1. Lëvizja
e 4 Majit dhe lëvizja e re kulturore në Kinën e fillimit të shek. XX
Ngjarjet historike
që trazuan Kinën e shek. XX kanë lënë gjurmë të thella duke u bërë shenjuese të
fillimit të një epoke të re në disa aspekte kryesore si kultura dhe letërsia.
Një nga ngjarjet e shënuara tashmë në kalendarin historik të saj është edhe Lëvizja e 4 Majit, e njohur për impaktin
e thellë që pati tek masat e gjëra popullore. Arsyeja pse trajtohet një ngjarje
e tillë historike në një punim me karakter letrar ka të bëjë me ndikimin
themelor që kjo lëvizje pati në lindjen e të ashtuquajturës Letërsia moderne kineze. Ishte pikënisja
dhe reagimi masiv i kësaj lëvizjeje që solli ndryshime të mëdha dhe konkretizoi
etapën e re të Kinës.
Lëvizja e 4 Majit i pati fillesat rreth vitit 1919 nga një grup studentësh të
Universitetit të Pekinit. Ajo erdhi si një pakënaqësi masive e popullsisë, kryesisht
intelektualëve, ndaj politikës dhe reagimit të lidershipit të vendit ndaj
problemeve që Lufta e Parë Botërore kishte lënë pas, veçanërisht përballja me
Japoninë si forcë kryesore kundërshtare. Po ashtu, pakënaqësi të madhe kishte
shkaktuar edhe Traktati i Paqes i Versajës, një traktat i cili kishte zgjuar
pakënaqësi mbarëbotërore.
Lëvizja e 4 Majit në vetvete kishte karakter politik dhe kulturor, nga ku formohej në sajë
të disa grupimeve me interesa të ndryshme. Në këtë lëvizje përfshiheshin
intelektualët të cilët kërkonin ndryshime kulturore, punëtorët të cilët
kërkonin të drejtat e tyre, grupime me karakter anti-imperialiste dhe
anti-feudale, në kundërshti me politikat që ndiqeshin ndaj Japonisë, etj.
Krahas gjithë grupimeve të lartpërmendura, në Kinë, ishte organizuar një tjetër
lëvizje e quajtur Lëvizja e Re Kulturore
e cila kishte karakter vetëm kulturor. Disa nga intelektualët e kohës të cilët
ishin shkolluar jashtë vendit ose kishin pasur kontakt me anë të përkthimeve
dhe leximeve me kulturën perëndimore kërkonin që kultura kineze të pësonte një
tranformim. Ata mendonin që ndryshimi duhej të ndodhte me patjetër në mënyrë që
vendi të zhvillohej dhe synimi ishte që të ndiqeshin modelet e mëparshme të
kulturës dhe letërsisë perëndimore. Studiuesi Choe Tse-tsung bën një
paralelizim ndërmjet Lëvizjes së re
Kulturore dhe Rilindjes Europiane
duke u bazuar dhe në qëllimet dhe parimet që ata donin të zbatonin.[1]
Ndërkohë,
Joseph T. Chen në studimin e tij The May
Fourth Movement Redefined rendit disa nga faktorët të cilët ndikuan në
ndërmarrjen e një lëvizje të tillë nga masat popullore të kohës: The deplorable social, economic and
political situation in the country led to the rise of modern Chinese
nationalism and prompted China’s leading intellectuals to search for answers to
China’s salvation. However those leaders of the pre- MF period belived that in
order to “save” China, they first needed to change China’s ancient traditions
and bring about the awakening of the people, especially the youth. It was
primarly a ‘thought’ oriented movement. The MFM, on the other hand, developed
as stated previously, as a reaction of the Chinese people to the turbulent new
forces unleashed by World War I, and a direct response to peking warlordism,
Japanese imperialism, and the injustice China suffered in the Paris Peace
Conference[2].
Ndër të tjera,
ai shprehet se për të kuptuar më mirë natyrën e Lëvizjes së 4 Majit është e nevojshme të bëhet një rishikim para
dhe pas incidentit të 4 Majit. Ky definim i tij për ta analizuar lëvizjen në dy
aspekte, para dhe pas, bazuar në kohezionin e saj, vinte për arsye të
keqkuptimeve që kanë ndodhur me studimet rreth kësaj dukurie. Për shkak të
bindjeve politike dhe kulturore disa nga studiuesit janë munduar që Lëvizjen e 4 Majit ta përcaktojnë
thjesht si një organizim masiv popullor me prapavijë kulturore, pa dashur të
përfshijnë dhe karakterin e saj politik dhe social, krahas atij kulturor. Siç
tashmë dihet nga faktet historike, lëvizja pati përmasa më të gjëra se thjesht
kulturore apo letrare, duke përfshirë shtresa të ndryshme të popullsisë duke u
bashkuar kundër qëllimeve dhe aspiratave të njëjta si organizimet kundër
qeverisë, kundër agresivitetit japonez dhe padrejtësive të Fuqive të Mëdha. Lëvizja e re kulturore u bashkua me Lëvizjen e 4 Majit duke u kthyer në një
organizim të madh kombëtar nga ku të dyja lëvizjet përplotësuan njëra- tjetrën.
Kjo periudhë e bashkimit ndryshe mund të konsiderohet si periudha pas Lëvizjes së 4 Majit, ku karakterit
social dhe politik të saj i bashkohet edhe ai kulturor.
Lëvizja mori
përmasat e një organizimi masiv popullor, jo vetëm intelektual. Por pavarësisht
impaktit të madh që pati për shkak të popullaritetit, kishte nga ata individë
që mendonin që e gjitha kjo ishte një fyerje e madhe për kombin kinez.
Ndryshimet që kërkoheshin të bëheshin në fushën e letërsisë dhe dëshira për të
ndjekur kulturën perëndimore u konsiderua si fyese për traditën kineze. Disa
intelektualë mendonin që letërsia tradicionale kineze ishte e mjaftueshme për
të përmbushur kërkesat shpirtërore dhe për të mbajtur zgjuar zhvillimin
kulturor në vend, ndaj mendimi për të imituar letërsinë e vendeve perëndimore
sipas tyre qëndronte i pavend. Pavarësisht dëshirës ose jo për ndryshim,
lëvizja kishte hartuar një program ku shprehet qartë qëndrimi i saj kritik ndaj
dukurive negative të kohës, si dhe rritja e frymës kritike në këndvështrimin
ndaj artit dhe letërsisë. Krahas kësaj ata kërkonin që të ndërtoheshin edhe
disa parime teorike mbi të cilat këto ndryshime do të zbatoheshin, duke e bërë
kështu lëvizjen një nga nismat më revolucionare dhe ndikuese në jetën shoqërore
dhe kulturore të Kinës në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore.
2. Shfaqja e letërsisë moderne në
Shqipëri dhe në Kinë
Për të kuptuar zhvillimin dhe ecurinë e
formësimit të Letërsisë Moderne në
Kinë dhe në Shqipëri duhej fillimisht të trajtoheshin disa nga çështjet e
mësipërme, ndikimi i të cilave ka qenë i dukshëm gjatë asaj periudhe. Me një
rol primar apo dytësor secila prej tyre ka qenë një “gur themeli” në ndërtimin
e një epoke të re letrare me frymë bashkëkohore perëndimore.
Nga trajtimi i deritanishëm i këtyre
aspekteve dukshëm kuptohet rëndësia që krahas zhvillimeve të brendshme letrare
kanë pasur edhe rrethanat historiko- kulturore. Konteksti social i periudhës
ndërmjet dy Luftërave pati impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimet e mëtejshme
kulturore- letrare. Në Kinë impakti i parë erdhi nga Lëvizja e 4 Majit e cila shënoi dhe fillimin e një etape të re në
konsolidimin e disa vlerave kulturore dhe letrare mbarëkombëtare. Një etapë e re do të niste edhe në
letërsinë shqipe të asaj periudhe.
Në të dyja vendet kërkesa për një
ndryshim të tillë rrënjësor erdhi nga një grup intelektualësh dhe studentësh të
cilët ishin arsimuar në vendet perëndimore ose në mënyrë të tërthortë kishin
pasur kontakt me letërsitë europiano- perëndimore. Formimi i tyre intelektual
solli një frymë të re në mënyrën se si perceptohej shoqëria e kohës dhe
marrëdhënia e saj me realitetin. Për shkak se ky i fundit ishte në një nga
periudhat më tragjike dhe fatale, nevoja dhe kërkesa e menjëhershme për një
ndryshim rrënjësor ishte kërkesa primare e këtij grupi intelektualësh. Protesta
e tyre ndaj zhvillimeve politike dhe sociale erdhi në formën e shkrimeve ku u
pasqyrua një hov i dukshëm në botimin e artikujve të ndryshëm me frymë kritike
dhe krijimtari të reja me karakteristika estetike të pastra letrare.
Fryma kritike
ishte pikërisht një nga karakteristikat themelore të asaj periudhe. Nëse në
letërsitë e mëparshme tipari kryesor ishte idealizimi dhe himnizimi i
gjithçkaje të bukur dhe me lavdi historike, tashmë vëmendja zhvendoset tek
individi dhe shoqëria, duke lënë mënjanë idenë kombëtare dhe heroike. Pjesë e
krijimtarive letrare bëhen personazhet e shtresave të ndryshme që vinin nga
shoqëria e thjeshtë dhe në dukje pa asnjë status social, tematikat kryesore
preknin problematikat dhe shqetësimet e përditshme të shoqërisë, e gjithë krijimtaria
letrare kishte frymën e fatalitetit të kohës dhe nevojës për ndryshim përpara rrënimit
total të saj.
Një ndikim të madh patën edhe daljet në
botim të disa revistave dhe gazetave me natyrë letrare, në të cilat shkrimtarët
botonin vazhdimisht krijimtaritë e tyre. Në Shqipëri shquhen revista të tilla,
si: Iliria, Përpjekja, Jeta e Re. Po
ashtu, edhe në Kinë, një nga revistat shkencore më të rëndësishme kishte të
njëjtin emër, New Youth apo të
tjerat, si: Young China, Construction,
Sunday Review. Këto revista që përcillnin frymën kritike të kohës u bënë
zëri i krijimtarisë së shkrimtarëve dhe ura ndërlidhëse e tyre me lexuesit dhe
impaktin që patën tek fuqia e tyre e mendimit.
Në Shqipëri, ashtu si dhe në vendet e
tjera, Lufta e Parë Botërore kishte lënë pasoja të dukshme në rrënimin ekonomik
të vendit. Po ashtu shpërbërja e Perandorisë Osmane dhe krijimi i shtetit të
pavarur dhe njëkohësisht të copëtuar nga Traktati i Paqes, kalimi nga Republika
në Mbretëri shënojnë një sërë faktorësh ndikues në kontekstin social të asaj
periudhe. Pakënaqësia ndaj institucioneve politike, fetare dhe kulturore po
rritej dita ditës, duke sjellë nevojën e menjëhershme për ndryshim. Kjo pakënaqësi u pasqyrua dukshëm në frymën
letrare të kohës duke marrë trajtat e një krijimtarie me karakter të theksuar
kritik. Intelektualët mendonin që krahas elementëve ekonomike dhe politikë
ishte i nevojshëm një reformim tërësor i
elementeve letrarë. Ata e shihnin zgjidhjen në imitimin e letërsisë së
vendeve perëndimore, nga ku fillimisht duhej refuzuar letërsia e traditës me
format dhe idetë e shfaqura të saj. Por, ndryshe nga letërsia europiano-
perëndimore që ishte refuzuese në mënyrë kategorike ndaj traditës, në Shqipëri
dhe në Kinë procesi i refuzimit nuk ishte kaq i theksuar. Shkrimtarët,
sigurisht, ishin në kërkim të formave të reja letrare, por nuk zhvlerësonin rëndësinë
e letërsisë së traditës. Ata kërkonin që kjo lloj letërsie tashmë të bëhej
pjesë e së shkuarës pasi e kishte kryer funksionin e saj dhe nuk e shikonin si
një dukuri që mund të kishte zhvillim dhe ndikim në shoqëri.
Edhe në Kinë, rruga
e zhvillimeve letrare kishte marrë rrjedhë të njëjtë, si pasojë e ndikimeve të
dukshme të rrethanave të njëjta historike mbarëbotërore. Konteksti social pas
luftës me Japoninë, pakënaqësia ndaj Traktatit të Paqes ashtu si dhe në
Shqipëri, rënia e dinastisë Qing ishin disa nga pikat kulmore të krijimit të
pasigurisë, pakënaqësisë dhe kushteve tepër të vështira të shoqërisë së kohës.
Gjatë asaj periudhe nis të marrë rëndësi të dukshme procesi i westernizimit të
vendit, ku shihej si pikë kryesore edhe westernizimi i aspekteve letrare si
nevojë e ndryshimit intelektual të shoqërisë.
Zhvillimi modern në Kinë dhe në Shqipëri
karakterizohej nga tiparet specifike të këtyre vendeve. Nocioni i modernes dukë
qenë një koncept shumëdimensional shpeshherë gjen përdorim për fusha të ndryshme
si teknologjia, ekonomia, kultura etj. Është e nevojshme të theksojmë se në
rastin tonë koncepti i modernes përdoret në fushën e letërsisë, të formave të
saj estetike dhe përmbajtësore. E themi këtë duke pasur parasysh se në Kinën
dhe Shqipërinë e asaj periudhe nuk kishte ndonjë zhvillim tjetër me tipare
moderne, përveçse atij letrar.
Si Kina, ashtu edhe Shqipëria në
periudhën ndërmjet dy Luftërave karakterizoheshin nga kontekst i njëjtë
historiko-kulturor, me një shoqëri që përballej me të njëjtat probleme dhe
dukuri sociale. Të ndodhura në kushte të tilla, dukuria e shfaqjes së letërsisë
moderne nuk erdhi si pasojë e zhvillimeve të brendshme ekonomike të vendit, por
si një dëshirë dhe kërkesë e kohës për ndryshim të formave letrare sipas
modelit të letërsisë europiano- perëndimore. Edhe pse modeli letrar erdhi si
proces i ndikimit nga letërsitë e huaja, në të dyja vendet ajo mori
karakteristikat dhe shprehjen e saj vetjake duke u përshtatur me tiparet
kryesore të zhvillimit të brendshëm letrar.
Zhvillimi letrar po ecte në rrjedhat e
tij duke ndikuar në tiparet e gjinive të ndryshme letrare. Kalimi nga format e
vjetra tradicionale në tipare bashkëkohore moderne solli edhe ndryshime në
mënyrën se si shkrimtarët e shinin raportin e tyre me letërsinë. Ndërgjegjja e
tyre krijuese tashmë ishte dukshëm e pavarur dhe në trajta estetike tipike
letrare. Nëse më parë kishim letërsinë me karakter didaktik tashmë letërsia
karakterizohet qartë si një dukuri me vlera estetike dhe e formësuar sipas
individualiteteve krijuese. Procesi letrar po krijonte ndarjen ndërmjet fushave
të tjera jashtëletrare si filozofia, historia apo politika duke marrë tiparet e
një letërsie me analiza të thella psikologjike, me natyrë shoqërore dhe me
bosht kontekstin social aktual të kohës.
Gjithashtu, një nga ndërmarrjet e para
në këtë aspekt ishte përdorimi i gjuhës sa më të thjeshtë, të njohur si gjuha e
folur, synimi i përdorimit të së cilës ishte kuptueshmëria e saj deri në
shtresat më të ulëta të shoqërisë. Format letrare po transformoheshin drejt
prirjes së lirë të shkrimtarëve duke mos ndjekur asnjë rregull të mëparshëm,
përfshirë këtu aspektet gramatikore dhe strukturore. Çdo rregull apo
përkufizim konsiderohej në dëm të natyrës së letërsisë nga shkrimtarët e kohës.
Sipas tyre asnjë shkrimtar nuk duhej të merrte udhëzime se si duhej bërë
letërsia, por të krijonte sipas motiveve dhe ndjesive të brendshme të tij.
Tiparet e lartpërmendura, ku përfshihen
ato formale dhe përmbajtësore janë shfaqur dukshëm të ngjashme në të gjithë
shkrimtarët e kategorizuar si përfaqësues të letërsisë moderne. Zhvillimi i saj
u bë në suazën e zhvillimeve të ndryshme sipas përkatësive kombëtare, por në
fund qëllimi dhe konkretizimi i saj mbeti i njëjtë; ndryshimi i formave letrare
duke u bazuar në ndërgjegjen e brendshme krijuese, me natyrë të pastër estetike
letrare.
