-
Ke Cola, mo? Do gjë tjetër?
-
Kam. Ec k’tu, ta vura
dyshekun...
Ngre
njërën këmbë mbi zgripin e dritares, ruhem mos rrëzoj televizorin dhe shembem
mbi dyshekun e shkalavarur pranë shtratit. Xhorxhi nuk sheh nga unë, hedh fara
në gojë dhe përtypet mekanikisht. Në ekran, Magic Jordan bën koshat e mbramë të
jetës së vet prej sportisti të madh. Mbi televizor, ngulur në mur, një kosh i
vogël basketbolli lëshon hije mbi tavan. Shkrydh kockat duke nxjerrë një
ofshamë të rreme lehtësimi. Xhorxhi ushqehet e mbllaçitet plot zhurmë dhe gjerb
heraherës nga një gllënjkë prej shishes njëlitërshe të Cola-s. Shtrirë në
dyshek, shoh vetëm kurorën e pemës që ravijëzon qiellin e pasdites. Ndez një
cigare Viceroy (kam blerë pesë, me
copë) dhe zgurdulloj sytë pas vëllezërve Jackson që ndodhen në një anije
kozmike, e cila luan njëfarë squash-i
në palëvizje për shkak të peshës. Marr frymë me zor, kam në gjoks një rëndesë
që s’e kuptoj, diçka mes ndohtit dhe asaj djegies që paraprin lotët.
-
Hëy, s’të kam thënë mos pish
duhan në dhomën time?
-
Hë, mo, Xhorxh, vetëm një, se
s’kam qejf të shkoj matanë...