Prozator i një lloji krejt të veçantë, (lindur në vitin 1944 në
qytetin Turnu-Măgurele) Alexandru Monciu-Sudinski mbaroi studimet në Fakultetin
e Gjuhëve Sllave në Bukuresht dhe e mbrojti diplomën në filozofi (1972). Debutoi
në vitin 1971 me vëllimin Rebarbor, i
cili u ndalua menjëherë pas botimit dhe u shndërrua në karton. Përpara se të mërgonte
në Suedi dhe të tërhiqej krejt nga jeta publike, Monciu-Sudinski botoi librat Karaktere (Caractere, 1973) dhe Biografi të zakonshme (Biografii comune,
1974).
Pra, ç’shohim ne në këtë film, fëmijë? Ca ushtarë të
veshur në uniforma të lezetshme, duke kalëruar mbi këto çudira. Ushtarët,
veshur me uniforma të lezetshme, bëjnë shenja drejt ekranit. Pas tankeve të tyre
vrapojnë, ose hiqen zvarrë në pluhur ca tipa antipatikë, të pistë e shëmtakë;
ata janë të lidhur me litarë, çka duket se nuk iu shkakton kënaqësi, mirpo ja që
ushtarët simpatikë e kuptojnë këtë; ushtarët i ndalin dy tanket mbi një lëndinë
me lule, atje i zgjidhin shëmtakët dhe u japin ca lopatëza që mund të emërtohen
edhe Linemann*. U
bëjnë shenjë të hapin ca gropëza. E teksa shëmtakët (sa janë? ja t’i numërojmë
pak: një, dy, tre, pesë, gjashtë, tetë. Tetë janë, fëmijë, po?), ndërsa shëmtakët
po hapin gropëza, çunat tanë ushtarë, leshverdhë e të urtë, ulen në hije,
shikoni, nxjerrin termusët me kafe me qumësht dhe gazeta dhe një kutizë me letra
bixhozi, dhe pinë kafe me qumësht dhe lëçitin gazeta dhe luajnë letrash. E
shihni sa bukur? Dhe sa qartë duken... Ja, ai zezaku kaçurrel pranë tytës së
tankut, është i vetmi që s’është biond, po megjithatë është simpatik, shikoni
si rri me automatikun në dorë dhe mbllaçit bukë me gjalpë dhe bën roje që shëmtakët
të mos arratisen. Dhe sa lezetshëm na buzëqesh. Ndërsa melodia që dëgjohet nga tanku dhe që na pëlqen të gjithëve titullohet Yes, yes, she smiled to me; domethëne „Po, po, ajo më buzëqeshi”. Melodi e lezetshme, dhe kur njëri syresh
shkon drejt tankut t’ia ngrejë zërin melodisë, që ta dëgjojmë edhe ne, se jo më
kot po e filmojnë, një tjetër shkon drejt atyre tetë shëmtakeve dhe u bën shenjë
të nxitojnë, se ç’të s’ëmës, veç faktit që janë shëmtakë, qënkan edhe dembelë;
s’mund ta humbin kështu kohën në tërë atë vapë...