Showing posts with label Mark Simoni. Show all posts
Showing posts with label Mark Simoni. Show all posts

Mark Simoni: Legjenda e dasmorit të çuditshëm

(Tregim)

Kulla e tij ishte majë një shkrepi, bash në malin më të lartë. Dhe varej mbi humnerën dhe honet e lugjeve. E kishte më afër qiellin se sa tokën. Madje shpesh atij i kujtohej ai fëmija i vogël, që në një mort e pati pyetur:

- Ti, a e ke pa dhe taku Zotin?

Kulla kishte përpara një oborr të vogël me gardhin e bërë me dru pishe të kuqe, ndërsa mbrapa mbështetej një lëndinë sa për të zënë robt a gjint e një dasme a morti.

Kishte disa netë që burri qe i shqetësuar dhe kastërgjim. Medeomos i duhej të ndante ditën e dasmës së djalit të vetëm. I kandej shumë ta kishte në pranverë. Atëherë çelnin lulet, vinin zogjtë, shkrinte dëbora, hovte gjaku. Grave u binte fytyrave një pasha dhe bukuri e pashoqe, dhe trupat e tyre, si asnjëherë tjetër, zinin fëmijë e mbarseshin për bukuri.

Netëve, ai dëgjonte se si humnerave dhe lugjeve, përrojeve atje poshtë, shpateve të maleve shkepej bora, që merrte përpara, pisha dhe gurë, lëndina të vogla, e stane, dhe i hidhte në fund të botës. Dëgjonte lukuninë e ujqërve që klithnin nga uria, me zërat e tyre të zvangur e tërë trishtim. Diku anash honeve silleshin me revan kuajtë e egjër, që iknin tërë zhurmë e trok, prej frikës së ujqërve dhe hijeve të natës. Ai e njihte për mrekulli gjuhën e natyrës, dhe sidomos dimrin. I kuptonte edhe kur përrenj të tërbuar derdheshin në lumenjtë e ngushtë të maleve, edhe kur kafshë të dala mendsh dhe me sy të kuq, mbërrinin deri te gardhi dhe ziti i tij.