Mimoza Hasani-Pllana: Ndikimi i gjuhës dhe letërsisë në zhvillimin e komunikimit ndërkulturor

(Njohja e gjuhës dhe letërsisë shqipe brenda hapësirës ballkanike dhe evropiane)

Abstrakt

Në studimet kulturore, letërsia është një element qenësor, përmes së cilës studiuesit njohin traditën e një populli, organizimin shoqëror dhe historinë e tij. Element i rëndësishëm është edhe gjuha, përmes së cilës studiuesit formojnë modele kulturore duke njohur më mirë mentalitetin dhe fenomenet shoqërore, zakonet, trashëgiminë, të kaluarën historike dhe normat tjera të një shoqërie. Pra, gjuha dhe letërisa janë në harmoni dhe në funksion të njëra-tjetrës në komunikimet ndërmjet kulturave.
Identitetet kulturore ndryshojnë mes vete nga kode të shumta që i transformojnë ato në identitete komplekse dhe të vështira për t`u njohur dhe kuptuar si në rrafshin personal dhe atë universal, sidomos për kulturat e vendeve të vogla, deri diku të izoluara, siç kategorizohet kultura dhe identiteti shqiptar në përgjithësi. Në këtë punim do të prezantojmë informacionin mbi nivelin e njohjes së kulturës shqiptare në Ballkan dhe Evropë përmës hulumtimeve, punës së albanologëve dhe përkthyesëve të letërsisë shqipe.
Gjuha dhe letërisa bashkëveprojnë ngushtë me elementet tjera që formojnë kulturën e një vendi. Relacionet e gjuhës dhe letërsisë nuk mund të vlerësohen më të rëndësishme dhe më të veçanta se disiplinat e tjera të artit, sjelljeve apo kodeve tradicionale për ndërtimin e një identiteti kulturor. Hulumtimi ynë do të përqëndrorohet në kompetencën e këtyre disiplinave në funksion të zhvillimit të komunikimit kulturor.

Fjalët kyçe: Kulturë, Komunikim ndërkulturor, Letërsi, Gjuhë.

The influence of language and literature in development of intercultural communication
(Recognition of the Albanian language and literature in the Balkans and Europe)

Mimoza Hasani-Pllana
PHD in Filology

Abstract

In cultural studies, literature is an essential element through which scholars become familiar with the tradition of a nation, social set-up and its history. Language is also an important element through which scholars create cultural models while getting to know better the mentality and social phenomena, tradition, heritage, historical past and other norms of a society. Therefore, language and literature are in harmony and in function of one-another in communication between various cultures. Cultural identities vary from one-another by way of multiple codes transforming them into complex identities and difficult to recognize and understand at personal and universal level, especially culturar identities of small and somewhat isolated places, just as the Albanian culture and identity is characterized. In this article we will present information on how much recognized is the Albanian culture in the Balkans and Europe through research works of Albanologists and Albanian literature translators.
Language and literature coexist closely with other elements that form the culture of a country. Relationship between the language and literature is considered important for building of a cultural identity, just as other art disciplines, customs or traditional rules. Our research is focused on the competences of these two concepts in the function of the development of cultural communication.

Key-words: Culture, Intercultural communication, Literature, Language

a.   Hyrje                                                                                                                      

Komunikimi letrar ndërkulturor nuk është një proces i thjeshtë për t`u realizuar, ndërsa nënkupton krijimin e relacioneve kulturore në mes të dy e më shumë vendeve, në mes të dy e më shumë identiteteve dhe përfshin elemente dalluese mes tyre duke filluar nga gjuha, letërsia, muzika, ekonomia, elementi sociologjik, religjioz, etj. Komunikimet ndërmjet njerëzve veçohen mbështetur në faktin se si dhe sa njihen dhe pranohen kulturat përreth tyre.
Komunikimi ndërkulturor në kontekstin gjuhësor dhe letrar është i lidhur ngushtë me njohjen e gjuhëve të huaja dhe me procesin e përkthimit, si një nga format më të vjetra të komunikimit ndërkulturor. Përkthimi është një mënyrë e veçantë e transmetimit të elementeve kulturore ndërmjet popujve, duke patur parasysh se përkthyesi kompetent përveçse duhet ta njohë në nivel të lartë gjuhën e vendit që synon ta përkthej, ai duhet ta njohë edhe kontekstin kulturor dhe social të tij për ta transmetuar në nivel të përafërt kuptimin e tekstit dhe emocionin që bartë ai. Pra, përkthyesi duhet ta njohë në nivel të lartë gjuhën dhe kulturën e vendit në të cilin është krijuar varianti origjinal i tekstit, gjuhën dhe kulturën e vendit në të cilin përcillet teksti. Përveç kësaj, komplementare për një përkthyes letrar është edhe njohja e rrethanave sociale dhe historike të kohës së krijimit të tekstit.
Sot, kur diversiteti kulturor është gjithnjë e më i shprehur dhe mundësia e kumunikimit në mënyrë efektive ndërmjet njerëzve dhe kulturave të ndryshme po ndjek trendet e globalizmit, kërkohet një studim i kujdesshëm i kompetencave të komunikimit ndërkulturor në fusha të ndryshme. Njohja e kulturës së një vendi tjetër kërkon studime të detajuara dhe afatgjata që përfshinë njohjen e gjuhës, jetës sociale, elementeve historike dhe madje fenomeneve dhe zakoneve të shoqërisë që ndikojnë në jetën e përditshme kulturore të një populli. Në mes të mundësive të shumta të studimeve ndërkulturore, në këtë punim do të sjellim argumente mbi rolin e gjuhës dhe letërsisë në funksion të njohjes së kulturës së një vendi, në veçanti njohjen e gjuhës dhe letërsisë shqipe në nivele të larta akademike e intelektuale, meqë në kontekst europian letërsia shqipe i përket letërsive të vogla dhe pak të njohura, ndërsa në rrafshin ballkanik letërsia shqipe nganjëherë trajtohet edhe nëpërmjet perspektivës etnike.

