Arian Leka: "Dhe mos ia lodh kokën njeriu me fjalë..."

Fjala e mbajtur nga shkrimtari Arian Leka me rastin e marrjes së Çmimit "Skeptri Letrar", Shkup, qershor 2019


Atëherë kur, sipas babait, kisha arritur moshën e duhur për të mbajtur në kyçin e dorës një orë të gjallë - siç babai quante vetëm orët me kurdisje - ai më dhuroi një Zeppelin.
Ishte mekanike. Nga ato që, për t’i dalluar nga orët vetëkurdisëse apo elektronike, i quajmë sahatë. Kishte një fushë me ngjyrë argjendi. Numra të dukshëm, ku 12 dhe 6 vërtet mungonte, por data dallohej mirë. Thua se e vetmja gjë e rëndësishme brenda asaj hapësire të përsosur rrethore ishte data.
Nuk e bleu. Thjesht e hoqi nga kyçi i dorës së tij dhe ma dha. E vendosa në pulsin tim.
Prej vitesh jam përpjekur të kuptoj domethënien e atyre pak fjalëve që tha, në çastin kur orën e tij e la në dorën time. Foli me zë aq të ulët, sa duhet t’i merrja vetë me mend se për çfarë bëhej fjalë:
- Si Zeppelin!
Kaq!
- Si jeton Zeppelini? pyeta, sikur Zeppelini të mos ishte një orë dore me akrepa, por ndonjë pelikan me krahë të rëndë metali.
Babai më vështroi, por nuk foli. Çfarë kishte për të më dhënë ma kishte dhënë. Dhe çfarë kishte për të më thënë ma kishte thënë. Siç dinte ai. Pa shumë fjalë.