Lavdie Bakiu: Poezi



Lavdie Bakiu ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Shkruan poezi qysh e vogël.

Mes andrrës e (Mos)zgjimit


Mes andrrës e zgjimit gëlojn' lumtunit'
e trishtimet e nji zemre t'dobsume,
n'grimçaste që shfaqen si nji drit',
dritëza t'nji jete t'jetume.
Mes andrrës e zgjimit, n'agim,
jeta t'vjen para sysh,
a thu t'vjen edhe n'nji tjetër andrrim,
kur shpirti don me u nda m'dysh?
Mes andrrës e (mos)zgjimit plot drit'
n'syt' e plakut t'ngrat',
bulza jete i lëshuen syt'
e iku n'nji udhtim t'gjat',
harroi me u kthy at' nat'....


Mos u trand 

Mos ec para me kryet mas,
asgja nuk kthehet, s'vjen asisen,
n'kujtime t'trishta kur shpirtin përplas,
menon se grimeçastet sërish i kthen?
Mos e kthe kryet n'rrugtimin tand,
ma e drejtë asht udha që t'shtrohet para,
se rrugë e kalume shpirtin ta trand
e s'len t'kalojsh ku asht e mara.
Ajo që iku, ka vdekë, ka maru,
ashtu siç ti do t'marojsh nji ditë,
do thonë për ty, ashtu si për mu:
"Ishte i mirë, shpirti i ndrittë.
Veçse gjithë brenga e pendime ish,
t’u kerku ç'kish hum, humi ç'kish
..."

Kur dimnit shallin t’hedhësh n’fyt


Kur dimnit shallin t'hedhësh n'fyt,
menohu a ka gja tjetër që fytin ta shternon,
se mos nji fjalë pa menu ke than'
se mos noj' brengë shpirtin ta myt.
Kur shalli njiherë përdhe të t'bjerë
e ti t'shkelsh fijet e vjetrume,
meno a ke n'shpirt fije t'harrume
që bukur duhen thur edhe nji herë.

E n'qoftë se nji ditë shkep shallin e leshtë
e me at' pe t'bajsh nji triko t'nroftë,
prej vrimave t'trikos era do të t'sjellë t'ftoftë,
se gungat e penit t'vjetër s'bajn' ma nji triko t'sheshtë...