b.      Studimet albanologjike në rajon dhe Evropë

Gjuha, si element qëndror i ligjërimit të qenieve njërëzore, në ligjërimet poetike shtrihet përtej funksionit të shprehjes së thjeshtë derisa ajo merr funksione të reja stilistike dhe semiotike. Gjuha funksionon në disa nivele shoqërore duke u shtrirë nga nivelet lokale e deri tek ato universale. Kështu, varësisht nga komunikimi, gjuha merr fuqi përcaktuese për stilin e autorit brenda zhanrit letrar. Por, tani do të shohim kontekstin gjuhësor në komunikimin ndërkulturor ballkanik dhe evropian, me fokus në studimet e gjuhës dhe letërsisë shqipe në disa qendra kulturore në Ballkan dhe më gjerë.
Studimet e shqipes në kontekstin ballkanik dhe evropian janë të vona ku fundi i shekullit XIX, konsiderohet si koha e fillimit të studimeve gjuhësore dhe kulturore shqiptare, duke iu referuar studiuesit austriak Johann Georg von Hahn. Në fillim të shekullit XX hapen katedrat e para albanologjike fillimisht në disa qendra europiane, dhe më vonë në Shqipëri dhe Kosovë për shkak të rrethanave politiko-shoqërore që ishin krijuar në këto dy vende dhe në hapësirën gjeografike shqiptare. Studimet e hershme për gjuhën shqipe filluan të zhvilloheshin nga studiues me kulturë të gjerë gjuhësore edhe më heret, ndërsa studimet për sistemin dhe strukturën e saj në nivel institucional janë funksionale për më shumë se një shekull në qendrat e njohura kulturore evropiane. Studime të kësaj natyre hapën dyert për ta njohur dhe pranuar gjuhën shqipe si njërën nga gjuhët më të vjetra të gadishullit ballkanik. Rrjedhimisht, vlerësohet se historia e gjuhës shqipe shfaqet e ndërlidhur me gjuhët e reja, të lashta, të gjalla apo të zhdukura të Ballkanit.[1] Megjithëkëtë, zhvillimi dhe rrugëtimi i gjuhës shqipe në vazhdimësi ka krijuar diskutime dhe dilema të shumta të ndërlidhura edhe me faktorë politik dhe historik.
Thamë se funksionalizimi i katedrave të para të gjuhës shqipe i përket fillimit të shek XX. Dy qendrat e njohura të kulturës, letërsisë dhe artit, Austria dhe Italia, në historinë e zhvillimit të albanologjisë janë të njohura për themelimin e katedrave të para të albanologjisë. Në Universitetin e Vjenës, katedra e gjuhës shqipe në fillimet e saj u drejtuar nga albanologu shqiptar Gjergj Pekmezi. Për më shumë se një shekull në këtë qendër europiane janë aktive studimet albanologjike. Në anën tjetër, Italia numëron numrin më të madh të katedrave të gjuhës shqipe në Evropë. Nga fillimi i shekullit të kaluar dhe deri më sot në shtetin italian katedra të gjuhës shqipe janë themeluar në këto qendra: në kryeqytetin italian Romë, pastaj në Palermo, Napoli, Venecia, Leçe, Kalabri dhe në Kosencë.
Në fund të çerekut të parë të shek. XX, më 1925, katedra e albanologjisë themelohet edhe në Universitetin e Beogradit, para hapjes së Universitetit të Tiranës i cili themelua më 1957 dhe Universitetit të Prishtinës që u themelua më 1969. Idenë për mësimin e shqipes shkencore në Beograd e hodhi shkencëtari Jovan Cvijiç në fillim të shek. XX, ndërsa mësimet filluan me kontributin e prof. Henrik Bariç në periudhën 1920-21. Më vonë, më 1925 punës së prof. Bariç i dhanë përkrahje edhe profesorët Xhevat Korça dhe Vojisllav Dançeviç. Ndërsa, kuadrot shqiptare të Kosovës u bënë pjesë të katedrës vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Emra të çmuar që kontribuan herët në këtë fushë janë: Akademik Idriz Ajeti dhe Anton Çeta. Sot, historia e letërsisë shqipe përveç stafit mësimor njeh edhe autorë të çmuar që i ndoqën studimet në katedrën e albanologjisë në Universitetin e Beogradit, si: Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Enver Gjergjeku, Latif Berisha, Ramiz Kelmendi, Besim Bokshi. [2]
Nga hulumtimet për trajektoren e zhvillimit të studimeve albanologjike vërejmë se zhvillimi i gjuhës shqipe është atipik krahasur me gjuhët tjera ballkanike për faktin e rrethanave të vështira nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar. Prandaj, albanologë të njohur evropian e vlerësojnë punën e çmuar të intelektualëve të njohur shqiptar që kontribuan në zhvillimin e studimeve albanologjike letrare dhe kulturore në disa nga qytetet e zhvilluara kulturalisht në Europe. Në këtë kontekst, profesori arbëresh i gjuhës dhe letërsisë shqipe Elio Miraco, kujton me mall kohën e studimeve në Romë dhe mësimet që kishte marrë nga mësimdhënësi i tij, atdhetari, dijetari dhe shkrimtari i njohur shqiptar, Ernest Koliqi[3]. Profesor Miraco, çmon punën e katedrave, mësimdhënësit e të cilave me përkushtim të thellë punuan për ruatjen, zhvillimin dhe promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në shtetin italian. Puna e tyre shkencore ishte përqëndruar në institute, revista shkencore, organizim të konferencave dhe tryezave nëpërmjet të cilave arrihej trajtimi i shumë çështjeve të lidhura me strukturën dhe sistemin e gjuhës shqipe në Evropë, letërsisë dhe kulturës së këtij vendi të vogël[4].
Që kur ndoqa leksionet e Koliqit rritej në mua interesi për letërsinë shqipe në një përmasë të re shkencore e kulturore, meritë e Mjeshtrit, që dinte t’i udhëhiqte studentët në zbulimin e Shqipërisë së panjohur nëpërmjet figurave të ndritura të poetëve e prozatorëve, pa folur kurrë për veten. Rreth tavolinës, që ruhet edhe sot, në krah të pasardhësit të tij, Giuseppe Gradilone, studentët, ndërsa ai pinte një cigare pas tjetrës (atëherë lejohej duhani), dëgjonin shpjegimet e tij mahnitëse. Kështu ne studionim autorët arbëreshë të letërsisë shqipe, nga e cila, sipas tij, nuk mund të shkëputej kjo diasporë e vjetër, ashtu si sot mendoj se nuk mund të shkëputet letërsia e Kosovës. Rreth asaj tavoline, me shpatulla nga dërrasa e zezë, thithnim ajrin e freskët të maleve shqiptare, mësonim qëndresën krenare të shqiptarëve ndaj pushtuesve të veriut ndërmjet Lahutës së Malësisë, ose poezinë e brishtë klasike të Mjedës, pa harruar Migjenin dhe poezinë rebele e realiste..... Pas diplomës universitare më ngarkoi me detyrën e vëzhgimit dhe të regjistrimit gjuhësor të pranisë së arbëreshëve në katundet e Kalabrisë dhe të Pulias. Bashkë me mua punonte edhe Vinçenc Malaj. Gjithë kjo punë bëhej për të kryer përmbledhjen e tregimeve popullore. Kërkimet e mia përfunduan me përmbledhjen e tregimeve popullore të provincës së Katanxaros, libri u botua dhjetë vjet pas vdekjes së tij me përkujdesjen e drejtorit të ri të Institutit Giuseppe Gradilone. Koliqi me kohë kishte vënë në dukje nevojën e mbledhjes së traditës gojore para se të zhdukej. Nuk duhet të ishte vetëm një dëshmi e pranisë së arbëreshëve, por edhe e ruajtjes së pasurisë shpirtërore e kulturore pas pesë shekujve jetese në Itali. Në këtë këndvështrim, mund të quhet ‘themeluesi i Rilindjes së Re arbëreshe’ nëpërmjet nismave që ai vetë, dhe revista „Shêjzat” ndërmorën në shumë katunde: lindën kudo qarqe kulturore, gazeta, përmbledhje me poezi e fjalë të urta të traditës gojore; nëpërmjet faqeve të revistës e njohu publikun me shkrimtarët e rinj, organizoi konferenca dhe sidomos përkujtimin e njëqindvjetorit të vdekjes së Skënderbeut, duke bërë të mundur praninë e shumë katundeve arbëreshe nëpërmjet pjesëmarrjes së Eparkisë së Lungros, dhe të priftërinjve që kryen mjaft aktivitete në famullitë e tyre”.[5] Këto janë disa nga kujtimet e profesor Elio Miraco për virtytet e jashtëzakonshme të albanologut Koliqi dhe kontributit të tij në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në Itali.
Kontribute të çmuara në funksion të komunikimit ndërkulturor dha edhe katedra e albanologjisë në njërin nga universitetet më të mëdha në Rusi, atë të Shën Petersburgut (Leningradit). Katedra e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shën Petersburg u themelua nga gjermanologia dhe albanologia e njohur ruse, Agnija Vasilevna Desnickaja në vitin 1957. Prej themelimit e deri në fund të jetës së saj Vasilevna Desnickaja udhëhoqi katedrën dhe ishte aktive në studimet gjuhësore indoevropiane, në veçanti në studimet ballkanike, të gjuhës shqipe, letërsisë shqipe, arbëreshe dhe folklorit shqiptar.
Këto studime Vasilevna Desnickaja përveçse i publikoi në konferenca dhe revista shkencore, i la të botuara edhe në librat: „Rindërtimi i elementeve të gjuhës së lashtë shqipe dhe problemet gjuhësore panballkanike”(1966), „Gjuha shqipe dhe dialektet e saj” (1968) dhe „Letërsia shqiptare dhe gjuha shqipe” (1987). Në librin e fundit përfshihen dialektet e gjuhës shqipe të shumë vendeve ku flitet shqipja, si: Shqipëria, Kosova, Italia, Bullgaria, Çamëria, etj.
Pasardhës i punës shkencore të albanologes Desnickaja, vlerësohet albanologu i njohur rus, profesor Alexandër A. Novik. Studimet e profesor Novik janë një kontribut i çmuar ndërkulturor që përfshinë kulturën shqiptare në Ukrainë. Novik përveç studimeve gjuhësore në studimet e tij përfshin edhe elementet kulturore siç janë ritet e lindjes, dasmës, vdekjes si dhe figurat e letërsisë popullore të shqiptarëve të krahasuara me ato të letërsisë së Shqipërisë dhe Kosovës, siç janë figura e „gjarpërit”, „lugatit” etj. Së fundi, studimet e profesor Novik dhe të ekipit të tij janë të përqëndruara në deshifrimin e mbishkrimeve të gjetura në tullat e vjetra të vendbanimeve me popullsi arnaute në rajonin e Rostovit mbi Don, në Rusi. Sipas profesor Novik, shenjat e gjetura në këto tulla i përkasin Alfabetit të N. Veqilharxhit[6].
Studimet e shqipes në arsimin e lartë në shtetin gjerman u konsoliduan dhe u bën të njohura përmes punës së katedrës së albanologjisë në qytetin e Munihut, falë përkushtimit të dijetarit, albanologut dhe shkrimtarit të njohur shqiptar Martin Camaj, si dhe mbështetjes së ballkanologut gjerman Alois Schmaus. Funksionimi i katedrës së gjuhës shqipe vështirësohet pas daljes në pension të Camajt. Njohësi dhe përkthyesi i veprës së Camajt, Hans Joachim Lanksch[7] kujton se pas pensionimit, katedra e vazhdonte punën me pasardhësit e Camajt: profesorët Rexhep Ismaili, Wilfried Fiedler dhe Bardhyl Demiraj.[8]
Pas pensionimit të prof. Demirajt duhet pritur mbyllja e degës së albanologjisë. Kështu vepron burokratcia gjermane me lëndët e “kullës së fildishtë”. Edhe pas pensionimit të Camajt donin ta mbyllnin degën që shpëtonte vetëm falë angazhimit dhe ndërhyrjes së shumë njerëzve dhe institucioneve.[9]
Komunikimi ndërkulturor në kontekstin gjuhësor, në mes të popullit bullgar dhe shqiptar në nivel akademik e universitar, fillon me leksionet e para të gjuhës shqipe në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski” në vitin 1962 deri në zyrtarizimin e mësimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski” në vitin 1994, më vonë në Universitetin e Veliko Tërnovos dhe në Bllagoevgrad, ndërsa nga viti 1998 gjuha shqipe mësohet edhe në Universitetin e Veliko Tërnovos brenda degës së studimeve ballkanike dhe në Bllagoevgrad[10]. Mësimet e para në nivelin e arsimit të lartë në vitin 1962 filluan nga profesoreshë Petya Asenova dhe profesor Thoma Kaçorri, ndryshe i quajtur edhe si rilindësi i fundit shqiptar. Tani, në Katedrën e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe Ballkanike pranë Fakultetit të Sllavistikës të Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, gjuha dhe letërsia shqipe mësohet dhe studiohet krahas gjuhës greke dhe rumune.
Brezit të vjetër që kontribuan në komunikimin ndërkulturor nëpërmjet gjuhës shqipe dhe bullgare i përket profesor Kacori, i njohur si njëri nga kontribuesit më të mëdhenj të gjuhës dhe letërsisë shqipe jo vetëm si profesor, por autor i librave për mësimin e gjuhës shqipe nga gjuha bullgare dhe angleze, bashkëautor i fjalorit të parë bullgarisht-shqip dhe përkthyes i veprave shqipe në gjuhën bullgare dhe anasjelltas. Përgjatë një jete të tërë në Sofje, prof. Kaçorri botoi libra në gjuhën bullgare dhe në gjuhën shqipe. Ndërsa, brezit të ri të ndërtimit të urave letrare në mes të shqipes dhe bullgarishtes i takojnë Prof. Dr. Rusana Hristova-Bejleri, Pprof. Dr. Anton Pançev dhe Ekaterina Tarpomanova. Profesore Hristova Bejleri, përveç punës së mësimdhënies në Universitet, është autore e studimeve teorike-letrare (veçojmë librin “Letërsia shqipe si pasqyrë e shpirtit të popullit”) dhe përkthyese e veprës së shkrimtarëve të njohur shqiptar. Kontributi i profesor Pançev është i orientuar drejt bashkëpunimit ndërmjet kulturave të dy popujve duke trajtuar tematikën e pozicionimit historik të Sofjes si një nga qendrat e rëndësishme të zhvillimit të shqipes apo edhe studime për historinë e diasporës shqiptare në Bullgari, ndërsa stdiuesja e re Tarpomanova, vlerësohet si emër shpresëdhënës për zhvillimin e studimeve ballkanike në Bullgari. Në mesin e emrave të ballkanologëve bullgarë, premtues për studimet albanologjike në kontekstin ballkanik është edhe profesor Raki Bello.

Kontributi gjuhësor në komunikimin ndërkulturor mes vendesh, vazhdon me studimet e linguistëve të njohur evropian në kuadër të studimeve albanologjike. Linguistja, albanologia polake, Irena Natalia Sawicka, në studimet e saj në rrafshin e albanologjisë në kontekstin evropian trajtoi njësitë unike të gjuhës shqipe në bashkëautorsi me Karolina Dargiel „Struktura e rrokjes shqipe” botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më 2018, si dhe çështje gramatikore të shqipes me librin në bashkëautorësi me autoren Jolanta Mintakt me titull: “Zarys gramatyki języka albańskiego” të publikuar në Warshavë më 2015.[11]
Hulumtimin tonë e kemi realizuar edhe në njërën nga katedrat më të reja ku mësohet gjuha shqipe në shtetin çek. Departamenti i vetëm ku mësohet gjuha dhe letërsia shqipe brenda Çekisë gjendet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Karlit në Pragë. Në këtë departament, gjuha shqipe mësohet krahas gjuhëve europiane, si bullgarishtja, serbishtja, kroatishtja, sllovenishtja dhe rumanishtja. Studimet tejkalojnë kufinjtë gjuhësor duke lejuar studimet historiko-kulturore dhe letrare të rajonit që i përket gjuha, në këtë rast, gjuha shqipe. Profesor Přemysl Vinš sqaron sistemin e mësimit të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare brenda këtij departmenti. “Studentët që dëshirojnë të studiojnë gjuhën shqipe, merren natyrisht edhe me letërsinë dhe historinë shqipe, por përveç kësaj duhet të fillojë gjatë studimit edhe me një gjuhë tjetër ballkanike. Shumica e studentëve tanë kanë interes për situatën aktuale në rajon dhe punimet e tyre përfundimtare shpesh bashkojnë historinë, politologjinë, sociologjinë ose antropologjinë[12].

c. Përkthimet letrare

Sot, trajtimi i gjurmëve të albanologjisë sa është i rëndësishëm për kulturën shqiptare, po aq është i rëndësishëm edhe për kulturën ballkanike dhe europiane, derisa pa përfshirjen e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në kontest ballkanik, studimet në këtë rrafsh nuk do të jenë të plota. Në shekullin XIX dhe XX, identitetet letrare zënë një vend të rëndësishëm në komunikimin ndërkulturor. Letërsia shqipe ndonëse e dëshmuar vonë, e copëtuar, e shkëputur herë pas here, sot frymon krahas letërsive ballkanike dhe evropiane. Shkrimtarë shqiptar, përgjatë një shekulli prezantuan kulturën, traditën, jetën sociale përmes vargjeve të poezisë, prozës e dramës me vullnetin për të ecur krahas letërsive të vendeve evropiane. Në tërësi, autorët më reprezentativ të Kosovës dhe Shqipërisë i përkasin periudhës moderne, gjysmës së dytë të shek. XX., ndonëse janë përkthyer vepra të shkrimtarëve të njohur nga letërsia e vjetër edhe nga gjysma e parë e shek. XX.
Dy nga qendrat më të mëdha kulturore shqiptare (Shqipëria dhe Kosova) dhe qendrat tjera, pavarësisht fenomeneve politike që vështirësuan krijimin e lirë dhe të pavaruar ruajtën vijueshmërinë letrare shpeshëherë edhe duke shpjeguar fenomenet e tilla me një gjuhë të pasur simbolike, që sot konsiderohet përfaqësim tipik i letërsisë së kësaj pjese të ballkanit perëndimor ku edhe krijimtaria letrare është individualizuar si rrjedhojë e ndryshimeve të historisë në rrafshin diakronik.
Konteksti letrar në komunikimin ndërkulturor realizohet përmes përkthimit të saj. Përkthimi i teksteve letrare është një nga përkthimet më të vështira meqë mund të përkthesh një tekst në mënyrë të mirëfilltë, por të mos arrish t’i transmetosh idetë, emocionet, konceptet që dalin nga gjuha origjinale, ndaj edhe përkthyes të njohur evropian këtë profesion e vlerësojnë si shumë sfidues, madje edhe kur kanë para vetës artin poetik të shkrimtarëve shqiptar. Si shembull, nga disa, fuqia krijuese e poetit emblematik të modernitetit shqiptar, Lasgush Poradeci, me krijimin e figurave letrare në poezinë e tij vlerësohet si krijimtari poetike e papërkthyeshme[13]. Në këtë linjë, përkthyesi holandez i letërsisë shqipe Raoul Schuyt, përmes karakteristikave gramatikore, gjuhën shqipe e sheh në relacione të ndërlidhura me latinishten, sikur janë fjalët: femër-femina, mjek-medik, ferr-inferi, etj, pastaj me elemente gjuhësore në relacion me gjuhën turke dhe madje me fjalë që korespondojnë të ngjajshme edhe me gjuhën holandeze, sikur janë fjalët: mur-muur, mrekulli-mirakel, etj. [14]

c.1. Përfaqësimi i autorëve

Gjatë intervistës me përkthyesin dhe albanologun gjerman Hans-Joachim Lanksch për veprën letrare shqipe që kishte përkthyer në gjuhën gjermane për më shumë se 30 vjet, ai kujton se poezia e Martin Camajt ishte një nga motivet që e shtynë atë të mësoj gjuhën shqipe dhe se kjo poezi e fascinonte tej mase, ndërsa poetin Lasgush Poradeci e vlerëson si të papërkthyeshëm nga ana e tij. Lanksch: “Punën e përkthimit e nisa në vitet e 80-ta, kur nuk dinja gjë për autorët si Frederik Rreshpja, Zef Zorba, Kasëm Trebeshina, Primo Shllaku, Visar Zhiti, Mihal Hanxhari dhe autorë të tjerë ‘burgaxhinj a klandestinë’. U mora me veprën e Camajt atë të me poetëve të mëdhenj të Kosovës, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj etj”[15]. Kujtojmë se elementet perfaqësuse të kulturës shqiptare përmës poetëve të përmendur janë të ndryshme, psh autoktonia është element i rëndësishëm për poezinë e Azem Shkrelit për faktin e lidhjes shpirtërore të poetit me vendlindjen dhe historinë e atdheut të vet:

Në fillim ishin zogjtë, lumenjtë, ilirët
Hanin ilirisht dhe punonin ilirishtë tokën
Lindnin dhe vdisnin të lirë, lirshëm, ilirisht

Pastaj erdhën turrë turrë nga perendimi
Kërkonin tokë ilire, ujë ilir
U thanë: I paskeni të artë gurët, të bukët tokën

