Ioan-Aurel Pop*: Pleqtë e rrezikshëm

Më shumë se dy shekuj të shkuar, kur po zhvillonte Fushatën në Egjipt, Napoleoni (atëhere ishte vetëm gjenerali Bonaparte) vendosi që përballë mamlukëve, në atë situatë të vështirë, të zbatonte një taktikë mbrojtëse të tipit rrethor, duke i vënë vlerat në mes dhe ushtarakët francezë të rreshtuar përgjatë rrethit. Thuhet se atëhere Perandori i ardhshëm dha një urdhër të mbamendshëm, i cili nuk tingëlloi aspak mirë: “Gomerët dhe dijetarët në mes!”, çka donte të thoshte që të mbroheshin këto dy qënie të gjalla, duke i mbajtur sa më larg rrezikut. Dijetarët ishin barazuar me gomerët vetëm nga këndvështrimi i dobisë. T’i lemë shakatë: gomerët ishin shumë të vlefshëm, sepse ishin transportuesit më të mirë, ndërsa dijetarët ishin të domosdoshëm për deshifrimin e thesareve historike të Egjiptit, përfshi shkrimet hieroglifike.
Të dyja qëniet e mësipërme e kryen detyrën, çka bëri që Parisi të përvehtësonte obeliskët egjiptianë, që u transportuan me mundim, ndërsa njerëzimit iu kumtuan mesazhe të qarta për qytetërimin greko-romak, ku i ka rrënjët edhe qytetërimi ynë bashkëkohor. Disa kanë menduar sot, në këtë gjendje të vështirë, por jo nga këndvështrimi i Napoleonit, t’i mbrojnë edhe pleqtë si gomerët e dijetarët dikur.
Kjo pandemi është një fatkeqësi, siç nuk ka ndodhur prej nja 80-90 vjetësh (pra, prej tre brezash).
Planeti, qysh nga Lufta e Dytë Botërore, ka pasur, - kryesisht Evropa, Amerika, Azia, Australia, - shumë dhjetëvjetsha të qetë, të begatë, madje heraherës edhe të lumtur. Kriza e shkaktuar nga kjo sëmundje dhe vdekjet e shumta, ka zgjuar tek njerëzit luftën e ashpër për ekzistencë. Mënyra e të menduarit “politikisht në rregull”, - e kritikuar me të drejtë në disa aspekte, - është zëvendësuar me një mendim pragmatik të llojit “shpëton ai që mund”. Kjo natyrisht nuk thuhet haptaz.

Jetojmë në një kontinent të quajtur Evropë, ku shtresëzimet e qytetërimeve njëri mbi tjetrin janë si sanduiçet me shumë peta, të cilat jo rrallë i lakmojmë. Kjo ecuri na ka mësuar me një farë stërhollimi të komunikimit, me maskimin e gënjeshtrës, me fshehjen e qëllimeve të këqia, me joshje të rreme. Për shembull tani, në mes të kësaj sëmundjeje, - që po na shkatërron, në një farë mase, jo vetëm me humbje jetësh, por edhe po na e errëson arsyetimin e kthjellët, - disa udhëheqës të lartë, tanët, por edhe të Bashkimit Evropian, po shqetësohen prej pleqve.
Natyrisht, historianët e dinë që pleqtë kanë qënë poligon qitjeje, qysh nga Sokrati e këtej, gjatë shumë periudhash historike, në shumë shoqëri të shpallura të qytetëruara. Çfarë të bësh me ca të pafuqishëm, të padobishëm, që ta ndërlikojnë kot së koti jetën, kur jetët e të rinjve janë në rrezik? Këta të cofur (pleqtë - sh. im) madje kërkojnë të hanë, pretendojnë të kenë ilaçe të shtrenjta, të marrin në telefon urgjencën që t’i ndihmojë për të ulur temperaturën apo kollën?
