Ioan-Aurel Pop*: Çtrunimi i brezave të ardhshëm përmes asgjësimit të kulturës kombëtare dhe të pëgjithshme nga edukimi…

Akademiku, profesori universitar doktor Ioan-Aurel Pop, Kryetar i Akademisë Rumune të Shkencave, rektor i Universitetit Babesh-Bojoj të Kluzhit, mbajti një kumtesë për rëndësinë e kulturës dhe studimin e historisë në shkolla, duke e vënë theksin në domosdoshmërinë e “përmasës historike në studimin e trashëgimisë kulturore të njerëzimit e të kombit”. Në një sesion shkencor të organizuar nga Akademia Rumune me rastin e Ditës së Kulturës Rumune, profesori Pop tregoi me shembuj bindës se edukimi sipas të të ashtuquajturit tip i ri në shkollat rumune, çon në formimin e brezave të tërë analfabetësh funksionalë.

Në fillimvitin 2018, kryetarja e Koalicionit (qeveritar rumun, sh. ynë), dha sërish, me anë të mjeteve të komunikimit masiv, një shënjë alarmi: “40% e brezave të ardhshëm, që duhet ta mbështetin Rumaninë në rrafsh ekonomik, social, kulturor e politik, janë analfabetë shoqërorë e funksionalë, domethënë do të jenë në të ardhmen të pajetë, dhe joaktivë, si tani, për tregun e punës, për biznesin, për ekonominë, për Rumaninë. Ç’do të thotë analfabet social dhe funksional? Nuk mund të kuptojnë, nuk mund të shprehin atë që lexojnë, nuk mund të bëjnë më shumë se sa veprime të thjeshta, mekanike, fizike”. Është e mundur, vallë, që Rumania bashkëkohëse të katandiset në një gjendje të tillë? Dhe, në rast se është vërtet kështu, apo afërsisht kështu, si ndodhi kjo? Në ç’marrëdhënie është ky “analfabetizëm social dhe funksional” me atë që e quajmë zakonisht kulturë?

Gjatë kohërave janë dhënë përkufizime të panumurta për kulturën, pa qënë në një mendje për një të vetëm, të mbarëpranuar. Në rrafsh etimologjik, fjala kulturë është latine. Folja latine colo, - ere, colui, cultum, ka domethënie mjaft të larme: të mbjellësh (tokën), të banosh, të zbukurosh, të kujdesesh, të mbrosh, të pëlqesh, të nderosh hyjnitë etj. Por kultura shpirtërore (intelektuale) e grupeve është një koncept më gjithëpërfshirës dhe besoj se ka të bëjë me tërësinë e shfaqjeve shpirtërore të një bashkësie, që mishërohen në krijime dhe realizohen, si rregull, nga institucione. Kjo kulturë shpirtërore është ngjizur gjatë historisë, duke vazhduar edhe sot para syve tanë. Si rrjedhojë, ajo është një trashëgimí e përcjellë njëherazi përmes kujtesës individuale dhe kujtesës kolektive, të zhvilluar në vazhdimësi. Askush nuk mund të përpunojë një krijim shpirtëror, - sado talent të ketë, - nëqoftëse nuk ka bërë të vetat këto trashëgimí , në rast se nuk i ka përthithur vlerat e mëparshme kulturore, nëqoftëse nuk është i pajisur me një forma mentis të caktuar, prodhuar nëpërmjet edukimit, të kumtuar nga e kaluara. Por këtu nuk synoj të flas për kulturën vetjake, por për kulturën e asaj bashkësie njerëzore e cila quhet komb e, në radhë të parë, për kulturën kombëtare rumune. Kjo kulturë e rumunëve si komb nuk ka asnjë kuptim pa përbërësen e saj historike, ndërsa mungesa në të e përmasës historike përbën një veprim të papërgjegjshëm.
Si rregull, sot ekziston një ngurrim i përkrahur fort, ndaj së shkuarës (e, për pasojë, ndaj historisë), e shpërfillur nëpërmjet të paktën dy përligjjeve:
1. E kaluara është e vdekur e, si rrjedhojë, nuk ka asnjë rëndësi në “garën” e saj me të tashmen e veçanërisht me të ardhmen; njerëzit dhe grupet e njerëzve duhet të merren kësisoj me atë që është dhe me atë që do të jetë.
