Showing posts with label Bixhoz (Barbut). Show all posts
Showing posts with label Bixhoz (Barbut). Show all posts

Bogdan-Alexandru Stănescu: Bixhoz (Barbut)

-   Ke Cola, mo? Do gjë tjetër?
-   Kam. Ec k’tu, ta vura dyshekun...
Ngre njërën këmbë mbi zgripin e dritares, ruhem mos rrëzoj televizorin dhe shembem mbi dyshekun e shkalavarur pranë shtratit. Xhorxhi nuk sheh nga unë, hedh fara në gojë dhe përtypet mekanikisht. Në ekran, Magic Jordan bën koshat e mbramë të jetës së vet prej sportisti të madh. Mbi televizor, ngulur në mur, një kosh i vogël basketbolli lëshon hije mbi tavan. Shkrydh kockat duke nxjerrë një ofshamë të rreme lehtësimi. Xhorxhi ushqehet e mbllaçitet plot zhurmë dhe gjerb heraherës nga një gllënjkë prej shishes njëlitërshe të Cola-s. Shtrirë në dyshek, shoh vetëm kurorën e pemës që ravijëzon qiellin e pasdites. Ndez një cigare Viceroy (kam blerë pesë, me copë) dhe zgurdulloj sytë pas vëllezërve Jackson që ndodhen në një anije kozmike, e cila luan njëfarë squash-i në palëvizje për shkak të peshës. Marr frymë me zor, kam në gjoks një rëndesë që s’e kuptoj, diçka mes ndohtit dhe asaj djegies që paraprin lotët.
-   Hëy, s’të kam thënë mos pish duhan në dhomën time?
-   Hë, mo, Xhorxh, vetëm një, se s’kam qejf të shkoj matanë...