Abstrakt:
Në këtë punim do shqyrtojmë një tjetër aspekt të punës krijuese të Gjergj Fishtës, atë të letërkëmbimit, i cili ishte i rëndësishëm në lëvrimin e publicistikës fishtjane. Në tetor të vitit 1913 në prag të përvjetorit të parë të Pavarësisë, Gjergj Fishta themeloi të përkohshmen “Hylli i Dritës” një nga revistat më serioze dhe akademike në shtypin shqiptar. Kjo revistë, e cila për shkak të faktorëve kryesisht politikë u botua me ndërprerje (1913-1914; 1921-1924 dhe 1930-1944), karakterizohet me një program të qartë politik, kulturor e atdhetar, duke u shndërruar në një qendër botimi për një plejadë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh, e atdhetarësh, jo vetëm të Provincës Françeskane Shqiptare, por edhe më gjerë.
Te revista “Hylli i Dritës”
do të gjejmë të botuara gjurmë fishtjane, kryesisht publicistikën, një tjetër
vlerë e shtuar në formimin e tij kulturor. Revista “Hylli i Dritës” numëron me
dhjetëra e qindra artikuj letrarë, pedagogjikë, politikë dhe polemikë, që
Gjergj Fishta i ka shkruar dhe botuar, duke shprehur interesin e tij për gjuhën
shqipe, letërsinë, historinë, kulturën, politikën, për punët e Shqipërisë dhe
çështjen kombëtare.
Këto shkrime u shtjelluan
në këtë punim në optikën e letërkëmbimit që ai zhvilloi me personalitete të
fushave të ndryshme, duke nxjerr në pah vizionin fishtjan dhe vlerat e veçanta
etnokulturore, historike, letrare dhe filozofike të tij. Me të drejtë mund të
themi se kombi shqiptar është me fat që kishte në gjirin e tij një emër si
Gjergj Fishta. Është e njohur letra që studiuesi i famshëm i gjuhësisë
shqiptare Eqrem Çabej i shkruante Gjergj Fishtës, duke i shprehur mirënjohjen
për punën e tij. “Ju puth duart me nder,
si biri t’atit”, ishte fraza me
të cilën Çabej mbylli letrën në fjalë, që paraqet një simbol të lartë vlerësimi
që ai kishte për Fishtën.
Me vlerë për kulturën shqiptare konsiderohet letra që Gjergj Fishta mori prej Norbert Joklit apo letra që Fishta i shkroi At Justin Rrotës. Po me vlerë kombëtare janë edhe letrat që Gjergj Fishta kishte me autoritetet më të larta të vendeve evropiane, duke dëshmuar një marrëdhënie të ndërsjellë diplomatike për të ndihmuar Shqipërinë në kohën, kur ajo ishte në ujëra të turbullta politike.
Fjalë kyçe: Letër, çështje, porosi, Shqipëri, artikull
Abstract:
In this paper, Gjergj Fishta’s letters of exchange are
explored, which represent one of the most significant aspects of his
journalism. In October 1913, on the eve of the first anniversary of Albania’s
Independence, Gjergj Fishta founded “Hylli i Dritës”, a
temporary but highly serious magazine in the Albanian academic and journalist
field. This magazine, which due to mainly political factors was published
intermittently (1913-1914; 1921-1924 and 1930-1944), was characterized by a
clear political, cultural and patriotic program, becoming a publication center
for a constellation of writers, linguists, folklorists, and patriots, not only
of the Franciscan provenance of Albania but also beyond.
The “Hylli i
Dritës” contains traces of Fishta’s culture, primarily journalism. This
magazine counts hundreds of literary, pedagogical and polemical articles
written and published by Gjergj Fishta. These articles express his interest in
the Albanian language, literature, history, culture, politics and for issues
related to Albania or Albanian national issues.
Fishta’s vision is present in any of his
correspondence with figures in different fields, and he was distinguished for
specific ethno-cultural, historic, literary and philosophical values. Having a
name like Gjergj Fishta makes the Albanian nation fortunate. There is a
well-know letter that Eqrem Cabej, an Albanian scholar of linguistics, sent to
Gjergj Fishta. “I kiss your hand with honour, as a son to his father”, was the
phrase with which Çabej closed the letter, which is a symbol of the high
appreciaton he had for Fishta.
Additional value for Albanian culture represents the letter that Gjergj Fishta sent to Norbert Jokl or a letter addressed to the priest Justin Rrota. Moreover, the same value contains the letters Fishta sent to higher European authorities to support Albania during turbulent times.
Key words: Letter, issue, guideline, Albania, article
1. HYRJE
Objekti i këtij punimi do
të jetë një aspekt tjetër i punës krijuese të Gjergj Fishtës, ai i
letërkëmbimit, i njohur në gjuhën shkencore dhe akademike me termin epistolar,
të cilin e konsiderojmë të rëndësishëm sa i takon lëvrimit të publicistikës së tij.
