në prozën e gjatë mund të quhet: “herezi artistike”. Ballafaqimin me dogmën dhe me tabutë e tjera ideologjike të kohës e kryejmë me tre nga romanet e parë të tij: Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1970), Kështjella (1972), Kronikë në gur (1973).
Gjenerali, Kështjella, Kronika janë përcaktues në krejt krijimtarinë e autorit. Ata i japin autoritet të padiskutueshëm në kuadrin e letërsisë shqipe, si dhe njohje ndërkombëtare, duke filluar me Gjeneralin. Ndërkohë, me këta romane, autori përuron hyrjen e tij në skenën letrare të kohës duke qëndruar de facto jashtë dogmës zyrtare. Duket paradoksale, por është fakt i kryer: tre romanet e përmendur, për nga metoda krijuese, cilësitë e tekstit dhe shtresëzimet kuptimore janë të paklasifikueshëm brenda korpusit të veprave të realizmit socialist.
Mendojmë se bazat e suksesit te këta romane janë dy:
1. përkatësia e rrëfimtarit dhe
2. pikat e veçanta të shikimit që autori ka zgjedhur për rrëfimtarët. Për rolin vendimtar të pikave të shikimit në një vepër rrëfimtare vlen të përmendim F. de Sosyr-in kur shkruan: është pika e shikimit ajo që e krijon objektin.
Në romanet e sipërpërmendur, rrëfimtarët e ndihmojnë autorin t’u shmanget standarteve të estetikës krijuese marksiste, vijës së partisë, patriotizmit folklorik, militantizmit politik dhe pasioneve të tjera akulturore, tipike dhe të detyrueshme për epokën.Duke respektuar me besnikëri strukturën menatale e psiqike të rrëfyesave, duke ruajtur natyrshëm këndshikimet e tyre Kadare ka respektuar në të vërtetë dhuntinë e tij krijuese duke mos i nënrenditur kërkesat artistike të tekstit letrar kërkesave propagandistike e partiake. Rrëfyesit e Kadaresë janë të huaj për botën shqiptare, madje, te Gjenerali dhe Kështjella ata vijnë nga kampe armike. Këndshikimi i tyre nuk të jep mundësi ta shikosh me idolatri dhe patetikë pozitive realitetin shqiptar.
Gjenerali dhe Kronika e kanë kohën e ngjarjeve të lidhur me periudhën e njohur si L.A.N.Ç e glorifikuar si më e ndritura në historinë e Shqipërisë ku, nën udhëheqjen e P.K.Sh u çliruam, lamë pas errësirën dhe shtypjen shumë shekullore dhe dolëm në parajsën socialiste. Kjo konstante demagogjike e historiografisë komuniste është e padiskutueshme dhe sot, në shek. XXI. Kadare i shmanget plotësisht këtij qëndrimi. Kuptohet, ai e pohon luftën e shqiptarëve kundër fashizmit, por me tonalitete të normale, pa ekzagjerime dhe mistifikime hiperbolike sikundër është trajtuar ajo në të gjitha gjinitë në periudhën e soc-realizmit. Kadare nuk e jep as direkt, as në mënyrë të nënkuptuar rolin e pazvendësueshëm shpëtimtar të partisë komuniste. Te Gjenerali komunistët përmenden rrallë, për ndonjë veprim bizar, sikurse është ndërhyrja në urbanistikën e Tiranës për të shmangur ngjashmërinë me sopatën e emblemës fashiste. Te Kronika udhëheqësi i tyre Hoxha, vetëm sa përmendet si “njeri i çuditshëm që kish vënë syze të zeza dhe thosh poshtë e lart do bëj luftë, do bëj luftë”. Lufta vizatohet me penelata të errëta: si fatkeqësi e madhe, si marrëzi e gjithanëshme, si ikje nga normaliteti, si sakrifikim i tmerrshëm i jetëve njerëzore:
 - Ç’domethënë parti komuniste?
 - Kush e di?
 - Gjëra të çuditshme, - tha gjyshja. - Gjëra që s’kanë ndodhur asnjë herë. (f. 232).
Një partizan. Nga lagjja e qendrës kish dalë një partizan.Një javë më parë ai kishte qenë njeri i zakonshëm… papritur ishte shndërruar në partizan. Tani ishte në male. Të gjithë ishin këtu. Vetëm ai atje.
- Pse thonë „ka dalë partizan”?
- Sepse ka dalë nga qyteti. (f. 228).
Mbriti te ura e lumit aradhja e parë partizane. E hollë dhe e gjatë, me një flamur të kuq në krye…..po ngjitej për në qytet. Një tjetër vargan po zbriste nga bregu i veriut. Nga larg vinte një britmë e zgjatur;”partizanët!partizanët!”U ngjita me vrap në katin e tretë për të parë. Prisja të shikoja gjigandë me armë që shkrepëtinin, kurse ato ishin dy rreshta të rëndomta, fare të brishta, me nga një flamur të kuq mbi krye.Ku shkonin ato?E dinin që qyteti ishte i egërsuar dhe i armatosur deri në dhëmbë? (f. 256)
Ka dalë një luftë e re, luftë me kllasa apo luftë e kllasës…. Me këtë luftë vëllai vret vëllanë dhe i biri babanë. E vret mu në shtëpi, mu mes të bukës. E sheh në sy një copë herë, pastaj, s’të kam më baba i thotë dhe bam i bie në lule të ballit. (f. 248)
Mblidhen djem të rinj e vajza të reja. Këndojnë nëpër qilare këngë të ndaluara. Do prishim botën e vjetër thonë, do bëjmë botë të re.
- Botë të re? E si është kjo botë e re?
- Ata e dinë moj Xhiko, ata…..për të bërë këtë botë të re do derdhet gjak./-Kurban i madh. /ç’më the, ç’më the. (f. 242)
Te Gjenerali rrëfehet në vetën e tretë nëpërmjet optikës së gjeneralit dhe priftit, përfaqësues të ushtrisë pushtuese dhe të një sistemi shoqëror - politik të kundërt. Ata nuk janë të prirur të flasin pozitivisht për aktualiteëtin shqiptar, janë të lirë të shprehen hapur me njëri - tjetrin për ato që shikojnë. Kjo liri e pakufizuar shprehjeje shkon në forcimin e frymës realiste të veprës, larg shablloneve të soc-realizmit, ndihmon të hidhen mendime e pikpamje kritike për shqiptarët, për aktualitetin, për historinë. Njëkohësisht, interpretimi i botës shqiptare nëpërmjet tyre e shpëton nga përgjegjësia autorin sepse, ata që flasin për ne janë armiqtë tanë:
- Shqiptarët janë një popull i ashpër e i prapambetur. Atyre, që kur janë foshnja, u vënë në djep pushkën, kështu pushka bëhet pjesë e pandashme e jetës së tyre. (f. 36)
Në paqe ata trullosen, përgjumen ashtu si gjarpëri në stinën e dimrit. Vetëm në luftë e tregojnë veten plotësisht.
Lufta është gjendja natyrale e këtij vendi. Prandaj ata në luftë janë të egër, të rrezikshëm dhe bëjnë dëm më tepër se ç’duhet.
Pa zbukurime dhe idilikë kooperativiste jepet edhe jeta e njerëzve në rregjimin socialist. Njerëz që udhëtojnë në korroceritë e makinave, fshatarë të veshur me rroba leshi të zeza, gjithandej bunkerë, fortifikata, tipa të çuditshëm… etj.
Gjenerali dhe prifti shikuan nga gruaja, por ajo qe kthyer e po ikte; bucela e saj u lëkund edhe për ca kohë gjersa u zhduk në një rrugicë të fshatit. (f. 51).
