Etleva Durmishi: Poezi


Etleva Durmishi ka studiuar për psikologji dhe shkenca politike në Prishtinë, Maqedoni dhe Suedi. Është psikologe e përqëndruar në psikologjinë politike dhe mënyrën e aplikimit të saj në Ballkan. Durmishi ka botuar dy përmbledhje me fabula në vitet 2003/2004 (“Kopshti i Drenushës” dhe “Pula në Internet”) dhe është autore e një morie tekstesh të këngëve për fëmijë. Poezia mbetet pasioni i përhershëm dhe një veprimtari e rëndësishme në jetën e saj, krahas profesionit. Etleva Durmishi jeton dhe punon në Prishtinë.

Kafe mëngjesi


Mëngjesi zbrazet në filxhan
dhe dozë e fortë e kafesë
humbet kuptimin e hershmërisë para orës së saj!
Dielli i hershëm bie butë mbi filxhan
dhe poaq butë ndeshen nxehtësitë
duke bërë të dukshëm
pamjen e patrajtë të avullit të saj
që s’duron veten brenda në gotë!
Avulli…
Duket poaq i ngatërruar, i ngadaltë dhe i lehtë
sikur mendime njerëzish në këtë orë
që gjejnë depërtim
në shtresën e mbetur të kafesë
kur ikim,
lëmë prapa këtë çast
për të kapur ditën më gjithë forcën e gëlltitur.


Natyra


Natyra u krijua nga fuqi e ngjyrës
dhe ҫdo element përbërës i saj bashkëvepron
 vetëm për pasqyruar në spektër hyjnor
 e për të jetësuar pasurinë kromatike
… veҫ për qejfin e saj.
Është ky ritëm, kjo dendësi dhe dhe kjo
madhështi estetike
që kushtëzon ekzistencën e saj
e që rezervojnë spektaklin e tyre
veҫ në hapësirat e paana
e në puҫjet me horizontet
ku nuancat bëjnë lojën e tyre më të ҫmendur
dhe ku, jo rastësisht, njeriu gjen më së paku
frekuentim
Dhe ne e dijmë se
ҫiltërsia natyrore është bollëk i koloritit
e dehje nuancash të brishta
Por e gjithë ç’mungon
është
ndjeshmëria më e theksuar e njeriut ndaj ngjyrës
që do ta bënte atë më njerëzor,
dhe t’ia lejonte botës vitet që ajo ia ka premtuar

vetes.

No comments: