Zita Izsó: Poezi/i

 

(l. 1986, HU)

 

Identitet

(Azonosság)

 

Në strehim

të ardhurit nga vende të ndryshme

përpiqeshin ngathtësisht të ngushëlloheshin.

Pastaj u qetësuan

kuptuan se s’duhej të duheshin

se mjafton të ngrenë që përdhe

dy gurë me përmasa gati të njëjta,

e kur udhët e tyre do të ndahen

e asnjëri s’do mbajë mend emrin e tjetrit,

do të dinë se diku dikush ka

një gur të ngjashëm, me të cilin, sado dhimbje të ketë shkaktuar,

s’ka shkatërruar asgjë,

s’ka thyer ndonjë xham,

nuk i ka folur gurit, nuk e ka mbështjellë,

e s’ka coptuar me të kokat e atyre

që ulërinin dhunshëm,

gur të cilin thjesht e mban,

siç e mbajnë të tjerët.

dhe për çdo ditë që kalon ia ndjen peshën gjithnjë e më pak.

 

 

Kalimi i kufirit

(Határátkelés)

 

Njerëzit sosin në fshat në dy rreshta

sikur secili t’i përkasë dikujt

Udha e gjatë ka lënë gjurmë mbi ta,

një fëmijë thosh për fytyrat e tyre

se ngjajnë me fetat e bukës së vajosur e rënë përtokë

dhe kanë mbledhur tërë pisllëkun.

Ndrydhen e shtrydhen si fizarmonika,

bishta cigaresh fikur anës pjatash të zbrazëta

frika përvidhet mes tyre ngadalë,

ujë mes çarjes së një anijeje,

shtrihen përdhe,

këqyrin hënën, bërthamën e bardhë

prej vishnje të pështyrë në qiell.

Me t’i zënë gjumi

uria i lihet harrimit.

 

 

Shkrirje

(Olvadás)

 

Falë ndryshimeve klimatike

arinjtë zgjohen para kohe nga dimërimi

dhe, duke u shëruar ngadalë nga mirësia jonë,

tepër herët zgjohen së vdekuri të ikurit tanë

ata me të cilët s’u pajtuam dot në kohë.

Më kot mundohen – s’mund të bien sërish në gjumë.

E nuk ndiejnë asgjë,

Por kujtojnë se ç’bënin kur i merrte uria,

ndaj edhe nisin të na përmbysin kazanët para shtëpive

duke rrëmuar në plehërat që kemi prodhuar

gjatë kaq dhjetëvjetëçarësh.

Ne rrimë me dritat fikur,

s’duam të duket që jemi brenda,

i ndjekim që pas xhamave me avull

duke ditur se është, mbase, shansi ynë i fundit

për të folur me ta,

megjithatë, kemi frikë të dalim.

Trembemi

se kurrë s’do të mund t’i zbutim.

 

Traducere din limba maghiară de Mihók Tamás

În albaneză de A.-Ch. Kuciuk

 

Shkëputur nga ”Către Saturn, înot”, tineri poeţi din Ungaria – antologie și traducere din limba maghiară de Mihók Tamás [Către Saturn, înot : tineri poeţi din Ungaria / antolog. şi trad. din lb. maghiară de Mihók Tamás ; pref. de André Ferenc. – Bistriţa : Casa de Editură Max Blecher, 2021. All Rights reserved]