Në të dalë të fshatit, përtej urës së drunjtë, rrugën e kish bllokuar një qerre, që i kish dalë rrota. Dy fusharakë vërtiteshin rreth saj. (f. 55)
Dy barinj me kërraba të gjata mundoheshin ta ndanin grigjën përgjysëm sa të kalonin makinat. (f. 121)
Malsorët e tyre prapanikë që gjer dje kanë jetuar si në mesjetë. (f. 135)
Gjenerali dëgjoi tringëllimën e vedrës dhe zërat e grave që mbushnin ujë në kroin aty pranë, pëllitjet e veçuara të lopëve, një radio që porsa u hap dhe zërat e voglushëve që loznin e rendnin nëpër shesh. (f. 194)
Baraka e gjallëroi vendin… Gjatë ditës aty rrotull vërtiteshin fshatarët duke vështruar me orë të tëra puntorët që gërmonin.(f. 167)
 Një përshkrim jo i përshtatshëm i është bërë dhe babait të një dëshmori të luftës:
- E keni parë një plak me mustaqet bigë, që del çdo mëngjes me një kobure të madhe ngjeshur për brezi? - Ai që ka dy tre medalje në gjoks dhe që ecën me kokën përpjetë?Unë u trembem torrollakëve të tillë. Ja, i shkrepet, nxjerr koburen e të qëllon në mes të ditës. (f. 108)
Te Gjenerali nuk gjejnë vend as tezat zyrtare të kohës për rezistencën antifashiste.Rezistencën e ditëve të para të pushtimit autori e ka dhënë nëpërmjet Nik Martinit. Portreti i tij i shkon më tepër përfytyrimit mitik për ushtarin e panjohur e të përjetshëm të atdheut, diku në një breg në pritje të armikut. Nik Martini vizatohet sipas përfytyrimit popullor, shembull ideal i rojes së përjetshme të tokës amtare.
 Atë ditë ai doli e luftoi i vetëm në tre-katër vende të ndryshme, gjersa u lodh dhe u këput.Thonë se kur iu mbaruan fishekët dhe pa si kamionët me ushtarë po vraponin drejt Tiranës, ia dha një vikame, ashtu siç bëjnë malsorët kur u vdes njeri. E rrethuan nga të gjitha anët dhe e coptuan me kama. (f. 155)
Gjenerali dhe prifti në bisedat e tyre karakterizojnë vendasit, domethënë shqiptarët. Diskutojnë pamjen e tyre të jashtme dhe vetëdijen, cilësitë racore, prirjet etno - psiqike, muzikën, veshjet, sjelljet. Karakterizimet e tyre tingëllojnë si rishqiptime të pikpamjeve denigruese që qendra të ndryshme propagandistike kanë prodhuar kundër nesh. Nga ana tjetër, pohime të tilla, të instrumentalizuar, nuk ishin të domosdoshëm në dialogët e tyre, nëse fabulën e romanit e reduktojmë në misionin paqësor të dy përfaqësuesve të një ushtrie të mundur në tokën e fitimtarëve. Interpretimet konvergojnë në një pikë: gjenerali dhe prifti përfaqësojnë fuqitë e mëdha militariste në raport me popujt numerikisht të vegjël.
Ushtrisë së vdekur nuk i kundërvihet moralisht ushtria çlirimtare; ajo ka një kundërpeshë sfiduese brenda vetvetes: ditarët dhe dëshmitë e ish ushtarëve fashistë. Ata përgënjeshtrojnë dhe parodizojnë moralin dhe shpirtin ushtarak të një misioni pushtues, ata janë dëshmi të një realiteti që i nëpërkëmb dhe i denatyron të gjithë, pa mëshirë. Tek Gjenerali nuk është folur asnjëherë pozitivisht për luftën, edhe kur ajo nënkupton qëndresën ose çlirimin e vendit. Neutralizimi i armiqve dhe i së keqes që ata përfaqësojnë, qoftë dhe skematikisht, siç ndodh rëndom në veprat e realizmit socialist, do të ishte i domosdoshëm.Te Gjenerali, botëkuptimi huaj, i vendosur sërish në pozita armiqësore, brehet dhe tradhëtohet nga vetë përfaqësuesit e tij; ushtarët e huaj jepen si qënie të zakonshme njerëzore, pa hijen e rëndë të pushtuesit, të uritur seksualisht dhe me dëshirën e ligjishme të varrosen normalisht dhe të mos i ndajnë nga njëri-tjetri.