2. E kaluara është e panjohëshme, meqënëse është groposur përfundimisht në harresë. E shkuara nuk mund të riformësohet në varësi të kriterit të së vërtetës, përderisa e vërteta nuk ekziston.
Jetojmë në epokën e pas-së vërtetës dhe kësisoj secili është i lirë të ndërtojë / shpikë “të vërtetat” e veta sipas nevojave, ndjesive, shijeve, interesave, kërkesave sociale, përgatitjes etj. Shpërfillja e përbërësit historik nga shoqëritë bashkëkohore, përfshi atë të Rumanisë, bie në sy në të gjitha fushat, por ajo që na intereson këtu është dëmi i kësaj dukurie mbi kulturën.
Nocionet e para të kulturës kombëtare fitohen në vitet e brishtë të jetës, në familje, dhe sistemohen e përsosen më pas në shkollë, me anën e edukimit të organizuar. Një nga institucionet më të rëndësishëm të kulturës është shkolla dhe çdo kapitull me rëndësi i historisë së kulturës së një populli ze fill me arsimin. Të gjitha lëndët shkollore japin ndihmesë në formimin e kulturës individuale dhe të konceptit të kulturës në përgjithësi, në mendjet e njoma. Krijimet që na kanë paraprirë janë klasifikuar, - të paktën nga Rilindja e këtej, - në filozofike, historike (historiografike), teologjike (fetare), letrare, juridike, shkencore, artistike, mjekësore etj, ndërsa qysh atëhere e më pas këto forma krijuese janë larmisuar e përkryer parreshtur. Në botën e sotme, krijimi në fushat e shkencave të sakta, të natyrës dhe teknike është cilësuar nga shumë hulumtues si pjesa më e rëndësishme e kulturës. Por, me kalimin e kohës, nuk ka ndodhur kështu, prandaj trashëgimia kulturore e njerëzimit dhe e kombit transmetohet para së gjithash në shkollë, me anë të lëndëve si gjuha dhe letërsia rumune, gjuhët dhe letërsitë e huaja, historia, gjuha dhe letërsia latine, filozofia, feja, gjeografia etj. Asnjëra nga këto disiplina nuk mund të studiohet e të kuptohet jashtë përbërëses së vet historike. Për shembull, ndër nocionet e para që duhen përvehtësuar nga letërsia rumune është njëpasnjëshmëria dhe përkufizimi i rrymave kulturore-letrare, fakt ky që është vërtetuar të paktën qysh në shekullin XVIII, kur elitat besonin se përmes kulturës mund të fitohet liria. Kemi vërejtur relativisht tani vonë se, në programet shkollore, pothuajse çdo referencë historike në studimin e letërsisë është zhdukur, ndërsa krijimet janë trajtuar brenda temash “të mëdha”, “bujare”, por të pakuptueshme nga nxënësit.
Kështu, tema e dashurisë ilustrohet me shëmbuj nga “Iliada”, Dante, Eminesku, Shekspiri, Mirçea Kërtëresku, Mirçea Eliade dhe Kamil Petresku; për romanin social përmendet “Zagarët e vjetër dhe ne” apo “Kryengritja”; literatura fetare me Dosoftein dhe Argezin; letërsia historike me Grigore Ureken, Valter Skotin, Kostaqe Negrucin e Moris Dryonin etj. Dihet që askush nuk i lexon më të plota veprat e mësipërme dhe mësuesit e nxënësit mjaftohen me “rrëfime” që lidhen me këto vepra, me turli shpjegimesh, me riprodhimin e disa komenteve të të tjerëve e, më rrallë, me copëza nga veprat në fjalë. Prandaj, kur jam ndodhur në orë mësimi në shkolla kam pasur rastin të dëgjoj kohët e fundit pyetje dhe vërejtje të tilla: “Përse Nikolae Filimoni është kaq naiv në shkrime në krahasim me Mirçea Eliaden?”, “Përse ta studiojmë Dimitrie Kantemirin përderisa Nikolae Iorga ka shkruar më mirë për të njëjtat tema?”, “Ç’vlerë ka sot Vasile Aleksandrí që është shumë më poshtë se Nikita Stënesku?” etj. Lënda e quajtur “Histori”, - për aq kohë sa vazhdon të jepet në shkollë, vetëm një orë në javë, - gjithashtu trajton “tema të mëdha”, të rimarra në nivel të epërm (sikurse thuhet) në çdo klasë. Për shembull, krahasohen revolucionet e epokës moderne dhe bashkëkohore, duke nisur nga Revolucioni Anglez i shekullit XVII deri në Revolucionin Rumun të 1989-ës. Njëlloj ndodh edhe me luftrat apo konfliktet e armatosura, duke filluar nga Lufta e Trojës deri në Luftën e Dy Trëndafilëve (në etapën e parë) ose nga Luftrat Napoleoniane deri në Luftën e Dytë Botërore (në etapë tjetër). Kështu, disa nxënës mund të mësojnë diçka për Napoleon Bonapartin para se të dinë sadopak për Revolucionin e Madh Frëng, që lindi Napoleonin. Pas një mësimi të kësaj natyre, - të zhvilluar gjithsesi me nivel të lartë nga mësuesi, - lidhur me organizimin e konflikteve në Lashtësi deri në ditët tona (domethënë nga katapulta deri tek metodat digjitale të luftës) dëgjova një pyetje marroke: “Mos vallë Julius Qezari paska qënë burrë i mençur përderisa nuk e hartonte strategjinë e luftës në kompjuter dhe as nuk komunikonte me e-mail?”. Mendjet e brishta çoroditen plotësisht kur marrin vesh që universitetet janë një “sajim” i “barbarizmit mesjetar”, apo kur shohin që, në shkrimet e manastireve, murgjit e palodhur kanë kopjuar dorëshkrimet e gjithë të mençurve të lashtësisë dhe i kanë ruajtur për brezat e ardhshëm si të qënkëshin parfume të shtrenjta.
Si është e mundur të arrihet në marrëzi të tilla? Pikërisht për shkak të asgjësimit të përmasës historike nga studimi i trashëgimisë kulturore të njerëzimit e të kombit. Nxënësit nuk dinë dhe nuk duhet të dinë ç’ka qënë klasicizmi greko-latin, që parapriu letërsinë kalorsiake të Mesjetës, as ç’është humanizmi apo racionalizmi, as cilit shekull i përket romantizmi dhe si është shfaqur iluminizmi. Kam bërë eksperimentin e pafrymëzuar për t’i vënë studentët e mi të vitit të parë të rreshtojnë kronologjikisht disa rryma kulturore-letrare, konkretisht iluminizmin, romantizmin, simbolizmin ( i kisha hedhur në letër rastësisht), duke i vënë në dijeni se këto rryma janë lindur në tre shekujt e fundit. Shumica e tyre nuk dinin kurrgjë për to, ndërsa disa të tjerë më thanë se nuk ia vlente të vrisnin mendjen, se, po të qe nevoja, i gjenin të gjitha të dhënat në telefonin celular. Ndonjëri, më i shkathët në trajtat e sotme të komunikimit, u shpreh se një ndarje e tillë e vjetëruar në rryma kulturore, letrare, ideore, është një marrëveshje njerëzore dhe bota duhet studiuar globalisht, ballazi, pa pengesa dhe pa fusha. I pyeta fill paskëtaj për universalizmin e titanëve të Rilindjes dhe për enciklopedizmin e Shekullit të Dritave dhe më kërkuan lejë të hynin në Google.
