Ioan Es Pop: po të mos kisha qënë i detyruar të flisja (dacă n-aș fi fost obligat să vorbesc)


po të mos kisha qënë i detyruar të flisja
nuk do të kisha folur kurrë.
gjer mbusha gjashtë vjeç s’ma kërkuan
dhe qe mirë, se rrija në të folme
si nën një këmbanë prej gize përsosmërisht të mbyllur.

fshihja atje një shkencë
që, në moshën gjashtë vjeçare, më detyruan ta humb
e shihja ëngjëllin jo në gjumë, po përnjimend
në mes të ditës
kur realiteti është i pakundërshtueshëm.

nuk ua kam falur as faktin
që më çuan në shkollë
ku duhej të flisja
kurse më vonë: të rropatem t’u ngjaj
të tjerëve, që s’pushonin së foluri
dhe tundnin duar e këmbë
duke me turbulluar me jetën e tyre.



gjer edhe sot flas me tmerr
se jetoj po atje, në këmbanë
dhe e folura më bën keq.
s’kam asgjë për të thënë me të folmen njerëzore
ku gjithçka është rastësi e grindje.

por hiqem, me njëfarë mjeshtërie,

sikur flas, teksa jashtë dëgjohen
tinguj gati prej njeriu
por në fyt është një hungërimë analfabete dhe e patrajtë
që s’ka të bëjë me të folmen.

e keqja është se shkenca ime e heshtjes vate
vate edhe ëngjëlli që më rrinte
te kryet gjersa mbusha gjashtë vjeç
vate edhe njeriu që mund të kish qënë tjetër njeri,

duke heshtur aq sa në fund
të kaq viteve pa fjalë, mund të zbulohet
më e pamëshirshmja shkencë ndër shkenca
e vetmja që mund ta bënte vdekjen më të durueshme
dhe makinat më të mëshirshme.

No comments: