Mihai Mateiu: Gjahtari (Vânătorul)



„Gjithmonë i kishin pëlqyer ngjyrat! Me orë të tëra
mund të rrinte e vetëm të shihte përreth.”

Vështron duke picërruar sytë paletën e pafundme të grive: të zeza e të murrme, prej toke e gjethesh të thara; të gjelbra, vjollcë e të verdheme, prej lëvozhge të lagur; të kaltra e të zbardhëllyera, prej qielli vjeshte të vonë – mjegulla ndehet mbi to si një sitë qumështore, duke i tretur tek njëra-tjetra. Pluskon me shtroja të holla mbi baltë e gjethe të bymyera, atykëtu shpërbëhet dhe, në ato zgavra të zbrazëta, ngjyrat janë më të forta, trajtat – të prera më qartë.
Një luginë e gjerë, me disa pllaja – nga njëra anë toka ngjitet përgjumshëm drejt një maje që nuk duket. Mes trungjeve të lëmuar të aheve dhe shkozës përzjehet nga një grumbull lisash ngjyrë qymyri të njomur dhe shumë gëmusha verri e lajthish. Djali qëndron nën një trung të rrëzuar, në rrënjët e të cilit ende varen plisa dheu. Mban rroba të trasha, vizatuar me gjethe e degë në jeshile të errët, kambale qafëgjata dhe një kapelë me pellush edhe për veshët. Mbi trung mbështetet çiftja, me tytat përpjetë. Pranë tij, varur pas një dege të thyer, varet një torbë prej lëkure të zezë nga e cila dalin nja dymbëdhjetë shigjeta – pendët e tyre janë të bardha, ndërsa majat – në një të kaltër të thellë.
Është rreth 20 vjeç, por shprehja e qetë e fytyrës e bën të duket më i pjekur. Trupvogël, fytyrë eshtake, sy me ngjyrë të errët dhe vetulla të trasha. Qëndron gati mëgjunjazi, me shpinën mbështetur pas trungut. Mban në prehër një hark të madh, teksa gishtat e të dyja duarve ledhatojnë drurin e harkut, duke ndjekur pavetëdijshëm trajtën e tij të ndërlikuar.
Një kërcitje dege e shtyn të ngrihet. Nja 25 metra më tutje, një burrë që ka dalë nga mbrapa një ferre i bën shenjë me dorë – ka shkelur padashje mbi ca shkarpa. Djali qëndron më këmbë, duke u munduar të shpihet e duke vështruar anembanë.