3. Lu Xun dhe Migjeni
Lu Xun dhe Migjeni janë themeluesit e
Letërsisë Moderne në Kinë dhe në Shqipëri, duke u bërë përfaqësuesit kryesor të
saj. Nga studimi i deritanishëm na rezulton që autorët, Migjeni dhe Lu Xun i përkasin një zhvillimi letrar të
njëkohshëm dhe tepër të ngjashëm. Me anë të lëvrimit të prozës së shkurtër
ata kanë arritur të thyejnë poetikat dhe tematikat e mëparshme. Për nga natyra
e ngjarjeve të trajtuara ata i përkasin letërsisë sociale, duke trajtuar
tematika që preknin drejtpërdrejtë jetën dhe përditshmërinë e shoqërisë.
Vetë letërsia sociale lindi si një formë
e cila trajtonte problemet sociale të kohës kryesisht me karakter klasor, por
edhe gjinor, racor, etj. në bazë të llojit të problematikave të vendeve në të
cilat krijohej. Ndryshe nga letërsia e mëparshme e cila në qendër të saj kishte
heronjtë, lavdinë, thënë më qartë idealizimin e shoqërisë dhe kohës, kjo lloj
krijimtarie ishte tërësisht e ndryshme. Ajo u shfaq si një kritike apo shuplakë
e dhënë ndaj institucioneve politike, fetare apo të çfarëdo lloj forme, duke kundërshtuar hapur klasat borgjeze dhe
shfrytëzimin e popullsisë. Natyrshmërisë së letërsisë për t’u ndikuar nga forma
të reja letrare më elitare nuk iu shmang dot as zhvillimi letrar në Kinë dhe në
Shqipëri gjatë shek. XX. Edhe pse i konsideruar si një zhvillim i mëvonshëm,
krahasuar me ecurinë e formave letrare në vendet e tjera, aspekti letrar i
shfaqur përgjatë periudhës ndërmjet dy luftërave mbartte karakteristikat e një letërsie me tipare moderne për nga forma dhe përmbajtja. Gjatë kësaj
periudhe zhvillimi letrar në Kinë u ndikua nga një sërë faktorësh të
lartpërmendur, nga ku një rol kryesor luajti edhe westernizimi i vendit. Zhvillimet e shpejta industriale dhe të
aspekteve të tjera, po e bënin Kinën, Shqipërinë dhe disa prej shteteve të
tjera të kthenin sytë nga perëndimi.
Intelektualët e
kohës menduan që hapi i parë i cili do të ndikonte në westernizimin e vendit ishte imitimi
i kulturës perëndimore, gjë e cila do të sillte hap pas hapi ndryshime edhe
në fushat e tjera. Kështu, nis një kthesë e madhe fillimisht në aspektin
letrar, ku kemi prurje të reja, të ndryshme nga format e mëparshme të të bërit
letërsi. Kjo ishte periudha ku spikasin shkrimtarët Lu Xun dhe Migjeni, duke
sjellë për lexuesit një letërsi me tipare të ngjashme me atë europiane dhe me
ide e forma novatore për letërsinë e vendeve të tyre. Ajo që duhet thënë, është
që si Lu Xun, ashtu edhe Migjeni, pavarësisht përpjekjes për të sjellë forma të
reja letrare, kurrsesi nuk mohonin trashëgiminë e mëparshme letrare të vendeve
të tyre. Nevoja për një ndryshim erdhi si pasojë e kushteve dhe rrethanave në
të cilën gjendej shoqëria e kohës, por njohja e thellë e autorëve me letërsinë klasike shërbeu si bazë për të
ndërtuar më tej themelet e një letërsie tejet të mirëfilltë siç ishte letërsia moderne.
* Autorja ndjek studimet doktorale pranë Beijing Foreign Studies University, ku është edhe Asistente Pedagoge e gjuhës shqipe.
* Studimi i plotë në Haemus Plus
[1] To a certain degree, the characteristics of China’s new culture
movement resembled those of the European Renaissance, namely: (a) both faced
semi- medieval economic and social conditions; (b) both faced the vernacular
problem; (c) both expressed the need to emancipate the individual from the bondage
of traditional ideas, institutions and customs. See Joseph T. Chen, The May Fourth Movement, Cambridge,
Massachusetts, 1960, pp. 338-9, Cambridge University Presss, vol. 4, nr. 1
(1970), p. 64.
[2] Joseph T. Chen, The May Fourth Movement Redefines, Cambridge
University Press, Vol. 4, No. 1 (1970), fq.72.