 Udhëtimi nëpër Shqipëri nuk shfrytëzohet nga autori për të pasqyruar transformimet e mëdha, jetën e bukur socialiste. Përkundrazi: një ambient i zymtë, tek-tuk fashatarë të çuditshëm, gjithsesi të paemancipuar, egzotikë në paraqitje e të prapambetur në sjellje. Përfaqësuesi i palës shqiptare në ekspeditë, specialisti është njeri i heshtur, aspak i kohës, d.m.th..aspak militant revolucionar. Është vizatuar me mjeshtëri si figurë pozitive, por nuk ka tiparet e heroit përfaqësues, misionar dhe zëdhënës i kohës, edhe pse është pranë njerëzish që përfaqësojnë dyfish botë kundërshtare. Specialisti shqiptar, ngalet atipik në rolin e tij përballë armiqëve. I heshtur, vetëm një herë shprehet me zë të lartë duke e thyer paqen midis tyre:
 - Njëzet vjet më parë ju shkruanit parrullat e fashizmit në gjokset e shokëve tanë të varur. (f. 54)
Moment shpërthyes në roman është dasma dhe veprimi i plakës Nicë.Vrasja e vrasësit të burrit dhe përdhunuesit të vajzës është e natyrshme dhe e përligjur në sfondin e një lufte botërore. Por, varrosja e kolonelit te pragu i shtëpisë ku asaj i duhet të kalojë me mijëra here, është një episod horror. Nica, si figurë katalizuese, kapërcen jo vetëm caqet e realizmit socialist por edhe normat e romanit realist, në përgjithësi. Ajo ilustron pikpamjet e gjeneralit dhe të priftit për etno-psikozat e vendasve, për fatalitetin dhe zinë shekullore të shpirtit shqiptar shfaqet edhe në këngët e tyre, sikurse shprehen ata. Historia dhe monologu i plakës Nicë ka qënë i përfshirë rregullisht në antologji letrare shkollore megjithatë, mbetet jashtë funksioneve të mirënjohura të personazhit pozitiv, jo vetëm në kuadrin e letërsisë së realizmit socialist.Ajo është enigmatike në fillim dhe tmerruese në finale.Ajo është e pakuptueshme dhe për bashkëfshatarët e saj.
- Mos kini frikë u hodh një tjetër, edhe sikur të dinin shqip, nuk do të kuptonin asgjë nga brenga e saj. (f. 210)
Te Kështjella rrëfimi ka të bëjë me kampin e ushtrisë osmane. Nëse nuk do përmendej disa herë Skënderbeu ose Gjergji ynë ky roman mund të ishte historia e ç’do rrethimi otoman, kudo ku kish kështjella. Me botën shqiptare lidhet vetëm simboli i qëndresës kurse njohuritë e lexuesit për atë epokë, për shtresat sociale, për figurat kryesore, për ndodhitë me të fiksuara historikisht jo vetëm që nuk pasurohen, por përkundrazi, thjeshtëzohen. Ka një të dhënë minimaliste për Gjergj Kastriotin që: një herë ishte ftohur dhe kish mbështjellë qafën me shall… Po të kërkojmë elementë historikë për anën shqiptare, pa ndërhyrë këtu njohuritë tona të mëparshme, do të gjenim vetëm informacione osmanologjie në lidhje me strukturën e ushtrisë osmane, për mënyrën e organizimit, për hierarkitë, për frymën ideologjike, për mënyrën e funksionimit etj. Në interpretimet shkollore e universitare merret si primare kështjella, qëndresa e popullit tonë dhe titulli i romanit në botimin shqip ta imponon këtë lloj qëndrimi ideo-emocional. Ndërkohë, teksti romanor të shpalos në gjithanshmëri vetëm kampin kundërshtar dhe figurën e pashait turk.Pashai është figura qëndrore. Si tek Gjenerali, dhe Kështjella, duke e fokusuar tërësinë e mjeteve shprehëse te kampi armik, këndshikimi dhe botkuptimi i tyre sheston rrafshin përmbajtësor duke na dhënë një roman jashtë standartit soc-realist.
