Abstrakt
Brenda këtij punimi është trajtuar poezia e
Beqir Musliu, kryesisht ajo e viteve 60-70-ta, duke marrë për bazë poezinë me
komunikim të ulët me prirje hermetike. Shohim se Musliu që në veprën Rima të shqetësueme u dëshmua për
mjeshtërinë poetike. Tema e tij esencialisht kombëtare vjen me vargun që sjell
rrjedhat e kohës, mbushur me elemente mitike e të oralitetit, për të shprehur
shqetësimet e subjektit të tij lirik. Me larushinë figurtive e te formave
poetike, e me nuanca intertekstuale (me poezitë e Bodlerit e të Uitmanit, por
edhe të Shkrelit), shohim se ai dhe brezi i tij veç e kishin përqafuar poezinë
moderne hermetike.
Lulëkuqet e gjakut, autori ia dedikon njeriut dhe lirisë së
tij, për vazhduar me abstraksionin poetik e simbolikën alla bodleriane ku e
mbërthen shqetësimi për fushat e Kosovës, lirinë e saj. Metafora Bukuria e zezë na e tregon nivelin e
figurës së tij, tek e metaforizon bukurinë dhe hedh vallen baladave dhe
legjendave tona të lashta (Vorret e kryshqëve, Gjergj Elez Alinë, Motrën me
nandë vëllazën, si dhe Përrallën e përhimtë ose Baladën për shtatë ditë e shatë
netë) për vendin e tij, njësoj tutje te Sezamet vazhdon me temën e madhe
kombëtare, tek i kthehet historisë dhe mitologjinë, plot fantazira (Ciklet me
tituj: Shtegëtimet e Zef serembes,
Albanopoli, Nga poema që duhet ta këndojë populli, Rozafa, Fyelli apo diç mbi
anatominë e fjalëve dhe Trendafilet e drynjta), në kërkim të lashtësisë dhe
të vërtetës tonë historike.
Me ritmin e tij artistik ecë rend me veprat
tjera: Parabolla, Darka e magjisë
duke shpërfaqur preokupimin për fatin e vendit tonë, hjekat, dhembjen, vdekjen,
zinë, tradhëtinë, mashtrimet dhe pësimet që i pati nëpër kohë, por edhe i mban
zgjuar shpresat për forcën e rimëkëmbjes dhe ringjalljes etnike-nacionale.
Fjalët kyçe: Komunikim i ulët, hermetikë, figurë,
simbolikë, paradoksale, abstarksion
Abstract
Within this paper Beqir Musliu’s poetry
was analyzed, mainly in the 60's and 70's, based on low communication,
hermetic-based poetry. We find that Musliu, who in his “Rima te shqetesueme”
his poetical work was proved, his essentially national theme comes with the
verse that brings the flow of time, filled with mythical elements of orality,
to express the concerns of his lyrical subject. With figurative and poetic
shapes, and with intertextual nuances (Bodler's and Uitman's poems, but also of
Shkreli as well), we see that he and his generation had already embraced modern
hermetic poetry.
Lulëkuqet e gjakut, the author dedicates to man and his
freedom, to continue with the abstraction of poetics and symbology of the
bodlerian, where the concern for the areas of Kosovo, its freedom, is gripped.
Metaphor Bukuria e zezë tells us the
level of his figure, metaphorizes beauty and casts dance to our ancient ballads
and legends (Vorret e kryshqëve, Gjergj
Elez Alinë, Motrën me nandë vëllazën, si dhe Përrallën e përhimtë ose Baladën
për shtatë ditë e shtatë netë) ,for his country, same at the Sazamet he continues with the great
national theme, back to history and mythology, full of fantasies (Cycles with
titles: (Shtegëtimet e Zef serembes,
Albanopoli, From the poem that the people should sing, Rozafa , Fyelli or
something on the anatomy of words and Trendafilet e drynjta), in search of
our ancient and historical truth.
With his artistic rhythm, he walks with
other works: Parabolla, Darka e magjisë,
exposing the preoccupation of our country's destiny, the deception, the pain,
the death, the mourning, the treachery, the scams and the sufferings that he
had through time, but also keeps hopes on the strength of the ethnic-national
revival and resurrection
Key words: Low communication, hermetic, figure,
symbolic, paradoxical, abstraction
Hyrje
Kritika letrare shqipe, si në Kosovë ashtu
edhe në Shqipëri, Beqir Musliun e konsideron si prijës të brezit të letërsisë
hermetike në Kosovë. Poezia e tij futet në taborrin hermetik, për të qenë
lirikë e artikuluar me mjeshtri e delikatesë dhe në funksion esencialisht
kombëtar dhe socio-kulturor. Studiuesi Leka Ndoja në vështrimin e tij mbi
hermetizmin thotë: „Nëse do të përdorim termin tërësisht hermetik, tekstet e
Beqir Musliu aktualizohen në format kultike të intonimit të poezisë. Toni i
poezisë së tij është tërësisht i zymtë, ashtu si edhe libri i tij i parë
hermetik (bëhet fjalë për përmbledhjen Rima
të shqetsueme). Vështirë të depërtojë një rreze drite në poezinë e Musliut,
ky pra është një nga elementët stilistik përbërës të hermetizmit sidomos me
vargun e përpunuar deri në stërhollim, pavarësisht se kuptimi përveç ciklit
bizantin, mbetet për t`u interpretuar nga lexuesi implicit apo lexuesi model
sipas Umberto Ekos...”[1]
Filozofia e artit të tij, me diskursin
personal, historik, oral e mistik, metaforik e simbolik, shoqëruar me larushi
figurative, na shtyn në botën magjike të artit modern, të krahasueshëm me atë
evropian/bodlerian.
Duke qenë se një nivel të theksuar hermetizmi
e gjejmë te veprat Rima të shqetësueme
dhe Lulëkuqet e gjakut, le t`i shohim
në tërësi e tyre, duke i interpretuar aq sa mundemi vargjet e poezive më
reprezentative. Edhe Ibrahim Rugova e vë theksin te këto dy vepra tek flet për
hermetizmin lirik në poezinë tonë. Ai konsideron se një shkallë më të lartë të
hermetizmit e vërejmë te B. Musliut, kryesisht te veprat: librat e tij të parë Rima të shqetësueme (1965) dhe Lulëkuqet e gjakut (1966), në të cilat
studiuesi vlerëson se zhvillohet edhe një meditacion për situatën e mbyllur,
hermetike të subjektit poetik. Rugova gjithashtu mendon se ky hermetizëm është
edhe elementi esencial në formimin e subjektit poetik të poezisë sonë, në nivel
më të lartë e më të thellë në planin poetik, pas poezisë briliante që na e
solli Lasgush Poradeci.”[2]
1.1. Rima të shqetësueme
Në veprën Rima
të shqetësueme që nga titulli metaforik shihet se vargjet shprehin
shqetësimet e autorit dhe artikulohen me një frymë dhe formë ndryshe, duke
sjell një gërshetim të diskursit personal me atë oral e mistik. Vargjet e
forta, ashtu siç i ka veshur ato me vellon orale e mistike, u ka dhënë atyre
madhështinë, magjinë e shprehjes së fuqishme poetike.
