Augustin Cupșa: Ç’do të ndodhë kur të vdes (Ce-o să se-ntâmple când mor)


prozë

Augustin Cupșa (Augustín Kúpsha) lindur në vitin 1980, është një nga autorët më të vlerësuar të letërsisë së re rumune. Ka mbaruar studimet për psikiatri në Bukuresht (2010). Është autor i romaneve Shpuesit dhe Kështu të rritet bari mbi ne; i vëllimeve me proza Profesori Bum dhe Lulëkuqet suedeze dhe Gëzimet e trishtimet e mëdha, si edhe i disa skenarëve (Treni drejt Bukureshtit niset nga peroni 3, Oh, Xhoni, oh). Laureat i disa çmimeve për letërsi e kinema, është i pranishëm në mjaft antologji proze, në rumanisht e gjuhë të tjera.


Prapa derës dëgjoheshin të qeshura dhe qyfyre. Daria fshiu ballin me shpinën e pëllëmbës, e përshtati çantën mbi sup dhe priti. Që përtej vinin dy zëra – njëri prej gruaje, i lehtë, i mprehtë dhe acaruesndërsa tjetri: prej burri – më i shtruar dhe i këndshëm. I hodhi sërish një sy zarfit. Emri ishte i rregullt – Silvia Kordea, adresa gjithashtu.
I dinte këto gjëra edhe pa i verifikuar, përderisa bënte të njëjtat udhë drejt të njëjtëve pallate banimi tetë vjet rresht dhe, ndërkohë, Daria sillte në lagje një mal me revista, fatura, abonime dhe letra, duke mundur të njihte shumë njerëz, megjithëse jo të gjithë. Zakonisht letrat i hidhte në kutitë prej kompensate të kateve përdhesë, i paloste revistat mëdysh në gjunjë dhe i ngjeshte brenda. Kështu puna i shkonte fjollë. Vetëm kur kishte ndonjë letër të porositur i duhej të ngjitte katet, të kërkonte apartamentin përkatës dhe të gjente marrësin, që ky të nënshkruante, ndryshe nuk i lejohej të largohej.
Një herë, një burrë i pallatit Z3 ia hapi derën dhe e ftoi brenda, nguli këmbë të pranonte një kafe dhe ajo e pati vështirë të mos pranonte.