Por, në fund të fundit, këto ende mund të përballohen, sepse shoqëritë evropiane kanë rezerva ushqimore dhe mjekësore. Por më e rëndë qënka bezdia që vjen nga këta pleq, pretendimi i tyre për të qënë aktivë, dëshira që kanë për të shëtitur në rrugë ashtu si gjithë të tjerët, që të shkojnë në treg, në supermarkete etj. Të padurueshme qënkan ankimet e tyre të vazhdueshme, përsëritja e të njëjtave gjëra të viteve që kanë kaluar dhe këshillat që japin pa ua kërkuar askush.
Por në kohëra normale këta pleq nuk u dukeshin kështu, sepse kujdeseshin vazhdimisht për nipër e mbesa, duke i ushqyer, i përkëdhelnin ashtu siç vetëm gjyshërit dinë, i shpinin të luanin në park dhe ia dilnin mbanë t’i zëvendësonin, pra t’i linin të lirë heraherës prindërit e vogëlushëve. Për më tepër, shumë herë këta pleq u shpinin ushqim të gatuar dhe ua linin në frigorifer që, kur të ktheheshin në shtëpi, të rinjtë të hanin “si tek mamaja”. Le pastaj që disa prej pensionistëve nxirrnin nga kursimet e tyre të një jete të tërë shuma të hollash për nevojat e të rinjve, madje ua dhuronin edhe shtëpitë e veta (shkonin në banesa më të vogla, sepse “kaq ishte jeta jonë”).
Sigurisht delikatë ishin, u dridheshin duart herëpashere, ose çalonin kur na mbanin në shpinë, por mbartnin me vete edhe të mira që nuk ishin aspak të vogla. As atëhere nuk ishin të përkëdhelur nga jeta, sepse ajo kishte perënduar tashmë për ta.
Na ka zënë veshi në ndonjë stacion televiziv se “një plak 60 vjeçar u shtyp nga një makinë në kalimin e këmbësorëve, sepse nuk u tregua i kujdesshëm” dhe sakaq kuptoje nga zëri i folësit (që ishte i ri dhe plot shëndet) një mllef gati të papërmbajtur si ky: “Çfarë kërkonte plaku matuf në qytet kur vdekja e priste në shtëpi?”. Pó tek ne, në botën tonë origjinale mioritike, ka pasur pas vitit 1989 edhe qortime të tjera ndaj pleqve.
Kemi parë të rinj të fryrë si kacek, plot zell e të vetëshpallur të shumëditur në të gjitha fushat, duke dënuar “paturpësinë” e atyre që kanë jetuar nën komunizëm, që kanë ndërtuar komunizmin dhe që tani duan të rrojnë edhe më, të punojnë e të ndërtojnë një botë demokratike. Le të përmendim këtu faktin që tani në Rumani kemi të rinj 30-40 vjeçarë që nuk dinë kurrgjë çfarë përfaqëson komunizmi. Disa ende nuk kuptojnë asgjë nga kjo botë dhe dënojnë brezin e 60-70 vjeçarëve për të vetmen arsye që patën guxuar të jetonin nën komunizëm. Pleqtë, “këto relike të lajthitura”, - sikurse shprehej i shpenguar para pak kohe një analist, - qënkan të prekur, madje të infektuar nga komunizmi, dhe nuk meritojnë kurrfarë besimi. Sigurisht që shprehje të tilla nuk përbëjnë rryma dhe nuk janë shpalosur Urbi et Orbi në mënyrë të vazhdueshme e me zë të lartë, por herë pas here. Më të keqen e ka shmangur njerzillëku dhe nevoja për të moshuarit, të cilët janë, sipas disa të tjerëve, vërtet një e keqe, por “një e keqe e nevojshme”.
Shoqëria tepër aktive, personat në moshë madhore tepër të zënë me punë, vrapi pas fitimesh materiale sa më të mëdha, duke ushtruar njëherazi 2-3 profesione (tani u thonë job), i bëjnë pleqtë të domosdoshëm.