Shtjellimi i një tematike të tillë lidhet padyshim me personalitetin e Gjergj
Fishtës, tek i cili gjejmë një gërshetim kompleks të elementeve të prijësit
fetar, të poetit, të publicistit, të politikanit, të dijetarit, të njohësit të
historisë e të traditave shqiptare, etj. Për Fishtën kanë shkruar shumë autorë,
por profili i tij autentik paraqitet në mënyrë të mirëfilltë nga fragmentet e
këtyre autorëve: “Njohja
e njanës prej figurave mȃ të rȃndsishme të kulturës shqiptare, sikursè ȃsht
edhè ajo e Át Gjergj Fishtës, nuk mundet me kênë e plotë kurrsesí pa studimin e
të gjithë personalitetit të tij dhe pa marrë parasysh të gjithë ndihmesën qi ai
ka dhȃnë për këtë kulturë dhe përtej. Fishta në studimet e deritashme kryesisht
ȃsht perceptue si: poet, publicist, politikan, orator dhe ndoshta si
françeskani shqyptar ma në zȃ. Përpjekjet për nji vështrim sa më të plotë të
këtij personazhi të pazakontë në skenën e botës shqiptare nga fundi i shekullit
XIX dhe gjysma e parë e shekullit XX, i cili pati një ndikim të padiskutueshëm
në të gjithë veprimtarinë politike, shoqnore dhe artistike të vendit, duket si
nji nismë njimend e zorshme me u përmbushë. Pa ndonji mëdyshje të madhe mundemi
me thanë se kjo sipërmarrje nuk ka gjetë ende nji përgjigje të kënaqshme. Për
veprimtarinë e tij epistolare janë bȃ krejt pak studime”,[1]do
shprehej studiuesi Vinçens Marku, për të vijuar me mendimin e studiuesit Kolec
Çefa, i cili shkruan: “Duke lexuar me
vëmendje biografët e studiuesit e Fishtës kam vërejtur, me keqardhje, se nuk
është studiuar sa duhet epistolari i Fishtës, që flet për marrëdhëniet e
Fishtës me bashkëkohësit, me dijetarë e punëtorë të letrave shqipe, me patriotë
e luftëtarë të çështjes shqiptare, me politikanë të huaj e vendas. E, pra, ky
epistolar diçka na mëson, diçka na edukon, diçka na frymëzon”.[2]
Krahas Markut dhe Çefës duhet konsideruar edhe vlerësimin e
akademikut Shaban Sinani: “... Gjergj
Fishta, prift i urdhërit françeskan, poet, studiues i letërsisë dhe i traditës
popullore, njeri i letrave në përgjithësi, veprimtar politik i periudhës së
rilindjes kombëtare dhe të pavarësisë, njohës i psikikës nacionale shqiptare
dhe i së drejtës zakonore të vendit, figurë qendrore e mendimit shqiptar,
dijetar dhe letrar, estet dhe shkencëtar; një prej atyre mendjeve që me të
drejtë mund të cilësohen omnigrafë. Si shumica e intelektualëve të formuar në
periudhën romantike ai u mor njëherësh me të gjitha, duke filluar nga
angazhimet politike deri tek nocionet e së bukurës”[3], kurse në vlerësimin e tij për figurën
e Fishtës studiuesi dhe akademiku i letërsisë shqipe Stefan Çapaliku do
theksonte: “Të flasësh për Fishtën është
njëlloj si të flasësh për punët e Shqipërisë, për punët e saj të hershme, për
punët e saj të vona, për punët e saj të sotme”.[4]
Objekt i këtij studimi
është letërkëmbimi që Fishta kishte me personalitete të shquara të kohës, dëshmitë
e të cilave u botuan në revistën që ai themeloi në prag të përvjetorit të parë
të Pavarësisë, pra tetor 1913, të përkohshmen “Hylli i Dritës”, një nga
revistat më serioze dhe akademike në shtypin shqiptar. Në këtë revistë gjenden
të botuara me qindra dhe dhjetëra artikuj letrarë, pedagogjikë, politikë dhe
polemikë kryesisht të karakterit publicistik, duke shprehur interesin e tij për
gjuhën shqipe, letërsinë, historinë, kulturën, politikën, diplomacinë, për
punët e Shqipërisë dhe çështjen kombëtare, një tjetër vlerë e shtuar në
formimin e tij kulturor, letrar, akademik dhe shkencor.
Por natyrshëm lind pyetja
se çfarë na ofron kjo pjesë e publicistikës së Fishtës e ardhur përmes
epistolarit?! Për këtë pyetje në parathënien e veprës me të cilën kemi punuar
në lidhje me aspektin e letërkëmbimit të Gjergj Fishtës studiuesi Marku do
shprehet:
“Lidhun me tematikën e kësaj përmbledhje mundet me u thanë se
ajo përbahet prej tri linjave kryesore qi sundojnë të gjithë anën përmbajtësore
të letrave. Ato janë: 1. Tema e përpjekjeve për Pamvarsi dhe Njohja
ndërkombëtare e Shtetit Shqyptar; 2. Tema e artit të letërsisë dhe natyra e
tij; 3. Tema e jetës së Provinçjes Françeskane dhe marrëdhaniet mes
sivllazënve. Kto linja përbȃjnë edhe temat kryesore të të gjitha letrave të
marruna në tanësi. Njana prej tyne ȃsht së paku tek çdo letër, pra te nji letër
kemi të pranishme ose të gjitha temat e sypripërmenduna ose dy prej tyne ose
vetëm njanen prej tyne. Duhet theksue se në rrjedhën e kohës prej afër 40
vjetësh secila prej këtyne temave merr nji përparësi të ndryshme. Deri në vitet
20 të shekullit të shkuem duket se përparsi marrin tema e parë dhe e dytë. Pra
binomi Fé dhe Atmè, qi ȃsht edhè motivi kryesor i temës së parë, bahet parim i
të jetuemit për Fishtën, por jo më pak i randsishëm për të bahet edhe përpjekja
për të emancipue shpirtin e shqiptarit me mjetin e letërsisë dhe me perkthimet
e veprave letrare ma të mira evropiane. Ndersa tema e tretë merr terren me
Provinçialatin Shqyptar dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme per të kenun, me të
përkohshmet e ndryshme, e sidomos me Hyllin e Dritës, votra e zhvillimit dhe e
debatit të hapun”.[5]
Për ta parë më në detaje
këtë aspekt të publicistikës së Fishtës, jemi ndalur në disa çështje të cilat
na ofrojnë më shumë mbi thelbin e studimit në fjalë, të cilat shtjellohen në
vazhdim.
