Showing posts with label Brikena Smajli. Show all posts
Showing posts with label Brikena Smajli. Show all posts

Simbolet mitike të Zanafillës (Krijimit) dhe Zbulesës (toka, uji, zjarri, ajri) në poezinë e W. B. Yeats-it

Brikena SMAJLI

(Pjesë nga punimi i Masterit në letërsi marrë nga Universiteti Shtetëror i Tiranës
me titull: Simbolika mitike e Zbulesës dhe Apokalipsës
tek poetët W. B. Yeats dhe T. S. Eliot)

a.         Lundrim për në Bizant

“Bota apokaliptike, parajsa e religjionit, paraqet në rend të parë, kategoritë e realitetit në format e dëshirës njerëzore, siç shihet nga format që marrin ato nga veprimi i civilizimit njerëzor.”# Si përgjigje e pohimit të mësipërm të Frye-it shohim se poezia e Yeats-it udhëtimin e saj kërkues e krijon duke u mbështetur edhe në simbolikën e Apokalipsës/ Zbulesës si pjesë e dëshirës dhe përfytyrimit parajsor, për rrjedhojë edhe gjuha simbolike e poezisë së tij është e kësaj natyre. Po të marrim në shqyrtim dy poezitë më domethënëse të Yeats-it Lundrim për në Bizant dhe Bizant, poezi të cilat kanë lidhje të ngushtë me njëra–tjetrën, jo vetëm se i përkasin një të ashtuquajturi ‘Eden’ për Yeats-in, nisur nga sistemi i tij mitik hënor#, por edhe për vetë vendin që zënë në këtë sistem, paraqesin interes. Në këto poezi ndeshim simbolet mitike të Zanafillës/Krijimit# dhe të Zbulesës.
Studimet angleze, të cilave u drejtohemi, bëjnë një vështrim të poezisë nga pikëpamja e simbolikës me të cilën autori shprehet: Bizanti, lundrimi, etj, duke e shpjeguar këtë me sistemin mitik hënor të Yeats-it, sipas të cilit poezitë përkojnë jo vetëm me një vend të “jetës së shpirtit pas vdekjes”, të cilën Yeats-i do të donte ta vizitonte si shpirt, apo si mundësi të re jete. Sipas sistemit mitik hënor të Yeats-it, Bizanti në periudhën për të cilën bëhet fjalë është interesant nga pikëpamja e historisë së njerëzimit. Ai(qytetërimi i tij) i përket periudhës së fazës 15-të, të cilës asnjë njeri nuk mund t’i përkasë. Kjo sepse, gjithmonë sipas veprës Një përfytyrim të Yeats-it, faza e 15-të karakterizohet nga subjektiviteti i pastër dhe si e tillë, përkon me faza të historisë njerëzore, ku sundon shpirti përballë natyrës plotësisht praktike; periudhë kjo e kërkimit shpirtëror dhe e profetëve.
Simbolika e trajtuar nga Yeats-i paraqet pikërisht këtë gjykim në lidhje me poezinë dhe sistemin e tij mitik hënor. Por këtu, duke mos kundërshtuar domethënien e poezive dhe shpjegimin e tyre sipas këtij sistemi, do të shtojmë se poezia, dy poezitë, paraqesin edhe një marrëdhënie me shkrimin e Zanafillës dhe atë të Zbulesës, zhvilluar sipas një projeksioni të një trajtimi të mëparshëm nga Simbolistët francezë të mitit të rënies# së njeriut, pjesë e një zhgënjimi individual ndaj shoqërisë njerëzore si edhe rezultat i përvojave shpirtërore të Yeats-it në një moshë të thyer tashmë. Këndvështrimin pesimist të botës dhe zhvillimin e një poezie të tillë si dëshirë ( miti i rënies së njeriut, Baudelaire-i, simbolizmi francez ) do të shtonim se e ka nxitur edhe marrëdhënia e Yeats-it me besimin fetar.
Yeats-i, megjithëse pati për një kohë lëkundje nga ndikimi i të atit, në besimin kristian, kurrë nuk duket se u shkëput nga feja edhe pse ai nuk është besimtar në kuptimin tradicional. Natyrisht është e vështirë të jesh i shkëputur nga besimi (qoftë edhe në të magjishmen) në një vend si Irlanda, ku një lidhje e tillë është kaq e theksuar dhe e natyrshme për jetën shpirtërore. Yeats-i nuk bën përjashtim. Ai përpiqet të rishkruajë tekstin zanafillor, si letërsi e kërkimit duke iu përgjigjur marrëdhënieve që krijoi me traditën letrare, familjare – kombëtare, përfshi këtu edhe zgjidhjen e tij individuale.