Në këto kushte, si mund të guxosh të bësh ndonjë pyetje për mungesën në tekste të të dhënave për humanizmin rumun, për kronikanët, për Dosoftein, Varlaamin, Jenëkicë Vëkëreskun dhe Sadoveanun, Koshbukun e Gogën, madje edhe për Topërçeanun e Minuleskun? Mund të të sugjerojnë, ose edhe të ta thonë copë, - pas pyetjesh të tilla, - që je jashtë kohës, je plak, nostalgjik, apo, ca më keq, nacionalist e ksenofob. Falë kësi konceptesh të “propagandistëve” të rinj, nxënësit e studentët arrijnë në një nivel minimal njohurish në kulturën e përgjithshme dhe në kulturën kombëtare, që nuk i ndihmon aspak të orientohen në botën bashkëkohore. Prandaj shkojnë, bie fjala, në Romë dhe të besojnë po t’u thuash që Mikelanxhelo e krijoi Kapela Sikstinën më 1300, i frymëzuar nga koncepte iluministe! Kështu, me asgjësimin e përbërëses shpirtërore të edukimit, shohim të bëjnë karrierë duke u nisur vetëm nga ana materiale, nga fitimi i të hollave dhe i sa më shumë pasurive. Fushatat e denigrimit të edukimit (shkollës) dhe të institucionit kishtar, janë gjithashtu në vazhdën e shpërfilljes së vlerave kulturore.
Të merremi vesh: nga gjithë sa thamë nuk duhet të mendojmë kurrsesi se këta të rinj kanë nivel më të ulët inteligjence apo që janë më pak të aftë nga brezat e tjerë, të së kaluarës. Përkundrazi, jam i bindur që kanë aftësi shumë më të mëdha dhe potencial mjaft më të lartë se sa të dikurshmit. Vetëm se, duke qënë të edukuar njëanësisht dhe në mënyrë të papërshtatshme, sipas konceptesh të ashtuquajtur modernë, por të falimentuar, bëhen viktima të sigurta të atyre që sot drejtojnë komunikimin.
Parimi sipas të cilit nxënësit nuk duhet të dinë përmendësh gjithçka, pra të përvehtësojnë mekanikisht ato që ua mësojnë të tjerët, në thelb është i drejtë. Por që këtu e deri në mosmbajtjen mend të kurrgjëje ose pothuajse të asgjëje, është një dallim i madh! Ka edukatorë të cilët besojnë (dhe e zbatojnë në praktikë këtë bindje) që, në rast se nxënësit mësojnë sot si të punojnë në kompjuter, nëqoftëse dinë (mundësisht) si ze fill një biznes, si të hanë shëndetshëm, si të zhvillojnë grupe të caktuar muskujsh apo si të praktikojnë metodat kontraceptive, atëhere ata nuk duhet apo nuk mund të dinë edhe zgjedhimin e foljeve të parregullta, të mësojnë vjersha, të kuptojnë pikturën murale të Voronecit, të shpjegojnë nocionet e “horës” e të “dojnës”, ose të dinë “në majë të gishtave” ku ndodhet Gurorja e Këlimaneve. Ky është ndoshta një mendim-tip digjital: kujtesa e të rinjve, ashtu si kujtesa e kompjuterit, është e kufizuar (sepse asgjë nuk ka fund në botën tokësore!), prandaj përse të merremi me “vjetërsira”, me pamje “që u ka kaluar koha”, me “gjëra pa jetë” dhe të mos ia përshtatim epokës së Fejsbukut, të Instagramit apo të Uatsappit?
Të gjitha do të shkonin fjollë po të ishte kështu, por ja që nuk është, sepse mendja e njeriut nuk punon sipas parimeve digjitale, mendja njerëzore nuk është kompjuter. Aftësia jonë për të mbajtur përmendësh është praktikisht e pakufizuar, por mospërdorimi i saj, me kalimin e kohës, bëhet rrezik shoqëror. Mospajisja e trurit me nocione të kulturës historike, si ato që përmendëm më lart, e shndërron njeriun në një arë pjellore të pambjellë. Qysh në lashtësi, fushat e mbjella dendur me disa bimë, pas ca kohe liheshin “të çlodheshin”, liheshin si sende pa vlerë, por vetëm me një qëllim: që më pas të prodhonin më shumë e më me cilësi! Por nëqoftëse ne, gjatë 12 vjetësh mësimi në fillore dhe tetëvjeçare, i lemë nxënësit “të çlodhen” dhe nuk i ushqejmë fare ose pothuajse fare me kulturë (me përvojën kulturore të kombit e të njerëzimit, me trashëgiminë e brezave pararendës), i braktisim tërësisht në shkretëtirë, i bëjmë pré të përvojave dhe sprovave më të dhimbshme e më të rrezikshme.
