Showing posts with label Rovena Mikeli (Vata). Show all posts
Showing posts with label Rovena Mikeli (Vata). Show all posts

Rovena Mikeli (Vata): Letërkëmbimi i Gjergj Fishtës si aspekt i rëndësishëm i publicistikës së tij

 

Abstrakt:

Në këtë punim do shqyrtojmë një tjetër aspekt të punës krijuese të Gjergj Fishtës, atë të letërkëmbimit, i cili ishte i rëndësishëm në lëvrimin e publicistikës fishtjane. Në tetor të vitit 1913 në prag të përvjetorit të parë të Pavarësisë, Gjergj Fishta themeloi të përkohshmen “Hylli i Dritës” një nga revistat më serioze dhe akademike në shtypin shqiptar. Kjo revistë, e cila për shkak të faktorëve kryesisht politikë u botua me ndërprerje (1913-1914; 1921-1924 dhe 1930-1944), karakterizohet me një program të qartë politik, kulturor e atdhetar, duke u shndërruar në një qendër botimi për një plejadë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh, e atdhetarësh, jo vetëm të Provincës Françeskane Shqiptare, por edhe më gjerë.

Te revista “Hylli i Dritës” do të gjejmë të botuara gjurmë fishtjane, kryesisht publicistikën, një tjetër vlerë e shtuar në formimin e tij kulturor. Revista “Hylli i Dritës” numëron me dhjetëra e qindra artikuj letrarë, pedagogjikë, politikë dhe polemikë, që Gjergj Fishta i ka shkruar dhe botuar, duke shprehur interesin e tij për gjuhën shqipe, letërsinë, historinë, kulturën, politikën, për punët e Shqipërisë dhe çështjen kombëtare.

Këto shkrime u shtjelluan në këtë punim në optikën e letërkëmbimit që ai zhvilloi me personalitete të fushave të ndryshme, duke nxjerr në pah vizionin fishtjan dhe vlerat e veçanta etnokulturore, historike, letrare dhe filozofike të tij. Me të drejtë mund të themi se kombi shqiptar është me fat që kishte në gjirin e tij një emër si Gjergj Fishta. Është e njohur letra që studiuesi i famshëm i gjuhësisë shqiptare Eqrem Çabej i shkruante Gjergj Fishtës, duke i shprehur mirënjohjen për punën e tij. “Ju puth duart me nder, si biri t’atit, ishte fraza me të cilën Çabej mbylli letrën në fjalë, që paraqet një simbol të lartë vlerësimi që ai kishte për Fishtën.

Me vlerë për kulturën shqiptare konsiderohet letra që Gjergj Fishta mori prej Norbert Joklit apo letra që Fishta i shkroi At Justin Rrotës. Po me vlerë kombëtare janë edhe letrat që Gjergj Fishta kishte me autoritetet më të larta të vendeve evropiane, duke dëshmuar një marrëdhënie të ndërsjellë diplomatike për të ndihmuar Shqipërinë në kohën, kur ajo ishte në ujëra të turbullta politike. 

Fjalë kyçe: Letër, çështje, porosi, Shqipëri, artikull 

Ballkanizmat: Shtresa greko-romake në folklorin e popujve vendas

Rovena VATA
Qendra e Studimeve Ndëruniversitare Albanologjike Tiranë


1. Hyrje
Objekti: Kjo detyrë ka për objekt: “Të trajtoj disa motive si dhe shtresime greko-romake në folklorin tonë. Aspekte krahasuese, përkime dhe ngjashmëri për secilin rast. Figura e Zanës zë një vend të konsiderueshëm në folklorin tonë në përgjithësi dhe në “Ciklin e Kreshnikëve” në veçanti, ajo trajtohet si një figurë mbinjerëzore dhe quhet një “totem” ku prekja dhe prishja e qetësisë së tyre ishte një “tabu”, me këtë term janë quajtur dhe quhen edhe sot e kësaj dite. Sipas Freudit: “Totemi zakonisht është një kafshë, e padëmshme, ose e rrezikshme dhe e frikshme, rradhëherë një bmië ose një forcë e natyrës (ujë). Totemi shprehet ai, është engjëll mbrojtës dhe ndihmëse (të tilla janë edhe Zanat në Eposin e kreshnikëve) e antarëve. Antarët e totemit kanë detyrën e shenjtë që të mos e vrasin totemin e tyre dhe të mos ushqehen me mishin e tij”[1].
Qëllimi: Të gjej pikat e përbashkta ose përkimet midis motiveve greko-romake dhe atyre shqiptare, me ç’mjete dhe si trajtohen këto shtresime dhe motive në folklorin tonë dhe në atë greko-romak. Paralelet mes Zanës dhe Dianës, mes Zanës dhe Circes, mes Medea dhe Rushës sllave, mes Elektrës dhe motrës së Ali Bajraktarit, Odisesë e Agë Ymerit, trajtimi i motivit të flijimit, motivi i vëllait të vdekur, trajtimi i disa figurave të mitologjisë sonë dhe asaj greke.

Parashtrimi: Studimet filologjike të gjysmësheku-llit të fundit kanë saktësuar e konfirmuar se disa dukuri të kulturës tradicionale si: gjuhësore, etnografike, historike dhe letrare, në procesin e gjatë të bashkëjetesës, janë ballkanizuar, pavarsisht nga prejardhja, afërsia apo largësia gjenetike e popujve që rrojnë në këtë rajon shprehet studiuesi Shaban Sinani[2]. Është shkruar shumë për mundësinë e shpjegimit të disa bashkëpërkimeve shqiptaro-greke përmes një substrati të përbashkët prehistorik pellazg; po ashtu edhe për mundësinë e një ndikimi të një substrati etrusk në afërsinë e kulturës shqiptare me atë latine dhe ato neolatine. Ajo që dihet dhe që nuk mund të përjashtohet në asnjë rast si faktor ndikimi për bashkëpërkimet kulturore jo vetëm shqiptaro-greke apo iliro-latine, por në shkallë rajonale, është fqinjësia e drejtpërdrejtë shumëshekullore dhe prekja historike e vijueshme midis gjuhëve dhe qytetërimeve. Dëshmitë e pranisë së kulturave të vjetra antike në lëndën shqiptare, sidomos të kulturës greko-romake, janë edhe dëshmi hershmërie dhe fqinjësie prej antikitetit. Lambertz-i argumenton se në eposin verior ka mbi 40 tema të ngjashme me ato të këngëve homerike a akritike[3].