Prof.univ.dr. Ardian Kyçyku: Një libër-kyç


(Disa shënime për librin “Në kërkim të këmishës së humbur”, autor: Arian Leka, Botimet Poeteka, 336 faqe, ISBN: 978-9928-230-27-0, Realizimi grafik: Joan Leka & Xhoel Leka – Geppetto’s Studio, Tiranë, 2018)

Përmasat e një libri të shkruar nga brenda

Sot janë shtuar tejmase ata që preken rëndë në sedër, kur mësojnë se pyetjes “Pse shkruani?” Louis-Ferdinand Céline-i iu përgjigj: “Që t’i bëj të tjerët të palexueshëm”. Sepse sot, si për fund sa më të shpejtuar bote, shumëkush e përfton veten hero kryesor të një libri, madje hero i dyfishtë, edhe si autor. Prandaj nuk janë rastësisht në modë top-et e librave më të lexuar, më të shitur, më të pavdekshëm, të shkrimtarëve, mendimtarëve, politikanëve, ish-ëve të çdo lloji etj. Në shumicën dërrmuese te rasteve, pjesëmarrësit nëpër rubrika të tilla i përgjërohen tërthorazi lexuesit, duke shpalosur vetí prej udhëheqësish (të paktën) ndërgjegjesh: “Bëhu si unë... Lexo këto që çmoj unë dhe do të bëhesh si unë...” Nuk di sa lexues duan të bëhen si ata e si ato. E qartë është se top-et e autorëve dhe të librave ndikojnë fare pak dhe kalimthi mbi ecurinë e letërsisë së mirëfilltë, e cila u nënshtrohet ligjesh të tjera gjer edhe kur duket e mënjanuar apo e shfarosur.