Ndue Ukaj: Humusi kulturor e poetik i Martin Camajt

Shkrimtari dhe albanologu Martin Camaj, i lindur në Temal të Dukagjinit, shkoi në Kolegjin Saverian, aty ku para tij u edukuan shumë shkrimtarë e dijetarë shqiptarë. Aty mori bazat e para të formimit klasik, të cilat i thelloi nëpër qendra të ndryshme. Djaloshi i ri që la malet Temalit, “ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit” zbriti në Shkodrën e kulturës- dhe në kolegj, pati fatin të kishte për rektor, eruditin At Zef Valentini. Shkollimi iu ndërpreu në vitin 1946, kur regjimi komunist ndaloi përfundimisht aktivitet e kolegjit. Nga këtu, kaloi 4 vite të vështira në Prekal, dhe vendosi të largohej nga atdheu.
Janë momentumet politike të kohës, ato që ia prishin ëndrrat. Ideologjia staliniste lëshoi rrënjë në Shqipëri. Atëbotë, Camaj i ri e me ndjeshmëri të theksuara- i edukuar me frymë lirie e ndërgjegje refuzuese, vendosi ta braktiste vendin. Arshi Pipa, gjithashtu një i arratisur, duke e shpjeguar këtë akt thotë se Martin Camaj “është tipiku i intelektualit europiano-lindor që, për arsye politike, braktis atdheun dhe shëtit nga një vend në tjetrin. Po me të ngulitur diku- e ndërkohë s’është më i ri në moshë-e kupton se është e pamundur për të, të lëshojë rrënjë në tokën e re. E përndjek nostalgjia për atdheun e vet. E nëse qëllon të jetë shkrimtar, do ta shprehë këtë nostalgji duke u përpjekur të sillet rreth një teme-bazë, atë të humusit të vet kulturor.”

Poeti i ardhshëm, s’deshi t’i nënshtrohej terrorit ideologjik dhe pranoi të bëhej shtegtar. Ky veprim krijoi thyerje në jetën dhe shpirtin e tij. Sepse janë dallgët e atdheut të trazuar, ato që do ta ndjekin çdoherë pas. Është ajo copë Itake që i rri e thadruar në ndërgjegje. Dhe poeti nuk mund- e as që do ta fashitë atë copë Itake, rreth së cilës, më pastaj, krijoi hartën e tij shpirtërore e letrare. Larg atdheut, poeti ka mall, dhimbje, kujtime e dashuri për njerëzit dhe natyrën; ndjesi këto që bëhen shkëndija vezulluese e imazhe që e formësojnë botën poetit të madh- dhe një poezi të shënjuar artistike.
Jeta akademike, intelektuale dhe poetike e Camajt, njeh disa faza, të cilat, bëhen referenca e evidenca të patejkalueshme për ta kuptuar fizionominë e tij intelektuale e krijuese. Jetë përplot furtuna, me të panjohura, që kryqëzohen dhe rrinë në veprën e tij si shtresa përjetimesh, transfigurohen në shenja letërsie e kulture.
Ai bredh nga Shqipëria në Tuz - e prej aty në Prishtinë, Beograd e Sarajevë, Romë e Munih. Me vete merr imazhet e atdheut të tij, të njerëzve të dashur që rrinë pushtetshëm në ndërgjegjen e tij intelektuale e krijuese.
Në Romë, ka fatin të takohet dhe të bashkëpunoi ngushtë me Ernest Koliqin, dijetar dhe shkrimtar i sërës së lartë. Ky kontakt, ndikoi në zhvillimin e tij letrar e kulturor. Pa dyshim, Koliqi le gjurmë te Camaj dhe bashkëpunimi i tij me të do të jetë afatgjatë e i frytshëm në shumë fusha, sidomos në revistën në prestigjioze të diasporës “Shejzat”, ku Camaj qe kryeredaktor.
 Në fund të dhjetorit 1960, poeti dhe albanologu përfundon në Munih të Gjermanisë. Aty e kaloi jetën deri më 1992, kur shuhet jeta e tij tokësore dhe fillon jetën vepra letrare e kulturore, si shenjë e identitetit kulturor- e shpalim i një krijuesi krejtësisht të veçantë në gjithë historinë e letërsinë shqipe.
Këto evidenca e referenca jo të plota biografike, lidhen drejtpërdrejtë me krijimtarinë e tij artistike dhe identitetin artistik të veprës së tij. Sepse vitet e mjegullta politike, ia ndërpresin ëndrrat djaloshare, por jo andrrimet e as kujtesën.
Opusi poetik i tij Camajt është i pasur. Autori i dy vëllimeve me poezi, “Nji fyell ndër male” (1953) dhe “Kanga e vërrinit” (1954), vazhdon ta përsosë krijimtarinë poetike me librat poetik “Legjenda” (1964) dhe “Lirika mes dy moteve” (1967), që u pasuan nga tre vëllime të tjera, “Njeriu më vete e me tjerë” (1978), “Poezi 1953-1967” (1981), një antologji e poezive të tij më të hershme, si dhe “Selected Poetry” Poezi të zgjedhura dhe ”Palimpsestin, (1990). Ndërsa “Dranja” (1981) është vëllim poetik në prozë. Camaj është autor edhe i veprave tjera në prozë, dramë dhe po ashtu në fushën e gjuhësisë.

Camaj dhe poezia

Studiuesi i Buzukut dhe librit të parë të shqipes së shkruar, gjatë gjithë jetës aktive intelektuale e krijuese, poezinë e pati pasion dhe e kultivoi me dashuri. Nëpërmjet artit poetik, shprehu ndjesitë e brendshme, ku spikasin lidhjet e shkëputura shpirtërore me vendlindjen.
Camaj është poet shtegtar, që kaloi nëpër qytete, në kërkim të mitit poetik apo qetësisë së humbun. Nëpër biblioteka e libra, qëmtoi nëpër misteret e artit, pa u shkëputur asnjëherë nga kujtimet e hershme djaloshare. Nga një distancë e largët- fizike e shpirtërore, ato i shkreptijnë si vezullima ndriçuese. Ia dëftojnë rrugën poetike, në kohën kur ai andërron, dhe kështu krijon kurorën e imagjinatës së dëlirë poetike, në të cilën spikatet humusi shqiptar me tiparet e dallueshme të ambientit shqiptar.
Koha dhe kujtesa, si dimensione poetike, te poezia e tij shfaqen në trajta e variante të ndryshme. Të thadruara në zemrën e poetit që e humbi qetësinë kur e braktisi atdheun, ato shpalosen, ashtu siç i shpalosen kujtimet e kohës së largët: butësisht, prajshëm, me ndjenjën e frikës në mos po lihet gjë në harresë. Ai me ngulmë do me kujtue, dhe këtë e dëfton në përsiatjet që bën për poezinë, veçmas në dy tekstet: “Jo gjithë jeta qenka burim poezie” dhe Shënime të përgjithshme mbi ’Varg librash letrare”.
Botëkuptimet e Camajt për poezinë janë një vlerë shtesë e artit të tij, ku ai shpalos idetë për artin, me çka hapi horizonte për të kuptuar edhe universin e tij poetik. Në tekstin me titull “Jo gjithë jeta qenka burim poezie”, poeti shfaq mendime domethënëse e të pjekura për artin e fjalës dhe marrëdhëniet e poezisë së tij me temat që trajton e imazhet që evokon. Ky tekst, mund të vlerësohet çelës për ta kuptuar dhe interpretuar poezinë e tij, sidomos në rrafshin semantik dhe artistik. Camaj, në këtë tekst, i nënvizon shenjat sinjfikative që hapin shtigje për ta kuptuar poetikën dhe ideologemën kulturore e letrare.
Në tekstin në fjalë, Camaj dëfton çfarë raporte ka ai me poezinë, me shkrimin dhe temat që trajton, sikundër edhe me misteret e artit. Duke e lexuar këtë tekst, ne shohim sesi Camaj e shkruan platformën e poezisë së tij:
“Ka rrethana në jetën e njeriut që ky don me i harrue. Posa qet krye një këso ngjarjesh në kujtesën e tij, ai e ndrydh, për shpirt, për shpirt kishte me nxjerrë me gjithë rranjë prej fundit të zemrës, por s’ban! Papritmas kujtime te pakanshme mbijnë dikund ku as ndërmend nuk të shkon, shpesh si shfaqje negative, për shembull në marrëdhanje me të tjerët. Nëse kjo vetje do me harrue diçka është krijues, këto ngjarje të pakandëshme i shfaqen pavetdishëm në krijime te tij në letërsi, për shembull, ose në pikturë apo në tingull. Ky lloj arti del tepër i kapërthyem, por nëse asht art del në trajtën e vet të harmonishëm. Me zbërthimin e këtyne krijimeve artistike merren gjurmuesit, kritikët e bile tash së fundit edhe psikologët e aty këtu ndoj gjuhëtar.
Unë nuk i përkas kësaj rigate njerëzish, as si krijues, as si gjurmus. Poezia ime rrjedh nga ato rrethana jete që unë due t’i kujtoj! Që, për shembull një:
Kam lindë në një vis të egër “ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit”, kaq i thyeshëm asht ky vend.”
Camaj nëpërmjet këtij teksti shënon dhe nënvizon toposin tematik të poezisë së tij, që është humusi i tij kulturor (Arshi Pipa). Po ashtu, ai e shpalos edhe aspektin ontologjik të poezisë së tij, që lidhet me kujtimet e tij. Ndërsa shenjë tipologjike të artit të tij e nënvizon harmoninë si koncept estetik.
 Poezia e tij kalon nëpër filtra: është imazh, mendim dhe bëhet gjuhë e bukurshkrim. Gjuha, si materie, shfaqet si shenjë identiteti dhe kulturë artistike. E figura shënjohet si mendim dhe ide. Dhe nga rrebeshi i kujtimeve për kohën e largët, në vendin e largët, ai krijon një art të harmonishëm, kategori kjo estetike që simbolizon të bukurën e të përkryerën. Gjitha këto shtresa, ndërveprojnë mrekullueshëm përbrenda sistemit të tij poetik që është autentik, dhe ku, referencialiteti e subjektiviteti shkrihen për mrekulli.
Ndërsa te eseu tjetër ”Shënime të përgjithshme mbi ’Varg librash letrare”, Camaj jep një panoramë shkoqitëse e më qartësuese rreth poezisë së tij, veçmas statusit të saj semantik e ontologjik. Ai shprehet i vetëdijshëm se forma ka ndërrue vazhdimisht në krijimtarinë e tij. Në të njëjtën kohë, ai pohon se “ka ndërrue edhe gjuha, sepse e ka ndjekë zhvillimin e saj edhe se gjuhën e ka si zanat. Pjesë kryesore e formës sidomos në poezi ashtë gjuha vetë; ajo ashtë jo vetëm ngjyra e veprës letrare, por edhe përmbajtja” shkruan Camaj.
Duke u ndërlidhur me temat dhe motivet tipologjike të poezisë së tij, ai pohon se “Shqipnia e veriut dhe Italia e banueme prej arbenshëvet janë si sfonde ku zhvillohen ngjarjet që paraqes në veprat e mia, bile vetëm ngjyra e atyne vendeve sepse në fantazinë time ashtë shndërrue gjithçka...me thanë “shndërrue” ashtë tepër, por sidoqoftë unë nuk jam “realist” letrar si donë me qenë ndjekësit e realizmit socialist”.
Në këtë ese, Camaj nënvizon preokupimet e artit të tij; temat e mëdha e të përhershme të letërsisë, që janë: njeriu e natyra. “Përshtypjet e mia përqendrohen në tragjiken e vetjeve ku del në shesh dashunia e urrejtja.”
Poeti nuk le pa e shpjeguar edhe një aspekt të ndjeshme të krijimtarisë së tij: raportin e artit të tij me biografinë. Camaj për këtë pohon: “Një ndër problemet ma me rëndësi në krijimin tim ka qenë si t’i thjeshtësoj ngjarjet e ndjesitë e mia. Njehja e tyre në mënyrë realiste, sa me qenë tue shkrue biografinë për mue nuk ashtë art. Nuk kam qenë kurë aq i pakrypë me qitë ndjesitë e ngjarjet e jetës sime të idhëta e të gëzueshme troç, pa i shndërrue dhe stërhollue sa mos me i njohë vetë.
Këto dy ese të Camajt për artin poetik, dëftojnë se bota subjektive e imagjinatave e tij, është një botë që ndërvepron me të tjerët. Është një botë që evokon mungesat. Një botë plot gjallëri, që flet dhe e kërkon me gjakim Itakën e munguar. Ndonëse shenjat tipologjike të poezisë së tij, janë sinjfikative: ai në poezi e shpalos vetën, është Camaj ai që kërkon që të mos kërkohen elementet autobiografike në krijimet e tij. Këtë e pohon kështu: “secili që e bën këtë hyn në pyll pa sëpatë, sepse unë-thotë poeti- kam qëllimue gjithnjë me gjet përfytyrime e formula që përfshijnë ndjenja e ndjesi të shumta, të miat e të tjerëve. Këtë nënkupton edhe titulli “Njeriu me vete e me tjerë.”
Nga këto shkoqitje dhe referenca që kemi nxjerr nga dy tekste e tij ku Camaj përsiat për artin dhe poezinë, shohim se ai ka hedhur dritë mbi artin e tij letrar. Mendimet e tij për poezinë, qenësinë e saj, statusin ontologjik dhe artistik, janë të vyeshme dhe njëkohësisht dritëthirrje për të kuptuar poetikën e tij letrare. Në këto dy tekste, poeti shpërfaq me sinqeritet tërë koloritin e poezisë së tij, që po rinënvizojmë, ndërlidhet me humusin shqiptar, duke lënë të kuptueshme se hapësira semantike dhe artistike arbnore, dhe e Dukagjinit, janë shtresa të pushtetshëm përbrenda vjershërimit të tij, si mendime, gjuhë e figurë.
Në mënyrë programatike, në dy esetë e lartpërmendur, Camaj krijoi humusin e tij letrar e kulturor. Ai është malësori i Dukagjinit dhe ambienti shqiptar, me doke, zakone e imazhe specifike.
A rravgon Camaj pas mitit poetik? Dhe nëse po, ku e gjen atë? Këtyre pyetjeve e përsiatjeve, iu jep shpjegim autori. Ai, i ndodhur në Bibliotekë, mëson për palimpsestin, për këtë formë poetike që merr jetë në poezinë e tij, si një pikëshikim filozofik e poetik i veçantë për raportet e artit me të shkuarën. Teksa përkundet në imagjinatën e së kaluarës, ai shtegton nëpër qytete të mëdha: mes kërkimit të mitit poetik ose qetësisë së humbun.
Qetësia e humbun, është shenjë e shënjues poetik i identitetit artistik të poezisë së tij dhe ndërlidhet ngushtë me biografemën e tij.
Camaj jetoi me idenë që ta shkruante librin e kujtimeve, si semantikë shpirtërore, sepse kështu “nuk don me humbë gjurma”. Nëpërmjet enigmës, aty ku “nalt e poshtë i përzihen frazat” ai shkroi magjinë e tekstit, librin e bukur të poezisë shqipe, si shpalim i një botë të pasur imagjinatave, ku shpërthen dufi artistik i poetit që rrjedhë nga imagjinata e tij e pasur dhe kultura e kultivuar letrare.

Është pohuar nga shumë njohës të artit të tij, se, poezia e tij, si sistem, është e ndërlidhur fuqishëm me gjuhën dhe mendimin. Këto dy komponentë, bëhen shenja të identitetit dhe shpalim artistik i tij. Nëpërmjet kësaj semantike poetike, Camaj i jep vjershërimit shqipe koloritin që i mungonte. Madje edhe për faktin se poetika e tij qëndroi larg ndikimeve të shkollës socrealiste që kishte leshu rrënjë në Shqipërinë komuniste. Përkundrazi, ai afirmoi trendët bashkëkohëse të poezisë që lëroheshin në botë, veçmas poezinë hermetike, ku u tregua shumë i suksesshëm.