Vepra për
nga struktura është e përbënë nga katë nëncikle poezish (Festat e vogla të jetës, Bylbylat, Piramidet e qetësisë dhe Zamaret e gjakut). Cikli i parë nisë me
poezinë Ngjyrat e fjalës, të cilat
tregojnë se ka larushi formash poetike brenda veprës dhe rimat e shqetësuar,
përveç që tregojnë se autori jo vetëm që s`ua vë veshin rimave, d.m.th.
kryesisht e lë të lirë vargun, ka në vazhdimësi tronditje shqetësimi për gjërat
që do t`i hedh në letër, për t`u dhënë shpirt nga gjaku i tij, nga brendia e
subjektit të tij poetik.
Vargjet sjellin nuanca intertekstuale me poezitë e
Bodlerit e të Uitmanit, që tashmë veç ishin bërë model i parapëlqyer i shkrimit
edhe për poetët tanë, prandaj edhe kemi një varg simbolesh të ngjashme si bari,
lulja, dielli që dominojnë mbi simbolet dhe figurat tjera. Duke qenë i
përcaktuar për poezinë që i këndon jetës me larushitë e saj si dhe vdekjes si
imencë njerëzore ai ka vetëdije artistike dhe ndjeshmëri ndaj formave të saj,
gjithnjë në kërkim të vlerës dhe jetëgjatësisë së saj:
”Nuk kemi me
i quejtë të marrë njerëzit-
Pse nuk kanë
me dijtë me i dashunue pëllumbat
Nuk kemi me
u shikue- si në pasqyrë.
Me hijet e
vetevetes së kërrusun.
...
Nuk kemi me
qenë vrasësit e kohës
Në kullat e
mbyllura të gjakut
Nuk kemi me
këndue vetëm për lindje
Meqë vdekjen
e mbajmë mbi kurriz.
Në gishtat
tanë secili ndien
Të prekunit
e butë të diellit-
Dhe sa çudi:
na blerohen gishtat si bari.”
(Ngjyrat e fjalës)[3]
Autori figurativisht nuk don të bie në gjak me
kohën, por do ta shfrytëzojë atë siç don ai për t`i kënduar jetës dhe vdekjes,
si dhe për t`i dhënë blerim, ngjyrë fjalës së tij, poezisë së tij. Nga
elementet kanunore ai nxjerr kuptimin e ri figurativ dhe mesazhin e ri don ta
çojë tutje vargjeve që për misionin kanë artin e vërtetë poetik përgjatë
artikulimit të situatave jetësore. Prandaj në këtë vijë janë edhe vargjet mjaft
simbolike të poezisë Përshpëritjet:
”sa herë
trenohet lumi nga shiu, e i merr fushat
Me vehte tue
i bajtë sendet e vërshueme-
Unë gjatë,
gjatë shtrihem buzës së tij dhe e pres kangën time;
...
Atëbotë, mu
në cakun e lodhjes sime e të gjymtyrëve
Lindin si
rruzarë vargjet në rima të shqetësueme,
Si pikat e
imta të ujit në tenxhere-mbas avullimit
Dhe si lule
kërkojnë me u rritë në msheftësitë e gjakut tim.”[4]
Kështu e gjithë përmbledhja ka përkushtimin ndaj
vargut edhe kur thotë: „Sa larg asht rruga me mbërri deri te ajo lule e
paçelun!” (poezia Dita)[5]
por edhe kur u këndon njerëzve të bukës që dashuri i kanë verën, diellin, korrikun dhe
shinat, por edhe kur i thur vargje bylbylit, i cili është vetja e tij dhe
kënga-poezia e tij:
”derisa
andrroj ujin nën kambët e mija- në gji
Nisë rritën
kanga, përshëndetje flakrume t`shokut;
E kur dielli
në maje të gjuhës sime të zenë me u shkri,
Unë atëherë
kam me i frye në zamaret e vet-gjakut!”[6]
Pastaj autori ka edhe ndjenjën e venerimit se edhe
të tjerët po i bashkohen atij në udhëtimin e ri, në risinë që sjell poezia e
tij e lirizmit hermetik:
”QE-dikush
prej nesh po e grish pranveren e zogjt
Dhe ngadal
po i bashkohet
Kangës sime
e t`shiut...”[7]
E kënga i bëhet e rëndë (Kanga e randë)[8]
kur ajo përkundet në djepin e stuhisë,
ku gjethi thyhet pa mëshirë në krahnor
apo kur duhet të derdh ca lotë, kur dikush ka vdekë
dhe lulet
vyshkuna u kanë mbetë në dorë (Mësheftësitë
e vjeshtes)[9], metafora Djepi i
stuhisë, kush mund të jetë tjetër veç koha e stuhisë që populli ynëpo e
vuante dhe njërëzit tanë thyheshin pa mëshirë nga sistemi jugosllav, prandaj
bart vuajtjen e dhembjen e madhe për njerëzit e vendit të tij:
”Me
arkivolet e mia të dashunve mbi kurriz:
Me i varrosë
zbrazësinat n`rrath t`arës, në rrajët e bimëve-
Që andrrojnë
të mrekullueshme diellin
...
Se erdhi
çasti me na përzanë gjaku, si t`huej prej lëkurës,
Të çmendun
me e vorrosë lutjen e mbramë të gjethit.
...
Në nëntokën
e thellë e të qetë që kurr s`ka me dijtë
Për brenga e
ndjesë, për dhimbje e ngushëllime.”[10]
Me diskurs thuajse të njëjtë Beqir Musliu vazhdon
edhe me veprën tjetër Lulëkuqet e gjakut,
për të cilën Nysret Krasniqi, thotë se: ”ky autor në botën e tij poetike
integron komunikimin e brendshëm me kulturën e përbotshme , me leximet e tij,
kryesisht duke ”luajtur” me simbolikën e Khajamit, i cili i shërben autorit
tonë për të përvijuar në trajta të ndryshme gjendjen e tij poetike... Madje kjo
përmbledhje niset me triptikun sonetik që për simbol ka Khajamin. Por nëse
rubairat e poetit persian ndërtohen në katrena, Musliu shkruan sonetin, nëse
Khajami niset me kërkesën e shpirtit për qejfe, Musliu pi gotën për të shëtitur
në botën e mendimeve.”[11]
Le ta shohim në vijim edhe këtë vepër reprezentative për temën e trajtuar dhe
nivelin e komunikimit.
1.2. Lulëkuqet e gjakut
Vepra përbëhet nga gjashtë cikle poezish: Ndërgjegja dhe kanga, Engjujt e zezë të
Deçanit, Njerëzit, udhëtarët e bukurisë, Dashinija dhe reflekset, Elegjitë
egjanave të thjeshta, Tri netë në Metohi
Cikli i parë ka relacion ndërtekstual me rubairat e
Khajamit, edhe ashtu e konfirmon me poezinë (Triptokon për Khajamin dhe Trashëgim
Khajamian). Siç e theksuam edhe më lart, te Triptikon për Khajamin, vargjet transmetojnë emocion tek autori don
të dehet për të shëtitur nëpër mendimet e veta, për të fshi çdo brengë e për të
ndërtuar rrugën me butësi deri sa ta kuptojë e zbulojë jetën që e rrethon:
”SHPIRTIN e
kam pi një natë n`heshtje vetëm me nji gotë,
Dhe n`ato
ngërça t`idhtë kam ndie se si dikush më ka thirrë:
Unë
shetitësi i mendimeve t`botës m`u mbyllë në `i
Rubairë-
Dhe me
dollitë e gjakut me fshi si Khajami çdo brengë e
lotë!”[12]
Poezia e tij i dedikohet njeriut, ecjes së tij,
lirisë së tij, përmballjes së jetës me vdekjen, kërkimeve në vazhdimësi për të
gjalër e të vdekurit, veçanërisht tani kur ai kërkon famën e tij prej poeti: „Se
- famën dhe fatin e jetës e kanë mallkue për poetë / .../ Edhe pse e dij se,
asgja e pambërrime s`ka m`i mbetë breznisë!”[13]
Më tej në ciklin e dytë, shpreh simbolikisht botën
e brendshme të tij, lidhjen me bukurinë e Deçanit dhe gatishmërinë e tij prej
poeti për të luajtur me fjalë figura që t`i nxjerr jashtë banorët e heshtjeve
dhe djajtë për t`i futur në ferr si Danteja, apo për t`i gozhduar si
Prometheun, deri sa ta thur këngën dhe të vdes i thejshtë dhe madhështor si
Ciceroni, ose të gjithë „me ju vorrue sonte në vargun tim / që u shndërrue në
një përmendore të gjakut e të dashunisë.”[14] Shihet se autori dijen e
tij të gjerë mbi figurat e përbotshme e derdh në varg, duke i dhënë atij shijen
dhe ngyrimin individual dhe universal.
Te cikli i tretë, Njerëzit, udhëtarët e bukurisë, ai ecën nëpër preokupimet
njerëzore, kontrastet e jetës dhe ciklin e jetës, ku njerëzit vijnë e shkojnë
nëpër botën me të murat e këqaijat e saj (dritë
dhe terr):
“Përditë
vijnë njerëzit: Të panjoftun dhe të largët,
Udhëtojnë
nëpër dritë dhe terr. Kah jeta.
Kah
dashunija dhe mënija. Kah gishtat dhe gjymtyrët.
Kah njerzit.
Na dalim me i pritë atat që s`janë mes nesh...”[15]
Këtu simbolika e vargjeve reflekton errësirën dhe
vdekjen që dominon nëpër kohë. Autori don të merret me çështjet themelore të
njeriut, individit dhe artin dëshiron ta vë në funksion të ndjenjës njerëzore,
unit dhe subjektit poetik. Kështu në këtë sens shkrimi simbolik, vijnë edhe
ciklet e radhës Dashunija dhe reflekset,
Elegjitë e gjanave të thjeshta dhe Tri netë në Metohi, ndonëse brenda tyre
ka ndonjë përvijim të elementeve ideologjike të kohës, sado që autori pretendon
funksionin artistik të letërsisë larg atij ideologjik.
Te Dashunija
dhe reflekset, poeti luan me figurat poetike të florës dhe faunës. Janë ato
gjërat e thjeshta që i bën simbole në vargun e tij dhe jo rastësisht thotë:
”E tani kur
piva si shum tjerë n`gota t`Natyrës-
Ajo ma
dhuroi fuqinë t`pakrahasueshme me fjalën e luanin,
Të
pamposhtun as prej Orfeut të çmendun-
E duerve
t`shkathta t`Gladiatorëve n`arena...”[16]
Dhe po ashtu me varg simbolesh thur poezitë e
ciklit Tri net në Metohi, me dedikim
për natyrën e bukur të Dukagjinit dhe me një kaptinë të veçantë do të flasim
për rrethanat e kohës dhe për intencës që poezia e këtij autori (poezia shqipe
e brezit të tij) të tejkalojë kufijtë e Kosovës, së paku të lexohet nga popujt
tjerë të bashkësisë jugosllave, duke qenë e mbrojtuar nga kthetrat e sistemit/regjimit
të kohës.
1.3. Bukuria e zezë (1968)
Kjo vepër poetike, tashmë nxjerr në pah qasjen e
abstraksionit poetik, e simbolikës alla bodleriane dhe paradoksale, e cila
shpreh përjetimet autoriale, personale nëpërmjet relacioneve artistike me
oralitetin, për të transmetuar dhembjen individuale e kolektive për çështjet
nacionale, frikën e harrimit të së kaluarës historike.
Vepra është e organizuar në dy kaptina, e para Bukuria e zezë dhe e dytaBalada dhe legjenda, ku secila pjesë i
ka nga tri cikle poezish dhe secili cikël nis me një thënie poetike relevante
për kontekstin e ciklit.
E gjithë vepra nis me thënien: ”Çdo bukuri e ka të
zezën e vet”[17]
që jep për të kuptuar se lexuesi do të përballet me konstruktet antitetike e paradoksale
që lidhen me jetën, perjetimet nëpër kohë. Pastaj pjesa e parë Bukuria e zezë, nis me vargjet
paralajmëruese Loja me kohën në fushën e
lulkuqeve ose fyelli i humbur, të cilat sikur paralajmërojnë shqetësimin e
autorit për fushat e Kosovës, lirinë e saj. Autori nis udhëtimin poetik duke
metamorfizuar bukurinë, duke e kthyer atë në shëmti, te pjesa e parë dhe duke
riartikuluar format e diskursit popullor, legjendat e baladat në funksion të
kujtesës dhe kthimit në identitetin e vjetër kulturor, te pjesa e dytë Balada dhe legjenda, e cila i jep veprës
formë metatekstuale.
Me metaforat e forta e simbolet e ndërtuara në
mënyrë origjinale, kontekstuale brenda filozofisë së tij poetike ai i hapë
rrugë poezisë hermetike në Kosovë. Shih për qasjen e re poetike, studiuesi ynë
i njohur Ibrahim Rugova thotë se deri në shfaqjen e poezisë së këtij poeti te
ne dominonte elementi i hipotrofisë lirike dhe i figuravitetit të
drejtpërdrejtë dhe Musliu është ai që shpërfaqë abstraksionin brenda ligjërimit
poetik[18]
Kështu ky ligjërim poetik vjen me larushi figurash, fjalësh (siç i quan vetë Ngjyra të fjalës ), me metafora
paradoksale të tipit: Bukuria e zezë, Bukuria e shëmtueme, Engjujt e zezë dhe
abstraksione poetike të tipit: „Vepër e zbrazët”, ”Hini e ndriçimi”, ”Përmbajta
e hinit”, ”Kuptimi i hinit”, etj., autori na shtyn në valë tjera konceptuale e
teorike, për të menduar nëse u përmbysën teoritë estetike, ngaqë e ndryshon
konceptin mbi të bukurën klasike, tradicionale, klasike. Kur jemi te bukuria,
tashmë atë e shohim të zezë, të shëmtuar (si antipod) që i bie krejtësisht
paradoksale në artikulimin e tij metaforik, estetik. Kjo pra na është metafora
konceptuale që mjeshtrisht i jep formë autori ynë, mjeshtër i figurës poetike.
Kjo figurë dhe ky abstraksion e fuqizon idenë e vargjeve të tij madhështore.
Autori në vazhdimësi shpreh kërkesën për ruajtjen e
kujtesës kolektive për historinë, për vendin e sakrificave. Fusha është vetë
Kosova, lulëkuqet bartin simbolikën e gjakut të derdhur dhe hini në këtë rast është
gjurma, shenja e kohës të cilën autori nuk don ta lë në harresë:
”Në kët fushë
pos ngrohtësisë që i pjekë kallijtë
Me qetësinë
e ruejtun në shishe si lulen –
Asht edhe
nji shpatë dhe nji kambë e therun
Që i ruen
kokat e mbetuna si roje n`kufi t`mendimit,
Asht edhe
nji heshtje edhe nji lule
Që na
shtijnë me u përsëritë n`vetvete e kohë
Prandaj ne
duhet me shku deri te ajo Lulkuqe
Jashtë
gjakut me dashunue fytyrëne hinit
Gjakun me
kthye prore në lule, kështu”[19]
Pra, këtu hiri tregon gjurmën, shenjën e mbetur nga
fusha e djegur, të cilën don ta ruajë si kujtesë, dëshmi, të cilës ia shton
edhe përpjekjen e dëshirën për ta kthyer lulëzimin e tokës së përgjakur. Hiri
si simbol, na del në disa kuptime, si dëshmi po edhe si velo e harresës:
„Çdo udhëtim kah ajo Bukuri nuk të kthen-
aty ku një kohë një kohë n`hi e mbuloi!”[20]
pastaj Kanga e Fyelli artikulojnë këndimin për ngjarjet nëpër kohë, kuptimin për hinin, Zanafillin e dashunisë, Pranverën e
zezë, e ku bukuria pëson metamorfozë:
”Mbi Kala
dielli rrin princ, vetëm nga dashunija
Dhe –
vetvetiu shndërrohet në fjalë e n`shëmti!
Bukurija
asht shum ma e bukur kur asht në të zi-
Atbotë i
shpie tana gjanat kah gjaku e ngrohtësia!”[21]
Mbase kjo metamorfozë, apo paradoksalja brenda
konceptit të bukurisë, na shtyn të kuptojmë vlerën e saj tek kur cënohet ajo
nga e zeza. E në gjithë këtë perceptim poetik ai shfrytëzon mite e përralla
botërore (Sizifi, Feniksi, Orfeu) për ta thënë këngën për vendin e tij. Siç e
shohim tutje, ai i rikthen temat e baladave dhe legjendave tona të lashta ato
për Vorret e kryshqëve, Gjergj Elez
Alinë, Motrën me nandë vëllazën, si dhe
Përrallën e përhimtë ose Baladën për shtatë ditë e shatë netë, duke i
riaktualizuar dhe duke u vënë në shërbim të aktualitetit të subjektit të rij
poetik.
1.4. Sezamet (1972)
Edhe kjo vepër përçon frymëm imagjinare të këtij
poeti ku metaforën e vë në funksion të shpalosjes së historisë dhe mitologjisë,
duke u dhënë vargjeve konotacione fantastike. Vepra është e strukturuar në
gjashtë cikle (Shtegëtimet e Zef Serembes,
Albanopoli, Nga poema që duhet ta këndojë populli, Rozafa, Fyelli apo diç mbi
anatominë e fjalëve dhe Trendafilet e drynjta.
Nga cikli në cikël shohim tendencën për të rigjetur
dhe riemëruar gjërat me vlerë për poetin, qoftë mitet dhe lashtësinë, apo edhe vargun
e humbur, siqomos kur pretendon riaktualizimin e Zef Serembes në ciklin e parë
poetik. Tek i dedikohet Serembes te Shtegtimet
e Zef Serembes, studiuesi Nysret Krasniqi, konsideron që në kornizat e
imagjinares ai ndërtoi poetikën e trupit apo Antropoetiken, pasi poezitë e tij
paraqesin shenjime poetike si: sytë, këmbët, duart, veshët, zemra, gjuha e
varri i Serembes që përbëjnë trajektoret fizike e shpërtërore të tij.[22]Kjo
qasje krejtësisht imagjinare arrin artikulimin e shqetësimit për vargjet e
humbura që duhet të rigjenden , mbase përgjat shtegëtimit, tek shkumbohet deti nëpër metafora, me të
cilat zgjohet pluhuri e historia e
legjenda. Kështu tutje pikërisht me hyrjen dhe daljen nga legjenda, kërkon
lashtësinë dhe të vërtetën tonë historike. Ndonëse pretendon daljen nga
legjenda, për t`u marrë me të vërtetën, ai ka vështirësi për ta rigjetur ngase
ka mungesa të mëdha te historia e shkruar., prandaj i duhet t`i kthehet
legjendës si poet shtetgtar në gjurmimet përmes metaforës:
”Legjendat
krijuan apo varrosën gjithaçka q`pate
t`bukur
mbetën
gjurmat dhe na t`flasim n`emër t`të
gjithëve
për
legjendat që mund të jenë ngapak rrenë e
bukuri
n`vend
t`historisë që ka mundur t`shndërrohet
n`kronikë
....
e flasim
n`emër të të gjitha mrekullive e
t`vërtetave
në këngë
që mund të
ngapak t`kënduara ngapak
t`lashta,
Albanopol
që nëpër
stuhitë e tmerrshme t`kohërave del
përsëri
simbol
gjithkund
gjithkah këtu e atje jemi na legjendë
e histori”[23]
Kështu autori vazhdon kërkimin e nacionales, identitetit
dhe atë e shohin nëpër sfida, skena e prapaskena, ku loja e dhunës sjell
vërdallë tragjiken që shihet në skenë, dhe poeti ka brengën edhe për atë që
fshihet prapa skenës, perdes së zezë, siç shohim artikulimin poetik te vargjet
e poezisë Pas perdes, e cila vërtetë
transmeton shqetësimin për siç thotë autori:
“Gjersa
shikojmë n`skenë, a thua çka ndosh pas
perdes së
zezë
mund t`
therret kurbani n`loçkë të zemrës
e
t`pagëzohet trëndafili i kuq n`vazën që thahet
...
e zogu mund
t`bëjë vetëvrasje për hir të artit
n`fytyrë
kështu mund
t`luhet jeta e pajeta tragjikomike
pas perdes”[24]
Këtë shqetësim autori e endë nëpër rrëfime,
kronika, balada e përralla ku sforcohet portretizimi i elementit etnik, i
vuajtjes së tij nëpër kohë, siç shihet te cikli Nga poema që duhet ta këndojë populli, për të vazhduar më tej me
ciklin Rozafa, që trajton lashtësinë,
elementin e flijimit, si simbolikë e sakrificës në shërbim të qëndresës, ku
përveç Guas, Kështjellës, defilojnë edhe kreshnikët, zanat si figurapërcaktuese
të motivit që lidhen me kujtesen mbi trashëgiminë kulturore e historike. Cikli
fillon me vargjet me titullin Kori i
zanave të Bunës, vazhdon me prologun dhe tutje dhjetë pjesët e poemës, e
cila mbaron me epilogun dhe vargjet përmbyllëse Refreni i korit të shqipeve. Vetë titulli i ciklit deri në
përmbyllje tregon temën e madhe nacionale, si dhembje dhe dashur e përhershme e
autorit.
Cikli i radhës Fyelli
apo diç mbi anatominë e fjalëve, na sjell përkushtimin ndaj fjalës, vargut. Për poetin tashmë ka rëndësi kënga e
kënduar mirë, e vlefshme për çdo kohë. Cikli i ka nëntë poezi që flasin për
procesin e krijimit dhe simbolikën e fyellit, ku secila poezi (Këndimi i parë,
Hiri, Shëmtia, Urtësia, Ndriqimi, Falenderim, Tragjikë, Fyelli, Këndimi i
fundit) bart mesazhin për peshën e fjalës e të këngës që thuret për ta trimëruar kohën, për t`ia mësiar
legjendën edhe barit të thatë, për ta sfiduar shëmtinë apo për të goditur
ferrin e zi në këtë botë dhe tragjiken gjithashtu. Thjeshtë ai e don që
kënga e tij të jetojë gjithnjë:
”Nuk ka për
t`njohur më as vera ku je duke
Kaluar
Nëse nuk i
lë, së paku, gishtat e tu n`kohë
....
Gjaku
n`mungesë tënde e t`këngës ka për t`kënduar!”[25]
Te cikli i fundit Trëndafilët e drunjta janë dhjetë poezi të bukura që gjithashtu
lidhet me rrafshin tematik të nacionales, prandaj
lumit i vinte era trëndafil si Kosovë, si bukuri[26].
Vargjet kanë shenja etnike në vazhdimësi por edhe elemente popullore,
simbolikë popullore, përrallore e herë herë edhe fantastike (Arkivoli i tij u shndërrua në lule, Fëmijët
e Tanushës i nxorën sytë e vashave e i lanë, urtësia ishte shndërruar në shpatë
e shpata në popull,[27]etj). Kështu
elementet midis përrallës e legjendës i vë në funksion të artikulimit të idesë
së tundimit për rrisqet e ekzistencës individuale e kolektive, ku njeriu
përbirohet deshi e s`deshi nëpër Kafshën e zezë:
”Në një kohë
t`largët o t`afërt kish jetuar Kafsha
e Zezë
n`botë ajo
Kafshë mu si kujtimi i zi për të
aq e afërt e
largët nëpër kohën tonë e të fjalëve
nëpër
metafora vizatova tëra xhinglat e rruzullimit
...
ajo kafshë e
lashtë ulur është në skaj t` botës
ujërat i
shtjerr e e shpall urinë n`botë
...
Dikur si
n`përrallë n`maje t`gjuhës dolën gjelbërimet
urtësia
foli: zgjoni tëra zoologjitë e anatomitë
shkollore
t`ja
shënojmë emrin në kopertinat e kohës
së harruar.”[28]
1.5. Parabola (1976)
Përmbledhja
e radhës poetike Parabolla, ka një
filozofi të artikulimit figurativ, me elemente imagjinare kah miti e magjia.
Shprehjet simbolike dhe metaforike janë kontekstuale për rrafshin historik,
kulturor të Kosovës, të cilën e quan Kosovë Kullë, Kosovë Kala dhe për ta thënë
hallin e saj ai bën lojën e figurave dhe të diskursit poetik, prandaj na endë
nëpër magjinë e përrallës, legjendave biblike, kurthave të historisë dhe
gjurmët arkeologjike.
Vepra
është e strukturuar në tetë cikle, që fillojnë me vargjet hyrëse nën titullin Fillimi i këndimit ose fundi, vargje
këto të cilat lidhen me shenjat dhe figurat e ciklit të fundit të veprës Sezamet, (Trendafilet e drunjta) Musliu
tregon që vazhdon ligjërimin e tij poetik prej aty ku ka filluar dhe
preokupimet për vendin e tij janë konsistente:
”Po të dal i tërë nga fillimi i
këngëtimit
Do t`këndojmë n`kor mbi atë mrekulli
t`drunjtë
Që ka mundur ta përkryej vetëm një
trëndafile
…
Atëbotë do t`shpërlahem edhe nga dita i
kënduar
Derisa e baj kokën nënsjetull n`këto
këngëtime.”[29]
Mandej
pasojnë me rend ciklet nën titujt: Karta
e magjisë, Hiret e fjetura, Nata e Bartolomeut, Molla e Afërditës, Princesha
Dardana, Parti shahu, Vazhdimi i magjisë, të cilët pëmbyllen me vargjet e
titulluara Fundi i këngëtimit ose
fillimi.
Cikli
i parë Karta e magjisë i ka pesë
poezi (Largësia në grushta, Darka e
magjisë, Shigjetat parahistorike, Beteja e ngurëzuar në ballin tim, Bozhuret e
përhime) të cilat transmetojnë dhembjen për fatin e vendit të tij, të
vendosur në darkat që sollën tradhëti e pasoja. Karta e magjisë është metafora
që bart kuptimin e letrës, vendimit të nxjerrë në situate tradhëtie e mashtrimi
në kurriz të popullit shqiptar. Kështu ai vë theksin te Darka e magjisë, nga e
cila thotë se „Mbeta pa ballë për hire të
tradhëtisë, Mbeta pa ballë deri sa shirat ranë, dhe mbeta pa shpinë duke
bredhur nëpër botë”[30].
Më
tutje cikli Hiret e fjeturavazhdon
shëtitjen figurative të poetit nëpër barin e përhimtë, pasi mungon gjelbërimi,
e fusha i thotë “Mblidhi ato duar” dhe me duar të kryqëzuara i këndon gjakut të
Kosovës. Pastaj hyn në fantazinë se prej gjaku është krijuar zogu që këndon në
largësi apo se mund të bëhemi vitrinë që
endet historia, ku dikush do të trimërohet
me dhimbjen tone t`gjallë apo mund
t`i lamë fytyrat që t`na përqeshin motet[31]. Kështu poeti ecë nëpër gjurmë të
historinë, duke prekuk problemin e ekzistencialitetit nacional.
Edhe
me Natën e Bartolomeos poeti e bart
shqetësimin e njëjtë për vuajtjen kolektive shqiptare dhe peshën e tradhëtive
nëpër kohë:
”Nëpër birë të gjilpërës u përbiruam
njëherë
Për t`rënë në shtratin e butë të
tradhëtisë
Kokë më kokë na kënduan vdekjet e
mundura
Majave të gishtrinjëve nga një fitil na
gjurmon
Për të na hasur të vrarë në fund të
përrallës.”[32]
Pikërisht vdekjet, hjekat e humbjet nëpër rrjedha
të historisë i trajton në vazhdimësie dhe në ciklin e radhës, Molla e
Afërditës, ku nën mitin e lashtë për mollën e artë, kërkon forcë e mbijetese
për popullin e stërvuajtur e të rrënuar nga tradhëtia, humbjet, nga darkat e
fshehta dhe vdekjet nëpër kohë. Autori këtu dhe tutje cikleve tjera nxjerr
shenjat nacionale (si shpata e Gjergj
Kastriotit, Dardana, Dardani) për të thënë autoktonen, duke imagjinuar
mbretërinë ilire në kohën e tij të shkrimit. Pikërisht në ciklin Princesha Dardana, ai sikur ecë në
gjurmë arkeologjie dhe me fantazinë e tij e krijon pablon e ambientit dardan,
të mbretërisë me ammfiteatrin e Koloseumin e lashtë nën dhe, në thellësi, ku na
janë ruajtur shenjat tona, prandaj thotë autori se historia aty e dëbon veten
dhe turpërohet:
”Kalorësi e
tërë më shembet tash në ballë
Në zemër të
robëruar më mbanë o Dardana
Këtu
historia dëbon vetëveten dhe turpërohet
Ndërsa aty
ku fle Daradana n`mbretërinë e vet
S`mund të
hyjnë as stuhitë e kristalit t`rrejshëm
As kjo
ftohtësi që po më mban ende në këmbë”[33]
Subjekti i tij lirik ecë këtyre gjurmëve dhe don të
jetë i ruajtur derisa e nxjerr në sheh mbretërinë e lashtë dhe ndjen
përgjegjësinë e lartë ndaj gjetjeve të tij për t`ia kundërvënë historisë së
rrejshme që na u shkrua. Në kërkimet e tij imagjinare gjen veten dhe njerëzit e
tij që don t`i nxjerr në pah. Aty brenda thellësisë rri një mbretëri e tërë, një
qytetërim i lashtë, banorët e rinjdhe
emri i tij që e pret për kryer
misionin e tij për ruajtjen dhe rimëkëmbjen e shenjave identitare:
”Para
Koloseumit të hapur t`lashtësisë
Emri im rrin
dhe më pret mua në mriz
O si nuk e
ka shlyer kjo lashtësie lashtë”[34]
Dhe mrekullohet tek gjen Princeshën Dardanë, ushtrinë, rojat dhe me magji përbirohen brenda
Koloseumit dardan duke përjetuar kështu imagjinatën siç thotë vetë: „Për të
mbretëruar në mbretërinë e lirë/.../ Që të mos e humbasim kurrën e kurrës.”[35]
Tutje vargjet e figurat luhen si në lojë shahu (Shih
ciklin Parti shahu), ku gjuha e lojës
tregon taktikat, kurthat e ushtrive të mëdha në hapësirën tonë etnike, ku ne të
vegjël pësojmë fatin e keq që na e shkruajnë të mëdhenjtë. Ligjërimi poetik i
autorit me simbolet mitike, figurathomerike dhe shekspiriane, tregon peshën e
fajit tragjik që e përjetoi qenia jonë etnike nëpër kohë:
”Në fushën e
bardhë shpërndahen legjionet
Këtu ndahen
mbretëritë që nuk janë më
Mësa të nisë
e t`cicëron zogu i drunjtë
Derisa të
hahet molla e ndaluar në tryezë
T`ngriten
perënditë n`katrorë të zez
Shtrihet kjo
parti shahu të mos kryhet kurrë
Mbi këtë
fushë të zezë armiqësohen orditë
Dhe nuk
dihet më kur fillon e s`mbaron
Beteja që e
ka Trojën në shuplakë t`dorës
Mesa të
zgjetohen smirat mes veti n`zhgjeta”[36]
Ose :
”Tash si të
dal në atë bardhësi të bardhë
I verbër
Mbret Edip me një fener në dorë
Për ta
shetitur mbretërinë që nuk është
Për hir të
mbretit që qelbet n`fushë
Me kokën
time nënsjetull dal n`mejdan
Mësa shpatat
edrunjta betejën vazhdojnë mesveti”[37]
Kështu me këtë poetikë, autori hyn e del nga
magjia, me referenca intertekstuale dhe imagjinative, ku lashtësia e antika
lidhen e komunikojnë me modernen,për të evidentuardhe ruatur shenjat e
identitetit nacional. Me poezinë Fundi i
këngëtimit ose fillimi, poeti e përmbyll veprën duke treguar figurativisht
se:një kohë do të shfletohet nëpër këtë
libër të çuditshëm/.../ Tani mund ta lirojmë tepërsinë e këngës së parë/ Të
arrijmë në fund t`robërisë magjike të këngëtimit...”[38]
1.6. Darka e magjisë (1978)
Vepra e radhës Darka
e magjisë sjell preokupimin e autorit për darkat e fshehta, në të cilat
është ngrënë qenia jonë, siç thotë studiuesi ynë Nysret Krasniqi[39]
. Autori e nis vepren me vargjet nën titullin Hyrje në darken e magjisë, për të
vazhduar tutje me ciklet: Para testamenteve,
Nga libri i anatemave sipas Orfeumit (I), Fushë-Bozhur, Darka e magjisë (Kreu i
Parë), Metafizika e Prishtinës (Varianti i Parë), Orfeum, Metafizika e
Prishtinës (Varianti i Dytë), Darka e magjisë (Kreu i Dytë), Bozhur-Fushë, Nga
libri i anatemave sipas Orfeumit (II), Pas testamenteve, të cilat i
përmbyll me vargjet nën titullin Dalja
nga darka e magjisë. Siç mund ta shohim emërtimin e cikleve, ai nis
rrugëtimin poetik nëpër fushat e ndjeshme tematike dhe u rikthehet qëllimshëm
atyre për t`i rishqyrtuar, ritrajtuar shenjat esenciale të identitetit
nacional, artikuluar nëpërmjet të shtresimeve mitologjike e imagjinative brenda
komunikimit poetik. Simbolet e tij barten nga vepra në vepër. Kemi parasysh
shpirtin e shqetësuar dhe darken e magjisë që nga Rimat e shqetësueme, pastaj zogun, gjakun, trëndafilin, bozhuret
etj. të cilat flasin për lidhjen logjike të temave e motiveve nga vepra në
vepër.
Te Darka e
magjisë si edhe te tjerat, autori bart shqetësimin për hjekat e vendit të
tij, dhembjen, vdekjen, zinë, por edhe shpresën për forcën e rimëkëmbjes dhe
ringjalljes etnike-nacionale. Duke qenë i përgjegjshëm për peshën e temave të
ngritura, autori që në fillim i drejtohet lexuesit duke shpreh edhe një lloj
pasigurie për fuqinë e tij artistike, shkrimin e tij:
”Nëse asgjë
s`të ofroj o Shpirt i Shqetësuar
Mos hyr as
në këtë libër që po të rrethon”[40]
Në
ciklin Para testamenteve autori ecën
nëpër shenjat poetike, imagjinatën e tij dhe meditacionin me frymë
intertekstuale, ku vargjet janë esenca e shkrimit për vetveten, autorin. Cikli
nisë nga Anatema A dhe poezitë tjera ecin tutje deri te Anatema Zh, ku në mes
tyre janë poezitë: Nëse kërkoni të
ngjallet kjo këngë përsëri në zë, Në këtë germë do të mësosh më shumë se emrin
tim, Në vend të verës gjakun e kemi pirë në kupë, Nëse mund të dalësh edhe nga
ky udhëtim, Le të mbetet edhe ky Libër sëmundje në botë, me të cilat ai
shpërfaq intencën personale, identitetin e tij prej krijuesi. Ai sikur flet me
pasardhësit e vet për veten dhe shkrimet që i len pas, të vetmen pasuri. Ato i
donte të ishin hyjnore, të vlefshme brez pas brezi:
”Asgjë hyjnore që të përsërit nuk të
lashë
Në këtë lëmë ku sillen kuajt e
rruzullit
Çdo gjë do të mësosh vetë bir i
birit tim
As babai as Biri as Shpirti i
Shenjtë
S`të lanë gjë më të madhe se ajo që
ke
Tash më shelbo edhe me një kokë
bekimi
Nëpër njëmijë e treqind zjarre u
farkëtova
Asgjë më të madhe se këtë s`të lashë
bir biri”[41]
Më
tej u thotë pasardhësve se nëse duan ta ringjallin këngën duhet të hapin
gastaren e ngujuara në zemër, ta ndriçojnë vdekjen e tij të kuqe të zezë në
sofër me qiri të gjallë, apo të shfletojë edhe këtë libër që ligjëron
shenjtërisht mbi gjithçka në shuplakë[42]… Ky
refleksion poetik, plot imagjinatë fantastike, sjell konotacione të ligjërimit
empirik, thjesht përvojën e poetit, prandaj vargjet vijnë të errëta, flasin për
vdekjet, mumiet e zeza, misterin që e ndjek, aventurat metafizike, dhimbjen e përhimtë,
sëmundjen e përjetshme që njëjtësohet me librin e tij.
Në
ciklin e radhës Nga Libri i Anatemave
sipas Orfeumit (I), Poeti sjell vazhdimësinë e relacioneve intertekstuale
me poezinë moderne bodleriane, me mitikën ku simboli antik i këngëtarit dhe
dashurisë, Orfeo merret në dimension hapësinor të quajtur Orfeum, për të
shtrirë këndimin e tij siç thotë Nysret Krasniqi në hapësirën e transcendencave
të tij poetike –filozofike në kohë mitike, antike, historike e nacionale[43].
Kështu brenda këtij rrafshi ai kërkon dhe ëndërron ta vë rendin e harmonisë, të
paqes e butësisë, larg dhunës, vrazhdësisë e dhembjeve:
”Lulen mos e ndërro kurrë
Të lut pluhuri yjesor
Lëre në vendin e vet
Se aroma ia kthen ngjyrën
Me pak butësi që s`e kishte
Por e kishte Lule…
Vetëm pas hijes së këngëtarit
Që u ther prore në mua
Nga të prekurit e shpëtuar
Midis Darkës së Magjisë”[44]
Shihet
në vazhdimësi shqetësimi i tij për tradhëtinë e pësuar nga Darka e magjisë dhe
ky shqetësim që barten nga vargu në varg edhe përgjat ciklit të anantemave, dhe
me vargje don ta rregulloj vendin e tij:
”Pak pa rënë në shfaqjen e tretë
Që e hapi Orfeumi në mesditë
Tash shih
Kori i mesditës po afrohet
Martir u shpall në një kohë
Edhe ai që e shndërroi gurin
Në një trëndafil të vetëm.”[45]
Tutje
vepra vazhdon me ciklin Fushë-Bozhur dhe
njësoj si në ciklin paraprak niset me Anatemën
A dhe përfundon me Anatemën Zh. Dhjetë
poezitë bredna tyre janë: Për të gjitha
gjërat e tjera që janë, Gjithçka u zu këtu deri sa ishte në fushë, Kush humbi
betejën kokën mban në dorë, Një i urtë në shtegtimet e veta nëpër botë, Rend
mund të këndohet e të vajtohet, me një ushtë të ndiqet bota përsëri, Po
rrënohet kjo fushë në mua apo unë në të, Mbretëri të tëra dergjen në mes të
Fushës, Gishtat më dhembin për shiun që s`ka rënë, Bozhuret mbyllin diellin në
grushta) . Nga A deri në Zh, vargjet lidhen me figurën Lulëkuqet e gjakutdhe fushën
e betejave, me interpretim simbolist për luftrat, vrasjet, rëniet dhe
ringjalljet nëpër kohë.
Cikli Darka e magjisë (Kreu i parë), sjell në
vazhdimësi preokupimin për mashrimin e tradhëtinë e magjisë së darkave të
gabuara, prej nga vendii i shpëtojnë nga duart, gjishtërinjtëgjërat me vlerë.
Nën velon mitike e përrallore rrëfehet për dëmet e pësuara:
”Nga gishtat e duarve jua këputën
robërinë
Urtësitë jua gropuan nëpër rrathët e
ballit
Ju zbritën në fushë të krijoni qiellin
e ri
…
Tokën e futët nën sqetulla nga balta
praruar
…
S`ditët aq shumë për botën e gjerë
Vallë
Atë e gjetët ndër zemra mbërthyer me
magji
…
Bozhurin e
shndërruat vetëm në një shuplakë
Që të
barazoheni me veten në plafin yjesor.”[46]
Varg pas vargu, autori i kthehet qytetit të
Prishtinës, me ciklin Metafizika e
Prishtinës, ku përveç Anatemës A
i sjell tri imazhe (Imazhi i Parë, Imazhi i dytë dhe Imazhi i Tretë) në të
cilat mediton për pamjen e Prishtinës, për ta krijuar imazhin e ri në variantin
tjetër: Metafizika e Prishtinës (Varianti
i Dytë), siç do të donte ta shihte, prandaj hidhet në filozofinë e tij plot
imagjinatë e fantazi, për ta prishur magjinë e për të rikthyer gjithçka që i
takonte Prishtinës:
”Të gjitha
magjitë që i zbuluam na u zgjidhën
Duke na e
fshehur nën shpatulla diellin Rob
Tash
këmbëzbathur mund të zbresim në Fushë”[47]
Cikli Orfeum,
para Metafizikës (Variantit të Dytë)
është në mes të dy cikleve të metafizikave të Prishtinës, ai përshkruan
hapësirën tonë, me shenjat tona, hallet dhe vuajtjet nëpër kohë.
Prej
këtij cikli e tutje siç kemi thënë, autori u rikthehet lajtmotiveve dhe
figurave të njëjta, por si pjesë të dytë: Darka
e magjisë (Kreu i dytë), Bozhur-Fushë, Nga libri i anatemave sipas orfeumit (II),
Pas testamenteve dhe Dalja nga Darka
e magjisë. Nga cikli në cikël trajton temat e mëdha për Kosovën e betejave,
Kosovën e dëmtuarnga Drakat e kokave:
“ Këngëtarët kremtojnë një natë ndër
bozhure
Në Darken e Kokave që shtroi Magjia e
Zezë
…
Këngëtarët
kremtojnë një natë ndër bozhure
Pas
Darkës së magjisë që na gjeti pa emra[48]
Metafora
Darka e Kokave s`është tjetër pos
takimi i krerëve që i dhanë vulë mashtrimi e tradhëtie këtij vendi. Në gjithë
veprën hetohet këndimi dhe rrëfimi për rrugën e kaluar dhe simbolika e vargjeve
flet gjithë kohën për ndjesinë e subjektit lirik ndaj rrethanave nacionale,
ndonëse gjuhën e rrëfimit autori po e quan gjuhë memece:
”Kjo germë mund të mos këndohet deri në
fund
Fusha i kupton udhëtarët që e rrethojnë
Gjuhët pikojnë zjarr të bozhureve që
dhembin
Si plagë të cilat blerohen tash në
dashuri
Kokat mund t`i ruajmë nga këngëtimet e
pastajshme
…
Të gjitha gjërat do të këndohen përsëri
më vete
Edhe kjo germë që shkrihet në gjuhë
memece
Për hir të udhëtimit këndohet Këtu.”[49]
Këto vargje edhe e portretizojnë diskursin poetik
të autorit, konkretisht shihet prirja hermetike e shpërfaqur me gjuhën e
sforcuar simbolike, me elemente mitike e imagjinative deri në fantazi. Ai i
këndon të kaluares, kohës së tij dhe të ardhmes, duke pretenduar ruajtjen e
kujteses kolektive, dëshmisë mbi rrjedhat nëpër kohë, si dhe artikulimin e
vizionit për të ardhmen, për të sfiduar magjitë e darkave të fshehta. Këto janë
thërrjet e vazhdueshme të poetit, ndonëse vargjet me fuqinë polisemantike të
hedhin në valët jotransparete e plot fantazi që refketohet nga gjuha poetike e
këtij autori.
Në përfundim të veprës, nën titullin Dalja nga Darka e Magjisë, autori si
edhe në fillim, i drejtohet lexuesit me dëshirën që me vargjet e tij t`ia ketë
arritur qëllimit për ta thurrë këngën e duhur për vendin e tij:
“Nëse asgjë
s`të ofrova o Shpirt i Shqetësuar
Atëherë kot
të paska lidhur edhe kjo urtësi
Merre këtë
germë e më mbulo brenda germave
Ajo që u
mbeti këngëve tash është në këtë kor
Duke u
pastruar me verën që gatiti këtë udhëtim
I ndan
mendimet si retë e shprishura të fjalës”[50]
Përfundim
Siç i pamë veprat me rend që nga Rima të shqetësueme deri te Darka e magjisë ne shijuam vargun e
këtij autori, lojën e fjalëve e figurave deri në abstarksion të shprehjes e
metamorfozë të simboleve. Fuqia semantike e vargjeve dhe e ideve të tij letrare
janë vetë mrekullia artistike që e ndjej secili lexues. Brezi i tij i poetëve
gati se identifikohen me frymën e tij, stilin e tij prej krijuesi, prandaj edhe
mund ta konsiderojmë ikonë brenda poezisë shqipe.
Ai la gjurmë të pashlyeshme në letërsinë
bashkëkohore shqipe, me artikulimin briliant të
fatit të vendit tonë, bashkë me shtresimet e të
zezave që iu bënë barrë qenies shqiptare e që pena e tij mund të lëronte
dhembjen, mërzinë, vuajtjen shpirtërore si gjurmë e dëshmi nëpër kohë. Vepra e
tij mund të trajtohet edhe më tutje nga perspektiva të ndryshme diskursive,
tematike, figurative e pse jo edhe metrike.
Bibliografia:
AShAk, ASHSH: Rrjedhat e letërsisë
bashkëkohore shqiptare, Prishtinë
Black, Max: Metaphor, The Aristotelian Society, 1955
Bart, Rolan: Aventura semiologjike, Rilindja,
Prishtinë, 1987
Çapriqi, Basri:
Mikrostruktura e tekstit, Rilindja, Prishtinë, 1990
David Ritchie, Metaphors in
Conversational Contex: Toward a Connectivity Theory of Metaphor Interpretation, Metaphor and symbol, vëllimi 19, nr.4,
Lawrence Erlbaum Associates, 2004
Eco, Umberto. The limits of
interpretation, Indiana University Press, 2008;
Hamiti, Sabri: Tematologjia, Prishtinë,
2005;
Hamiti, Sabri: Vetëdija letrare, Rilindja,
Prishtinë, 1989
Krasniqi, Nysret: Letërsia e Kosovës
1953-2000, 99-AIKD, Prishtinë, 2016
Musliu, Beqir: Rima të shqetësueme,
Jeta e re, Prishtinë, 1965
Musliu, Beqir: Bukuria e zezë,
Rilindja, Prishtinë, 1980
Musliu, Beqir: Sezamet, Rilindja,
Prishtinë, 1972
Musliu, Beqir: Parabola, Rilindja,
Prishtinë, 1976
Musliu, Beqir: Darka e magjisë,
Rilindja, Prishtinë, 1978
Ndoja, Leka: Hermetizmi në letërsinë
shqipe, Pakti, 2012
Rrahmani, Zejnullah: Nga teoria e
letërsisë shqipe, Rilindja, Prishtinë,
1986
Rugova, Ibrahim: Strategjia e
Kuptimit, sht. bot. “F. Konica”, Prishtinë, 2005;
Rugova, Ibrahim: Refuzimi Estetik,
sht. bot. “F. Konica”, Prishtinë, 2005;
Rrahmani, Zejnullah: Arti i
poezisë, Faik Konica, Prishtinë, 2001
Rrahmani, Zejnullah: Teoria e letërsisë,
Faik Konica, Prishtinë, 2008
Shala M., Kujtim: EXPO, Letërsia shqipe
në katër pamje, Buzuku, Prishtinë, 2007
Velek Rene e Voren Ostin: Teoria e
letërsisë, Rilindja, Prishtinë, 1982
Vinca,
Agim: Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980), Rilindja,
Prishtinë, 1985
Zhenet, Zherar: Figura, Rilindja,
Prishtinë, 1985
[1] Leka Ndoja, Hermetizmi në letërsinë shqipe,
Pakti, 2012, f.43.
[2] Ibrahim Rugova, Strategjia e kuptimit,
Rilindja, Prishtinë, 1980, f.179.
[3]Beqir Musliu, Rima të shqetësueme, Jeta e re,
Prishtinë, 1965, f.7.
[4]Po aty, f.9.
[5]Po aty, f.13.
[6] Beqir Musliu, Rima të
shqetësueme, Jeta e re, prishtinë, 1965, f. 18
[7]Po aty, f.19.
[8]Po aty, f.25.
[9]Po aty, f.26.
[10]Po aty, f.31.
[11] Nysret Krasniqi:
Letërsia e Kosovës 1953-2000, 99-AIKD, Prishtinë, 2016, f.88.
[12] Beqir Musliu, Lulëkuqet
e gjakut, Rilindja, Prishtinë, 1966, f.11.
[13]Po aty, f.14.
[14]Po aty, f. 19.
[15] Po aty, f. 28
[16] Po aty, f.32.
[17] Beqir Musliu, Bukuria e
zezë, Rilindja, Prishtinë, 1980
[18] Ibrahim Rugova,
Strategjia e kuptimit, Rilindja, prishtinë, 1980, faqe 95.
[19] Beqir Musliu, Bukuria e
zezë, Rilindja, Prishtinë, 1980, f. 12
[20]Po aty, f.13.
[21]Po aty, f.32.
[22] Nysret Krasniqi:
Letërsia e Kosovës 1953-20 00, 99-AIKD, Prishtinë, 2016, f.473.
[23] Beqir Musliu, Sezamet, Rilindja, Prishtinë,
1972, f.27
[24] Beqir Musliu, Sezamet, Rilindja, Prishtinë,
1972, f. 31.
[25] Po aty, f 61.
[26] Beqir Musliu, Sezamet, Rilindja, Prishtinë,
1972, f. 74.
[27] Po aty, f.74.
[28] Po aty, f.79.
[29] Beqir Musliu, Parabola,
Rilindja, Prishtinë, 1976, f. 7.
[30]Beqir Musliu, Parabola,
Rilindja, Prishtinë, 1976, f.12.
[31] Po aty, f. 29.
[32] Po aty, f 33.
[33]Beqir Musliu, Parabola, Rilindja, Prishtinë,
1976, f. 59.
[34] Po aty, f.61.
[35] Po aty, f.70.
[36]Beqir Musliu, Parabola, Rilindja, Prishtinë,
1976, f. 76.
[37] Po aty, f. 84.
[38] Po aty, f.95.
[39] Nysret Krasniqi,
Letërsia e Kosovës 1953-2000, 99-AIKD, Prishtinë, f. 482.
[40]Beqir Musliu, Darka e
magjisë, Rilindja, Prishtinë, 1978, f. 9.
[41] Beqir Musliu, Darka e
magjisë, Rilindja, Prishtinë, 1978, f.13.
[42] Po aty, f.14-17
[43] Nysret Krasniqi,
Letërsia e Kosovës 1953-2000, 99AIKD, Prishtinë, 2016, f. 481.
[44] Beqir Musliu, Darka e
magjisë, Rilindja, Prishtinë, 1978, f. 23, 24.
[45] Po aty, faqe 29.
[46] Po aty, 52, 53.
[47]Beqir Musliu, Darka e
magjisë, Rilindja, Prishtinë, 1978, f.92
[48] Po aty, f.97.
[49] Po aty, f. 105
[50] Po aty, f.139.