Por tani, kur jemi mbyllur të gjithë në shtëpi, çfarë të bësh me këta “parazitë? Duan të hanë, kanë nevojë për ilaçe, për muhabet, dhe nuk “prodhojnë” asgjë. Le po kanë edhe paturpësinë të sëmuren, - gjë që duhej të ishte punë e tyre, - dhe të na i përhapin sëmundjen, që është punë e të gjithëve.
Po të sëmureshin kur rrinë bashkë, po t’ia jepnin sëmundjen shoshoqit, do të ishte tjetër gjë, por ata ua japin virusin të rinjve dhe fëmijëve, çka është tepër revoltuese. Sa herë i sheh në rrugë, ose kudo gjetkë, jashtë shtëpisë së tyre, sikur bredhin me qëllim me rrjetat plot me koronavirus që t’ua prishin humorin dhe jetën njerëzve të dobishëm të kësaj bote, t’i infektojnë e t’i marrin në qafë.
Sigurisht që ka edhe përjashtime ndër pleq, si, bie fjala, politikanët pleq rumunë. Këta mund të bredhin lirisht jashtë e brenda, kudo, sepse na udhëheqin dhe ç’mund të bënim pa orientimet e tyre (nuk po ua ze në gojë emrat, sepse mund të fyheshin dhe do të më qortonin), por po përmend konkretisht disa nga liderët botërorë dhe evropianë (sepse ata gjithsesi nuk duan t’ia dinë për ne, që jemi të afërmit e tyre të varfër).
Le të fillojmë, për shembull, me Presidentin Donald Tramp, i cili (lindur më 1946) është 74 vjeç, ngul këmbë që është Presidenti i kombit më të rëndësishëm të botës, sikurse shprehet vazhdimisht. Ky President i shquar amerikan guxoi që, në moshë të avancuar, pra, kur ishte 60 vjeç, u bë edhe një herë baba.
Le të kalojmë tek zoti Zhan Klod Junker (lindur më 1954), pra 66 vjeç, që, megjithëse me shumë sëmundje, e drejtoi deri tani vonë Bashkimin Evropian.
Duhet të mos e anashkalojmë as zonjën Ursula von der Leyen, e cila, me gjithë pjesëzën e fisnikërisë që ka në emër, nuk është e pavdekshme. Ajo është 62 vjeçe (lindur më 1958) dhe na paralajmëroi tani së fundi se “ka mundësi që personat e moshuar të rrinë të izoluar deri në fund të vitit”, ndërkohë që “fëmijët dhe të rinjtë do të gëzojnë më shumë liri”. Kërkoj ndjesë që nxora në dritë moshën e një zonje, por ishte e nevojshme për demonstrim.
Si rrjedhojë, “personat e moshuar” do të jenë të izoluar edhe afro një vit, ndërsa kafshët shtëpiake do të shëtisin të lira, edhe pse futen nëpër mjedise mbushur me mikrobe e viruse nga pluhuri i rrugëve, pa le që ende nuk është vërtetuar nëse këto kafshë janë apo jo bartëse të virusit vrasës.
Pra, kafshët shtëpiake mund ta gëzojnë lirinë, megjithëse thuhet që kjo sëmundje e tmerrshme vjen pikërisht prej kafshëve (jo nga ato shtëpiake).
Nuk jam as për nga larg kundër kufizimit të lirisë së kafshëve, por si do t’i bëhet halli me njerëzit, sepse edhe pleqtë janë njerëz. Në izolim, pleqtë do të mërziten, do të vdesin nga mbyllja, ose do të sëmuren. Lavdi Zotit që nuk po propozohet që pleqtë të mbyten me gaz, të pushkatohen, të hidhen në humnerë, sikurse patën vendosur ca krerë në kohëra e në vise të tjera, jo në planetin Mars, por këtu në Tokë.
