Quhen Nadja,
Klara, Magda, Çian Çin, Katerina, Mira... Ata quhen Lenin, Musolini, Stalin, Hitler,
Salazar, Mao, Çaushesku, Bokasa, Millosheviç.
Bashkëshorte,
shoqe, nimfa burimesh, admiruese, ato kanë të përbashkët faktin që janë
njëherazi të dashuruara dhe ngadhnjyese, të mashtruara dhe të flijuara,
ndonjëherë deri në vdekje. Burrat e tyre mizorë, të dhunshëm e tiranë, ato janë
në gjendje t’i bëjnë të besojnë se janë të bukur, tërheqës, të gjithëfuqishëm.
Sepse seksi është një nga shtysat e pushtetit absolut dhe diktatorët kanë
nevojë të rekrutojnë femra në ndërmarrjet e tyre për sundim.
Dianë Dykre
(Diane Ducret) rrëfen me imtësi takimet, strategjitë e joshjes, marrëdhëniet
dashurore, ndërhyrjen e politikës dhe fatet e ndryshme, shpesh tragjike, të
femrave, të cilat kanë hasur në rrugën e tyre diktatorë dhe kanë kaluar nëpër
shtratin e tyre.
Të doja me
lëkundje; a do të të isha, vallë, besnik,
Edhe në këto
çaste kur goja jote - kamxhik
Vjen të më
njoftojë vdekjen kaq qetësisht,
Mosmirënjohës,
dyshoj ende në se s’të dashuroj marrëzisht.
Zhan Rasin, Andromaka, akti
IV, skena V.
“Mjerë njeriu me një ide të vetme,
sidomos kur
është fjala për një femër”.
Margarita Sarfatti
Shqipëroi Kopi Kyçyku
Një revolucionar me organe të
papërballueshme
Alarm
në Riçone
Riçone, perla e Adriatikut, gjallërohet çdo verë
nga një pamje rituale befasuese: një valë admiruesesh dynden në plazh, duke
ndjekur nga pas një burrë që duan ta soditin pa uniformë. Benito Musolini
përgatitet për banjë. Ai ndiqet deri në ujë nga kjo morì femrash të të gjitha
moshave, pa çarë kokën për veshjet që nuk kanë pasur kohë t’i heqin. Janë vetëm
italiane që kanë ardhur të soditin Duçen në kostumin e banjës që i rri bukur.
Sipas Kuinto Navarra-s, njërit nga njerëzit në shërbim të tij, më fanatike janë
gjermanet, jugosllavet dhe hungarezet, të cilat nuk mungojnë të shprehin me zë
të lartë vlerësimet për “trajtat atletike të Duçes”. Atë vit pat qarkulluar
zhurma rreth një sëmundjeje të tij. Duke dalë nga uji, Musolini vendos atëhere
të vetëtregohet dhe, para syve të tyre të shtangur, fillon një sërë ushtrimesh
me kalë. Ai e mbyll shfaqjen duke u ngritur mbi yzengjitë dhe u bën të ditur:
“Tani shkoni t’u thoni që jam i sëmurë!”. Populli nuk mund ta vinte në dyshim
vitalitetin e kreut të vet, as femrat - burrërinë.