Janë të shumtë ata që thonë se nuk dinë, ngaqë kanë harruar. Kjo është shpesh e rreme: që të harrosh, duhet që më parë të kesh çfarë të harrosh. Thuhet në mënyrë paradoksale se kultura e përgjithshme është ajo që të mbetet në kujtesë, pasi ke harruar gjithçka që ke mësuar në shkollë!
Sot nuk shpërfillen vetëm fusha të dijes si: historia, historia e letërsisë dhe e kulturës, historia e së drejtës, etnografia apo gjeografia, por edhe historia e matematikës, e fizikës, e kimisë, e mjekësisë, e teknikës. Ju lutem të pyesni një të ri se cilat janë mekanizmat e thjeshta të fizikës, ose kur ka jetuar Njutoni, apo ç’është postulati, ose kur është shpikur motorri me djegje të brendshme, ose si, kur dhe përse u përdorën vaksinat. Të rinjtë nuk dinë që pelagra, skorbuti ose poliomieliti janë sëmundje, ose emra kërpudhash ekzotike (as si janë shpëtuar në botë, gjatë dy shekujve të fundit, të themi, me vaksinim, qindramiliona njerëz). Nuk dinë cili është “Princi i Kaltër prej loti”, nuk dinë asgjë për Mihai Trimin, për Bëlçeskun dhe Kogëlniçeanun, por me siguri dinë për Harri Poterin, për Luftën e Yjeve, për Zotëruesin e Unazave dhe për drogat e llojllojshme. Natyrisht, nuk është gjë asapk e keqe t’i dinë këto gjëra të botës që i rrethon, por është e gabuar t’u mohohet në mënyrë të programuar pasuria e tyre mendore – trashëgimia kulturore e njerëzimit.
Moskultivimi i kujtesës, individuale dhe kolektive, është receta e sigurtë për kufizimin e inteligjencës së njerëzve. Një njeri i painformuar beson shumë më me lehtësi një lajm nga massmedia, aq më tepër që sot, në pejzazhin e përditshëm, ka plot specialistë të vërtetë në “lajme të rreme” (fac news), domethënë në dizinformim. Si mund ta dallosh të vërtetën prej gënjeshtrës, po qe se në mendje nuk ke një sasi njohurish themelore për botën, që të mund të bësh krahasimin? Që të krahasosh çfarë dëgjon me çfarë di, është e nevojshme të dish! Si rrjedhojë, mosushqyerja e kujtesës njerëzore me të dhëna kulturore përgatit joshjen me lehtësi të publikut në drejtimin që u leverdis të interesuarve. Jo digjitalizimi është shkaku i këtij orientimi bashkëkohor, - për të cilin kam shkruar dhe jam keqkuptuar nga disa, - por kredhja në epokën e Fejsbukut pa përgatitjen e nevojshme, dhe përgatitje do të thotë kulturë, do të thotë dije për shoqërinë, për përvojën e jetës të popullit tënd e të njerëzimit.
Po u rikthehem thënieve të fillimit, që ta mbyll.
Është gabim i madh të besojmë dhe t’i bindim të rinjtë që e kaluara është e vdekur. E kaluara është jeta jonë, në të cilën përqëndrohet krejt jeta e pararendësve tanë. Tek ne sintetizohet tërë e sotmja e njerëzve që kanë jetuar në të shkuarën. Le të përmendim një nga citatet më të famshme të Folknerit: “E kaluara nuk ka vdekur. Madje as nuk është e kaluar”. Si rrjedhojë, nëqoftëse mendojmë ta shpërfillim të shkuarën, vetvetiu kemi vendosur të shpërfillim, ose të vemë në kllapa, jetën vetë.
Është e drejtë që ne, njerëzit, nuk zotërojmë të vërtetën absolute, por që këtu e deri në fushatën e diskreditimit të së vërtetës sonë, njerëzore dhe tokësore, është një ndryshim i madh.
E vërteta – barasvlerë (ajo që synon të përputhë në mënyrë të përkryer ligjërimin tonë me realitetin e përshkruar) mund të jetë një iluzion, por atëhere e vërteta e mëpasme / e vërteta – domethënie (e vërteta e secilit, sipas rrethanave dhe interesave) është një iluzion edhe më i madh, një sharlatanizëm i ambalazhuar bukur. Nuk ka shumë të vërteta, - siç orvaten të na bindin disa “hulumtues”, - por vetëm një të vërtetë relative, tek e cila mbërrijmë në masën që kemi mundësi ne, njerëzit, sepse bëjmë përpjekje në këtë drejtim. E vërteta jonë, edhe kur nuk është e qëndrueshme, sidoqoftë ekziston dhe është gjithaq ngazëllyese. Çfarë mund të jetë më tronditës se sa kërkimi i së vërtetës njerëzisht të mundëshme dhe e vlefshme në një etapë të caktuar të njohjes?
Për rrjedhojë, edhe pse e vërteta është relative, mbetet e vërtetë. Ndërsa e vërteta jonë është e lidhur me vlerat tona. Kemi një krijues si Eminesku dhe e hedhim poshtë ndonjëherë; kemi një festë të kulturës kombëtare dhe na vjen turp për shkak të saj, në mos nga emri “kulturë”, të paktën nga mbiemri “kombëtare”, sikur të qenkej kolerë. Por tani për tani, - deri tek vendosja e plotë e globalizimit, - një i huaj që vjen tek ne nuk do të na pyesë për Sofokliun, Rabëlenë, Mikelanxhelon apo Xhorxh Uashingtonin, por për krijuesit tanë të vlerave, për Ulpia Trajana, për Densushin dhe Surdeshtin, për “Baladën” e Porumbeskut dhe për Viktor Babeshin, për një bashkëkohës rumun të Lamartinit, ose për ndërtimin e Urës së Çernavodës. Shumica nga ne do të heshtin para pyetjesh të tilla, ose do të themi, - sipas traditës mëkatare rumune, - që nuk kemi asgjë, që nuk kemi krijuar asgjë dhe që nuk përfaqësojmë asgjë. Pajtohemi nganjëherë me këtë filozofi të rëndomtë të mosgjësë, duke u vetësëmurur ethshëm. Natyrisht, ne nuk jemi krijuesit e kulturës botërore, por, pa ne (ashtu si edhe pa të tjerët) me siguri kultura e botës do të ishte më e varfër.
Kultura rumune, e mësuar në shkollë nga këndvështrimi historik, do të na bëjë të mos dëgjojmë më njerëz që thonë se Eminesku apo Koshbuku nuk kanë shkruar si Zhak Preveri ose si Edgar Allan Poe, - kultura rumune, pra, mund të jetë shpëtimi ynë, por edhe rruga për të pushtuar universalitetin. Kultura e botës, - nëqoftëse ekziston si e tillë, - është formuar nga të gjitha kulturat kombëtare dhe rajonale. Si rumunë, folës të gjuhës rumune, që ta shijojmë Gëten në një përkthim të mirë në rumanisht, duhet të hyjmë në thellësi të Emineskut, pa të cilin do të kishim qënë të gjithë shumë më të paqëndrueshëm, madje ndoshta as do të ishim më. Prandaj është mirë të kujdesemi këtu, në Akademinë Rumune, që ne, rumunët, të mos harrojmë asnjëherë që “përfshihemi nga ky hir i shënjtë”, ashtu siç na grish nga përjetësia, Eminesku. Po e le për një rast tjetër kritikën për ato opinione që mohojnë vlerën e kulturave kombëtare në përgjithësi dhe të kulturës kombëtare rumune, në veçanti. 

* President i Akademisë Rumune

(Marrë nga revista “Viața Basarabiei” (“Jeta e Basarabisë”),
Kishinjev, Moldavi, nr. 3 (47), 2018, f. 82-87). 

Shqipëroi: Kopi Kyçyku