Rezultat i shikimit nga jashtë i hapësirës shqiptare është përshkrimi me ftohtësi objektive i natyrës, male, varfëri, zymtësi.
Asnjëherë nuk kishte parë male të tilla. Ato i ngjanin një makthi të rëndë që të shtyp e të shtyp vazhdimisht e nuk të lë të zgjohesh.Toka dhe gurët ishin vërvitur drejt qiellit me një furi të tillë sa që dukej se i kishin thyer të gjitha ligjet e natyrës. Allahu do të ketë qenë i nevrikosur kur krijoi këtë vend. (f. 8)
- Kronikani shkruante se këto ishin male të larta, ku djalli vetë me një shkop në dorë dhe duke u rrëzuar e duke u coptuar mund të ngjitej, ku shejtanit i griseshin opingat dhe ku pulat pa vënë patkoj nuk mund të ecnin.Tursun pashait i pëlqeu ky përshkim. (f. 8)
Te Kështjella, ajo që bie ndesh me normat krijuese të kohës është zgjidhja. Konflikti përfundon si në një dramë klasiciste, me zgjidhje artificiale, deus ex machina. Është zgjidhje mjeshtërore që shkon përkrah me frymën simboliste e alegorike të romanit. Nuk ka fitore të njërës ushtri kundër ushtrisë tjetër, nuk ka një betejë ose ngjarje përcaktuese përfundimtare ku secili të marrë atë që meriton. Nyja dramatike zgjidhet nga natyra. Ndryshe nga të gjitha zgjidhjet e pritshme, fatin e luftës e vendos shiu.Fitorja nuk shkon te ai që bën luftë të drejtë, që ka udhëheqës të madh si Gjergj Kastrioti, që ka me vete shqiptarët trima e vetmohues, fitorja ose humbja varet prej reve të shiut. Pashain e tremb natyra dhe kapriçot e fatit, jo mbrojtësit e kështjellës:
Për një kohë të gjatë ai bëri një gjumë të qetë dhe pa ëndërra. Ëndërra i erdhi më vonë. Ai pa në ëndërr daullet e shiut. Të rrjeshtuara njëra pas tjetrës, ato filluan të binin vetë pa i goditur njeri. Ai i urdhëroi të heshtnin por ato nuk ju bindën. Ato vazhdonin të binin me një gjëmim të mbytur. Tursun pashai u zgjua. Kjo nuk ishte më vazhdim ëndërre. Larg, diku anash në thellësinë e kampit, po binin vërtetë daullet e shiut. Ai ndjeu një zhurmë të butë mbi faqet e pjerrëta të çadrës dhe papritur ç’do gjë u bë e qartë dhe e pandreqshme. Shiu. (f. 233)
Pa shiun, këshjella do binte nga etja, duke e zhvlerësuar sakrificën sublime dhe qëndresën e kështjellarëve. Me fillimin e shiut pashai heq dorë nga ç’do përpjekje tjetër, madje me gjakftohtësi nuk pranon iluzione ngushëlluese për të ardhmen e tij.