Pastaj erdhën turrë turrë nga lindja
Kërkonin tokë ilire, qill, uj ilir
U thanë: i paskeni këngët dhe kafkat të bukura[16]

Ndërsa Ali Podrimja, u bë i njohur si poet i revoltës dhe refuzimit nëpërmjet vargjeve poetike. Podrimja, refuzimin e padrejtësive dhe mbrojtjen e popullit të vet nuk hezitoi ta promovoi edhe në intervista ndërkombëtare duke deklaruar se në vazhdimësi ka ngritur zërin kundër padrejtësive që bëheshin ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Derisa fliste për padrejtësitë që përjetonin shqiptarët e Kosovës, poeti, fillimisht ndalej te ndjesitë personale të krijuara si pasojë e tmerreve të përjetuara në familje. Kujtonte vrasjen e vëllezërve të nënës së tij nga regjimi serb, pastaj kujtonte brutalitetin që i njëjti regjim vazhdonte ta ushtrojë ndaj njerëzve të pafajshëm, duke përmendur vrasjen e fëmijëve, pleqve, grave shtatëzëna dhe përdhunimin e vajzave të reja. Poeti shkruante se këto dhe situata tjera personale dhe kolektive motivojnë poezinë e tij, duke thënë: “ndjenjat shpirtërore, ngjarjet e mëdha dhe padrejtësitë ndaj njerëzve të mi më bënë të shkruaja poezi[17]
Din Mehmeti, i përfaqësuar përmes veprave të para poetike e deri te poezitë e dekadës së fundit të shek XX, identifikohet me praninë e simbolit arkitektonik dhe kulturor të Dukagjinit si dhe simbolit shpirtëror të poetit, Kullës. Me Kullën poeti ndërlidhë një varg ndjenjash personale si: dashuria, vuajtja, sakrifica, durimi, qëndresa, mbijetesa dhe tërë evoluimi i familjes dukagjinase përmes zhvillimit diakronik.

E vetmuar në ciklon të malit rri
Kulla e vjetër me mure të çara
Në të jam rreshkur me përralla si fëmijë
Duke e mbajtur në zemër nëpër fusha e ara

Tashti në të askush s`banon
Fëmijët e sajë kanë tretur nëpër botë
Por në ëndrrat e tyre ajo jeton
E djegur në mall në zemër e plotë

Po unë tashti dëgjojë një oshtimë
Me duket se shembet për çdo ditë
Më duket se klithë në mbrëmje e pa gdhirë
Shpëtomëni! Jetova në terr pata pakëz dritë[18]

Ndërsa, Rrahman Dedaj në fillimet poetike (poezitë e përkthyera) vlerësohet për stilin e tij përmes të cilit braktisi poezinë deklarative, atë me tone neoromantike, me lidhje ambientale e natyrore dhe  forcoi poezinë simboliste,[19] me të cilën hapi mundësi të reja që audienca të krijojë kuptime të ndryshme rreth një tematike të cilën poezia e periudhave paraprake e trajtonte në mënyrë deklarative dhe me mundësi të kufizuar interpretimi.
Në këtë komunikim ndërkulturor, letërsia shqipe përfaqësohet më gjerësisht përmes poezisë me poetin më tipik të gegërishtes Martin Camaj, të cilin mendime të kritikës letrare të Kosovës, e vlerësojnë si një autor që përmes gjuhës poetike ndikoi te poetët e mëvonshëm, (të përmendur më lartët), Din Mehmeti dhe Azem Shkreli.[20] Sipas përkthyesit Hans-Joachim Lanksch, pikërisht frazeologjia e gegërishtes camjane vështirësonte përkthimin në gjuhën gjermane dhe jo morfologjia apo fonologjia e saj.[21]

Gjatë kërkimeve tona për komunikimet letrare shqiptaro-rumune gjejmë kontribute të çmuara të Revistës Europiane Haemus në kontekst të njohjes së letërisë dhe kulturës shqiptare nga populli rumun. Në këtë rrafsh komunikimi, letërsia shqipe përfaqësohet me veprat e shkrimtarëve më të njohur të disa shkollave letrare (disa nga të cilët tashmë klasikë) me fillim nga Shkolla kritike nëpërmjet veprës së Gjergj Fishtës dhe Fan Nolit, pastaj asaj moderne në Shqipëri dhe Kosovë, përmes veprës së Lasgush Poradecit, Ernest Koliqit, Millosh Gjergj Nikollës, Martin Camajt, Anton Pashkut etj, vepra e të cilëve është përkthyer pjesërisht në poezi dhe prozë. Ndërsa me vepra të plota, letërsia shqipe e Kosovës në Rumani përfaqësohet përmes autorëve: Ali Podrimja, Agim Vinca, Abdullah Zeneli, Bajram Sefaj, Jeton Neziraj, Kujtim Shala etj, si rezultat i përkthimeve të realizuara nga themeluesit e Revistës Europiane Haemus, Kopi dhe Ardian Kyçyku.
Përveç kontributit letrar, përmes përkthimeve dhe publikimit të Revistës Europiane Haemus, shkrimtari dygjuhësh dhe profesori universitar Ardian Kyçyku, bëri të njohur kulturën shqiptare në Rumani duke trajtuar në disa nga librat e tij letrarë të shkruar në rumanisht tematikat kulturore dhe kombëtare, që do të thotë se lexuesi rumun njohu më shumë nga veçantitë e jetës aktuale, traditës, historisë dhe kulturës shqiptare në rrafshin universal. Nga ky nivel komunikimi, përmes letërsisë së krijuar nga shkrimtarët shqiptarë, në këtë rast Ardian Kyçyku, lidhjet ndërkulturore ndërtohen jo vetëm në nivel ballkanik, por edhe evropian, përderisa temat letrare, veç komunikimit universal, kanë edhe një qëllim që është njohja e gjuhës dhe jetës së përgjithëshme të pupullit shqiptarë jashtë vendeve shqipfolëse.
Tutje, në gjuhën rumune trashëgimia letrare është përfaqësuar edhe me pjesë nga vepra poetike e njëqind autorëve shqiptarë, të përkthyer po ashtu nga Ardian Christian Kyçyku dhe të publikuar në antologjinë me titull „Një alfabet i poezisë shqipe” (2003). Ndërsa në vitin 2006, akademiku Kopi Kyçyku nxjerr në gjuhën rumune antologjinë „Bukuria që vret” (Frumusețea care ucide) me pjesë të zgjedhura nga trashëgimia letrare e prozës shqipe, nga prozatorët më të mëdhenj të letërsisë sonë, si: Faik Konica, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Anton Pashku, Martin Camaj e deri tek Hiqmet Meçaj, çka lë të kuptohet se përgjedhja gjithpërfshirëse, përveç se është e bazuar në elementet letrare, është e bazuar edhe në gjithëpërfshirjen gjeografike të qendrave kulturore shqiptare, siç është Shqipëria, Kosova dhe disapora. Antologjia „Një alfabet i poezisë shqipe”, si vlerë të shtuar përveç poezisë ka edhe këngët popullore që lidhen me elementet e kulturës sonë kombëtare, përmes tematikave letrare siç janë temat e flijimit (Rozafati) apo të besës (Konstandini dhe Doruntina),[22] kjo e fundit shpesherë e trajtuar si temë me prejardhje ballkanike.
Përveç kësaj, gjatë një bisede me shkrimtarin Ardian-Christian Kyçyku, kuptuam se në vitin 2000  lexuesi rumun përfitoi librin monografik Perëndia Epigone (Zeul Epigon), të autorit A.-Ch. Kyçyku, mbi veprën e poetit të njohur modern shqiptar Lasgush Poradeci, e cila së shpejti do të plotësohet edhe me poezi të Poradecit në rumanisht me titullin e ri Rara Avis. Ndërsa në vitin 2014, përmes eseve të shkruara për shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqipe në shtypin kulturor (mes viteve 1993-2013), lexuesi rumun pati një mundësi tjetër që të njihet me kulturën letrare shqiptare përmes vëllimit me ese „Outizëm dhe pagjumësi” (Outism și insomnie) nga Ardian Kycyku.
Kaq sa paraqitëm dhe më shumë sa ofrohen mundësi leximi të letërsisș shqipe në gjuhën rumune edhe në versionin online të revistës Revistës Europiane Haemus, mund të arrijmë në përfundimin se në gjuhën rumune është e përfaqësuar një pjesë e madhe e veprës letrare shqipe.
Komunikimi letrar nuk ndërpritet me përkthimet nga shqipja në rumanisht, derisa vepra e mbi 185 poetëve rumun shqipërohet në gjuhën shqipe dhe vjen e përmbledhur për lexuesin shqiptar nëpërmjet librit ”Antologji e poezisë rumune moderne”. Bashkëthemeluesi i revistës, Ardian-Christian Kyçyku, Rumaninë e vlerëson si një nga qendrat evropiane më të frytshme për kulturën dhe historinë shqiptare, derisa kujton se në shtetin rumun, botuan veprat duke filluar nga rilindasi Naim Frashëri, pastaj poeti që i priu modernitetit në letërsinë shqipe Lasgush Poradeci, tregimtari Mitrush Kuteli, Asdreni, etj., thuajse një letërsi e tërë shqiptare u shkrua dhe botua në Rumani.[23]