Kështu, qyteti, kopshti, kopeja e deleve, janë metafora organizuese të Biblës dhe të pjesës më të madhe të simbolizmit të krishterë dhe ato janë dhënë në identifikim të plotë metaforik në librin të quajtur, jo pa qëllim Apokalipsa ose Revelimi, e cila është projektuar me kujdes për të formuar një përfundim të pazhvendosur mitik për Biblën si tërësi#
Por uji, ajri, toka, zjarri, simbole që i gjejmë në poezitë e Yeats-it lidhen jo vetëm me Krijimin (Zanafillën), por edhe me simbolet elementarë klasikë evropianë, ato i ndeshim tek parasokratikët dhe më konkretisht tek Empedokli#, ato i ndeshim edhe si simbole bazë të krijimit në Bibël.# Kjo lidhje mes e Empedoklit dhe Biblës është për Yeats-in e natyrshme duke pasur parasysh edhe mënyrën si ai e sheh besimin fetar: dije ku shkrihen besimi në të magjishmen dhe njohja shkencore.
Përfshirja e simboleve të Zanafillës bëhet e qartë, nëse kemi parasysh se Yeats-i, në moshë të shtyrë tashmë#, mendon për fundin e jetës, krijimin artistik dhe pavdekësinë nëpërmjet tij, ndërsa ajo e Zbulesës, Apokalipsës së Shën. John-it na sqarohet më bindshëm, nëse kemi parasysh se Yeats-i e konsideron Bizantin e kohës para se Justiniani të mbyllte Akademinë dhe para se të ndërtohej Shën. Sofia si T. E Hulme-i, “një vend të huaj për jetën, të mënjanuar nga jeta e gjallë madje deri në përbuzje”#. Pikërisht atëherë arti i Bizantit iu përshtat ngushtësisht nevojave të kishës aq sa asnjë artist nuk mund të krijonte shkollën e as stilin e tij. Ajo që shihet edhe sot në artin bizantin është se ikonat nuk kanë një hije tokësore. Mjafton të përmendim se qielli kurrë nuk është i kaltër, si qielli tokësor, por i artë, siç duhet të jetë ai shpirtëror. Megjithëse Bizanti u pushtua nga turqit në fund të Mesjetës dhe Perandoria Bizantine duket se humbi, fakti i vetëm i kësaj humbjeje bëri që imazhi i Bizantit të ngrihej më tepër ideal dhe i ëndërrt, i ngjashëm me atë të Jeruzalemit të ri, simbol i botës tjetër.#
Pikërisht për këtë Bizanti është parë nga Yeats-i si një Eden tokësor nga njëra anë dhe vend i shpirtit pas vdekjes nga ana tjetër. Madje, po të shtyhemi më tej, në atë se çfarë Yeats-i shpreh, kemi të bëjmë për një vend ideal për kërkimin e tij artistik e më tej#.
Duke ndjekur këtë këndvështrim do përpiqemi të zbulojmë një tjetër simbolikë brenda këtyre dy poezive, e cila nuk ka të bëjë edhe thjesht me simbolikën e qytetit, por i bashkëngjitet dhe e plotëson atë.
Simbolika e qytetit dhe lundrimit.
Bizanti në kohën për të cilën na flet Yeatsë-i, (rreth viteve 381), është quajtur ashtu siç perandori Justinian filloi ta ndërtonte, një Jeruzalem i ri dhe një Romë e re, për rëndësinë që ai mori si nga marrëdhënia me traditën dhe origjinën e krishtërimit ashtu edhe për nga ndërtimi,# gjë që edhe për cilësinë e simboleve që e ndërtojnë, na sjellin ndër mend Biblën tek Zbulesa, Jeruzalemi i ri (21 – 22)#
Po kështu simbolikës së qytetit, kupto (tempullit)# i shtohet edhe simbolika e lundrimit, ajo e ujit, zjarrit, ajrit, tokës, zogut të artë të dalë nga zjarri.
Yeats-i i shkroi këto poezi në një moshë përkatësisht 62, 65 vjeçare, në të cilën njeriu, ashtu si Yeats-i, shqetësohet për pleqërinë. Vargjet që hapin dy strofat e para të poezisë së shkruar më 1927 janë:
That is no country for old men.
Ai nuk është vend për pleqtë.
An aged man is but a paltry thing …
A tattered coat upon a stick,… #
Një burrë në moshë është veç një send pa vlerë...
Një xhaketë e leckosur mbi një degë...

Simbolika e lundrimit sugjeron edhe një tjetër interpretim, atë të kërkimit, por e lidhur me simbolin arketip të ujit, ajo mbart sugjerime apokaliptike të përmbytjes, “...jetës njerëzore, gjendjes së kaosit ose të shprishjes që pason pas vdekjes së rëndomtë...”#
Ndërsa simbolikat e (tokës), (ajrit), zogut të artë, dalë nga zjarri lidhen ndërmjet tyre në mënyrë organike dhe domethënëse, meqë gjithçka shprehin nuk i përgjigjet edhe aq rendit logjik të vendosjes së tyre në natyrë.
Kështu, zogu nuk është i vërtetë, ai është një nga mrekullitë e magjisë, i dalë nga zjarri, i përpunuar nga një farkëtar mjeshtër, më tepër fryt i krijimit artistik se sa i natyrës, prandaj ai ka të bëjë jo vetëm me ajrin, por me tokën dhe zjarrin, si monumentet e pavdekshme për të cilat Yeats-i mallohet aq shumë, jo si vizitor, por si një i vdekur tashmë, i cili do të plotësojë etjen e shpirtit për dije dhe Dije. Kështu simbolet arketipe të Zbulesës si qyteti, njeriu, hyu, uji, zjarri shoqërohen me një simbol të kërkimit, si “lundrimi” (udhëtimi, nisja)#, e cila është mitema bazë e miteve mbi heronjtë.# Yeats-i na paraqet një, udhëtimin(lundrimin) e vet. Në dobi të kësaj na vjen një qasje Jeruzalem i ri–Bizanti ( i quajtur Jeruzalem i ri), po kështu, nëse Jeruzalemi i ri është vetëm shpirt i pastër, sepse ka mbërritur lartësinë shpirtërore (nusja e qengjit, shih: Zbulesa 21,9) Yeats-i kërkon të vdesë, ose e sheh veten si të pavlerë edhe të papranuar në një qytet të tillë si “aged man” (plak), “paltry thing” (send pa vlerë), “A tattered coat upon a stick”( një xhaketë e rreckosur mbi një degë), “a dying animal” (kafshë që vdes)#. Madje edhe të rinjtë që autori na i vë për kundër peshë të vetes, janë “dying generations” (breza që vdesin)#.
Gjithçka autori na shtyn të besojmë është një kundërvënie trup–shpirt dhe qyteti i Bizantit është strehuesi i shpirtit. Marrëdhëniet që krijojnë The young ...,( të rinjtë...,) birds in the trees...,(zogjtë në pemë...,) the salmon falls, ... seas, (kërcimet e salmonit,... detrat...,) fish, flesh,...(peshk(u), mish(i) )# (e gjallë, B. S) janë ato të përkohshmërisë tokësore. Autori nuk i shikon me zili këta banorë të Bizantit, tek ndalet si refren në vargjet: “Monuments of unageing intellect.” (monumentet e urtisë së pa moshë), “Nor is there singing school but studying/ Monuments of its own magnificence” (As ka atje shkollë të kënduari veç studimi/I monumenteve për t’magjishmen e tyre)#. Gjithë qëllimi i tij është i përqendruar në studimin, monumentet, mjeshtërinë e përjetësisë.
Poezia është e ndërtuar në kundërvënie funksionale dyshe dhe treshe. Kështu kemi:
Strofa I. Plaku–i riu; jeta–vdekja; trupi–shpirti (monumente të urtisë pamoshë), të cilat vetplotësohen më tej në kundërvënie të tjera: Plaku–“The young/In one another’s arms” /i riu në krahët e tjetrit (njeriu, toka), “birds in the trees” /zogjtë në pemë ( zogjtë, ajri), “the salmon falls”/kërcimet e salmonit (peshqit, uji), “seas”/detrat(uji), , “the mackerel crowded /Fish, flesh, or foul,... sensual music” # Për të përfunduar pastaj në një tjetër kundërvënie, Jetë-vdekje
Whatever is begotten, born, and dies
.
(çfarëdo që është sjellë, lindur edhe vdekur), ku kësaj të fundit, vdekjes, i shpëtojnë vetëm Monuments of unageing intellect (monumentet e urtisë pamoshë).#
Strofa II. (Plaku – i riu) shndërrohet në Plaku(trupi – shpirti)
An aged man is but a paltry thing,
A tattered coat upon a stick,
unless
Soul clap its hands and sing, and louder sing
For every tatter in its mortal dress
,
Një burrë i moshuar është veç një send pa vlerë,
Një xhaketë e rreckosur mbi një degë, sado
Që shpirti përplas duart dhe këndon, këndon më fort
Për çdo rreckë në veshjen e tij të vdekshme,
vdekja–jeta; kënga (Nor is there singing school but studying – dija
Monuments of its own magnificence;)# të gjitha në një këndvështrim, atë të plakut.
Siç shihet nga paraqitja e detajeve simbolikë në strofën e parë dhe të dytë, kemi pranëvënë për çdo simbol mitik të krijimit edhe elementet bazë të krijimit (tokë, ajër, ujë, zjarr) të cilëve u përkojnë detajet. Kështu, në këtë kuptim, marrëdhënia, simbolikë e jashtme, bashkëshoqërohet me bazën simbolike të krijimit, katër elementet klasikë të filozofisë evropiane, mbi të cilët shohim se krijohet edhe poezia.