Në të dukshme,
Luan Starova vëzhgon të padukshmen. Duke udhëtuar, ai i prek kufijtë e
vendqëndrimit.
Guri, varri,
vala, anija, pragu, libri: këto elemente të cilat e përbëjnë, bashkë me
elemente të tjera, indin konkret të jetës sonë të përditshme, në poezinë e tij
paraqiten si shenja hutimi, pasigurie, shtruarje pyetjesh. Del sheshit, kur
lexohet thellë e thellë ky ind, se tek ai e gjejmë vetëm mungesën. Megjithatë,
nga ai gufon drita që e nxit njeriun ta zhdukë distancën që e ndan nga
gjithësia dhe të shkrihet në të.
Cila, prandaj,
është më e vërtetë: e dukshmja apo e padukshmja?
Në përpjekjen
ose orvatjen për t’i gjetur një përgjigje kësaj pyetjeje, mishërohet fryma
tragjike e ekzistencës dhe e poezisë njëherësh.
E ekzistencës,
ngase ajo shfaqet në esencën e saj, të brishtë dhe kalimtare. E poezisë, ngase
fjala nuk mund ta përfshijë sendin dhe, aq sa ajo përparon në zbulimin, ec
përpara edhe në një shtesë të fshehtësisë dhe të dykuptimësisë.
Kështu, prania
na kthen gjithnjë në mungesë, dhe anasjelltas.
Dialektikë e
pashmangshme: nga alkimia e të dukshmes distilohet eliksiri i të padukshmes.
Duke e shijuar këtë eliksir, ne e shijojmë vetë tragjiken e pranisë sonë.