2.
GJERGJ FISHTA SI LETËRDËRGUES
2.1 Gjergj Fishta në letërkëmbim me Shtjefën Gjeçovin
Që në fillim të trajtimit
të kësaj çështje na imponohet një pasues i trajtesës së studiuesit Engjëll
Sedaj “Gjergj Fishta dhe vepra letrare e
tij”, ku thuhet: “Bashkëpunëtorë të ngushtë të Fishtës,
përveç Pashk Bardhit, ishin edhe shkrimtarët Anton Harapi dhe Vinçenc Prennushi,
folkloristët dhe shkencëtarët Shtjefën Gjeçovi dhe Donat Kurti, pastaj Justin
Rrota, Marin Sirdani dhe shumë të tjerë”.[6]
Ndonëse si letërdërgues
Fishta shfaqet një ndër nxitësit kryesorë për promovimin e fretnëve të tjerë
françeskan, duke i motivuar që veprat e tyre të shihnin dritën e botimit, ku një
pjesë të konsiderueshme të veprimtarisë së tij ia kushtoi çështjes kombëtare.
Studiuesi Sedaj prezanton argumente që Fishta bashkëpunoi ngushtë me Luigj
Gurakuqin, Lumo Skendon (alias Mid’had Frashëri), Anton Xanonin dhe Faik Konicën.
I një karakteri të veçantë ishte bashkëpunimi me Konicën. Me ndihmën
(materiale) të tij, Fishta botoi një pjesë të “Lahutës” në Zarë më 1905, ndërsa
“Albania” e Konicës botoi shkrimet e para të Fishtës nën pseudonimin Gegë Toska
dhe me pseudonime tjera qysh në vitin 1900.[7]
Referuar përmbajtjes se
letrave që Gjergj Fishta u drejtohej bashkëpunëtorëve dhe personaliteteve të
kohës, dëshmojnë për raportet që Fishta kishte me secilin prej tyre, qofshin këto
raporte formale apo informale. Këto letra Fishta i shkroi nga vendet ku
punonte, ku ndodhej apo të cilat i vizitonte. Në këtë mënyrë shkrimet e tij mbajnë
emra të shumë qyteteve apo vendbanimeve, si: Tirana, Shkodra, Troshani, Gomsiqja, Kallmeti, Durrësi, Nju
Jorku, Roma, Athina, Livorno, Stambolli, Parisi, Uashingtoni, Lezha, spitali,
etj., në harkun kohor 1908-1939.
Në mesin e atyre që
përmendëm, dihet se Gjergj Fishtën më shumë se gjithçka tjetër me Shtjefën
Gjevoçin e lidhte diskutimi, analizat dhe studimet rreth çështjeve albanologjike.
Gjeçovi i njohur për veprimtarinë e tij jo vetëm si frat, njëlloj si Fishta, por
edhe si kodifikues i së drejtës zakonore, etnograf, folklorist, pedagog,
shkrimtar, arkeolog me një kontribut të çuar sa i takon çështjes atdhetare dhe
asaj kombëtare. Me të drejtë fishtologu Tonin Çobani do shprehej: “Albanologjia është fusha e gjerë që i
bashkon dukshëm Fishtën dhe miqtë e tij (Gjeçovin dhe Xanonin). Gjeçovi me
Kanunin e Lekë Dukagjinit (dhe studimet etnokulturore) e gërmimet arkeologjike
bëhet prijëtar në studimet albanologjike”.[8]
Raporti i miqësisë së
Gjergj Fishtës me Shtjefën Gjeçovin u bë edhe më i afërt gjatë periudhës që
Gjeçovi u caktua të zëvendësojë Fishtën në drejtimin e shkollave françeskane të
Shkodrës (1906-1907) dhe më vonë, kur të dy së bashku organizonin Bibliotekën e
shkollës së françeskanëve dhe Muzeun arkeologjik. Afërsia dhe konsiderata që
kishte Fishta për Gjeçovin vërehet nga një letër në të cilën i drejtohej me
fjalët: “I dashtuni Pater Shtjefen”.[9]
Në këtë letër, që mbante
datën 17 janar 1908, Fishta, përsëri si një letërdërgues, në pak rreshta jepte
shumë informacion dhe përcillte mesazhe njëkohësisht, duke e përgëzuar,
sugjeruar dhe këshilluar mikun dhe bashkëpunëtorin e tij për çështje të
folkloristikës. Në të njëjtën kohë ai i kërkonte Gjeçovit që puna e tij e
shumëfishtë dhe me rëndësi të madhe për vlerat kombëtare, duhej riparë dhe
rishikuar si për gabimet ortografike ashtu edhe për vlerat e përmbajtjes së
