„Gjërat e frikshme për njeriun kanë qenë të vlefshme për shkrimtarin. …” - Bisedë me shkrimtarin Bashkim Shehu

Fragment

Revista Haemus: I dashur Bashkim Shehu. A mendon se fjala e një shkrimtari të veçantë si ti dëgjohet / lexohet mjaftueshëm në këto kohëra, kur të gjithë flasin e shkruajnë, të bindur se kanë diçka vendimtare për të thënë?

Bashkim Shehu: Unë e marr si sfidë. Dhe më intereson më shumë cilësia e lexuesve, jo dhe aq sasia e tyre. 

Revista HaemusDuke u përqëndruar në ngjarje të natyrës politike, vëmendja e lexuesve është zhvendosur nga të fshehtat e hershme që nisin e ngjizin një autor… Si kanë qenë fillesat e tua letrare? Çfarë veçon nga fëminia dhe rinia? 

Bashkim Shehu: Nga fëmijëria do të veçoja gjënë e parë që kam shkruar. Isha 10 vjeç dhe lexova një roman për fëmijë disi më të rritur, „Gojama krifëverdhë” titullohet. Protagonisti ishte një luan, të cilin e vret gjahtari në fund të romanit. Unë e ndryshova fundin e këtij romanit duke shkruar me laps në pjesën bosh të faqes së fundit: e ripërshkrova episodin përmbyllës në mënyrë të atillë që luani vret njeriun. Ngjan si pozicionim i kundërt me atë që thotë Camus në ligjëratën e tij gjatë ceremonisë së Çmimit Nobel, në lidhje me njeriun përballë luanit. Puna është se në kopertinën e atij libri ishte koka e një luani me sy shumë të butë dhe kjo më kujtonte macen time, që unë e doja shumë. Për më tepër, ajo që bëra duke ia ndryshuar fundit atij libri, që është po kjo bëj tani kur shkruaj libra nga fillimi gjer në fund për ta rishkruar botën të ndryshuar nëpërmjet imagjinatës, përkon me atë që thotë Camus pak a shumë te Njeriu i revoltuar kur flet për artin e romanit: është refuzimi i heteronomisë, rebelimi ndaj botës, ku jemi të huaj pashmangësisht, ku nuk jemi në shtëpinë tonë, e megjithatë duam të jemi në këtë botë. Fiksioni letrar, tekefundit, është kjo botë dhe s’është. Ndërsa nga rinia do të veçoja një ngjarje që ndodhi kur isha 17 vjeç, kur dëgjova një fjalim të Enver Hoxhës kundër të ashtuquajtura ndikime të huaja dhe që paralajmëronte kësisoj fillimin e një gjuetie shtrigash në fushën e kulturës dhe të arteve. Ishte një kohë kur në Shqipëri po ndodhte njëfarë hapjeje kulturore dhe unë kisha iluzionin se kjo do vazhdonte dhe se ajo lloj letërsie që ende ishte e ndaluar do të bëhej e pranueshme. Por, duke dëgjuar atë fjalim, formulova me vete mendimin „ky regjim duhet përmbysur” ose „ky sistem duhet përmbysur”. Ai fjalim ishte një goditje vendimtare për iluzionin që përmenda, ose goditja e parë vendimtare. Dhe atë natë, kur shkova në dhomën time, nuk rashë për të shtrat, po mora një fletore me vija, nga ato të shkollës, dhe shkrova një tregim, katër-pesë faqe fletoreje gjithsej. Me sa mbaj mend, ai tregim fillon me shfaqjen e disa fantazmave të veshura me armatura të ndryshkura kryqëtarësh, në dhomën time, ngaqë kanë ardhur të më arrestojnë. Më pas, arrij të shpëtoj prej tyre dhe fshihem në një bodrum, ku ishin fshehur edhe të tjerë si unë dhe përgatiteshin për t’i dëbuar ato fantazma kalorësish mesjetarë. Tregimi mbaron me një pamje të megaliteve të Stonehenge-it, përfytyruar si observator astronomik i stërlashtë, dhe shkëputjen e këtyre gurëve nga dheu për të goditur një fushë të madhe sahati duke i bërë akrepat që të rrotullohen mbrapsht. Kisha shkruar nja dy gjëra të shkurtra edhe më përpara, nën shembullin e Kafkës dhe të Migjenit, porse atë natë për herë të parë vendosa ose ndieva se do t’i kushtohesha letërsisë. Ndërkaq, midis këtyre dy episodeve kam pasur mëse një herë vegimin e një libri me kopertinë të zezë dhe emrin tim përsipër, si emër i autorit. 

