Silvana Leka: Asimetri tematike brenda krijimtarisë me fytyrë nga mali

Oksimoroni naimian

Duke iu rikthyer Naim Frashërit si rastin më tipik vërejmë edhe se ky poet shfaq dy qasje në krijimtarinë e tij të mëvonshme dhe që lidhet jo më me poezinë, por me poemën. Të dyja qasjet poetike i drejtohen origjinave si materie narrative. Bëhet fjalë për ato origjina që do t’i përkatësonin shqiptarët si të lidhur e të shprehur më fort se zakonisht me:
·       kulturën tokësore (pjesë e telurokracisë),
·       me kulturën detare (thalasokracisë),
·       me të dyja apo në mes të të dyjave.

Te këto dy tekste poetike Naim Frashëri shfaq disa prirje. Te poezia “Shqipëria”, për shembull, Naim Frashërit duket sikur i intereson vetëm dëshmimi për rrënjët dhe kontributet e shqiptarëve, jo më shumë dhe jo më thellë se kaq. Në vargjet e tij, veç qortimeve në mbyllje të poezisë (Shqipëri pse s'qe e zonja / Të bënjë tri-katrë shkronja?) poeti ngulmon fort te kujtesa. Ai sikur do t’u kujtojë botës, por edhe të vetëve, lashtësinë edhe motet kur e gjithë Europa sillet rreth shqiptarëve, të cilët janë fillesë dhe qendër e Europës moderne - vetë fillimet e albanocentrizmit në fakt:

Bota që kur është zënë,
Shqipëria gjall ka qënë.[1]

apo

Atë kanë Shqipëtarët,
Si q'e kishin dhe të parët
Gërqishten ajo e polli,
Llatinishtja andej dolli.
Bijtë tanë jan' Elinët
Sindëkur edhe Llatinët,
Edhe gjithë Evropanët,
Qi duallë nga Romanët.
Neve jemi më të parë,
Në Evropë nga çdo farë.[2]

apo kur i adresohet qortueshëm Shqipërisë…:

Sikur të paskëshe shkruar,
Gjësendi s'të ish harruar,
Do të kishimë Pllatonë,
Aristotel' e Strabonë,
Omir, Pindar e Esqille,
Dant' e Senek e Virgjillë
Do të ish sot Shqipëria,
Që t'i mir botën zilia.
Po të shkuarat i lerë,
E mso mënt për tjatër herë.[3]

Në këtë poezi fillesash, origjinash, kontributesh, nuk përmendet në asnjë rast ndonjë marrëdhënie, qoftë edhe formale e shqiptarëve me detin, ndërkohë që me me malin (Tomor) po.

Gjithë bota vij qëmoti,
Në Tomor tek ishte Zoti,
I faleshin Perëndisë,
Zotit math të Shqipërisë.
Zëri dhe flaka s'ish kot,
Që nxjer Tomori dhe sot.[4]

Në një tjetër krijim poetik, te “Pellazgët-shqipëtarë”, poezi kjo me të njëjtën ndërmejdje dhe vokacion, botuar në të njëjtin vit me poezinë “Shqipëria”, por në numrin vijues (Nr. 4) të revistës “Albania”, Naim Frashëri, si rrallëherë tjetër në krijimtarinë e tij, na sjell dy grupvargjesh që dëshmojnë njëmendësi në dobi të tezës ndaj së cilës po sjellim argumente lidhur me praninë, zotërimin, ndikimin dhe marrëdhënien e paraardhësve tanë me detin dhe me kulturën detare, jo vetëm si banorë, por edhe si njohës e lundërtarë.







[1] Shih Naim Frashëri, Shqipëria. Botuar për herë të parë në Rev. “Albania”, Bruksel, 1897, nr.3, f.34-35.
[2] Po aty.
[3] Po aty.
[4] Naim Frashëri, vep e cituar.

No comments: