Fragment
Bashkim Shehu: Unë e marr si sfidë. Dhe më intereson më shumë cilësia e lexuesve, jo dhe aq sasia e tyre.
Revista Haemus: Duke u përqëndruar në ngjarje të natyrës politike, vëmendja e lexuesve është zhvendosur nga të fshehtat e hershme që nisin e ngjizin një autor… Si kanë qenë fillesat e tua letrare? Çfarë veçon nga fëminia dhe rinia?
Bashkim Shehu: Nga fëmijëria do të veçoja gjënë e parë që kam shkruar. Isha 10 vjeç dhe lexova një roman për fëmijë disi më të rritur, „Gojama krifëverdhë” titullohet. Protagonisti ishte një luan, të cilin e vret gjahtari në fund të romanit. Unë e ndryshova fundin e këtij romanit duke shkruar me laps në pjesën bosh të faqes së fundit: e ripërshkrova episodin përmbyllës në mënyrë të atillë që luani vret njeriun. Ngjan si pozicionim i kundërt me atë që thotë Camus në ligjëratën e tij gjatë ceremonisë së Çmimit Nobel, në lidhje me njeriun përballë luanit. Puna është se në kopertinën e atij libri ishte koka e një luani me sy shumë të butë dhe kjo më kujtonte macen time, që unë e doja shumë. Për më tepër, ajo që bëra duke ia ndryshuar fundit atij libri, që është po kjo bëj tani kur shkruaj libra nga fillimi gjer në fund për ta rishkruar botën të ndryshuar nëpërmjet imagjinatës, përkon me atë që thotë Camus pak a shumë te Njeriu i revoltuar kur flet për artin e romanit: është refuzimi i heteronomisë, rebelimi ndaj botës, ku jemi të huaj pashmangësisht, ku nuk jemi në shtëpinë tonë, e megjithatë duam të jemi në këtë botë. Fiksioni letrar, tekefundit, është kjo botë dhe s’është. Ndërsa nga rinia do të veçoja një ngjarje që ndodhi kur isha 17 vjeç, kur dëgjova një fjalim të Enver Hoxhës kundër të ashtuquajtura ndikime të huaja dhe që paralajmëronte kësisoj fillimin e një gjuetie shtrigash në fushën e kulturës dhe të arteve. Ishte një kohë kur në Shqipëri po ndodhte njëfarë hapjeje kulturore dhe unë kisha iluzionin se kjo do vazhdonte dhe se ajo lloj letërsie që ende ishte e ndaluar do të bëhej e pranueshme. Por, duke dëgjuar atë fjalim, formulova me vete mendimin „ky regjim duhet përmbysur” ose „ky sistem duhet përmbysur”. Ai fjalim ishte një goditje vendimtare për iluzionin që përmenda, ose goditja e parë vendimtare. Dhe atë natë, kur shkova në dhomën time, nuk rashë për të shtrat, po mora një fletore me vija, nga ato të shkollës, dhe shkrova një tregim, katër-pesë faqe fletoreje gjithsej. Me sa mbaj mend, ai tregim fillon me shfaqjen e disa fantazmave të veshura me armatura të ndryshkura kryqëtarësh, në dhomën time, ngaqë kanë ardhur të më arrestojnë. Më pas, arrij të shpëtoj prej tyre dhe fshihem në një bodrum, ku ishin fshehur edhe të tjerë si unë dhe përgatiteshin për t’i dëbuar ato fantazma kalorësish mesjetarë. Tregimi mbaron me një pamje të megaliteve të Stonehenge-it, përfytyruar si observator astronomik i stërlashtë, dhe shkëputjen e këtyre gurëve nga dheu për të goditur një fushë të madhe sahati duke i bërë akrepat që të rrotullohen mbrapsht. Kisha shkruar nja dy gjëra të shkurtra edhe më përpara, nën shembullin e Kafkës dhe të Migjenit, porse atë natë për herë të parë vendosa ose ndieva se do t’i kushtohesha letërsisë. Ndërkaq, midis këtyre dy episodeve kam pasur mëse një herë vegimin e një libri me kopertinë të zezë dhe emrin tim përsipër, si emër i autorit.