Është marrë vendimi që, për shkaqe humanitare, pleqtë të mos lëvizin të lirë, çka do t’u jepte privilegjin të vdesin të vetmuar. Por një gjë e tillë nuk thuhet, ngaqë nuk tingëllon mirë. Ky nuk është një skenar si ai i Xhorxh Oruellit. Është vetëm një mendim i një historiani plak, që merr në mbrojtje pleqërinë e vet dhe pleqërinë në përgjithësi. Skenari i mësipërm është imagjinar dhe nuk ka për të ndodhur përveçse në rast se Zoti do të na i marrë mendjen të gjithëve. Sepse shoqëria është si një trup. Një trupi, po t’ia presësh krahët, nuk mund të punojë; po t’ia presësh këmbët, nuk mund të ecë; po t’ia shkulësh mushkëritë, nuk mund të marrë frymë; po t’ia hedhësh trutë në erë, nuk mund të mendojë etj.
Ka pasur edhe të tjerë mendjeshkurtër, pushtetarë, që kanë dashur të shfarosnin fëmijët; të tjerë që kanë nxjerrë jashtë loje mëkatarët me moshë madhore, meqë donin t’i ruanin fëmijët të panjollë (i dërguan drejt vdekjes së sigurtë gjatë “Kryqëzatës së Fëmijëve” të vitit 1212); të tjerë që kanë dashur të shfarosnin “racat e ulëta”; të tjerë që kanë dashur të vrasin ata që nuk besonin në Perënditë “e mira”; të tjerë që zhdukën ata që kishin mendime të ndryshme nga ato të qeveritarëve etj.
As ideja që pleqtë janë të padobishëm nuk është e re. Kanë qënë të shumtë ata që janë përpjekur në këtë drejtim, por kanë dështuar. Shoqëria njerëzore nuk mund të jetojë as pa të rinj, as pa të rritur, as pa fëmijë e as pa të moshuar. Natyrisht, arsyetimet me kujdesin ndaj pleqve të sotëm janë të veshura me petkun e qëllimeve të mira. Gjithçka që qarkullohet nga disa mendje të çoroditura paraqitet bukur: personat e moshuar kanë nevojë për mbrojtje, dhe mbrojtje do të thotë izolim, kufizim qarkullimi për vite me radhë, që t’ua zgjatim jetën. Në fakt, është frika nga sëmundja që, medemek, mund ta përhapin në radhë të parë pleqtë. Një gjë e tillë nuk vërtetohet dot, pra, ky arsyetim është i rremë. Të gjithë njerëzit, pa përjashtim, mund të jenë bartës të virusit dhe të gjithë mund ta përhapin atë.
Pleqtë kanë vetëm një “avantazh”: janë të prekshëm më lehtësisht, sepse kanë edhe sëmundje të tjera. Por kjo lehtësi në prekje është mbi kurrizin e tyre, jo të të tjerëve. Sipas të dhënave statistike të deritanishme, shumica e të sëmurëve nga ky grip është e moshave ndërmjet 40 dhe 65-70 vjeç dhe jo ndërmjet 65 e 90 vjeç. Si rrjedhojë, duhet të mos i shformojmë gjërat, të mos mbrojmë vetëm veten tonë dhe të mos fajësojmë të tjerët.
Natyrisht, është e nevojshme për disiplinë, për rregull e për kufizime të rrepta, por diskriminimi i pleqve, - edhe kur kjo duket si diçka pozitive, - bëhet fyes, poshtërues, i turpshëm. Le t’i mbrojmë të gjithë njerëzit, të mos i lemë të sëmurët (pra, edhe pleqtë) të përkeqësohen dhe ta përhapin më tej sëmundjen, le t’i izolojmë ata që kanë edhe sëmundje të tjera (përfshi pleqtë), le t’i trajtojmë me kujdes të gjitha këto sëmundje (edhe ato të pleqve).