Nga toka ngjitej një erë e rëndë, era e baltës së lagur nga shiu pas një kohe aq të gjatë… asnjëherë nuk e kishte ndjerë kaq afër dhe kaq të pushtetshme praninë e baltës së dheut. Ajo shtillej në ajër, kudo, mbi të, nën të, anash tij. Ishte një rrethim i pakalueshëm…ai pati dëshirën instiktive të ikte, vrapues i vetmuar, larg, larg, me hapa të shtrira, monotone për të dalë nga ky kurth, por në atë çast e ndjeu se kudo rreth e përqark ishte po ky shi dhe po kjo fushë me pellgje, për të cilën ai ishte tashmë i huaj si për një njerkë. (f. 234)
 Jeta dhe lufta jepen si lojra të përgjakshme e të pabesa të fatit. Në këtë rast, fati (shiu) ishte në favor të kështjellës dhe pashai turk e pranon para kohe rezultatin e lojës: me respekt për veten e tij dhe me dinjitet të palëkundur e gjakftohtësi largohet përgjithmonë nga jeta, nëpër shi, si personazh i Heminguejit. Para vetvrasjes thërret Exherin, gruan që ishte shtatzanë;
- Dëgjo! – i tha ai, nëqoftëse ai, – ai tregoi me gisht barkun e saj nën këmishën e hollë, - do të jetë djalë, ti do t’i vesh emrin tim………pastaj kërkoi një gotë ujë... unë do të fle, - tha ai.”(f.234)
Betejat kryesore ndodhin në vetëdijen e pashait. Gjatë gjithë kohës së rrethimit, ai ka menduar gjatë për vartësit e tij, për kundërshtarët e shpallur, për miqtë dhe armiqtë e tij në kryeqytet. Ai është vazhdimisht duke vëzhguar anën e tij. Njerzit e tij, shtabi i luftës, eprorët në kryeqytet dhe natyra vendosin për fatin e tij si njeri dhe si ushtarak. Figura e pashait është një arritje e madhe e autorit sepse, nëpërmjet trajtimit të saj në kompleksitet, konflikti romanor shteron plotësisht motivin atdhetar, eleminon planin etik të krahasimeve dhe zbulon një dramë më të madhe, më komplekse dhe më universale –absurdin dhe fatalitetin e ekzistencës njerëzore. Me Kështjellën Kadare jo vetëm i ka ikur plotësisht realizmit socialist por edhe e ka pasuruar, në nivel ndërkombëtar tipologjinë e romanit historik

Te Kronika janë tre rrëfimtarë. Së pari: autori fëmijë që rrëfen pjesën më të madhe. Së dyti: autori-shkrimtar që ndërhyn disa herë midis kapitujve, në hyrje dhe në memoriale. Së treti: kronisti Xivo Gavo. Rrëfimi Xivo Gavos plotësohet nga rrëfimet e plakës Sose (në mungesë të kronikës) dhe nga thëniet e njerëzve të panjohur.
Me tre zëra rrëfimtarë, te Kronika synohet morfologjia e jetës së një qyteti arkaik mes luftës dhe të papriturave të tjera të qytetërimit të shekullit XX. Autori ka hequr dorë nga ndërtimi i një bote fiksionare dhe ka dhënë botën reale të kujtimeve të tij në totalitetin e saj të papërsëritshëm. Krijimi artistik me bazë këtë periudhë bëhet më i vështirë kur pjesë e historisë së qytetit është edhe lëvizja komuniste dhe E. Hoxha. Ai perceptohet në vendlindje si një njeri që ishte dukur si shkolluar me që kish qënë në vendin e frëngjve, por kish dale ndryshe tani…
Rrëfimtari i parë, autori fëmijë, realizohet në shkallën zero të shkrimit, “shkrimi i bardhë” po të përdorim shprehjet e R. Bart kur analizon „I huaji” të A. Kamysë. Autori fëmijë është i vëmendshëm por asnjanës. Nuk shfaqet anjëherë emocionalisht, përveç rastit kur shkon në thertore dhe shikon gjakun e bagëtive. Ky rast i rrallë i shfaqjes emocionale të heroit është identik me kujtimin që vetë Kamy ruan nga babai, kujtim që ia përcjell dhe personazhit të tij Mërsosë; një ditë babai i Kamysë kish shkuar në një ekzekutim publik, në gijotinë dhe