tekstit, duke vënë theksin se dorëshkrimi duhet të kalojë në dorë të njohësve
dhe kryesisht të specialistëve të tjerë të fushës:“Tue kenë se dorshkrimi yt flet per kater punë qi nder ne kanë nji
randsi të madhe fort, e kemi pleqnue me P. Pashkon me e shikjue fill e per pe
qi mos të ketë kurrnji gabim gjuhet a ortografiet e sidomos qi mos të ketë kush
se shka me thanë per fjalë që shkruen si kah feja, ashtu kah urtia. Prandej ka
me u dashtë do kohë perpara se t’botohet”.[10]
Gjergj Fishta në këtë letër
i tregon për detajet që do ndjek rrugëtimi i botimit të dorëshkrimit të tij,
kurse sa i takonte kushteve të botimit dhe daljes së këtij projekti para
lexuesit, Fishta domosdo shfaqej herë pas here edhe kritik, teksa shkruante kështu:“Kam folë me Kral per ket dorshkrim i cilli
ȃsht gadi me shkrue në Ministri per me e botue, veç pret qi vetë me pak fjalë
t’i shkruej se permbí shká ká me folë libri yt: shká s’mundet me u bȃ per pa e
mbarue së qortuemit. Tash e ká P. Bardhi e ȃsht tue e shikjue e tue vȗ n’oroe
se shká ȃsht per t’u qortue. Kam uzdajë qi ty nuk të jet hatri per qortime. Po
t’falem me shndet fort e fort”.[11]
Në letrën e dytë që Fishta ia drejtoi At Shtjefnit përmenden sugjerimet lidhur me çështjen e shkollës. Ai e këshillonte Gjeçovin që t’i drejtohej Luigj Gurakuqit në aspekt të financimit dhe të pajisjes me materiale shkollore, respektivisht ta njoftonte Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit. Gjergj Fishta si një individ dhe drejtues institucionesh kuptonte më mirë se kushdo tjetër rëndësinë e funksionimit të rrugës zyrtare, teksa theksonte faktin se:“Per punë të shkollës duhet me u marrë vesht drejt per drejtme Gurakuqin, pse të gjitha shkollat qi cilen rishtas administrohen prej finances të Shqypnis prandej per to kujdeset Gurakuqi. Kshtu edhe per materjal të shkolles. Per nuk asht nevoja qi të vijsh ti vetë në Shkoder per ket punë mjaft qi me i shkrue leter Drejtorit të Pergjithshem të Arsimit tuj kenë qi shkolla e Prekalit ka kenë qysh vjet”.[12]
2.2 Gjergj Fishta në letërkëmbim me Ambrozin dhe Justinin
Në korrespondencën e Fishtës nuk janë të rralla rastet kur
ai kërkonte ndihmë apo këshilla nga miqtë lidhur me probleme të fushave të
ndryshme, sidomos nga ata që i konsideronte ekspertë. Në një letër që mban
datën 14 tetor 1914, e shkruar në Troshan, Fishta me një ton sarkastik,
sigurisht miqësor, i drejtohej bashkërisht Ambrozit e Justinit:“E per n’daçi me u bȃa n’qeef, m’shkrueni
edhé rrêna, s’don me thȃnë gjȃa; veç mjaft qi t’jeen t’mdhaja: asosh qi na bjen
Don Jaku: me qindra mija robsh e me mîja topash...; pse, kshtȗ, kaloj disȃa dit
n’qeef, si gomȃri n’ȃnderr”.[13]
Përmes kësaj letre Gjergj Fishta kërkonte përgjigje të sakta
lidhur me mendimin dhe këshillat e kolegëve të tij më të ngushtë mbi fatin “Hyllit
të Dritës”, e revistës të cilën ai drejtonte. Ishte periudha kur rrezikohej
ndalimi nga austriakët[14] i
botimit të kësaj reviste për shkak të interesave kombëtare që promovonte ajo,
prandaj ai me të drejtë kërkonte që t’i vinte kolegët në dijeni, veçanërisht Vinçens
Prennushin. Lidhur me fatin e kësaj reviste Fishta i kishte shkruar letër edhe
Patër Valerjan Bendes: “Sod një javë ja
kam nisë nji leter P. Valerjanit Bendes, per me i dale zot vedit edhè
Perkohshmes. E kam bȃa P. Pjetrin m’e pershkrue apostafat per me ja u çue juu.
Kndoje, per n’paçi kohë, sunde e m’shkrueni mendimin t’uuj. Ket leter, n’e
paashi me udh, mȗndni me ja kndue edhè tjeterkujë. Sidomos dishroj qi
t’kshillohej me P. Vinçencin per ket pȗnen t’ême; pse, si e dini, s’kam mshef
gjȃa prejë s’i kurr”.[15]
Gjithashtu përmes kësaj letre Gjergj Fishta do informojë
miqtë e tij që do kryente një udhëtim për në Maltë, si dhe kërkonte me këmbëngulje
prej tyre të dinte në lidhje mbi lajmet e luftës. Interesi i Fishtës ishte të
dinte sesi ishin marrëdhëniet e Gjermanisë dhe të Austrisë dhe shkruante kështu:“Me u nisë per Maltë, nuk ȃsht vshtirë me u
thȃnë; por me giasë, me shka po perflitet, sod ȃsht vshtirë me u nisë. Po
thohet se ȃsht myllë detti per Shnjin, Vlonë e Durrës. A dini gjȃa ju n’ket
pȗnë? Po flitet edhè se Italia kaa mȃrrë pjesë n’luftë e, mas Satabureau t’Don
Jakut, ȃsht tujë i nimue Austriës. Ke kjo pȗnë ȃsht teper e ndershme, s’e besoj
se jȃnë t’zott italjant m’e bȃa. M’shkrueni shka dini per pȗnë t’luftës. Si i
ka pȗnët Germania e Austria? A asht uzdaja se i mȗejn anmiqt e vet?”.[16]
Njëkohësisht me zhvillimet ndërkombëtare Fishta i kushtoi
rëndësi edhe zhvillimeve politike në Shqipëri. Në mbyllje të letrës së mësipërme
ai njoftonte kolegët se Esat Pasha kishte shkuar në Tiranë, Severini në Lezhë,
kurse Pal Dodaj, Koliqi dhe Marini kishin shkuar në Troshan, pa harruar t’i
përshëndesë të gjithë fretnit emër për emër, duke dërguar brenda kësaj letre
edhe përshëndetjet e tij për të gjithë mësuesit.[17]
Në letërkëmbimin e Fishtës një rëndësi të veçantë paraqet
letra e dërguar nga Kallmeti, që mban datë 7 maj 1915. Në pak rreshta Fishta
ndau me Ambrozin informacione mbi zhvillime të rëndësishme dhe kërkonte nga ai
që këto t’i ndante me bashkëpunëtorët e tjerë, me theks të veçantë me Pal
Dodën.[18] Në
këtë letër Fishta do trajtojë çështje delikate, siç është mbështetja e fretnëve
të Shqipërisë nga faktori ndërkombëtar dhe nga ata të cilët Fishta i cilësonte miq
dhe dashamirës të Shqipërisë, ku nuk lë pa kujtuar rolin, rëndësinë dhe
seriozitetin që kishte revista “Hylli i Dritës” në mjedise të huaja akademike dhe
diplomatike. Gjithashtu në këtë letër nuk lë pa përmendur edhe mësuesit, teksa
i kërkonte Ambrozit, që t’i dërgonte të falat e tij të gjithëve emër për emër,
duke veçuar mësuesin Mati Logoreci.
Për vlera kombëtare, për datë historike dhe kujtesë
diplomatike është letra që mban datën 11 mars të vitit 1922, të cilën nga Nju
Jorku Fishta ia dërgoi Justinit.[19]
Në këtë letër të gjatë të tij Fishta do t’i rrëfejë Justinit gjithë kalvarin që
kaloi për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shpresën dhe
qëllimin e vetëm, që mes SHBA-së dhe Shqipërisë të vendosen raporte zyrtare
diplomatike. Në këtë letër që Gjergj Fishta ia dërgonte Justinit, gjendet fije e për pe e gjithë veprimtaria, që
zhvilloi Gjergj Fishta përgjatë ditëve që kishte qëndruar në këtë vend gjigand:
“Me 26 deti erdh tuj u ajë, edhe ngjati
ashtȗ turbull gjith naten e gjith diten n’e nesret. (Me 28, kah mbasditja, deti
u paque, e ashtȗ ndêj fashë dér n’e nesret mjesditë. Ishte e merkurre).
Mbasditen prap ja nisi era, e deti u terbue e gjimoj se bȃni nata, me të shtië
mneren. T’êjten nade u shkref nji thellimi perfrigueshem. Zoti na ruejt, se
shka kam pa me sý! Na në shqypnië s’mund të kemi as kuptimin e nji thellimit
m’det. Nji herë qiella u vrȃ e erdh e u merthye krejt me rê të zeza, si plumi:
era trefishoj furiën e vet aq, sá e perkuli vaporrin m’njanen brîe, e atëherë
deti u ajë e u dynden tallazet. Zoti na ruejtë! Me na shtîë mneren, me i pá me
sýë. Tallaz për né në Shqypnië ȃsht nji fjalë; por m’Atlantik ȃsht nji mal, nji
mal, po, si Kreshta, Mali i Rrencit, Taraboshi etr., veç se nuk janë ashtȗ thik
në teposhte por mȃ të planët e kan, si me thanë, bark shum si kodrat e
Maxharatit. Prite, Zot, rrezikun, se sjka kam pá at ditë! Ene më perqethet
shtati, sa herë m’bjen nder mend ajo duhië. Qiella tuj vetue e bumullue, era
tuj ulrue, deti tuj gjimue e tallazet mal tuj u plandosë herë per ballë, herë
per kiç, herë per brîë të vaporti, tash tuj e dyndë, thue, deri nder rê
perpjetë, tash tuj e karranië shul në teposhte neper rrjedhë shkumuese, si po
të dojshin m’e lshue pingul në fund të detit. Kriste vaporri, krisshin makinat,
rapllojshin gota, shishe, çinija, karriga, tavolina, e thue se po ishte daulla
e Frano ndojës tuj na percjellë në vorr... Prej firget paçë hî krejt në vedi e
voglue e bȃ sà grushti i dorës. Kah m’ishte shkurtue qafa, e m’bahej se
kolarini po m’a zête frymen krejt, e i mbajshe sŷët kokerrdhoc ashtȗ per ajrië,
pa i ndalë kurrnji pikë të ngultë, veç sa kajherë m’u vidhshin, per me kqyrë
per nji ças të vetem e terthuer tallazet, qi vlojshin, zijshin per rreth
vaporrit”.[20]
Përveç rrëfimit detajor në këtë letër Fishta do të shkruante
edhe për artin e tij letrar, si dhe gjithë ecurinë dhe fazat e punës për
plotësimin e “Lahutës së Malcisë”. Lidhur me këtë çështje ai i shkruante
Justinit: “N’ato pak ditë të mira, qi mujta me punue në vaporr, kam
mbarue nji kangë të Lahutës: “Dervish Pasha”, qi ka mȃ se 400 vjerrsha. Kujtoj
se m’ka dalë mjaft e interesantshme. Aty, në vaporr, kam fillue tjetren kangë:
“Lugati”, e cilla kujtoj se ka me m’dalë prej pikpamjet estetike – nder mȃ të
mirat e Lahutës. E kështu nuk më jet tjeter, veç se edhe nji kangë, per t’a
krye Lahuten. Por ktu n’Amerikë, per nji herë, nuk kam me mujtë me shkrue, pse
kam me pasë, ndoshta, punë shum, mos aspak. Kȗ thonë se ká dardha shum, shporta
do marrë e vogel, ká thanë i moçmi”.[21]
Fishta si një adhurues i muzikës
nuk hezitoi të ndante me Justinin emocionet që kishte përjetuar nga
interpretimi i violinistit më të njohur të kohës Artur Kreisler. Komentet mbi
interpretimin dëshmojnë se Fishta kishte njohuri të mira edhe në fushën
muzikore: Ktȗ në Nju - Jork kam ndie tuj
rá vjolinit Arturin Kreisler, prej Ueinet, sod me sod mȃ i madhi vjolinist i
botës. Kujtoj se i bite mȃ se tetë herë mȃ mirë se aj Frati i Planit në vjetë
1918... T’a kishe ndië!”.[22]
Në vitet pasuese Gjergj
Fishta do të angazhohet në përfaqësimin e drejtë të komunitetit të krishterë në
jetën politike dhe administrative të vendit. Në letrën që mbante datë 27
qershor 1924 Fishta nga Shkodra e porositi Ambrozin që të qëndronte në Tiranë e
mos të shkonte në Mat, sikurse kishte planifikuar. Arsyeja qëndronte në faktin
që të ndikohej tek zyrtarët shtetërorë në lidhje me vendimet politike që mund
të ndërmerreshin. Për më tepër, Fishta e këshilloi Ambrozin, nëse do i
propozonin Ministrinë e Arsimit të mos e refuzonte, pa pyetur rrethin e tyre
shoqëror dhe miqësor, që kishin në Shkodër: “Dishiri
i Provincjalit e i né tjerve ȃsht, qi ti të rríshë në Tiranë e të mos shkojsh
në Mat, sikurse i kemi pasë fjalët at ditë qi un u nisa prej Tirane. Tue ndêjë
në Tiranë mundesh me kontribue e me influencue veprimet e nierzve të Qeverís”.[23]
Pak muaj më vonë Fishtën e
gjejmë të preokupuar me çështjen e shkollave. Në letrën e datës 11 janar 1925, që
prej Rome ia dërgonte Ambrozit, ai kërkonte më tepër informacione për gjendjen
e shkollave në Shqipëri: “Po m’thue, se
s’din shka me m’shkrue. Po ti të m’kishe dhȃnë ndoj lajm mbí gjêje të Shkollës,
të trupit msojtuer, të zansave, do të m’kishe bȃ nji nderë të madhe fort; pse,
tue pasë kênë vetë msues e drejtuer per dymbdhetë vjetë-jȃnë 25, besa, por....
nejse-kam të madh dishír, me diejt se si shkon puna e Shkollës. Në paç ngaë pra
ndojherë me m’sjkrue, mos m’shkruej kurrgjȃsend tjeter, në daç, vetem punë
shkollash, e kam me t’u falë nderës”.[24]
Letra për më tepër njoftonte Ambrozin për humbjet e jetëve që kishin ndodhur kohët e fundit, që prej rastit të mbretëreshës e deri të vdekja e rojës së Kuvedit, teksa i kërkonte Ambrozit, për këtë të fundit, që të lutej për shpirtin e tij, pasi kishte qenë njeri shumë i mirë. Po në këtë letër Fishta jep informacion për zhvillimin e artit të tij letrar, ku tregonte se ishte duke punuar që të përfundonte tri këngë të tjera nga vepra “Lahuta e Malcisë”, por ajo çfarë përbën një fakt interesant është se brenda një fjalie, Gjergj Fishta ndërlidh dy fetë, fenë e krishterë dhe fenë atë myslimane, ku kujton festën e Pashkëve të fesë katolike dhe bën lutjen sipas ritualit të fesë myslimane:“Jam tuj punue m’Lahutë të Malcís. Dér n’marim të ktij mojit shpresoj se do t’i kryej tri kangë të reja, kshtȗ qi kan me mbetë vetem dyë per të shkrue. Kah Pashkët mundet me kênë krejt e marueme. Eh po, inshalla!”.[25]
2.3 Aktualiteti
i jetës së Provincës Françeskane në letërkëmbimin e Gjergj Fishtës
Problemet dhe shqetësimet e Provincës Françeskane, të cilat
Fishta i quante “korrespondencë postulare”, vërehen pothuajse në gjithë letrat
e tij. Krahas çështjeve fetare radhiteshin edhe ato politike, diplomatike e
kulturore.
Në një letër që mbante datën 11 tetor 1930 që Fishta nga
qyteti i Athinës ia drejtonte Provincialit, flitej për reputacionin françeskan: “Me gjith kta prej dyë
proponimeve të mija të bȃme me vend e me kohë, në Komisjonin kultural, fletoret
e publikut kanë folun me entuzjam per Françeskȃj të Shqypnís: qi po të kishe
majtë ligjiraten latine n’Univerzitet, prestizhi i jonë do t’ishte kênë i siguruem
para Grekvet”.[26]
Një pjesë e këtyre letrave
kishte edhe informacione mbi zhvillimet diplomatike ndërkombëtare. Fishta
njoftonte bashkëpunëtorët e tij se Konferenca Ndërballkanike si rend dite kishte edhe
trajtimin e çështjes së minoriteteve, diskutimin e së cilës e kishte kërkuar
edhe mërgata shqiptare.
Njoftimet më të detajuara lidhur me këtë temë i hasim në letrën
e 20 tetorit 1931, që ai e shkruante nga Stambolli. Përmes kësaj letre ai
njoftonte në mënyrë fragmentare mbi diskutimin e çështjes
së pakicave në Konferencën Ballkanike, sidomos debatin e ashpër të jugosllavëve
në Komisionin politik.
Ai po ashtu prezantonte
detaje për raportet e acaruara midis vendeve pjesëmarrëse, debatin e tensionuar
jugosllavo-bullgar, detaje lidhur me trajtimin e shqiptarëve të Kosovës dhe
pajtimin e vendeve si Greqia, Rumania dhe Turqia, që çështja e pakicave të
zgjidhej në këtë konferencë kundrejt jugosllavëve dhe bullgarëve që kërkonin shtyrjen
e diskutimit të kësaj çështje, për vitin pasardhës. Nëse analizohet me kujdes perceptimet e Gjergj Fishtës,
bazuar në përmbajtjen e letrës, atëherë mund të kuptojmë se Fishta besonte në
formulën e afrimit, të bashkimit dhe të mirëkuptimit të popullit, duke i hapur
rrugën komunikimit, bisedimit dhe tolerancës, tipare këto që përfaqësonin më së
miri karakterin e tij. “Kjo ishte
politika e Fishtës: mbrena vendit tue u përpjekë me i bindë shqiptarët për
vlerën e vllaznimit; jashtë tue mbrojtë të drejtat e Atdheut me prestigjin e
famës së tij, fitue në fushën e letërsisë e në magjinë e fjalës”,[27] fragment që paraqet vlerësimin e drejtë
të Ernest Koliqit për përfaqësimin e vendit nga Gjergj Fishta si një patriot,
individ me kulturë evropiane dhe intelektual i kalibrit të madh.
Krahas angazhimeve politike
e diplomatike Fishta kishte gjetur kohë të merrej edhe probleme të së drejtës
zakonore shqiptare. Në një letër që mbante vitin 1934, pa datë dhe muaj, Fishta
brengosej për cilësinë që mund të kishte përkthimi në gjuhën italiane i Kanunit
të Lekë Dukagjinit, shqetësime që përmes letrës së cekur ia adresoi
Provicialit:“P.
Pali më shkruen, se perkthimin e Kanunit mendon me e bȃ në bashkpunim me Toçin.
bȃni si të dueni, por un nuk jam i ktij mendimi. Perkthimi i Kanunit kà randsí
të madhe, e nuk shof arsyen pse t’a perziejm Toçin në ket çashtje. Sugurisht,
pak me thȃnë, nji mij bibljoteka t’Europës kishin me e blé, posë atyne
t’Amerikës, të Japanit etr. Në mos dashtë me e perkthye P. Pali shkruej P.
Bazilit, pse sugurisht aj e perkthen tash me nihmen e P. Marinit e të Donatit.
S’ȃsht çashtja me i bȃ komente Kanunit: çashtja ȃsht, me perkthye tekstin asht
si ȃsht”.[28]
[1] Marku, Vinçens. “Hymje”,
në: Letërkëmbimi - Át Gjergj Fishta, O.F.M, Biblioteka
Françeskane Át Gjergj Fishta, Kolana e shkrimtarëve Françeskanë, Botime
Françeskane, Shkodër, 2020, f. 15. Shënim: Të gjitha citimet
rreth letërkëmbimit të Gjergj Fishtës janë marr nga ky botim i sipër cituar. Shih:
Demaj, Át Viktor, O.F.M. “Parathanie”, në:
Letërkëmbimi - Át Gjergj Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 11. Shih: Historia e
letërsisë shqipe I-II. Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë
dhe i Gjuhësisë, Prishtinë, 1968, f. 435. Shih: Plasari, Aurel. “Gjergj Fishta
dhe historia e letërsisë”, në: Hylli i
Dritës, Numër i Posaçëm, (Përgatitur nën kujdesin e Aurel Plasarit),
Tiranë, 1996, f. 15. Shih: Ukgjini, Dom Nikë. “Fishta në dokumente të
panjohura”, në: Fishta: poeti dhe
mendimtari kombëtar. Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Fakulteti i
Shkencave Shoqërore, Departamenti i Letërsisë. Konferencë
shkencore-përkujtimore në 70-vjetorin e vdekjes së Poetit Kombëtar. Studime
shqiptare 18. Shkodër, 2011, f. 65.