Por t’u caktosh pleqve vetëm fare pak orë kur të dalin, t’u ngresh gardh, t’i veçosh tërësisht nga bota, nga bota e tyre, që e kanë krijuar vetë, është absurde. Të rinjtë e sotëm do të bëhen edhe ata medoemos pleq. Mos u mundoni të na bindni se pleqëria është një sëmundje, apo një handikap, sepse nuk është e tillë. Edhe kur në rastin e disa pleqve është kështu, nuk duhet t’ua përmendni apo t’u thoni e t’u lini të kuptojnë se janë barrë. Fakti që ata kanë të meta në të folur dhe fizike, që janë të dërrmuar e të kërrusur nga pesha e viteve, nga sakrificat që kanë bërë për fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre, që kanë brenda vetes një ftohtësi shpirtërore si stuhitë e Siberisë, është i dukshëm dhe nuk duhet t’ua zini në shpesh në gojë. Pleqtë me dhembje e dinë ç’është vuajtja fizike, ç’është vetmia, ç’është malli për fëmijët dhe nipër e mbesa.
Mos u mundoni t’i izoloni më tej, sepse boll të izoluar janë, gjithsesi, nuk e kanë të lehtë të pleqërojnë me njerëzit e dashur larg, ëmbëlsira nuk do të ketë më atë aromë pa të dytë të Pashkëve të Shënjta dhe mishi i qëngjit (po qe se do të jetë) nuk do të ketë shijë sivjet. Mos iu thoni më pleqve e as neve në mënyrë të përsëritur se do të vdesim në mënyrë katastrofike, se gjendja e urgjencës (situata e jashtëzakonshme - sh. im) do të vazhdojë edhe një muaj, se asgjë nuk ka për të qënë më si dikur. Hiqni dorë nga ky kujdes i tepruar, sepse me jetën e me vdekjen tonë merret Zoti dhe vetë ne, brenda mundësive njerëzore. Na trajtoni me fjalë të mira, jini të sjellshëm e të butë, jepnani afate më të shkurtër për të keqen dhe më të gjatë për të mirën. A nuk do të ishte më konstruktive të na e shtoni nganjëherë dozën e së mirës, t’i përkëmbeni paralajmërimet e ashpra me rreze shprese, të këmbëngulni më shumë në shërimet, në mendime e në fjalë të ngrohta? Kujt i shërben krijimi i psikozave dhe depresioneve, përderisa nuk kemi aq psikologë për të na shëruar apo qetësuar? Është e vërtetë që jemi në Javën e Mundimeve, por kjo nuk do të thotë që duhet t’u nënshtrohemi vetëm mundimeve, vuajtjeve.
Do të ikin nga kjo botë pleqtë, sepse kështu është e thënë, por, për aq kohë sa janë gjallë, ata na japin ndoshta edhe diçka tjetër përveç këshillave. Pas vdekjes, çfarë mund të na sjellin më shumë, veç arkivoleve, shprehej Jorga (historian i shquar rumun - sh. im). Le të mendojmë të paktën që, përderisa kanë kaluar nëpër më shumë situata të vështira se sa ne, ata ndoshta kanë edhe zgjidhje për mundimin nëpër të cilin po kalojmë; le të besojmë, pra, që mund të na japin shpjegime se sa të rëndësishme janë në shoqëri dashuria dhe vallja, sepse, siç thoshte Luçian Blaga (poet i shquar e diplomat rumun - sh. im) dashuria dhe vallja e tyre janë mënçuria.
Pleqtë janë (ende) njerëz si të gjithë njerëzit. Tani edhe ata janë të rrezikuar nga murtaja, por nuk janë të rrezikshëm. Mos i “mbroni” përtej masës, sepse ua ndrydhni humanizmin dhe ua njollosni dinjitetin. Njerzillëkun nuk mund t’ua shkatërroni e as t’ua cënoni, sepse e kanë me bollëk dhe e derdhin parreshtur mbi këtë botë të sëmurë.

Shqipëroi: Kopi Kyçyku

* President i Akademisë së Shkencave të Rumanisë
(Burimi: Faqja zyrtare e Akademisë Rumune)