Arb Elo: Trajtesë mbi natyrën e kohës (Përsiatje për kohën, dritën, qenien dhe teorinë e botës)

1.


Siç dihet - tashmë gjerësisht - në teorinë e relativitetit shpejtësia e dritës është kufitare: asnjë objekt e informacion nuk mund të lëvizë më shpejt se drita në zbrazëti.
Po sipas kësaj teorie, nëse lëvizet me shpejtësinë e dritës koha mbetet në vend.
Çfarë lëviz me shpejtësinë e dritës në mos drita vetë?
Deri këtu vetëm kemi përsëritur ca gjëra që mësohen në gjimnaz e që tifozët e »Star Trek«-ut i dinë përmendësh.

Prej këtu e më poshtë vijon arsyetimi ynë. Ai do të jetë i rreptë për nga thjeshtësia.

Nëse koha mbetet në vend kur lëvizet me shpejtësinë e dritës e me këtë lëviz drita në zbrazëti, (nëse mund të flitet për shpejtësi kur koha mbetet në vend) atëherë kjo kohë kufitare - si edhe shpejtësia e dritës brendapërbrenda sistemit ku shpaloset: atij të dritës vetë - nuk mund të ketë vlerë tjetër përpos vlerës 1.
Të gjitha lëvizjet e tjera duhen vendosur pastaj në raport me të, pasi shpejtësia e dritës është kuti me të cilën do të matim pjesën tjetër e kjo marrëveshje do të ishte e natyrës aksiomatike, mu ashtu siç biem në një mendje që një metër është njësia me të cilën matim gjatësitë e pse kjo është kështu, - pse 1 e jo 0, bie fjala, - kjo është tjetër aksiomë, matematike kësaj radhe, që do të nënkuptonte se sistemi matematik që kemi zgjedhur do ta përjashtonte zeron si të tillë, që do të thotë se në një sistem koordinatash karteziane (ortogonal) x, y për shembull, prerja e boshteve, vlera e saj do të ishte 1 e jo 0, siç shënohet rëndom.


Pasi për shpejtësinë e dritës nuk do të mund të thuhej dot asgjë; ajo do të merrej e dhënë. Të njëjtën aksiomë do të duhej të merrnim të dhënë për masën e fotonit në fizikën e grimcave, pasi edhe ky do të ishte një kut tjetër aksiomatik e do të kishte vlerën 1.
Çfarë do të pohonte ky arsyetim për vlerën e kohës (së mbetur) kur lëvizet me shpejtësinë e dritës? Vlera e saj do të ishte po ashtu =1, (pasi koha nuk mund të mos jetë, të mos ekzistojë; përndryshe nuk do të mund të flitej fare për fizikë) dhe vlera reale e saj do të ishte e papërkufizueshme sepse ajo, vlera me një fjalë, do të orvatej përkah pafundësia në njërën anë, ajo e madhja, dhe në të njëjtën kohë drejt zeros, pafundësia tjetër, ajo e vogla, në anën tjetër: ndaj në sistemin që kemi zgjedhur vlera e saj do të ishte 1. Dhe kështu është vërtet, si në fizikën e thërrmijave, ku koha është thuajse e papërfillshme, në njërën anë, po ashtu edhe në fizikën e Ajnshtajnit, ku ajo mund të orvatet kah pafundësia, varësisht nga masa.


No comments: