1. Lëvizja
e 4 Majit dhe lëvizja e re kulturore në Kinën e fillimit të shek. XX
Ngjarjet historike
që trazuan Kinën e shek. XX kanë lënë gjurmë të thella duke u bërë shenjuese të
fillimit të një epoke të re në disa aspekte kryesore si kultura dhe letërsia.
Një nga ngjarjet e shënuara tashmë në kalendarin historik të saj është edhe Lëvizja e 4 Majit, e njohur për impaktin
e thellë që pati tek masat e gjëra popullore. Arsyeja pse trajtohet një ngjarje
e tillë historike në një punim me karakter letrar ka të bëjë me ndikimin
themelor që kjo lëvizje pati në lindjen e të ashtuquajturës Letërsia moderne kineze. Ishte pikënisja
dhe reagimi masiv i kësaj lëvizjeje që solli ndryshime të mëdha dhe konkretizoi
etapën e re të Kinës.
Lëvizja e 4 Majit i pati fillesat rreth vitit 1919 nga një grup studentësh të
Universitetit të Pekinit. Ajo erdhi si një pakënaqësi masive e popullsisë, kryesisht
intelektualëve, ndaj politikës dhe reagimit të lidershipit të vendit ndaj
problemeve që Lufta e Parë Botërore kishte lënë pas, veçanërisht përballja me
Japoninë si forcë kryesore kundërshtare. Po ashtu, pakënaqësi të madhe kishte
shkaktuar edhe Traktati i Paqes i Versajës, një traktat i cili kishte zgjuar
pakënaqësi mbarëbotërore.