Im atë kish bibliotekë të pasur, të cilën e kish
mbledhur vetë, vit pas viti, me libra të profesionit. Ca prej këtyre i kish
lexuar, ca të tjerë e kishin lexuar; dhe më në fund, në një raft rrinin edhe
librat që i kish shkruar vetë.
E megjithatë, kur dua të kujtoj atë bibliotekë, që
mbulonte të paktën tre faqe muri, i pari titull që më vjen në mendje është
Enciklopedia e Madhe Sovjetike (Большая советская энциклопедия), në botimin e
dytë, të viteve 1950-1958.
Pesëdhjetë vëllime të rënda, të vëna në rresht e të
veshura me uniformë blu të errët, si të ishin rekrutë të flotës; e të dalluar
prej njëri-tjetrit jo nga titulli, por
nga numri. Pesëdhjetë
batalione marinsash cirilikë, tashmë në gjumë.
Kot e mban
këtë enciklopedinë, i thoshte
ime më; sa
zë vend dhe mbledh pluhur. Hidhe më mirë.
Por im atë nuk dëgjonte nga ai vesh; edhe pse
vëllimet e enciklopedisë nuk e kam parë t’i prekte kurrë. Për të, ajo armatë
fjalësh ishte trashëgim magjiplotë prej viteve kur kishte studiuar në Moskë;
dhe pesëdhjetë vëllimet e ruajtura në bibliotekë vlenin si lingotat e arit, që
kanë pasë mbajtur bankat në bodrume të fortifikuara, për të garantuar vlerën e monedhës.
Unë, nga ana ime, enciklopedisë ia mbaj mend mirë
edhe ngjyrën edhe aromën karakteristike, por jo fjalët – sepse rusisht nuk
dija. Madje, me kalimin e viteve, ato bedena të Murit të Madh Rus, që më
ngriheshin mu në dhomën ku flija, erdhën dhe u shndërruan në kufitarë të një
territori të keq, ku kisha refuzuar të shkelja.