Për përkthyesin rumun Marius Dobresku, Shqipëria përbën kulturën evropiane që për një kohë ishte e udhëhequr nga një sistem politik pak i dallueshëm nga diktaturat aziatike, megjithatë ky vend që ofroi letërsi pas së cilës do të dashurohesh. Pjesë e kësaj krijimtarie vlerësohet vepra e shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, që për Emineskun është shkrimtari përfaqësues i letërsisë shqipe dhe ambasadori më i mirë i Shqipërisë në botë.[24] Njësoj, Kadare vlerësohet si personaliteti më i spikatur që përfaqëson kulturën letrare shqipe në Greqi[25], ndërsa përkthyesi holandez Raoul Schuyt, tregon se motiv i fortë për te për mësimin e gjuhës shqipe ishte pikërisht magjepsja që përjetoi nga veprat e Kadaresë. Ndryshe, përkthyesi Joachim Lanksch, vlerëson se Kadareja ka merita, por sipas tij shqiptarët kanë jo vetëm një autor por një letërsi të tërë[26]. I pasionuar me veprën e Kadaresë, Dobresku kujton Rumaninë si vendin që pas Shqipërisë dhe Francës, zë vend të veçantë për publikimin e veprës kadareiane, duke përkthyer thuajse 30 vepra nga e gjithë krijimtarina e tij letrare, me fillim nga libri „Kronikë në gur” (1983) dhe deri te krijimet e fundit. E njëjta gjë nuk ndodh me letërsinë e Kosovës. Autorët shqiptarë të Kosovës sipas Dobresku-t thuajse janë të panjohur. Thuajse në të njëjtën shkallë e kemi përfaqësimin e letërsisë së Kosovës në Greqi, duke përjashtuar dy nga poetët emblematik, Azem Shkrelin dhe Ali Podrimjën, për të cilët mund të themi se nuk i kanë shpëtuar nga lista e përzgjedhjes asnjë përkthyesi që ka shqyrtuar për përkthim vepra nga letërsia e Kosovës[27].
Kujtojmë se për poetin Podrimja, nuk ishte e rëndësishme cilës shkollë letrare i përket vepra e tij, sa ishte e rëndësishme që krijimtaria letrare të zhvillohet nga madhështia shpirtërore e njeriut.[28] Ali Podrimja, del të jetë poeti ynë i njohur dhe vlerësuar brenda dhe përtej kufijvve shqiptar për mendimet e strukturuara të kombinuara me përvojën e jetës së rëndë që ndjeu nga fëmijëria, të bërë publike përmes teksteve të njohura si personale dhe me tone elegjiake të motivuara poashtu nga përvoja personale, si një autor që shkruan poezinë duke figuruar jetën e vet sipas mënyrës që ai e ndjenë. Podrimja, kujtohet si një poet ëndërrimtar, por edhe këmbëngulës e sfidues që dëshmon se asnjëherë nuk u brengos lidhur me vlerësimin që iu bë poezisë së tij nga kritika letrare, ndonëse sipas tij koha është treguesi më i mirë i vlerave.

Kultura letrare shqipe në Greqi është më e ndriquar përmes veprës së shrimtarëve nga Shqipëria. Sipas përkthyesit Romeo Çollaku, letërsia shqipe nga lexuesi grek njihet kënaqshëm, por jo mjaftueshëm. Çollaku, kujton revisten Nesa Hesitia, si një nga platformat e hershme që në vitet `30 të shekullit të kaluar e cila botonte ese shqipe të përkthyera në gjuhën greke, studime gjuhësore dhe në përgjithësi kulturën letrare, duke përfshirë poezitë e Lasgush Poradecit, shkrimet e Migjenit, tregimet e Ernest Koliqit dhe krijime tjera letrare. Pastaj, për më shumë se tri dekada sikur u pezulluan marrëdhëniet ndërkulturore greko-shqiptare, deri në vitet `80 kur libri shqip kthehet në vitrinat e librarive greke përmes veprës letrare të shkrimtarëve: Dritëro Agolli, Mimoza Ahmeti, Ben Blushi, Virion Graçi, Fatos Kongoli, Koço Kosta, Besnik Mustafaj, Rexhep Qosja dhe më i përkthyeri Ismal Kadare[29].

