Showing posts with label Palltoja (Paltonul). Show all posts
Showing posts with label Palltoja (Paltonul). Show all posts

Bogdan Munteanu: Palltoja (Paltonul)


Bogdan Munteanu, lindur më 28 prill 1979 në Arad të Rumanisë, jeton në Timishoara, autor i tre vëllimeve me tregime (Vals mbi fije merimangash, 2010; Mirë se të humba, Incognito!, 2011 dhe Harrove të qeshësh, 2016).

   

Rri si hajvan para shtëpisë së Xhixhit, mbështjellë me pallton e tij të re. Është dhjetor, ftohtë, fryn era.
Tmerr fare.
Xhixhi po vdes dhe unë duhet të gjej një mijë lei*.
Si dreqin t’ia prish qejfin? Po vdes! Dhe s’i kam ato të holla, nga t’i nxjerr kur s’i kam? Flas edhe me vete në rrugë. Mjaft, qepe, qetësohu!
Nuk shkon. Dua t’ia dal mbanë, ta heq nga mendja këtë vizitë të çmendur, të bërtas, t’i ulërij dikujt. I telefonoj sime shoqeje. Telefoni, Laura, kështu. Ah, ia qif...! S’paskam kredi! S’kam punë, s’kam asgjë. Vetëm borxhe, kaq. Mor, Xhixhi, mor, ç’po më bën ti mua?

E njoh Xhixhin që kur isha një pëllëmbë. Banonte në pallatin B11, ndërsa unë sapo isha shpërngulur në B12. Plot dy javë ndenja mbyllur në shtëpi derisa mora guximin të dal. E kisha parë përditë Xhixhin nga dritarja, ishte më i madh e më i shëndoshë se bashkëmoshatarët dhe i rrihte të gjithë, po të mos i vinte për mbarë ndonjë gjë. Një ditë e mora zemrën ndër dhëmbë, si i thonë, dhe dola në rrugicë. Asnjë s’ma vari, me përjashtim të bullafiqit. Erdhi si plumbi tek unë. Dridhesha, nuk dija si qe puna. I pëlqeja, i kisha hyrë në zemër, ashtu papritmas, apo vetëm qe kurreshtar? Ky osh’ pallati im, hungëroi dhe më shtyu me gish në bark. Ti ç’kërkon këtu? Belbëzova se sapo jam vendosur aty dhe s’kisha ku të dilja. Nuk i erdhi për mbarë. Më vështroi vëngër, m’u avit dhe më gromësiu në fytyrë. Kjo më shpëtoi! Kisha marrë pjesë në qindra gara gromësimash me çetën e dikurshme të shokëve, para se të vija në qytet, dhe mund të gromësija në çdo lloj mënyre e në çdo kohë. U tërhoqa një hap mbrapa, thitha ajër mirë dhe lëshova më të përbindshmen gromësimë të jetës sime, me të cilën i magjepsa Xhixhin dhe të tjerët. Në fillim u ngurosën, sikur të kishin dëgjuar ndonjë dinozaur. Pastaj ia plasën së qeshurës sa iu shtrembëruan këmbët. Bëj edhe një herë, edhe një herë, e edhe një herë – më mbajtën ashtu nuk di sa kohë, gajaseshin së qeshuri pas çdo gromësime dhe më luteshin edhe një, edhe një, e fundit! Nuk më nxinin lëkurët nga gëzimi! Xhixhi më mori menjëherë nën flatrat e tij mbrojtëse. Kush krruhej me mua, krruhej me Xhixhin. Duhej vetëm të gromësija kur i tekej dhe kish qejf ai. Një ujdi që më vinte mrekullisht për mbarë. Futboll, cingla, zara, të fshehta të vogla, bixhoz, pastaj pije, femra, sërish të fshehta, më të mëdha – një miqësi që s’kish si prishej.