Shih: Marku,
Rudolf. “Fishta, interpret i genit shqiptar”, në: Hylli i Dritës, Numër i Posaçëm, Vjeti XXIV. Tiranë 1996, f. 49. Shih:
Shini, Milo. “Apostulli i Indipendencës”, në: Hylli i Dritës, nr. 10, Shtypshkronja Françeskane, Shkodër, 1931,
f. 547.
[2]
Çefa, Kolec, Nëpër gjurmët e Fishtës,
Shtëpia e Botimeve Françeskane, Shkodër, 2003, f. 99.
[3]
Sinani, Shaban, Për letërsinë shqipe të
shekullit të 20-të, Studime, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i
Gjuhësisë dhe Letërsisë, Naimi, Tiranë, 2010, f. 27.
[4]
Çapaliku, Stefan. “At Gjergj Fishta-poet kombëtar”, në: At Gjergj Fishta. Komb-Gjuhë-Letërsi, Studime shqiptare 6,
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, 1997, f. 9.
[5] Marku,
Vinçens. “Hymje”, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj Fishta, O.F.M, vep. cit., f.
19.
Shih:
Koliqi, Ernest, Gjergj Fishta në shërbim
të çështjes kombëtare, në: “Kritikë dhe estetikë”. Përgatitur nga Stefan
Çapaliku, Apollonia, Tiranë, 1999, f. 236-246.
[6]
Sedaj, Engjëll. “Gjergj Fishta dhe vepra letrare e tij”, në: Hylli i Dritës, Numër i Posaçëm, Vjeti
XXIV. Tiranë 1996, f. 60.
[7] Po
aty, f. 60.
[8]
Çobani, Tonin & Ballabani, Ndue, Át
Gjergj Fishta: vende-vite-vepra, Drita, Prishtinë, 2021, f. 121.
[9]
Letër e Fishtës dërguar Shtjefën Gjeçovit, 17 janar 1908, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 31.
[10]
Letër e Fishtës dërguar Shtjefën Gjeçovit, 17 janar 1908, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 31.
[11]
Letër e Fishtës dërguar Shtjefën Gjeçovit, 17 janar 1908, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 31.
[12]
Letër e Fishtës dërguar Shtjefën Gjeçovit, pa datë dhe vit, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 32.
Shih: Çobani,
Tonin, Miti dhe antimiti fishtjan,
Lisitan, Tiranë, 1999.
Shih: Fishta, Gjergj: “Ne nuk dëshirojmë ta qajmë vdekjen e At Gjeçovit,
por në të kundërt, jemi kryelartë për të, pasi me gjakun e dëshmorëve
përforcohen idetë dhe konsolidohet shteti”, pjesë e fjalimit të At Gjergj
Fishtës, pas gati një muaj prej vrasjes së Shtjefën Gjeçovit, në protestën
gjithpopullore të 11 nëntorit të vitit 1929, e zhvilluar në Tiranë, shkrim i
botuar në: “Gazeta shqiptare”, më 16 nëntor, 1929, faqe 1.
[13]
Letër e Fishtës dërguar Ambrozit e Justinit, 14 tetor 1914, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 34.
[14] https://www.kultplus.com/tag/hylli-i-dritës/ 30
korrik 2021.
[15]
Letër e Fishtës dërguar Ambrozit e Justinit, 14 tetor 1914, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 33.
[16]
Letër e Fishtës dërguar Ambrozit e Justinit, 14 tetor 1914, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 34.
[17]
Letër e Fishtës dërguar Ambrozit e Justinit, 14 tetor 1914, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 34.
[18]
Letër e Fishtës dërguar Ambrozit, 7 maj 1915, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj
Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 35.
[19]
Letër e Fishtës dërguar Justinit, 11 mars 1922, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj
Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 38.
[20]
Letër e Fishtës dërguar Justinit, 11 mars 1922, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj
Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 39.
[21]
Letër e Fishtës dërguar Justinit, 11 mars 1922, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj
Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 41.
[22]
Letër e Fishtës dërguar Justinit, 11 mars 1922, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj
Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 41.
[23]
Letër e Fishtës dërguar Ambrozit, 27 qershor 1924, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj
Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 47.
[24]
Letër e Fishtës dërguar Ambrozit, 11 janar 1925, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj
Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 48.
[25]
Letër e Fishtës dërguar Ambrozit, 11 janar 1925, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj
Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 49.
[26]
Letër e Fishtës dërguar Provincialit, 11 tetor 1930, në: Letërkëmbimi - Át Gjergj
Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 56.
[27]
Koliqi, Ernest, Gjergj Fishta në shërbim
të çështjes kombëtare, në: “Kritikë dhe estetikë”, vep. cit., f. 244.
[28]
Letër e Fishtës dërguar Provincialit, që mban vitin 1934, pa datë dhe muaj, në:
Letërkëmbimi - Át Gjergj Fishta, O.F.M, vep. cit., f. 64-65.