Komunikimet ndërkulturore në kontekstin gjuhësor dhe letrar i ndihmon edhe muzika dhe tekstet e këngëve shqipe. Kthehemi përsëri te përkthyesi holandez i letërsisë shqipe Raoul Schuyt, derisa ai kujton se fillimisht kultura shqiptare e tërhoqi përmes këngës së dy doajeneve të muzikës, Nexhmije Pagarusha nga Kosova dhe Tefta Tashko Koço nga Shqipëria dhe më vonë muzika dhe tekstet urbane, tek të cilat gjenë ngjajshmëri me ato franceze, italiane dhe ruse si dhe me kulturën muzikore të vendeve ballkanike si Rumania, Bullgaria dhe Greqia. Rrjedhimisht, komunikimi letrar në kontekstin kulturor krijon ndërlidhje të reja me elementet kulturore nga muzika, arti, por edhe ato historike. Një relacion i përafërt kulturor i ndikuar nga muzika krijohet edhe për përkthyesin suedez Ulmar Qwick, vetëm se në këtë rast muzika shkodrane ishte motivi fillestar që përkthyesi Qwick e nisi drejt shqipes. Muzika e Shqipërisë veriore, i krijoi emocione dhe ndjenjën e dhembshurisë për një popull të vogël, ndaj të cilit u bën padrejtësi nga politikëbërësit ndërkombëtar, të cilët, sipas tij rrallëherë marrin parasysh interesat e popujve të vegjël dhe të keqtrajtuar nëpër shekuj.[30]
Derisa teksti letrar krijon mundësi të komunikimit figurativ nëpërmjet një numri jo të vogël figurash stilistike, përkthyesi dhe albanologu suedez Ulmar Qwick, përzgjedh për të përkthyer poezinë me gjuhë të pasur stilistike dhe ritmike, për faktin se teksti figurativ sfidon procesin e përkthimit, por edhe gjatë leximit të krijon një ndjesi tjetër nga stili i shkrimit të drejtpërdrejt, që do të thotë se Qwick, vlerëson rolin e rëndësishëm të figurës në poezi. Poezia e shkruar me gjuhë figurative sikur edhe ajo që shkruhet me gjuhë të zakonshme gjeneron kuptime të figurshme që të zakonshmes i japin kuptim të jashtëzakonshëm nën dritën e reflektuar nga shpirti, bota e poetit[31], prandaj, për ta kuptuar poezinë është i pamjaftueshëm leximi i parë, apo rileximi, ndonëse poezitë e ndërtuara nëpërmjet figurave është e domosdoshme të lexohen disa herë fillimisht për t`u kuptuar dhe më pas për t’iu nënshtruar procesit të përkthimit, ku është me rëndësi transmetimi i mesazhit, por edhe ruajtja e vlerave stillistike.

d.      Përfundim

Vepra letrare shqipe e përkthyer dhe publikuar në gjuhët e vendeve ballkanike dhe evropiane, jo vetëm që është vlerësim dhe promovim për letërsinë, por mund të konsiderohet edhe si dëshmi e njohjes dhe pranimit të saj nga popuj dhe kultura të ndryshme të Evropës. Përkitazi, fati i mirë i njohjes së letërsisë shqipe nga lexuesi joshqiptar buron përveç tjerash nga institucionet akademike dhe universitare ku mësohet gjuha dhe letërsia shqipe.
Në kuadër të zhvillimit të programeve studimore, profesorë universitar/albanologë të njohur, në vazhdimësi kanë kontribuaar për njohjen e shqipes nga audienca e caktuar ballkanike dhe evropiane. Njohja dhe komunikimi me gjuhën shqipe është realizuar përmes përkthimeve, publikimeve të veprës letrare, organizimit të konferencave dhe tryezave ku janë prezantuar dhe diskutohen drejtpërsëdrejti apo tërthorazi studime për gjuhën dhe letërsië, shqipe.
Nëse flasim për rëndësinë e studimeve për gjuhën dhe letërsinë shqipe në kontekstin ballkanik, mund të thuhet se ato janë tërheqëse edhe për faktin se në këtë pjesë të Evropës gjuha shqipe dhe shqipëtarët si popull bashkëjetojnë dhe ndërveprojnë edhe me popuj tjerë me rrënjë të hershme historike. Fillimet e studimeve shkencore, të përqëndruara në diversitetin historik dhe kulturor të popujve të Ballkanit konsiderohet të jenë të fillimit të shek. XX, bazuar në ligjëratat e gjeografit dhe etnologut serb Jovan Cvijić. Ligjërata me titullin “Gadishulli Ballkanik, një gjeografi humane” janë pjesë e kursit që Cvijić kishte mbajtuar në Sorbone gjatë viteve 1917 dhe 1918. Që nga atëherë, studimet për Ballkanin në kontekste të ndryshme kanë qenë pjesë e hulumtimeve shkencore. Ndërkaq, nëse kërkojmë studime të kulturave të Ballkanit që i përkasin viteve të fundit të shek. XX, vlenë të veçohen ato të historianes bullgare Maria Todorova, të përfshira në librin “Ballkani imagjinar”, ku sjell rezultatet e hulumtimeve të rrugëtimit ballkanik.[32] Todorova në studimet e saj përveçse hulumtoi ontologjinë e Ballkanit, sfidat politike, kulturore dhe historike që kanë kaluar popujt gjatë bashkëjetesës qindravjeçare, publikoi edhe punime shkencore lidhur me rolin e tjetrit brenda regjionit të Ballkanit. Në këtë kontekst studimet e saja i shohim të rëndësishme meqë ndihmojnë për njohjen e ndikimeve të ndërsjellta letrare në mes të popujve të Ballkanit. Në studimet që orientohen drejt ndikimit të tjetrit në krijimet e përgjithshme letrare duhet të vështrohet dhe studiohet edhe zhvillimi i letërsisë shqipe brenda kontekstit ballkanik. Në rrafshin gjuhësor, kemi studime specifike të strukturës, sistemit dhe elementeve gjuhësore të shqipes në raport me gjuhët tjera. Ndërsa, në rrafshin letrar, nga studimet pak më të njohura janë përqëndruar më shumë në letërsinë popullore, konkretisht në këngët dhe legjenda që konsiderohet se kanë origjinë të përbashkët ballkanike.
Studimet kulturore ballkanike janë tërheqëse edhe për faktin se kanë rol mbështetës për studimin e disiplinave tjera shoqërore, meqë përmes studimeve të kësaj fushe disiplinat kanë mundësi të gjenerojnë të dhëna që shërbejnë për zhvillime të mëtutjeshme.[33] Përveç në kontekstin gjuhësor dhe letrar, studimet e kulturës ballkanike janë të rëndësishme edhe në rrafshin politik dhe në atë historik me qëllim të njohjes së rrënjëve dhe diversitetit kulturor të popujve që jetojnë në këtë pjesë të Evropës. Në diversitetin kulturor të Ballkanit, gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare duhet trajtuar në nivel të barabartë me gjuhën dhe letërsitë e vendeve tjera të rajonit.