ishte kthyer andej i tronditur, i zverdhur, duke vjellë. Mbetet për t’u analizuar nëse kemi të bëjmë me përkime të rastësishme apo me ndikime të mirëfillta. Kadare, imazhin e thertores së bagëtive e bashkëshoqëron me lojën e pullave postare për të krijuar asosacionin metaforik të thertores së shteteve dhe popujve. Djegia e shtëpisë së tij nuk i bën përshtypje, as djegia e përfytyruar e gjyshes. Ka një vëmendje të pazakonshme ndaj botës që e rrethon, ndaj gjërave të rëndomta, por nuk përfshihet në spektaklin e ndjenjave dhe gjykimeve, qofshin këto edhe të botës fëminore. Midis plakave të jetës, të rinjve komunistë, thashethemnajës së qytetit nuk mban asnjë lloj qëndrimi. Ky fëmijë i një qyteti-fshat, siç ishte Gjirokastra e asaj kohe, nuk ka asnjë lloj ideje se ç’janë fshatarët dhe ku shkojnë ata kur dalin nga qyteti. Është padituri dhe naivitet artificial, krejt i papranueshëm për moshën e rrëfimtarit, përderisa kemi të bëjmë me një fëmijë normal. Ai jepet i pandjeshëm edhe ndaj djegies a përmbytjes së mundshme të shtëpisë, i pandjeshëm ndaj ngjarjeve të rënda që ndodhin përreth, shpërngulje nga shtëpitë, bombardime, atentate, skandale rozë etj. Autori-rrëfimtar vazhdon të shtiret si fëmijë, ndërkohë që rrëfën një histori romanore vetëm për të rriturit. Neutraliteti i rrëfimtarit kryesor sjell një dimension liriko-filozofik të panjohur ndonjëherë në prozën shqipe.Kemi të bëjmë me një mënyrë të re rrëfimi, rrëfim apokrif, fshehur pas moshës së rrëfimtarit-fëmijë. Autori-“fëmijë” rrëfen me paanësi pikërisht ashtu si shkruan Roland Barthes për rrëfimin në romanin “I huaji” i A. Kamysë: Shkrim i bardhë… neutral… amodal…. dëftor… i sheshtë...i pangjyrë… transparent… i pafajshëm… akohor
E panatyrshme është edhe dashuria e fëmijës për aeroplanin bombardues armik. As ky veprim s’ka të ngjarë të përputhet në asnjë rast me psiqikën fëminore. Ka një përkim tjetër (ose ndikim) me filozofinë e Mërsoit, te I huaji i cili komploton kundër vetes së tij. Duke perifrazuar autorin e Mërsoit, Kamynë kemi një farë bashkëpunimi moral midis viktimës dhe ekzekutorit, për ta bërë më të lehtë vuajtjen kur dënimi është i pashmangshëm.
“Shkrimi i bardhë,” “shkalla zero e shkrimit” është një mënyrë e panjohur për letërsinë shqipe, madje një mënyrë e dënueshme për kohën. Mosha e rrëfimtarit duket se e ka përgjumur censurën dhe e ka ngatërruar kritikën zyrtare duke e lënë magjinë e rrëfimit të shkojë te lexuesit.
Rrëfimtari i dytë-autori shkrimtar bën hyrjen, memorialen dhe disa ndërhyrje midis krerëve.Në hyrje jep anët e çuditshme e fantazmagorike të qytetit;
- Ishte e vështirë të ishe fëmijë në këtë qytet.
- Në memoriale jep mallin për vendlindjen dhe personazhet e saj të çuditshëm:
 ‘Gjyshe Selfixhe, Xhexho, hallë Xhemo, nënëmadhe, Kako Pino… ato s’janë më. Por në udhëkryqe nëpër kënde muresh kam parë ca vija të njohura, ca si tipare, hije mollëzash e sysh. (f.306)
Në ndërhyrjet midis krerëve autori rrëfimtar shton një dimension poetik të botës komplekse që po shpalos. Bën përgjithësime duke u ngritur mbi ndodhitë ditore, ndërthurje të mendimive e ndjenjave vetjake me poezinë dhe vrazhdësinë e jetës. Edhe ky rrëfimtar (autori-shkrimtar) mbetet i pandikuar nga fryma ideologjike e kohës ku shkruan. Asnjë nostalgji dhe mirënjohje tjetër për qytetin e fëmijërisë, përveç nostalgjisë për plakat e jetës, për trarët e shtëpisë së tij dhe për gurët e kalldrëmeve.
