Manolis
Anagnostaqis u lind në Selanik më 1925. Studioi për mjekësi dhe u specializua për
radiografi në Vienë (1955-1956). E ushtroi profesionin e tij në Selanik dhe më
1978 u transferua në Athinë. Për veprimtarinë e tij politike në lëvizjen
studentore u burgos gjatë viteve 1948-1951, ndërsa më 1949 u dënua me vdekje
nga një gjyq ushtarak. U shfaq në letërsi në revistën Letra të Pireut (1942)
dhe te revista studentore Nisja (1944). Në këtë të fundit ishte edhe
kryredaktor për disa muaj. Botoi poezi dhe shënime kritike në shumë revista por
kishte dhe veprimtari të dëndur në gazetën Agimi me tekste letrare dhe
politike. Botoi revistën Kritika (Selanik 1959-1961), ishte anëtar i grupit
botues të Tetëmbëdhjetë Teksteve (1970), të Teksteve të Rinj dhe të revistës
Vazhdimi (1973). Ka botuar shumë vëllime poetikë dhe studime e kritika letrare.
Është vlerësuar me çmim vjetor për poezinë dhe me çmim kariere nga Parlamenti i
Greqisë. Poezitë e tij janë përkthyer në Anglisht, Frëngjisht, Gjermanisht,
Italisht. Vdiq më 22 qershor 2005. Anagnostaqis është një nga poetët e brezit
të artë të poezisë së re greke. Siç duket edhe te poezia e tij me titull
“Apologji”, ai pesëmbëdhjetë vitet e fundit nuk shkruajti. Në njërën nga
intervistat e tij shprehet se edhe heshtja e poetit është poezi.
Shahu
Eja të luajmë.
Do të të të fal mbretëreshën
(Ishte dikur e dashura ime.
Tani nuk kam më të dashur).
Do të të fal të dyja kalatë
tani nuk i qëlloj më miqtë e mi
(Kanë vdekur prej kohësh para meje)
dhe ky mbreti këtu nuk ishte kurrë mbreti im
dhe gjithë këta ushtarë përse t’i dua?
(Çajnë përpara, të verbër, pa asnjë ëndërr)
Të gjitha, edhe kuajt, do të t’i jap,
vetëm këtë të çmendurin do ta mbaj
se di të shkojë vetëm te një ngjyrë
galopon nga njëri skaj në tjetrin
tallet me tërë armatimin tënd
duke hyrë papritur nëpër vijën e sulmit
i pështjellon formacionet e tua të mbrojtura mirë.