BIBLIOGRAFIA:
VEPRA, STDUIME:
1. SHKRELI, Azem. Lirikë në shi, Rilindja, Prishtinë 2006.
2. ISMAILI, Rexhep. Studime për historinë e shqipes në kontekst ballkanik, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2015.
3. MEHMETI, Din. Vepra letrare 3, Drenusha, Prishtinë, 2009.
4. KRASNIQI, Nysret. Letërsia e Kosovës 1953-2000, 99 AIKD, Prishtinë, 2016.
5. RRAHMANI, Zejnullah. Leximi dhe shkrimi, Faik Konica, Prishtinë, 2003.
6. Gilles De Rapper, Pierre Sintès. Të emërtosh dhe të klasifikosh në Ballkan. Gilles de Rapper; Pierre Sintès. France. Fjala Publishing, 2015.
7. HRISTOVA BEJLERI, Rusana. Mësimi i Gjuhës Shqipe në Bullgari - Historia, Metodika, Perspektiva, http://www.albanian.dir.bg/studii/ezik/st-ez-01-alb.htm.
8. Justin O'connor. “We Need to Talk about Cultural Studies”, Cultural Studies Review; Carleton Vol. 18, Iss. 2, (Sep 2012): 330-340.

INTERVISTA TË PUBLIKUARA :
9. A. Goldwyn; R. Hoxha. "Finally, Ali Podrimja Spoke" A Conversation, publikuar në World Literature Today, May/Jun 2012, Vol.86.
10. Gazeta Shqip. Mësimi i shqipes në Beograrad, drejt përvjetorit të 90, http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/08/03/mesimi-shqipes-ne-beograd-drejt-pervjetorit-te-90/ 3 gusht 2014.
11. HASANI-PLLANA, Mimoza. Italia një nga qendrat më të mëdha evropiane që mbështeti studimin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, https://www.kultplus.com, 25 shkurt, 2019.
12. HASANI-PLLANA, Mimoza. „Studimet ballkanike, albanologjike dhe përkthimi i letërsisë shqipe në Gjermani”,https://www.kultplus.com ,11 mars 2019.
13. HASANI-PLLANA, Mimoza.Lidhjet e pashkëputura letrare shqiptaro-rumune”, https://www.gazetaexpress.com/ 24 tetor 2018.

INTERVISTA PËR HULUMTIMIN:
14. Intervistë me albanologun rus, Alexandër Novik, shkurt 2019
15. Intervistë me lingiusten polake, Irena Natalia Sawicka, shkurt 2019
16. Intervistë me përkthyesin rumun, Marius Dobresku, shkurt, 2019.
17. Intervistë me albanologun çek, Přemysl Vinš, Janar 2019
18. Intervistë me përkthyesin e letërisë shqipe në gjuhën greke, Romeo Collaku, janar 2019.
19. Intervistë me përkthyesin dhe albanologun suedez, Ulmar Qwick, janar 2019.




[1] Rexhep Ismaili, Studime për historinë e shqipes në kontekst ballkanik, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2015, f. 8
[2] Gazeta Shqip, Mësimi i shqipes në Beograd, drejt përvjetorit të 90, 3 gusht 2014, shih: http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/08/03/mesimi-shqipes-ne-beograd-drejt-pervjetorit-te-90/
[3] Intervistë me profesorin dhe albanologun arbëresh, Elio Miraco, https://www.kultplus.com, 25 shkurt 2019.
[4] Po aty
[5] Po aty
[6] Intervistë me albanologun rus, Alexandër Novik, shkurt 2019
[7] Intervistë me përkthyesin dhe albanologun gjerman, Hans Joachim Lanksch, https://www.kultplus.com, 11 mars 2019.
[8] Intervistë me përkthyesin dhe albanologun gjerman, Hans Joachim Lanksch, https://www.kultplus.com, 11 mars 2019.
[9] Po aty
[10] Rusana Hristova-Bejleri, Mësimi i Gjuhës Shqipe në Bullgari - Historia, Metodika, Perspektiva, ,http://www.albanian.dir.bg/studii/ezik/st-ez-01-alb.htm
[11] Intervistë me lingiusten polake, Irena Natalia Sawicka, shkurt 2019
[12] Intervistë me albanologun çek, Přemysl Vinš, Janar 2019
[13] Intervistë me përkthyesin gjerman, Hans Joachim Lanksch, https://www.kultplus.com, 11 mars 2019.
[14] Intervistë me përkthyesin holandez të letërsisë shqipe, Raoul Schyt, Shkurt 2019.
[15] Po aty.
[16] Azem Shkreli, Lirikë në shi, Rilindja, Prishtinë 2006, f. 193
[17] A. Goldwyn; R. Hoxha, "Finally, Ali Podrimja Spoke" A Conversation, publikuar në World Literature Today, May/Jun 2012, Vol.86 (3)
[18] Din Mehmeti, “Vepra letrare 3”, Drenusha, Prishtinë, 2009
[19] Nyret Krasniqi, Letërsia e Kosovës 1953-2000, 99 AIKD, Prishtinë, 2016, f. 446
[20] Nyret Krasniqi, Letërsia e Kosovës 1953-2000, 99 AIKD, Prishtinë, 2016, f. 27
[21] Po aty
[22] Ardian-Christian Kuciuk, Un alfabet al poeziei Albaneze / Një alfabet i poezisë shqipe, Sh. B. Privirea, Bukuresht, 2003.
[23] Intervistë me shkrimtarin, përkthyesin, bashkëthemeluesin e Revistës Europiane Haemus, Ardian Kyçyku, Gazeta Express, Prishtinë, 24 tetor 2018
[24] Intervistë me përkthyesin rumun, Marius Dobresku, shkurt, 2019
[25] Intervistë me përkthyesin e e letërisë shqipe në gjuhën greke, Romeo Collaku, janar 2019
[26] Intervistë me përkthyesin gjerman, Hans Joachim Lanksch, janar 2019.
[27] Intervistë me përkthyesin e letërisë shqipe në gjuhën greke, Romeo Collaku, janar 2019
[28] GOLDWYN, Adam, J. - HOXHA, Rineta: “Finally, Ali Podrimja Spoke”, intervistë e publikuar: World Literature Today, May/Jun 2012, Vol.86 (3). 200 Ali Podrimja, Vepra V, Akademia e Shkencave dhe e Areteve e Kosovës, 2013, f. 99
[29] Intervistë me përkthyesin e letërsisë shqipe në gjuhën greke, Romeo Collaku, shkurt 2019
[30] Intervistë me përkthyesin dhe albanologun suedez, Ulmar Qwick, janar 2019
[31] Zejnullah Rrahmani, Leximi dhe shkrimi, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f.199
[32] Gilles De Rapper, Pierre Sintès, Të emërtosh dhe të klasifikosh në Ballkan, Gilles de Rapper; Pierre Sintès, France. Fjala Publishing, 2015. Fq.10-11, https://halshs.archives-ouvertes.fr/halshs-01451160/document
[33]Justin O'connor, “We Need to Talk about Cultural Studies”, Cultural Studies Review; Carleton Vol. 18, Iss. 2, (Sep 2012): 330-340;