Sipas dëshmive të veta, Kuteli nis të shkruajë në vendlindje dhe vijon jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë për të nxjerrë mallin e ”gjuhës së mëmës”. Nën një frymëzim që duket si një hepim i dëshpëruar, por shpresëplotë drejt Krijuesit dhe një bote-jetë, të cilën trandet se mos e ka humbur përfundimisht, shkrimi i Kutelit është një besëlidhje me të shkuarën (plot shije, qënie e sende të domosdoshme) për të shëruar veten, lexuesin dhe, në mos të tashmen, të ardhmen. Brenda një dhjetëvjetëshi, proza e Kutelit kryen pa bujë zhvendosjen e një lënde gati tërësisht shpirtërore, gjallë vetëm në botën tjetër (mund të quhet edhe Kujtesë) në Letër. Është një shndërrim plot të papritura historike e rreziqe estetike për shkrimtarin, sepse në Letër duhet ruajtur sa më vërtetësisht e jetueshëm (nga ana e lexuesit) një lëndë aq e pasur dhe tunduese, ndaj së cilës mbetet tejet e vështirë të ndash kur është më tepër thjesht jetësore (duke mpakur rolin dhe fuqinë e artit) e kur artistike (duke pakësuar fuqinë dhe rolin e jetës).