Rrëfimtari i tretë; kronikani Xivo Gavo shërben për të futur në botën romanore atë mori ndodhish dhe faktesh që asnjë ligjërim i rrëfyesve të tjerë nuk mund ti pranojë: kush është njeriu më i rëndë i qytetit, kush ka rekordin e pirjes së kafeve, lista e të vrarëve nga bombardimet, orarët dhe adresat e mamive, ndërrimi i pares sipas pushtuesve të radhës, rubrika gjuhësore etj. Kronika e Xivo Gavos, midis krerëve të romanit anashkalon aktorët dhe faktorët më të rëndësishëm të epokës, anashkalon ndodhitë e bujshme kontinentale e botërore dhe skalit me përpikmëri prozaizmin gotik, fizionominë origjinale dhe dramacitetin e jetës së një qyteti real.Lufta jepet si një padrejtësi e rënë nga qielli që e cënon rëndë jetën e qytetit, por në pauzat paqësore, të gjithë e përzënë nga kujtesa, madje edhe kronisti skurpuloz Xivo Gavo. Për hyrjen në qytet të ushtrisë greke ai shkrun:

Më 18 nëntor në qytet hynë g… Askush nuk mund ta shpjegonte një kursim të tillë fjalësh për një ngjarje kaq dëshpëruese,e aq më tepër shpenzimin vetëm të një shkronje (g) për gjithë mizërinë e grekërve. (f. 172)

Plaka Sose dhe thëniet e njerëzve të panjohur zvendësojnë disa herë kronikën duke ofruar një optikë edhe më syrealiste; parashikime, parandjenja, komente, interpretime befasuese me pasojë mitizimin e përvojërave të rëndomta dhe çmitizimin e faktorëve historikë protagonistë.
Te Kronika, në mënyrë embrionale por mjaft të qartë gjendet modeli qeverisës i shtetit të ardhshëm komunist; shkatërrimi i pamëshirshëm i klasave kundërshtare, asgjësimi i njëri-tjetrit, shkatërrimi i pronës private, shpronësimet, shtetëzimet, shoqërizimi i skajshëm i jetës deri te mensat e përbashkëta. Këto rrëfehen hapur, me episode konkrete, dhe përcillen pa asnjë simpati nga rrëfyesit te lexuesi. Kur flitet për luftën e klasave, për kurbanët e botës së re, kur partizanët vrasin shokun e tyre, kur ilegali komunist vret ungjin e tij qëndrimi ideo-emocional është dënues: hataja… ç’më the, ç’më the, kiameti, pse s’vdiqa dimrin që shkoi etj.
Gjenerali, Kështjella, Kronika jo vetëm në rrafshin e përmbajtjes, sikurse pamë kryesisht më lart, por edhe sipas rrafshit të shprehjes artistike, janë gjithsesi të paklasifikueshme në gjirin e veprave të realizmit socialist.

Ka pasur edhe më parë përpjekje për të hetuar gjurmë të antikonformizmit në veprën e Kadaresë. Dallohet, midis tyre, studimi i A. Pipës Subversion drejt konformizmit (botimi i parë 1987, në revistën tremujore amerikane “Telos”). Megjithë aftësitë profesionale të autorit, vepra nuk duket e argumentuar nga pozita filologjike.

Kadareja mundi të krijojë kryevepra letrare brenda kuadrit të ralizmit socialist pa respektuar rregullat e patolerueshme të dogmës zyrtare e për këtë arsye kureshtja e lexuesve dhe e studiuesëve të tij vazhdon. Natyrisht, në të ardhmen priten studime plotësuese më të angazhuara. Deri tani vepra e Kadaresë të bind se, përveç talentit të jashtëzakonshëm, shkak i suksesit është dhe guximi i tij. Guximi krijues, ndonëse nuk është asnjëherë i mjaftueshëm për artin e vërtetë, është, megjithatë, gjithmonë i domosdoshëm dhe i pazvendësueshëm.

No comments: