Blerina Shalari: Kombëtarja dhe ndërkombëtarja në muzikën shqiptare


Kjo kumtesë është pjesë e studimit “Polifonia labe dhe muzika e kultivuar shqiptare” i autores Blerina Shalari, studim i hartuar gjatë punës për mbrojtjen e gradës doktor i shkencave pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike të Tiranës, në kuadër të së cilës funksionon edhe shkolla doktorale “Etnologji folklor”. Autorja mbetet me besimin se ky studim do të nxisë të tjerë të llojit për t’u thelluar më tej në pasqyrimin e vlerave të mirëfillta të artit muzikor shqiptar, dhe, pse jo, të synohet për ndërkombëtarizimin e tyre, si dhe të nxitet kritika për një përparim të mëtejshëm të tij.

Këto cilësime, qysh në krye të çështjes që po trajtojmë, duken si nacionaliste e politike në një kuptim aparent të kësaj fjale, por në të vërtetë ato priren drejt dy përmasash, sa shqiptare, aq edhe universale, duke synuar të nxjerrë në pah sa ndërlidhet gjithashtu ajo që është kombëtare me ndërkombëtaren në muzikë. Kur kemi folur për shkollën kombëtare, kemi thënë se cilësitë e saj janë sidomos folklori i futur në trasenë profesioniste, harmonia popullore shpeshherë modale, e cila ngjyros veprat profesioniste, melosi popullor i cili ngjiz që nga motivi bazë tematizmin e veprave profesioniste, për të mos thënë që ky melos shndërrohet vrik në një vepër aq të kultivuar, saqë ndonjëherë nuk e dallon dot që ajo të ketë qenë tjetër lloj.

Megjithatë, a i gjen studiuesit në një mendje për faktin se ”krijimi popullor është në tërësinë e tij një kombëtaritet i mirëfilltë”, duke i bërë një oponencë të fortë në këtë rast krijimit profesionist, i cili është i ndikuar, huazuar dhe nxitur edhe nga ndërhyrje të jashtme?!
Kaq e vërtetë është kjo, sa edhe kur është marrë për bazë një motiv popullor për të krijuar vepra profesioniste, nuk është hezituar të citohet i plotë si motiv dhe të kthehet në një temë kryesore për veprën – dhe shembuj të tillë ka plot. Por ky është një gjykim strukturalist, e më tej gjen edhe aludime të tjera që dalin jashtë formës së kësaj muzike.
Kombëtarja në muzikën tonë, në termat e sotëm të një kritike moderne, do të merrte tone pathosi thjesht politik, por përndryshe ka edhe diçka tjetër, sepse meqë ky koncept ka një origjinë tërësisht popullore, duket si një utopi për këtë gjykim, që priret gjithmonë drejt elektros dhe shfaqeve të tjera të ngjashme.

Nga njëra anë, kombëtariteti popullor i muzikës sonë duket i veshur me komplekse artistike dhe jo të tilla, ç’ka e bëjnë këtë art të vështirë për t’u gjykuar, të pakrahasueshëm me të tjera sfera, qofshin edhe jashtë saj etj. Formulat e ndërtimit të kësaj muzike, por edhe mosdepërtimi deri në fund ndaj historisë së saj ka bërë që të kemi përçarje në sintetizimin e këtij arti me termin “kombëtare”, e le më pastaj ta krahasojmë me profesionizmin tonë jashtësor, ku kombëtariteti lëkundet deri në kufijtë e ekzistencës.


Arti popullor, por jo vetëm ai i tingujve, ka disa thelbe të cilat e veshin më së shumti me misionin, por edhe me përmbajtjen kombëtare. Së pari; ky art ka tërësisht temperament shqiptar, përbërje shqiptare, ç’ka duket në melos, ritëm, harmonizuar dukshëm me etnografinë. Mund të thotë dikush: Kështu ngjet edhe me artin e vendeve të tjera, por në Shqipëri është më e theksuar, kjo sepse terreni, jeta e banorëve të saj, po edhe rrethanat dhe vuajtjet jetësore bëjnë që të kemi një përcaktim të tillë.

Më në brendësi, kjo muzikë ka si strukturë një formë të vjetër e shumë të vjetër, me pak shtrirje melodike, por që mban plot emotivitet brenda.
Më tej, sipas mendimit tonë, muzika popullore duket se ka më së shumti një karakter e përmbajtje historike e shpesh edhe epike, ç’ka ia shton kombëtaritetin. Madje edhe kur gjejmë në këtë art personazhe mitike, ato janë të veshur shpesh me tisën historike, aq sa është e vështirë ndonjëherë të bësh dallimin, nëse është një personazh real, apo thjesht një legjendë mitike.

No comments: