Akademiku,
profesori universitar doktor Ioan-Aurel Pop, Kryetar i Akademisë Rumune të
Shkencave, rektor i Universitetit Babesh-Bojoj të Kluzhit, mbajti një kumtesë
për rëndësinë e kulturës dhe studimin e historisë në shkolla, duke e vënë
theksin në domosdoshmërinë e “përmasës historike në studimin e trashëgimisë
kulturore të njerëzimit e të kombit”. Në një sesion shkencor të organizuar nga
Akademia Rumune me rastin e Ditës së Kulturës Rumune, profesori Pop tregoi me
shembuj bindës se edukimi sipas të të ashtuquajturit tip i ri në shkollat
rumune, çon në formimin e brezave të tërë analfabetësh funksionalë.
Në
fillimvitin 2018, kryetarja e Koalicionit (qeveritar rumun, sh. ynë), dha
sërish, me anë të mjeteve të komunikimit masiv, një shënjë alarmi: “40% e
brezave të ardhshëm, që duhet ta mbështetin Rumaninë në rrafsh ekonomik,
social, kulturor e politik, janë analfabetë shoqërorë e funksionalë, domethënë
do të jenë në të ardhmen të pajetë, dhe joaktivë, si tani, për tregun e punës,
për biznesin, për ekonominë, për Rumaninë. Ç’do të thotë analfabet social dhe funksional? Nuk mund
të kuptojnë, nuk mund të shprehin atë që lexojnë, nuk mund të bëjnë më shumë se
sa veprime të thjeshta, mekanike, fizike”. Është e mundur, vallë, që
Rumania bashkëkohëse të katandiset në një gjendje të tillë? Dhe, në rast se
është vërtet kështu, apo afërsisht kështu, si ndodhi kjo? Në ç’marrëdhënie
është ky “analfabetizëm social dhe funksional” me atë që e quajmë zakonisht
kulturë?