Showing posts with label Bajram Sefaj. Show all posts
Showing posts with label Bajram Sefaj. Show all posts

OAZI I PËRKTHYESIT / OAZA TRADUCĂTORULUI

Anar

Dashi i bardhë – dashi i zi
(Përralla utopike dhe antiutopike)

PËRRALLA E PARË

... Dhe atëhere u shfaqën deshinjtë e kapërthyer në luftë: njëri i bardhë, ndërsa tjetri i zi. Dashi i bardhë e detyroi t’ia mbathte me të katra dashin e zi. Ti hipja dashit të bardhë dhe në çastin që do të ndodhesh sipër tij, ke për t’ia behur në dritën e ditës. E, në ia hipsh dashit të zi, ke për të mbërritur në perandorinë e errësirës...

Përralla me Melik-Mamedin

Melik Mamedli u zgjua nën tingujt e himnit shtetëror, a, më saktë, nuk u zgjua mirëfilli, por vetëm i ndjeu tingujt në një gjendje gjysmëzgjimi. Sa herë që shkonte për të fjetur, e vintetreguesin e kohës të kompjuterit në orën e mëngjezit, kur transmetohej himni dhe çdo mëngjez ngrihej njëheresh me notat solemne, por sot, diçka e çuditshme, i ndodhur në gjendje gjysmëzgjimi, u përfshi nga një ndjenjë gëzimi të veçantë. Përse, vallë, tingujt e melodisë që dëgjonte përditë, po i sillnin tani një kënaqësi të jashtëzakonshme? Dhe, pa u shkëputur tërësisht nga gjendja e përgjumjes, e nuhati shkakun: vetëm sot është dita e kremtimit të Nevruzit, dhe ai duhej ta përjetonte këtë ditë, si gjithë vendi, me një ndjeshmëri të thellë, me haré, me besim krenar dhe me bekim. Dhe, gjith duke qënë ashtu, i pazgjuar përfundimisht, po mendonte: mos ji kaq mosmirënjohës, mos vallë ti, në këta vitet e fundit, ditë e natë, nuk ke pasur, si gjithë të tjerët, të njëjtën ndjesi euforie parajsore?...
Shkurt fjala, ishte koha të ngrihej dhe, me vrrull, kërceu nga shtrati. Dhe e dëgjoi himnin gjer në fund, duke ndenjur gatitu, siç e kishte bërë tanimë zakon.
Melik e dinte se në çaste të tilla, me të njëjtën ndjenjë atdhetare, ky himn, i transmetuar nga të dymbëdhjetë kanalet e radios e të televizionit, dëgjohet nga miliona njerëz, që nga Derbenti deri në Hamadan, nga Vazyhu deri në Kazvin.
Natyrisht që e kishte vënë marrësin e kompjuterit në valën e e kanalit televiziv “Çagdaş”[1], ku punonte prej mbi tridhjetë vitesh si komentator dhe regjisor-skenarist. Kanali në fjalë u jepte përparësi programeve kulturore. Kanale të tjerë, megjithë përpjekjet për universalizim, i mëshonin më fort një tematike të caktuar.
I vetmi kanal shtetëror, „+AZRT” bënte çmos të pasqyronte, sa më shumë që të ishte e mundur, jetën e republikës dhe ngjarjet ndërkombëtare. Gjithsesi, televizionet private, kishin orientime të mirëdallueshme, për rrjedhojë edhe publikun përkatës.
“Turan” jepte, në radhë të parë, emisione për botën turke, “Hazar” dhe “Apşeron” - për Bakunë dhe krahinat fqinje; „Araz” ia kushtonte emisionet kryesore Azerbaixhanit të Jugut; „Ulduz”, kanal i parapëlqyer nga të rinjtë, tërhiqte ndryshimin e nesërm të vendit përmes muzikës, programe sportive dhe show zbavitëse; „Hilal” rrokte eterin kryesisht me debate fetare kushtuar historisë së Islamit, shpjegimit të Shkrimit të Shenjtë të Kuranit, jetës së profetëve, imamëve dhe teologëve… Problemet e etnografisë, folklorit, trashëgimisë kulturore, zakoneve të hershme dhe traditave, përbënin shqetësimet e dorës së parë të „Nevruzit”; „Edinstvo” ishte i prirur drejt auditorit të jashtëm dhe pakicave kombëtare të republikës; „Savalan” „fliste” dhe transmetonte nga Tebrizi, „Kianaz” – nga Ghiangi…
Melik Mamedli, një gazetar dhe regjisor i televizionit, i njohur në mbarë vendin, kërkohej me ngulm nga të gjitha kanalet, por ai parapëlqeu „Çagdaş”-in. Joshja dhe familjarizimi i publikut me thesarin e kulturës kombëtare dhe botërore, me vlerat e letërsisë dhe të artit universal, u bënë kredoja e jetës së tij.
Sidoqë Meliku merrte shpesh ftesa nga partitë politike të vendit, nuk pranoi asnjërën syresh, me një fjalë nuk u fut në politikë. Ishte thellësisht i bindur se tashmë, njëherazi me realizimin e integritetit historik-territorial të Azerbaixhanit, me zgjidhjen thuajse të të gjitha problemeve sociale, ekonomike dhe ideologjike, marrja me politikë është, në një farë mënyre, një hobby i këndshëm, si puna e aerobikës, e mbledhjes së pullave të postës apo e fluturave.
Dhe vërtet, pas lojës së ndukjes së litarit nga të djathtët e nga të majtët, kur, përmes fronmëzimit të afarizmit dhe përçmimit burokratik ndaj vlerave kombëtare, mbisundoi elektorati i forcave “të djathta”, ndërsa më pas, në kohën e lulëzimit shkretues të korrupsionit, e pasurimit përrallor të disave dhe të varfërimit të të tjerëve, tonin e jepte propaganda “e majtë”, të gjitha këto probleme u lanë mënjanë njëherë e mirë dhe shumica e zgjedhësve dukej se po votonin për partitë e djathta ose për partitë e majta sipas një zakoni tradicional, sipas një inercie të simpative dhe preferencave, të trashëguar nga prindërit.
Në Milli Megilis ishin të përfaqësuara pesë parti: dy me orientim të djathtë, dy të majta dhe një e qëndrës. Partitë e djathta nxirrnin përpara kryesisht vlerat kombëtare, idetë e turqizmit, mbronin me përkushtim ekonominë e tregut; partitë e majta militonin për barazinë sociale, duke u mbështetur në radhë të parë te klasa puntore, ndërsa centristët, duke pranuar vlera të caktuara të të parëve dhe të të dytëve, mund të thuhet se zinin një pozicion pajtues. Tani në fuqi gjendej një qeveri e koalicionit e formuar nga centristë dhe të pavarur, pra deputetë paparti.
Por, a ia vlen, vallë, barra qiranë që, në këtë ditë feste, me diell bujar, të kujtojmë çështjet politike?
Meliku, në mënyrë autokritike, tundi kokën.
Ngjarjet politike nukj u hynin pothuajse aspak në qese qytetarëve të republikës lulëzuese, pas zbulimit të rezervave të reja në det të naftës e të gazeve natyrore, pas vënies në shfrytëzim të dy tubacioneve të naftës, përveç tubacionit Baku-Geihan, që sjellin dividende të qëndrueshme; të gjitha këto mundësuan shtimin e fitimit për çdo banor të popullsisë së lumtur, madje deri në një mijë “gjelbëroshë”[2]!