Revista HaemusSi dukej Shqipëria me sytë e tu të atëhershëm? Po Tirana? 

Bashkim Shehu: Shqipëria për mua atëherë ishte qendra e botës dhe Tirana ishte qendra e Shqipërisë. Po edhe sot, që e konsideroj veten qytetar të botës, Shqipëria mbetet qendra e botës, ndonëse në një mënyrë tjetër. Por Tirana mbetet qendra e qendrës së botës në të njëjtën mënyrë. Dua të them që, si shkrimtar, vazhdoj t’i qasem botës nga këndvështrimi i këtij qyteti. 

Revista HaemusGjendja në të cilën jetoje të mbante ”ndarë” nga bashkëmoshatarët? Mund të lexoje libra e të shihje filma të ndaluar… Mund të dilje jashtë shtetit…? 

Bashkim Shehu: Librat e ndaluar që lexoja, përkundrazi, më kanë afruar me miqtë e mi, që kanë qenë jo vetëm bashkëmoshatarë, po edhe më të mëdhenj në moshë, madje disa prej tyre, sikurse për shembull Ismail Kadare dhe Petro Zheji, kanë qenë goxha më të mëdhenj në moshë, dhe aq më tepër një mik tjetër, Lasgush Poradeci. Ndërsa filma të ndaluar nuk kam parë shumë, vetëm ato që munda të shihja kur kam dalë jashtë shtetit, në Perëndim, pesë herë. Këto udhëtime, nëse më kanë larguar nga ndonjë gjë, kanë ndikuar që të ndihem i largët ndaj sistemit. Më anë tjetër, duhet të them se në Tiranë kishte njëfarë qarkullimi librash të ndaluar: në to kishin akses, kinse për qëllime studimore, shkrimtarët dhe pedadogët e universitetit, dhe ua jepnin herë pas here miqve të tyre, disa prej tyre, jo të gjithë, sigurisht. 

Revista HaemusA ka ndonjë ngjarje të pazakontë, apo tipar të veçantë të udhëheqësve të asaj kohe, veçmas të babait tënd, - talent në prozën e shkurtër e në gojtarí, - të cilën lexuesit nuk e dinë, ose e dinë gabim? 

Bashkim Shehu: Në thelb, nga të gjithë dihet se si kanë qenë dhe çfarë kanë bërë, pavarësisht se ka njerëz që ndiejnë njëfarë nostalgjie për njërin apo tjetrin nga pushtetarët e dikurshëm. Për tim atë në veçanti, do të shtoja që, ndonëse njeri shumë inteligjent, arsyeja më së shpeshti i verbohej dhe i errej krejt nga dielli i zi i pushtetit të vet. Kishte kontradikta të forta thellë brenda vetes, po ndërthurja e vullnetit për pushtet me fanatizmin ideologjik përftonin një mur të verbër që shumë-shumë rrallë shfaqte të çara. Tekefundit, siç thotë Hegeli, njeriu është seria e veprimeve të veta, dhe veprimet e tim eti, si dhe të shokëve të tij, dihen nga të gjithë, në thelb. 

Revista HaemusSi ishte Kinostudioja ”Shqipëria e Re”, kur nise punën atje si skenarist? Sa mund të zhvillohej filmi shqiptar si gjini e mirëfilltë brenda shablloneve të realizmit socialist? 

Bashkim Shehu: Për kinematografinë, censura pa dyshim ka qenë më e rreptë se për fushat e tjera të krijimtarisë artistike. Dhe kjo është e kuptueshme: kinematografia është një art më masiv dhe njëkohësisht më pasivizues ndaj publikut. Megjithatë, ka pasur edhe filma që dilnin jashtë kallëpeve të realizmit socialist. Le të kujtojmë, për shembull, filmin Pas vdekjes, të regjisorit Kujtim Çashku, si rasti më i shquar, për mendimin tim. Më pas, në vitet e fundit të diktaturës, censura u dobësua dhe ka pasur më shumë filma të tillë. Filmat më të mirë të regjisorëve si Dhimitër Anagnosti, Piro Milkani, Muharrem Fejzo, Saimir Kumbaro, Rikard Ljarja, Vladimir Prifti, Ibrahim Muça, Kristaq Mitro, Spartak Pecani, etj., vazhdojnë t’i qëndrojnë kohës, nuk tingëllojnë si agitprop komunist, nuk stonojnë. Sigurisht, pjesa më e madhe e filmave të Kinostudios „Shqipëria e Re” kanë qenë absolutisht në përputhje me kërkesat e regjimit, por totalitarizmi nuk arrin asnjëherë të jetë i përsosur, kontrolli total është i pamundur. 

Revista HaemusBotimet e para… A ke rimarrë, apo synon të rimarrësh ndonjërën nga temat / ngjarjet e shkruara atëhere? 

Bashkim Shehu: Nga botimet e dikurshme, kam rimarrë një tregim të shkruar më 1975, për të cilin jam akuzuar në gjyqin e parë, dhe e kam përfshirë në një tregim tjetër, më të gjatë, që bën fjalë për zgjatimin e atij teksti në jetën reale. Gjithashtu, një nga motivet e një novele të shkruar më 1976 e kam shtjelluar në romanin me të cilin po punoj tani, si një nga pjesët e këtij romani. 

Revista HaemusÇfarë marrëdhëniesh kishe me jetën letrare shqiptare të para viteve 90 të shekullit të kaluar? 

Bashkim Shehu: Kam filluar të botoj shumë herët, në moshën 18 vjeç. Pothuajse gjithçka që kam paraqitur për botim është botuar, por pothuajse gjithmonë me vështirësi. Nëse nuk do isha bir i numrin 2 të regjimit, shumica e atyre shkrimeve nuk do ishin botuar. Më anë tjetër, dëshira për t’u afirmuar si autor dhe, prandaj, për t’u botuar, më detyronte të luftoja me veten që t’u përshtatesha kritereve të botimit dhe kjo m’i gjymtonte idetë. Mendoj se më ka bërë dëm në atë kohë. Më pas, në burg, m’u desh të bëja reset në të shkruarit. 

Revista HaemusA solli telashe, ndoshta edhe brenda familjes, rritja jote si shkrimtar „jashtë normave”? 

Bashkim Shehu: Në njëfarë kuptimi, në familjen time ka pasur dy pole. Në njërin pol ndodhej vëllai im i madh, Ladi, që ishte radikalisht kundër atij regjimi dhe me të kam filluar të bisedoj hapur shumë herët, dhe ia lexoja shkrimet e mia të para, që ishin krejtësisht jashtë standarteve ideologjike dhe estetike të pranueshmërisë. Në polin tjetër ishte babai, njeriu të cilit i ruhesha më shumë në familje. Sigurisht, nuk ia kam treguar shkrimet e para, ka filluar të më lexojë vetëm pasi vendosa të hyja në hullitë e botimit. Kishte shije letrare, gjë që përbënte, mund të them, një disonancë kognitive me dogmat e realizmit socialist në të cilat njëkohësisht besonte. Në disa raste më ka qortuar për „hermetizëm” dhe „intelektualizëm”, po vetëm kaq. Problemi me të ishte kur, për një mosarsye apo një tjetër, i hynte dyshimi për ndonjë autor: atëherë shihte nëntekste subversive kudo në shkrimet e tij. Por me mua me sa duket kjo nuk mund t’i ndodhte: unë isha i biri dhe nuk mund t’i hynin dyshime të tilla. 

Revista HaemusLibrat e tu përshkruajnë dhe shpesh zbërthejnë ngjarje të rëndësishme të Shqipërisë. Çfarë roli mendon se luajti përmbysja e madhe që përjetove pas goditjes mbi familjen tënde? 

Bashkim Shehu: Siç thashë, mbas atyre ngjarjeve, i ndodhur në burg, m’u desh të bëja reset në të shkruarit. Në burg, arrita të ndihesha më i lirë, jo vetëm së brendshmi ngase ndihesha gjithnjë e më shumë vetja ime, po edhe së jashtmi, ngase në burg censura ndaj shkrimeve ishte më pak e rreptë se ajo zyrtarja ndaj botimeve. Tingëllon e çuditshme, por kështu ka qenë: kur na bënin kontroll, gardianët i shikonin vetëm përciptazi shkrimet që na gjenin. Për mua është më i rëndësishëm ndryshimi në mënyrën e të shkruarit sesa përshkrimi i ngjarjeve të rëndësishme. Kredoja ime letrare është se nuk ka shumë rëndësi çfarë thuhet në tekst: çështja është si thuhet. Ose më mirë, kjo e fundit përcakton që ajo „çfarë të jetë ajo që është.

(...)

More in Revista Haemus Nr. 62-65 / 2021/’22