Showing posts with label Algeria - trecut şi prezent. Show all posts
Showing posts with label Algeria - trecut şi prezent. Show all posts

BIBLIOTHAECA HAEMUS

Një roman befasues për jetën e emigrantit lindor në botë

Riat Ajazaj: Der Koffer. Roman. edition nove. Wien/München. 2007.
Shtëpia botuese edition nove ka nxjerrë në treg romanin e pare në gjuhën gjermane të shkrimtarit kosovar Riat Ajazaj. Romani „Der Koffer“ (Koferi) mbështetet në jetën dhe mbijetesën e emigrantëve kosovarë në Gjermani, por zbërthen edhe çështje universale që janë të pranishme në jetën e çdo emigranti që zhvendoset nga Lindja e sprovuar në Perëndim. Romani shquhet për një mënyrë të veçantë rrëfimi e përftimi të realitetit, përfshi ai ndërtekstor. Rrëfyesi flet në vetën e parë dhe merr shkas nga fjalët që i dikton çdo të premte herët djalit të vet të vogël. Para se djali të shkojë në shkollë, atë e bir zhvillojnë një ushtrim gjuhësor e tërthorazi historik, që mund të shihet edhe si një stërvitje mbijetese e breznive të lindura në mërgim. Fjalë që babai i lexon me zë dhe të cilat biri i shkruan në gjuhën gjermane (ri)ngjallin tek rrëfyesi (ati) shoqërime të befta metaforike me burim në jeten e tij nga vendlindja sidhe në jetën prej mërgimtari në Perëndim. Rrëfyesi zbulon papritmas se qëndron para një sprove të vështirë të kuptimit të mirëfilltë të këtyre fjalëve, jo krejt të huaja, por as krejt familjare për shpirtin e tij. Pikërisht kjo vështirësi bëhet edhe shkas i rrëfimit, si të thuhet hibrid, i plotit të romanit. Në njërën anë kemi fjalët gjermane, të renditura në një fletore shkolle, kurse në anën tjetër, në shpinën e padukshme të fletëve – copëza nga jeta e mërguar. Fletët e pashkruara e çojnë fillin e rrëfimit sa në historinë vetjake të familjes së rrëfyesit, aq edhe në skenat e luftës në Kosovë e ish-Jugosllavi, gërshetuar me degëza nga jeta e tij në të tashmen. Shpeshherë, krahas fjalëve gjermane, brofin fjalët shqipe, si në mbështetje të njëra tjetrës, duke qartësuar mozaikun pamor të rrëfimit. Në gjithë këtë shtjellë rrëfimi koferi bëhet metafora kryesore që i lidh të gjitha copëzat e tani-diku, tani-këtu, përherë-gjithkënd, lidh vende e kohëra të ndryshme, që jo rrallë përjashtohen mesveti. Në roman ndërlidhen natyrshëm edhe ikjet masive nga bregdeti shqiptar drejt Italisë në fillimet e viteve '90, ridhënë me një ton dhe ritme lirike. Historia e emigracionit shqiptar plotësohet nga marrëdhënia e poetëve shqiptarë me diktaturën. Edhe legjenda e zënies rob të poetit të madh spanjoll në qytetin bregdetar të Ulqinit është përshtatur dhe kyçur në rrëfim.
Romani „Koferi“ pasqyron peripecitë e emigrantëve shqiptarë jo vetëm në raport me sistemet totalitare në të cilat ata kanë jetuar, por edhe mes ndeshjes me burokracinë e vendeve ku janë strehuar. Gjithashtu, romani jep një dëshmi të ndërsjellë njohjeje shqiptaro-gjermane kryesisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit 20, një shenjë njohjeje që synon të shkojë përtej klisheve dhe paragjykimeve të rrënjosura nga mitologjitë kalimtare.
Riat Ajazaj është jo vetëm një përfaqësues i denjë i kulturës shqiptare në botën gjermane e më tej, por edhe një autor tashmë me emër në letrat shqipe. Lindur në Zhur të Kosovës në vitin 1969, i specializuar në letërsi të krahasuar dhe retorikë të përgjithshme, doktor në Universitetin Eberhard Karls të Tuebingenit (me tezën: „Paraqitja e diktaturës te Asturias, Carpentier dhe Kadare. Një hulumtim krahasues në veprat „El Señor Presidente“ (1946), „El recurso del método“ (1974) dhe „Spiritus“ (1996)“), Ajazaj është autor i vëllimeve „Në perëndim bie shi“, „Lugina e Lumës”, „Psherëtima e mureve” – poezi, dhe „Gjarpërinjtë e ëndrrës”, „Arkëmorti bosh”, „Zanfina”, „Ndanë” – prozë.

Riat Ajazaj: Der Koffer. edition nove. Wien/München 2007. Çmimi € [A] 13.90/€ [D] 13, 50/ sFr 25, 10

HaemusPress / shkurt 2008


Estetika e Misterit ose Ftesë për leximin dhe përjetimin e letërsisë

Autor tashmë i njohur dhe i verifikuar, që ka botuar nëntë libra nga fusha e letërsisë, prej të cilëve pesë libra të poezisë dhe katër libra të tjerë të tregimeve, Ragip Sylaj kësaj here sprovohet me një lloj të ri të krijimtarisë letrare – eseistikë. Libri më i ri i këtij autori është ai i kritikës letrare periodike, me titull “Estetika e misterit”. I paraprirë nga hyrja e autorit “Në kërkim të estetikës së misterit”, materia e librit është strukturuar në këto njësi: Libri i poezisë, Libri i prozës, Libri i kritikës dhe i esesë.
Libri përfshin vështrimet, përkatësisht esetë letrare të autorit për librat e rinj, të botuar deri në vitin 2002 në të përditshmen “Zëri” të Prishtinës ku punon aktualisht, në shtypin e periodik të Prishtinës, “Fjala”, “Sheshi”, “Jeta e re” etj., madje në disa të përditshme të Tiranës, si “Albania” e ndonjë tjetër.
Mëtimi i autorit me shkrimet e këtij libri është të përmbushë vakuumin ndërmjet librit dhe lexuesit. Kjo do të mbështetej në arsyen se kritiku letrar shpeshherë është lexuesi më i thellë dhe më ideal i letërsisë.
Ndonëse togfjalëshi ‘estetika e misterit’ ndodhet si titull i një shkrimi të këtij libri, megjithatë ky nocion bart diçka nga esenca e kërkimit të tij në akëcilën vepër letrare. Mbi të gjitha, në këto shkrime, përveç paraqitjes së librit para lexuesit, s’do mend se një nga synimet është kërkimi i harmonisë estetike ajo që e ka provokuar dhe preokupuar autorin e këtij libri. Andaj vështrimet letrare të librit “Estetika e misterit” të Ragip Sylajt mund të konsiderohen edhe si një ftesë për leximin e letërsisë, për leximin dhe përjetimin e vlerave letrare të verifikuara qoftë të letërsisë shqipe, qoftë asaj të përbotshme.
Ragip Sylaj (1959) me krijimtari letrare merret qysh nga bankat e gjimnazit, kurse në periodikun tonë letrar u paraqit në fund të viteve shtatëdhjetë. Ka punuar mësimdhënës, gazetar në gazetën e studentëve "Bota e re", në të përditshmen "Bota sot", ndërsa tash është gazetar i rubrikës së kulturës në gazetën e përditshme "Zëri" të Prishtinës.
Shkrimtari Ragip Sylaj deri tash ka botuar këto vepra letrare: “Hije e gjallë (poezi, 1986), “Anatomia e rrënjës” (poezi, 1989), “Obsesioni” (tregime, 1992), “Lisi i shenjtë” (poezi, 1993), “Përhitja” (tregime, 1996), “Mëngjes qumështor me akull” (poezi, 2000), “Humbella e fërgëllisë” (tregime, 2001), “S’kam kohë të jetoj me vdekjen” (tregime, 2004), “Eliksir” (poezi, 2007).
Për punën e tij krijuese është shpërblyer disa herë edhe me çmime letrare. Për librin e poezive "Hije e gjallë" është laureuar me çmimin "Hivzi Sulejmani" që jepej nga revista “Zëri i rinisë” për librin më të mirë të autorëve të rinj (1986), ndërsa në vitin 1999 u nderua me "Penën e artë" të revistës për kulturë, art dhe letërsi "Fjala" për poezinë më të mirë, “Kurth për liridashësin”, të botuar midis dy mitingjeve të poezisë në Gjakovë. Po ashtu është fitues i shumë çmimeve në konkurse të ndryshme letrare brenda dhe jashtë vendit.
Poezia e këtij autori është përfshirë në antologjinë e Ali Podrimjes, “I kujt je, atdhe” (Sprovë për një antologji, 2), (Prishtinë, 2003), të Ardian-Christian Kyçykut, “Un alfabet al poeziei albaneze" (Një alfabet i poezisë shqipe), antologji e poezisë shqipe në gjuhën rumune (Bukuresht, 2003), etj. Poezi të këtij autori janë përkthyer dhe botuar në gjuhët angleze, rumune etj.
Librin “Estetika e misterit”, me përkrahjen materiale të Drejtoratit për Kulturë, Rini e Sport, i Kuvendit Komunal të Therandës (Suharekës), e botoi shoqata për kulturë dhe art “Elena Gjika – Dora d’Istria” dhe ka 230 faqe. Përgatitjen teknike dhe artistike të librit e ka bërë dizajneri, Refki Gallapeni.
Autorët, veprat e të cilëve (në poezi, prozë, kritikë e ese) janë marrë në prizmin e analizës së Sylajt në librin e tij “Estetika...”: Jorge Luis Borges, Eva Lipska, Zbignjev Herbert, Bllaga Dimitrova, Sabri Hamiti, Gani Xhafolli, Riat Ajazaj, Kujtim M. Shala, Vehbi Miftari, Besnik Mustafaj, Sali Bashota, Osman Gashi, Agim Ramadani, Adem Gashi, Arben Veselaj, Zejnullah Rrahmani, Lazër Stani, Kim Mehmeti, Ardian Christian Kyçyku, Musa Ramadani, Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Veli Karahoda, Mehmet Kraja, Eqrem Basha, Kujtim Rrahmani, Ibrahim Berisha, Ibrahim Ibishi, Binak Kelmendi, Daut Demaku, Anton Nikë Berisha, Rexhep Murtez Shala, Xhemail Mustafa, Ali Aliu, Rifat Ismaili, Petrit Palushi, Xhavit Beqiri, Paulo Coelho dhe Ali Podrimja.


Ragip Sylaj
Në kërkim të estetikës së misterit

Mbaroje çdo vepër tënden ashtu sikur të ishte e fundit në jetë.

Mark Aureli


Kur kam filluar të shkruaj, ndonëse kënaqësinë e të shkruarit e kam ndier së brendshmi në mënyrë instiktive, nuk e kam pasur të njohur mendimin e Kamysë se të krijosh do të thotë të jetosh dy herë. E kam pasur të njohur një mendim tjetër të këtij shkrimtari e mendimtari që thotë se "të fillosh së medituari do të thotë të fillosh të jesh i minuar", dhe ndonëse e kam ditur se asgjë e madhe nuk është krijuar pa pasione të mëdha, nuk e kam ditur dhe madje jam trishtuar kur kam mësuar se "pasionet janë burim dhimbjesh" (Frojdi). Këtu zë fill ballafaqimi i ëndërrimtarit dhe i krijuesit, që është një përballje a përplasje me realitetin, me realitetin plot dhembje, te i cili duhet kërkuar edhe magjinë e krijimit dhe të transformimit të vetvetes e të të tjerëve.

Kritiku letrar - lexuesi më i thellë dhe më ideal i letërsisë
Për shkak të mundësisë së zgjedhjes së teksteve për interpretim, si për shkak të aktualitetit të botimit, që i përgjigjet më së shumti gazetës së përditshme, do ta quaja një lexim të kushtëzuar, edhe përkundër përzgjedhjes së tyre në kuptimin kualitativ të fjalës. Por edhe kjo zgjedhje që mund t'i përgjigjet sinkronisë së kësaj fjale mund të jetë një kontribut për vlerësimin e prodhimit tonë letrar dhe, kur e kur, edhe atij të përkthyer, gjë që mund të shërbejë jo vetëm si vlerësim, por edhe respekt dhe konsideratë sa e evidentimit të këtyre vlerave, sa provokim për autorin e këtyre shkrimeve po aq edhe për lexuesit e tyre të sotëm dhe të nesërm.
Me këtë rast do ta rikujtoja një konstatim të poetit Din Mehmeti, i cili thotë se kritiku e përmbush vakuumin ndërmjet librit dhe lexuesit, d.m.th. kritiku bëhet një ndërmjetësues i vlefshëm në këtë rast, në punën e tij ndoshta sizifiane për ta zgjuar vetëdijen letrare ndër ne. Kjo do të mbështetej në arsyen se kritiku letrar shpeshherë është lexuesi më i thellë dhe më ideal i letërsisë dhe kjo ndoshta qe njëra nga arsyet që rubrikën e recensionit në të përditshmen "Zëri" e mbititullova sprova të leximit krijues. Në këtë kontekst, ku mund të nënkuptohet relativiteti i mundësive të leximit dhe njëri prej varianteve të interpretimit, sigurisht se do pasur parasysh edhe aventurën e të dy këtyre proceseve, të cilat nuk mbeten pa u përcjellë herë me dhembjen e herë me kënaqësinë e krijuesit letrar. Sidoqoftë, ky libër është rezultat i shkrimeve të mia të kësaj natyre të botuara në gazetën "Zëri" (i përditshëm), në revistat për kulturë e letërsi, të Prishtinës, siç janë: "Sheshi", "Fjala", "Jeta e re" e gjetiu, por edhe në "Albania" të Tiranës e ndokund tjetër.
Që në këtë tekst hyrës mbase do të duhej sqaruar se këto shkrime a i dominon kënaqësia estetike (e leximit) e tekstit apo interpretimi i tij, sepse "lexuesi duhet të vendosë nëse një tekst do ta përdorë si tekst që ofron kënaqësi, apo nëse një tekst të caktuar do ta përdorë si element për ndërtimin e strategjisë së tij" (shih V. Miftari, "Teoria e objektit", fq. 30, fusnota 20). Ndonëse në shkrimet e mia disa herë mund të hetohen që të dy këto synime sa veç e veç po aq edhe në të njëjtin vend, në interpretimin e librit (akëcilit tekst letrar) kritiku letrar e shpërfaq edhe teorinë e tij të shkrimit, që e zbaton në krijimtarinë e tij letrare. (Përkitazi me kritikën e artistit, Albert Thibaudet-i, sipas Jean - Yves Tadie, thotë: "kritika shpreh së pari teoritë që i përkasin autorit, estetikën e tij, artin e tij poetik, të hedhura më pastaj mbi të tjerat", nga artikulli "Feneri i Aleksandrisë" te "Fjala" nr. 8-9/ Prishtinë, 2002, fq. 10).

Estetika e misterit - esenca e kërkimit
Në mos në akëcilin shkrim, së paku me këtë rast, mbase ka mundur të jepet edhe një biografi e leximit (togfjalësh i Xhemail Mustafës) e pse jo edhe e interpretimit. P. sh. si erdhi autori i këtyre shkrimeve në kontakt me librin, a ia dhuroi atë dikush, a ia preferoi dikush tjetër, a u ngushtua dhe e bleu pse i pëlqeu, a e bleu thjesht për korrektësi, a e huazoi sa për ta bërë një shkrim në gazetë apo revistë etj.? Ku e lexoi librin: në shtëpi, në autobus, mysafir në një vend tjetër, apo u nis rastësisht në një vend dhe u desh të përfundohet gjetiu; kur e nisi autori punën e interpretimit të librit (sepse shpeshherë dikush bëhet sebep në raste të tilla) dhe a bëhej kjo veprimtari thjesht për kënaqësi estetike, si vokacion krijues (si dashuri ndaj artit letrar), apo si nevojë për të mbijetuar si qenie njerëzore (para së gjithash) dhe si qenie krijuese (pas së gjithash)?

Ndonëse togfjalëshi estetika e misterit ndodhet si titull i një shkrimi të këtij libri, megjithatë ky nocion bart diçka nga esenca e kërkimit tim në akëcilën vepër letrare. Mbi të gjitha, në këto shkrime, përveç paraqitjes së librit para lexuesit, s'do mend se është kërkimi i harmonisë estetike ajo që e ka provokuar dhe preokupuar autorin e këtyre rreshtave. Shkrimet e botuar në faqet e shtypit të përditshëm dhe atij periodik doemos se iu nënshtruan një përzgjedhjeje dhe sërish u rimorën nëpër duar dhe iu bë ndonjë korrigjim i vogël sa në tituj, sa në tekstin vijues, me qëllim që t'iu iket përsëritjeve të panevojshme dhe, kur e kur, me qëllim të saktësisë së tyre. Shkrimet për disa libra që nuk u futën në këtë zgjedhje ose nuk i plotësonin kërkesat e mia, si realizime krijuese, ndërsa disa të tjera u lanë për një rast tjetër, pas ndonjë ripunimi.

Ndoshta me shkrimet e këtij libri, edhe nëse nuk ngrihet a nuk ulet vetëdija letrare ndër ne, së paku do të dëshmohet sa për titujt, sa për disa nga vlerat e tyre, sa për dijen e vlerësuesit të tyre, po aq (siç u tha më lart) për konsideratën ndaj librit, në kohën kur ai për shumë kë është bërë i huaj, por pa të cilin nuk mund të ndërtohet kurrë civilizimi modern, që do të duhej të mbetej një synim i përhershëm yni.
Prishtinë, (2002-2007)
* Ky tekst është botuar si hyrje e librit, me titull “Estetika e misterit”, të autorit Ragip Sylaj. Teksti botohet me ndërhyrje të vogla nga autori dhe me mestitujt, si lehtësi për lexim.



Dy monografi të reja në rumanisht

Shtëpia Botuese Librarium Haemus e Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus, nxori kohët e fundit në Bukuresht dy vepra në rumanisht të akademikut shqiptar Kopi Kyçyku: „Algjeria - e kaluara dhe e tashmja" dhe „Historia e shkurtër e Azerbaixhanit". Këto dy monografi historike u shtohen të tjerave të këtij lloji, që Kopi Kyçyku ka shkruar e botuar në rumanisht, si „Historia e Shqipërisë", „Historia e Maqedonisë", „Ataturkizmi dhe Turqia në Mijëvjetshin e Tretë" etj.
Duke shfrytëzuar, si gjithmonë, burime të shumta e të larme dokumentare në arkiva, biblioteka, muzeume dhe në qëndra të tjera shkencore, autori, edhe këtë herë ka mundur të bëjë sinteza të argumentuara me bosht veçanësitë e traditave, kulturave dhe qytetërimeve të një vendi afrikanoverior (Algjeria) dhe të një vendi kaukazian (Azerbajxhani). Vlen të theksohet fakti që, është hera e parë që lexuesi rumun merr në dorë monografi historike të mirëfillta për vendet e sapopërmendur.
Në parathënien e librit „Algjeria - e kaluara dhe e tashmja", historiani i mirënjohur rumun Stelian Brezeanu thekson: „Profesori Kopi Kyçyku, autori i këtij libri, është një nga intelektualët e mëdhenj të Shqipërisë së sotme, ... specialist i shquar në historinë e Ballkanit në moshën e formimit të kombeve moderne… Përmes veprimtarisë së vet shkencore dhe publicistike, profesori Kyçyku ka mundur të vendosë lidhje të ngushta midis intelektualëve shqiptarë dhe rumunë, sidhe ndërmjet dy vendeve tona. Ky libër i shkruar me erudicion dhe ngrohtësi humane, e zgjeron horizontin e preokupimeve të tij drejt vendesh të tjera të botës mesdhetare". Nga ana e vet, ambasadori i Algjerisë në Buluresht, në fjalën hyrëse të librit thekson: „Duke marrë shkas nga fakti që autori i kësaj vepre është njëkohësisht inxhinier gjeolog, le të më lejohet të huazoj emrin e një instrumenti - sondës, me të cilën ka ditur të zhbirojë në thellësi spiritualitetin algjerian, historinë e tij të pasur dhe qytetërimin tejet të hershëm, domethënë e ka sonduar këtë truall pjellor për t’ia përcaktuar natyrën, duke nxjerrë prej tij të gjitha mineralet e çmuar".
Vlerësime po kaq të larta janë bërë dhe për librin „Historia e shkurtër e Azerbajxhanit", ku, ndër të tjera, autori Kopi Kyçyku ka hedhur hamendjen e një prejardhjeje të përbashkët të shqiptarëve dhe banorëve të një zone të gjerë të Azerbaixhanit, që thirret Shqipëria Kaukaziane. Ja si shprehet autori për këtë çështje: "Sipas mendimit të shumë hulumtuesve, Shqipëria Kaukaziane nuk duhet konfonduar me Shqipërinë që ndodhet në Ballkan. Është e vërtetë që, tani për tani,nuk disponojmë asnjë dokument të shkruar, i cili t’i mbështesë ata që nuk e përjashtojnë mundësinë e ekzistencës së disa lidhjesh të lashta e të fuqishme ndërmjet entiteteve Shqipëri (e Ballkanit) dhe Shqipëri (e Kaukazit), por nuk duhen anashkaluar kurrsesi tiparet e panumurta themelore, të cilat të dy popujt, shqiptar dhe azer, i kanë të përbashkëta, sidomos ato që lidhen me karakterin dhe konstitucionin e tyre shpirtëror, me dashurinë për atdheun e për gjuhën, madje edhe pamjen fizike tepër të ngjashme. Të bukur, shtatlartë, me flokë të zinj dhe sy gështenjë, na thonë autorët antikë për shqiptarët kaukazianë dhe nuk është aspak e vështirë t’i përqasim me malësorët e Azerbaixhanit të sotëm, të Dagestanit dhe të Shqipërisë ballkanase. Edhe përshtatja e tyre ndaj kushteve të reliefit dhe të klimës na nxit të përsiatim në këtë drejtim". Më tej, autori ve në dukje: „Një argument më shumë, i cili do t’i përligjte këto përçapje hulumtuese është fakti që, në kohëra të lashta, për shkaqe tashmë të njohura, - luftra, shkëmbim popullsish, deportime, - ka të ngjarë që një pjesë e popullsisë të jetë shpërngulur në njërin kah apo në tjetrin. Dhe nuk ka çudi që, edhe në këtë çështje të bëhemi dëshmitarë të shndrrimit të disa pandehmave të zbehta, në teza themelforta" përfundon autori.


Două noi monografii în limba română

Editura Librarium Haemus a Asociaţiei Culturale Albaneze Haemus a publicat recent la Bucureşti două lucrări în română ale academicianului Kopi Kyçyku: „Algeria - trecut şi prezent” şi „Scurtă istorie a Azerbaidjanului”. Aceste două lucrări din domeniul istoriei li se adaugă altora de agest gen pe care Kopi Kyçyku a scris şi a publicat în română, ca: „Istoria Albaniei”, „Istoria Macedoniei”, „Atatürkismul şi Turcia Mileniului Trei” etc.
Fructificând, ca întotdeauna, nenumărate şi variate surse documentare din arhive, biblioteci, muzee şi alte centre ştiinţifice, şi de data aceasta autorul a reuşit să facă sinteze întemeiate având ca axă trăsăturile specifice ale tradiţiilor, culturilor şi civilizaţiilor unei ţări din Africa de Nord (Algeria), respectiv unei ţări caucaziene (Azerbaidjan). De menţionat faptul că, este pentru prima dată că cititorul român ia în mână monografii istorice propriu-zise dedicate ţărilor sus menţionate.
În prefaţa cărţii „Algeria - trecut şi prezent”, renumitul istoric român Stelian Brezeanu subliniază:”Profesorul Kopi Kyçyku, autorul acestei cărţi, este unul dintre marii intelectuali ai Albaniei de azi… Profesorul Kyçyku a reuşit, prin activitatea sa ştiinţifică şi publicistică, să stabilească contacte strânse între intelectualii albanezi şi cei români şi între cele două ţări. Cartea aceasta, scrisă cu erudiţie şi căldură umană, lărgeşte orizontul preocupărilor sale spre alte ţări ale lumii mediteraneene”.
Din partea sa, în Cuvânt înainte al lucrării de faţă, ambasadorul Algeriei la Bucureşti, Abdelhamid Senouci Bereksi se exprimă: „Pornind de la faptul că autorul acestei cărţi este, în acelaşi timp, inginer geolog, îmi permit să împrumut numele unui instrument – sonda, cu care a ştiut să exploreze în profunzime spiritualitatea algeriană, istoria sa bogată şi civilizaţia sa foarte veche, adică a „sondat” acest „sol” fertil pentru a-i determina natura, extrăgând din el toate „minereurile” preţioase”.
Aprecieri tot atât de înalte s-au formulat şi la adresa cărţii „Scurtă istorie a Azerbaidjanului” în care, printre altele, autorul a lansat ipoteza unei origini comune ale albanezilor şi ale locuitorilor unei vaste regiuni din Azerbaidjan, numite Albania caucaziană. Iată ce ne spune autorul în această privinţă:„În opinia mai multor cercetători, Albania caucaziană n-ar trebui să fie confundată cu Albania aflată în Balcani. Este adevărat că nu dispunem, în momentul de faţă, de nici un document scris care să-i sprijine pe cei ce nu exclud eventualitatea existenţei unor legături vechi şi puternice dintre entităţile Albania (Balcanilor) şi Albania (Caucazului), dar nu pot fi trecute cu vederea numeroasele caracteristici fundamentale pe care ambele popoare, albanez şi azer, le au în comun, îndeosebi cele legate de caracterul şi constituţia lor spirituală, ataşamentul faţă de patrie şi de limbă, ba chiar aspectul fizic foarte asemănător. Frumoşi, de statură înaltă, cu părul de culoare închisă şi ochii căprui, ne spun autorii antici despre albanezii caucazieni şi nu ne este deloc greu să-i asemuim cu muntenii din Azerbaidjanul de astăzi, din Daghestan şi din Albania balcanică. Şi adaptarea lor la aceleaşi condiţii de relief şi climatice ne îndeamnă să mai medităm în această direcţie. Un argument în plus care ar justifica aceste demersuri,este faptul că, în vremuri îndepărtate, din motive deja cunoscute - războaie, schimb de populaţii, deportări – s-ar putea ca o parte din populaţii să fi fost mutată într-o direcţie sau într-alta. Şi nu este de mirare ca, şi în problema aceasta să asistăm la preschimbarea unor ipoteze vagi în teze bine întemeiate!” conchide autorul.


Ardian-Christian Kyçyku
Strabizmi i anijes dhe i gjumit
(Disa fjalë për poezinë e Arian Lekës në rumanisht[1])

Hyrje në strabizëm
Po t’u besojmë kryekëput fjalorëve, do të ndaleshim thjesht tek përcaktimi se strabizmi është një anomali që nënkupton mungesën e paralelizmit të boshteve të shikimit, duke shkaktuar si pasojë vështrimin çakërr. Ose: Mangësi që karakterizohet nga pamundësia për të këqyrur natyrshëm me të dy sytë; vështrim i kryquar. Në fakt, sytë e njeriut të sotëm i kanë të gjitha arsyet për të bërë kryqin para shumicës së gjërave, pamjeve e ngjarjeve që servir epoka e quajtur edhe pasmoderne.
Historia e shikimit dhe e llojit të syve është disi më e pasur sesa numuri i gjërave që na bje të shohim gjatë jetës. Ajo ka arritur të nyjëtojë shpesh edhe gjuhën dhe të shpikë të folme që e kanë kallur botën në debate të pafundme e ndonjëherë edhe në luftra. E qartë mbetet se, hëpërhë, njeriu është e vetmja qënie që mund të përfshijë me e mes syve një pamje të plotë, i vetëdijshëm se mbi, nën, mbrapa e para saj gjallojnë pamje të tjera, të mundshme, ose më të vërteta nga sa pandehim. Në traditat fetare, jo rrallë Hyu përfytyrohet si errësira e tejndritshme, një hapësirë ku vështrimi njerëzor nuk mbërrin, duke besuar se atje ku mbaron fuqia e vështrimit tonë, fillon bota e përjetshme.
Deri tek njeriu, syri ka përshkuar një udhë të çuditshme. Tek zogjtë dhe tek disa gjallesa që janë bërë mjeshtre të mbijetesës, nevojiten të dy sytë, që ato të mund të shohin një pamje të plotë. Vetvetiu shtrohen disa pyetje: si, sa dhe çfarë shohin të mësipërmet kur iu mungon, ose kur mbyllin njërin sy? Ç’pamje ka bota po të vërehet me një sy zogu e një sy kafshe? A i mungon gjësendi botës, kur shohim vetëm gjysmën e saj? A ia del mbanë syri njerëzor që, duke ngjitur dy a më shumë pjesë të së njëjtës pamje, të sajojë një të tretë, e cila, si në morfologjinë gjuhësore, të jetë e ndryshme nga paraardhëset? E sidomos: a munden dy sytë tanë që, tek ngulin shtizat e shikimit në një pikë të vetme, të njësojnë atje edhe pamjet e përçara, mendimet, dy pjesë të së tërës? Në këtë pamundësi zbulohet edhe një rol mistik, ta themi, i strabizmit. Poetikisht, strabizmi është një përpjekje e dhimbshme, - që jo rrallë zgjon humorin patëkeq dhe mëshirën, - një stërmundim rrënjësor dhe mbase i pavetëdijshëm i organizmit njerëzor për të njësuar, ribashkuar, copët e ndara të botës, të jetës, e madje të vetë shpirtit. Sepse thelbi i kohërave kur ende ndodhemi në trup është ndarja. Ndarja nga Qielli, nga e Përhershmja, nga Thellësitë, nga Vetvetja, nga Njëritjetri.

Ato që i ndodhin atdheut

Kjo epokë e shpërdoron çiltërsinë, sepse vetëm përshfaqja e dhunshme e mendimeve dhe e gjendjeve të fshehta (të fshehura) mund të joshin sot vështrimin dhe vëmendjen e mass-medias. Një poet përballet gjithnjë, të paktën në orët e vetmisë së epërme, me mëdyshjen nëse është i veçantë falë atyre që shpreh, apo falë atyre që fsheh. Dihet që dhimbja e pashprehur, ose thjesht e ravijëzuar, e bën më fisnike, më përzgjedhëse fshehtësinë e një poeti. Një tjetër pyetje e poetit të sotëm është nëse duhet ta përshfaqë dhimbjen sa më në plotni dhe kësisoj të bëhet pjesë e dhimbjes së lexuesit, t’ia marrë këtij të fundit dhimbjet e papërballueshme përmes artit të fjalës dhe të heshtjes dhe t’i shndërrojë përfundimisht në art (pra, në një element më të pranueshëm), apo thjesht t’i përcjellë lexuesit të vërtetën se ia njeh dhimbjen, është binjak me të në të mira e sidomos në të liga etj. Është pohuar me të drejtë se në ditët tona gjithkush mund të hedhë në letër vargje dhe jo rrallë të qëllojë në shenjë. Mbase etja e njeriut për të mbetur në Kujtesë e ka rraskapitur Muzën dhe ajo e ka humbur toruan, duke i hedhur perlat siç hedhim thërrimet e bukës ndaj zogjve, pa marrë parasysh se shumë pak prej tyre janë Nositë.
Poezia shqipe pati një zhvillim tronditës gjatë shekullit XX. Formulat e viteve `30 u zëvendësuan egërsisht nga formula e realizmit socialist, aq sa ndonjë risi e rëndomtë, për shkak të ngurtësisë që sundonte, tingëlloi si arritje e hatashme. U ec pas parimit në vendin e të verbërve qorri është mbret. Kur populli e çante rrugën e historisë me shpatë në dorë, ishte mëse e vështirë ta çaje rrugën e vetmisë me penë në dorë, sepse mund të gdhiheshe i shkuar në shpatë, siç ndodhi jo pak herë. Korifenjtë e poezisë së realizmit socialist ngatërruan qëllimisht pushtetin politik me atë poetik dhe, pas rënies së regjimit, shtrënguan me thonj e dhëmbë një pushtet që mund të quhet mediatik. Mëkatet e tyre u lanë mënjanë falë disa dhuntish fatale tejet njerëzore (siç është etja për të ngatërruar magjinë e një moshe të caktuar me situatën politike të kohës përkatëse, nevoja për të falur ata që s’kanë si të të shkatërrojnë më etj), por edhe ca mekanizmash të mass-medias, që vihen në punë nga shoqëritë e ndërmjetme për të mos shfarosur krejt njerëzinë. Bënë sa mundën, janë pleq e janë penduar – dhe është gati e pamundur të ndash nëse pendimi i tyre erdhi nga plakja, apo plakja e kumtit poetik sajoi në kokën e lexuesit bindjen se janë penduar.
Brezi i ri i poetëve u përpoq të ndreqte ç’ish përdhosur më parë dhe ia doli mbanë të sillte në shqip një poezi përgjithësisht të pastër, vetjake, të denjë për arenën evropiane, duke ruajtur me një përkushtim të admirueshëm fillin e pakëputur të traditës.
Arian Leka është një nga zërat e pangatërrueshëm të këtij brezi dhe një autor që bën poezi programatike, të lartë, për të mos thënë vizionare. Ajo që e shquan nga zërat e tjerë është thellësia dhe largpamësia e programit poetik. Një program që nuk shkon nga letra tek autori, duke iu bërtitur gërmave e tingujve të bëhen vargje, por që rrjedh natyrshëm nga autori dhe kthehet si vetiu në poezi. Lindur në Durrës më 19 shkurt 1966, pasi studioi (aspak rastësisht muzikë, them unë) në Liceun “Jan Kukuzeli”, përfundoi Fakultetin e Histori-Filologjisë, degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe i plotësoi studimet në Itali (Firence) për letërsi të re evropiane. Në vitin 1994 boton vëllimin me tregime Ky vend i qetë ku s’ndodh asgjë, pasuar nga Sacro e Profano, Veset e të Vdekurve, Doan Doel, Legjendat më të bukura (1, 2), Anija e Gjumit, romanin Gjarpri i Shtëpisë, Strabizëm – poezi, dhe Shpina e Burrit – tregime dhe novela. Ndërkaq ka shqipëruar pjesë nga krijimtaria e T. F. Marinettit, Çezare Pavezes, Dino Kampanës, Euxhenio Montales, Italo Kalvinos etj. Ka themeluar Festivalin e parë ndërkombëtar të poezisë – POETEKA – që zhvillohet në muajin prill të çdo viti dhe që tashmë ka një emër të çmuar anembanë. Është kryeredaktor i revistës “Poeteka”, revistë e specializuar për poezinë dhe kulturën poetike, që botohet në Tiranë një herë në tre muaj që prej vitit 2004. Krijimtaria poetike e Arian Lekës ështe botuar e përkthyer në anglisht, gjermanisht, italisht, portugalisht, kroatisht, rumanisht, maqedonisht, frëngjisht. Në shqip kjo krijimtari është vlerësuar shpesh me çmime, ai i Lidhjes së Shkrimtarëve, Çmimi i Lidhjes së Shkrimtarëve për poezinë më të mirë lirike në Festivalin poetik “Lulet e Verës”, Çmimi special për poezinë – Tetovë, Maqedoni. Arian Leka është edhe fitues i konkursit “Evropa, atdheu ynë i përbashkët”, sidhe i Çmimit “Penda e Argjendtë” për vëllimin poetik “Strabizëm”.
Gjatë kësaj periudhe, Atdheut të secilit prej nesh dhe atdheve të përbashkët u kanë ndodhur mjaft gjëra. Vendi i qetë ku s’ndodhte asgjë u dynd disa herë nga veset e të vdekurve, duke nxjerrë në pah veset e të gjallëve. Shumë të gjallë iu zunë vendin të vdekurve dhe anasjelltas. Një nga dramat e mëdha shpërtheu në gjirin e shqipes, gjuhë e stërlashtë që u gjend befas në qerthullin e betejave për ta rindërtuar, ripastruar, rishkruar, rilexuar, ripunuar, ringjallur, rivrarë. Shqipja mes zhurmave dhe tingujve, mes muzikës dhe grahmës së sharrave, mes harpave dhe gromësimave, mes frymës së saj të kulluar dhe barbarizmave që hyjnë njëheresh me dorëheqjen e shkallëzuar të njerëzve nga Shpirti i tyre dhe me triumfin e stomakut dhe të xhepit ndaj idealeve dhe zemrës. Dhe, siç ndodh jo rrallë: kur njerëzit ndahen nga atdheu i tyre, kur gdhihen ose bëhen mërgimtarë brenda tokës së vet dhe shfryjnë larteposhtë, me mllef, me egërsi e pezm llahtarat e atdheut, shkrimtarët mbeten bijtë e përbetuar të tij. Sepse shkrimtarët mbrojnë një atdhe të paktën të dyfishtë. Hirnosja e patriotizmit të pastër, zhvlerësimi i tij, ndodh njëheresh me zhvlerësimin dhe zbritjen nga froni të Letërsisë, me ngadhnjimin e përkohshëm të grafomanisë dhe të “yjeve” që janë lindur të fikur. Në këto kushte shkruajnë vetëm ata që s’rrojnë dot pa letërsinë.
Kam mbetur vetëm, si gjuha, si flamuri, shprehet diku Arian Leka. I vetëm si gjuha e sulmuar nga të gjitha anët dhe nga të gjithë ata që s’ngrihen dot deri në lartësinë e saj, dhe si flamuri, ngjyrat e të cilit duken, ose janë, gjithnjë e më të zbehta. Nuk është e lehtë të marrësh përsipër atdheun, sepse kjo nuk është njëlloj si të marrësh mbi vete dheun e tij. Atdheu është kufomë, / e vetmja kufomë që mban erë të mirë // Iliria e fjetur / Arbëria e tretur…
Në fakt, nuk është fjala për Atdheun, por vetëm për Këtë atdhe, të cilit nuk i hahen mollët, nuk i durohen pordhët dhe që dashurinë e pakët ua ndan fëmijëve / si thërrime (vështrimi?) të rëna përtokë / në errësirë. Ky është një atdhe i padashur për qënien e ndjeshme, për artistin, por nuk është i dashur as për lexuesin, as për analfabetin, as për vrasësin, as për të vdekurit që ikën me shpresën se gjërat do të marrin për mirë. Mirpo nuk është në natyrën e poetit të gjykojë dhe të ndajë faje e ndëshkime. Poeti vajton – dhe ky lloj vajtimi, shumë më tepër se dobësi, është lutje e dëgjuar nga Lart ende pa u shprehur.
Çdo gjë që i ka ndodhur vendit tim / më ka ndodhur dhe mua. Ky varg mjafton për të njohur përkushtimin e qënies poetike, që dashuron atdheun sa më tepër njësohet me të, sa më tepër mban të njëjtën erë me të. Të nevojitet një strabizëm gati hyjnor që të pastrosh, të përkryesh dhe të njësoh dy atdhetë mes të cilëve je lindur dhe që, pas ikjes sate nga kjo botë, do të vazhdojnë të ndeshen, ose njeri do të dorëzohet.

Anija
Arian Leka e ka parë fillimisht botën nga, ose me sytë e Durrësit – ish Dyrrahium, truall i bekuar ku u themelua njëra nga bashkësitë e para shpirtërore të monoteizmit. Në hapësirën e Durrësit gjithmonë kanë sunduar të paktën tri kohë: lashtësia, e tashmja dhe ajo kohë që njëson paprerë kohërat vetjake të të gjithë atyre që vijnë në breg apo që ikin nga bregu. Në Durrës mbaron bota prej toke dhe fillon bota prej deti e qiejsh. Por në Durrës ndodh edhe e kundërta. Për këtë arsye simbolet – kyçe të Arian Lekës janë deti, rëra, anija, peshkatari, rrjeta, fuzhnja, Durrësi, folklori qytetar, akasha e letrave shqipe, aromat e periudhave të lumtura të qytetit bregdetar e bregqiellor, arkaizmat si mjete për të njësuar, ose thjesht për të mos ndarë dy kohë, njëra më shpirtërore, tjetra më lëndore, zogjtë, vetmia etj. Poeti sikur stërvitet të zhvarrosë një botë të tërë, shumë më të hijshme e më njerëzore se e tashmja, një botë fanitja e së cilës, në një çast kulmor, mund dhe duhet të përmbysë gjithë mendësinë tonë të rrënjosur nga e përditshmja. Kjo botë rri e stivosur harmonishëm në një anije vigane e të padukshme, një anije që rinohet njëherazi me plakjen e shpejtë të gjërave dhe me zvjerdhjen e ngjarjeve, dhe që endet rreth e përmes ditës jo se s’ka brigje, por se pret që ta hedhë spirancën në brigjet që sjell me vete. Sepse anija është një univers që endet brenda një universi të cilit i jep leje t’i endet në brendësi. Kjo është e pamundur dhe paradoksale për logjikën me një sy, por është mëse e natyrshme për Poezinë, ashtu siç është për Durrësin, Pogradecin, Vlorën etj.
Anijen-univers e prin një poet, më saktë zëri i poetit. Zëri që s’mund ta ndryshojë botën, por që të paktën ngulmon të mos e lerë të rrënohet më tej. Apo vetëm një grimë pas rrënimit të plotë, mbi shkretinë e mbetur mund të shtrohen brigjet që ndodhen në anije? Duke vënë re se si ecin punët jashtë anijes, jo rrallë poetit ia çart gjumin një pyetje që s’ka lënë shkrimtar pa trandur. Të rrosh a të mos shkruash? Shumë kohë më parë, një sivëlla i poetit, Mihai Eminesku, i përcillte lexuesit dhe binjakëve të vet shpirtërorë një strofë rrënqethëse: Se ç’është në këtë botë, dhe ç’është sot poeti / Që zërin vetmitar pak ia dëgjon, kush do/ Vërtitet i panjohur mes botës që e treti / Kurrkush nuk do t’ia dijë në rron më apo jo / Një copëz vele është, një zemër, flluskë-e kotë / Që ndruajtur rropatet në motin zemërhekur / Më mirë të mos qe shfaqur ai në këtë botë / Në vend të vdiste sot, më mirë dje të kish vdekur[2].
Për mjeshtrat e fjalës shqipe, historikisht roli i anijes ka qenë i dyfishtë. Anija vinte e paftuar nga jashtë dhe sillte mortjen, mirpo anija dilte me ose pa leje nga brenda dhe sillte shpëtimin, duke dëbuar nga hapësira e vet fatkeqësinë. Anija si mit shpirtëror i shqiptarit, si plotësim i lirisë së pamundur, të ëndërruar, të synuar jetavdekje. Anija si shprehje e lexueshme dhe e ndjeshme e lëvizjes kozmike, e ikjes nga hapësirat e ngurtësuara, e zhvendosjes (tjetër vend – tjetër fat), Anija që jo vetëm thyen kufijtë e rehatisë, por që edhe bashkon dy hapësira, të cilat, në mungesë të saj, s’do të ishin takuar kurrë. Poezia e Arian Lekës ngulmon ta vendosë Anijen në qendër të Jetës, menjëherë pas Zotit, dhe të dëshmojë pa fjalë të tepërta se, kur poetit nuk i mbetet as edhe një lexues, as edhe një dëgjues, as edhe një shpirt binjak, ai vazhdon të shkruajë për botën, për anijen, për heshtjen dhe lëvizjen, apo edhe për gjumin, të cilin anija e merr me vete, duke lënë pas vetëm zgjimin e të gjitha shqisave. Atë zgjim që mund t’u mësojë leximin edhe gurëve të atdheut.

Dalje nga gjumi
Ideale do të kish qenë sikur krijimtaria e një poeti të shqyrtohej, sidomos për lexuesin e huaj, duke përdorur harmoninë e brendshme të veprës së tij, tingujt dhe ritmet, me rimat e dukshme e të padukshme amtare, ndonëse kjo mund ta kish pakësuar dëshirën për t’ia lexuar veprën. Pasi lexon poezinë e Arian Lekës, jo vetëm në shqip, por edhe në rumanisht, bindesh sërish se muzika e verbit mund të hapë edhe dyert e ferrit, sidomos në prag të globalizimit, kur zhurma ka marrë pushtetin dhe kur njeriu e ka shumë më të lehtë t’u ngjajë gjithë të tjerëve se sa të vazhdojë t’i ngjajë Krijuesit. Muzika e shqipes mori një plagë të tmerrshme shumë kohë më parë, kur si rastësisht, zanoret e hapura, qiellore, nisën të zëvendësohen nga zanoret vajtimtare dhe monotonizuese dhe t’i shtrojnë udhën së kobshmes gjuhë druri. Mbytja e â-ve nga ë-të dhe shumëzimi i bashkëtingëlloreve hundore, stomakore e kockore si shprehje e varfërimit të jetës e të trurit, mbetet një nga tragjeditë e mëdha të shqipes, ndonëse forca e saj arriti dhe arrin të nxjerrë ende kryevepra nga rrënojat e vetvetes. Muzika e Arian Lekës pahon dhe synon të ndreqë pikërisht strabizmin brenda-gjuhësor të shqipes, duke zbuluar tërthorazi edhe strabizmin nga i cili vuan sot gjuha njerëzore. Kurse sa i përket mundimit tonë për të mos e lënë ndarjen e gjithanshme të na verë nën thundër, ai mbetet një lloj i lumtur strabizmi, të paktën për shpirtin. Ndoshta ngaqë trupi i ka ditët e numuruara dhe nuk dëmtohet nga pak poezi, shije fluturimi a mbijetese. Aq më tepër kur mbrrin ai çast një mike pret t’i mbijnë prej teje flatrat / në kohëra të errëta kur nuk mbijnë veç brirë[3].

Bukuresht, verë 2007


Ardian-Christian Kyçyku
U dynd vdekja dhe gëlltitur mbet nga vargjet*
(Disa fjalë mbi praninë e Ali Podrimjes në poezinë evropiane)

Asnjëherë s’është vonë të flitet për Vdekjen, sidomos për dy fytyrat thelbësore që lindja e re (sipas mistikëve) dhe fundi i botës, ose asgjësimi (sipas ateistëve), i ka të paktën qysh kur në këtë botë shkruhen vargje. Vdekja e dhunshme, e pazbërthyeshme, zemërgurtë, e dalldisur, e shoqëruar nga një humor çnjerëzisht i zi - dhe Vdekja pa të cilën letërsia nuk do të kish ekzistuar. Ndoshta në pafuqinë apo në ngutjen për t’i ndarë qartësisht të dyja fytyrat e Vdekjes, qëndron edhe tragjedia e vërtetë e njerëzimit, por edhe kufiri që veçon grurin nga egjra. Njeriu pasmodern nuk i ndruhet më vdekjes ngaqë e ka lënë veten t’i zhvatet ajo që ka më të shtrenjtë dhe më të amëshuar qysh nga lindja, domethënë Besimi. Ai lejoi, madje bëri çmos që ta zhvendoste besimin në qënie tek besimi në sende. Por, teksa qëniet janë të pafundme ngaqë dhurojnë e vetëdhurohen, sendet kanë një fund ngaqë përthithin në mosdije gjithçka dhe të gjithë. Në një farë mënyre, e ardhmja e njeriut është shkretuar nga e shkuara, sepse sendet, duke mos pasur as të shkuar e as të ardhme, orvaten t’i ngjizin rrejshëm ato. Mistiku i shquar Kleopa këshillonte qartë: në të djathtë të mbajmë frikën nga Perëndia, në të majtë frikën nga Vdekja, për të lartuar kësisoj muret shpirtërorë që e ndihmojnë njeriun të çapitet vetëm përpara, drejt shpëtimit. Vdekja e epërme, mësimdhënësja, ajo që urtëson, mbush me mëshirë e mirëkuptim, është e lidhur ngushtë me Perëndinë, madje përfaqëson një mjet të fshehtë të Tij. Por sytë e njërëzve të sotëm janë të zbrazët, të përndezur nga pakënaqësia dhe pangopja, ndërkohë që uria e shumëfishtë e tyre është bërë qelizore dhe marroke, ngaqë e kanë harruar Vdekjen dhe i druhen në mënyrë sporadike, në raste urgjence, vetëm vdekjes së trupit. Ky është shkaku që, ndër të tjera, nuk ia kanë frikën as Perëndisë.

*

Rrallëherë ndonjë fjali më ka ardhur njëherazi në të dyja gjuhët që shkruaj. Fjalia U dynd vdekja në kullën e Poetit dhe i rrëmbeu fëmijën (në shqip) dhe Nãvãli Moartea în turnul Poetului şi-i rãpi copilul (rumanisht) më është ngulitur në mendje pas leximit të poezisë së Ali Podrimjes**, përkthyer në rumanisht. Ndodhia që ka lindur fjalinë e mësipërme është aq e dhimbshme, saqë lyp heshtjen e një përshpirtjeje, e ruajtjes së diçkaje të shenjtë, por e njëjta heshtje ta përshfaq vegueshëm shtjellimin dhe çnzjëtimin e një të shkruari që vështirë se mund të ndryhet në kanune a rryma letrare. U dynd vdekja në kullën e Poetit dhe i rrëmbeu fëmijën. Djalin. Mbartësin e gjakut, e emrit dhe të ardhmes së fisit. Në vitin sprovëmadh 1982. I la në këmbim penën, trandjen e prindit mbetur pa bir, - si në kohëra lufte, kur jo fëmijët varrosin prindërit, por anasjelltas, - sidhe një sasi të stërmadhe letre të bardhë. Në atë letër dergjet i vetmi ngushëllim, i shkallëzuar, gati-gati ritual, i Prindit-Poet. Mirpo i rrëmbeu djalin. Mirpo i la krejt pjesën tjetër të botës. Biri merr me vete një botë të tërë, ndërsa Prindit i duhet të rindërtojë nga shkretia e strukur përtej letrës së bardhë dhe jetës së nxirë dhunshëm botën-me-djalë. Aspak rastësisht, biri quhet Lumi***. Barasvlerësi i Përmbytjes dhe i ujit të së shtunës në traditën shqiptare është E mori lumi. Ky lumë haset edhe në përfytyrimin apokaliptik të prozatorit të madh Mitrush Kuteli. Lumi i Madh përmbys gjithçka, kthen sëprapthi, rrënon dhe gëlltit një botë të tërë - ndërsa prindi Ali Podrimja lipset ta mposhtë letrën e bardhë të një zije pa ngushëllim duke pritur (edhe ne tok me të) çfarë ka për të sjellë Lumi i Vogël.

*

Do të kish qënë e gabuar të pohonim se Podrimja nuk do të kish qënë zëdhënësi i madh i Dhimbjes po qe se nuk do të kish humbur të birin. Por është e sigurtë se tronditja e humbjes së një “kryevepre” në mish e eshtra e mësoi dhe e përgatiti për të ligjëruar në vend të shumë njerëzve të shtypur nga paparashikueshmëria e Vdekjes. Ai nuk e rrëmben të drejtën për të folur në vend të të tjerëve dhe as nuk abuzon me sasinë e stërmadhe të letrës së bardhë, por e fiton si një të drejtë tejlëndore, njëlloj sikur kjo e drejtë të qënkej i vetmi mishërim i mundshëm i fëmijës së bjerrur, aq sa mund të betohesh se është lindur me fuqinë dhe misionin për t’i ndriçuar të cfiliturit nga vdekja, në palcë. Tragjedia na kujton tërthorazi ritin e stërlashtë të dakëve, të cilët, për të marrë një përgjigje apo një falje nga Yjori, zgjidhnin nga një djalosh të panjollë, të pastër shpirt-e-trup-kulluar, dhe e bënin të hidhej në një gropë plot me shigjeta. Në një farë mënyrë, ai ishte shpëtimtari i fisit. Po qe se përgjigja vonohej, donte të thoshte se djali nuk pat qënë i pastër aq sa duhej. Prandaj zgjidhej një tjetër, dhe kështu deri në marrjen e përgjigjes-zgjidhje. Një përfytyrim tanimë i pragmatizuar rreth rëndësisë së trupit dhe të shpirtit, i shtynte dakët të gëzoheshin në vdekjen e dikujt, të këndonin, të ngazëlleheshin, dhe të qanin me shtatë palë lotë kur lindej dikush.
Koha dëshmon se Podrimja nuk është zgjedhur rastësisht. Drama mizore e hapësirës në të cilën është lindur, – ku shpesh vetëm vdekja nuk vonon e ku nënat i mëkojnë edhe fëmijët e vdekur, – përgatiste kaherë një zë i cili do të mundte t’i jepte zemër shpirtit të bashkësisë në çaste mëdyshjesh, ose pas fatkeqësish që duken absurde. Roli i këtij zëri nuk është më i vogël as sot, sepse drama kosovare dhe mbarëshqiptare, ende nuk ka marrë përgjigje. Dhe kur shumë vetë bëjnë çmos që ta anashkalojnë vuajtjen vetjake dhe atë kolektive, kur jo pak të tjerë mezi presin të zhvatin dekoratat e caktuara për vuajtjet e tjetrit, qoftë edhe duke e dekoruar këtë, - njëlloj sikur dekorata të qënkej nëna e vuajtjes, - e folmja në emër të Vuajtjes së thellë njerëzore tingëllon patetike ose e stisur. Por Podrimja dikton një tjetër strukturë të ligjërimit, madje edhe të leximit të poezisë. Ai nuk ndalet vetëm në një apo dy degëzime të Dhembjes (për dashurinë e përdhosur, për atdheun e shkretuar e të plaçkitur, për hipokrizinë e rëndomtë, për sahanlëpirjen dhe demagogjinë, që e çojnë botën në humnerë, për njeriun e poshtëruar e të huajsuar, për shpirtin e rrënuar, për prindër përjetësisht në zi etj), por njësohet me vetë Dhembjen e qënies që ende ndodhet në trup - dhe i rrëmben butësisht vetë gjuhën.
U dynd Poeti në shtëpinë e Vdekjes dhe i rrëmbeu ligjërimin…

*

Poeti Ali Podrimja shfaqet në shkrimin shqip të mesviteve ’60, kur hapësira perëndimore e Evropës e mbante lindoren në një farë oborri të mbyllur, apo burg të hapur, por deri në cak të oborrit. Izolimi s’mund të ketë asnjëherë një “prind” të vetëm, ndërsa zgjatja e tij në kohë e mpak hapësirën, e bën frymëzënëse dhe ul çmimin e lëkurës. Mos vallë Perëndimi ka dashur të shohë sa është në gjendje të mbajë lindori fatkeq, apo ka synuar ta përhapë vdekjen e papërgjegjshme, trupore, motër e kësaj bote dhe jo e qiellit? Pó Perëndimi, duke ndryshuar klishetë e parrullave të dikurshme, por duke ua ruajtur thelbin, i shpërdoroi deri në bjerrjen e fjalëve burimore, e shpirtmadhësisë, e empatisë, e detyrimit njerëzor për ta përfytyruar veten, qoftë edhe përkohësisht, gjer edhe thjesht për kurreshtje shkencore, në vendin e sivëllait, për të mbërritur deri tek humbja e Hirit, aq sa u katandis vetëm në gjendjen e soditësit. Perëndimi nuk merr pjesë drejtpërdrejt dhe nuk përfshihet në dramën e mirëfilltë, ama dëshiron ta udhëheqë fatin e saj. Rehatia ime vlen më shumë se vuajtja jote, duket sikur thotë, megjithse ti je i gjallë dhe i munduar, ndërsa unë i nginjur dhe i ngurtësuar. E çfarë pastaj nëse…
E çuditshme është që të ngujuarit në skenë i ka pushtuar euforia dhe besojnë se po rindërtojnë nga themelet botën mbarë. Poezia shqiptare kalon nëpër një periudhë kënetore, ku Shpirti përndiqet e poshtërohet ashtu siç as poezia nuk arrin dot ta rrëfejë. Diktatura i bind përfaqësuesit e metastazikut realizëm socialist se janë feneri i komunizmit në botë dhe se pjesa tjetër e planetit s’ka asnjë rrugëdalje mbijetese, nëse nuk përvetëson mësimet e internacionalizmit proletar. Gjoja jo paranoja na mban të vetërrethuar, duke na detyruar ta bëjmë hak fatin, por presim përqark dramës së Perëndimit, që ky të na japë të drejtë, të na përulet, ta pranojë miopinë e vet. Të njëjtët zëra sëmurës u kallin tani frikën lexuesve me zgjerimin e pamëshirshëm të globalizimit, dukuri që, sipas tyre, do t’i shfarosë letërsitë kombëtare, vlerat, autenticitetin etj. Synimi është që lexuesit, të helmuar gjatë një gjysmëshekulli, të ngrenë në qiell dhe të mos mundin të heqin dorë nga shpëlarja e vullnetshme e trurit, nga frika e globalizimit, pra të rrafshojnë çdo vlerë të re letrare, ose ta trajtojnë si ndonjë murtajë. Përndryshe pushteti i pinjollëve dhe i nipërve të propagandës, - që ngatërrojnë fuqinë e dhuntive me atë të qeverive, - zhduket.

*

Ali Podrimja shfaqet si një zë i pangatërrueshëm në poezinë shqiptare dhe flet në emër të Dhembjes tërësore pikërisht kur shumica e kolegëve të penës u thurrin lavde arritjeve të komunizmit. Shqipëria e tij është e përjetshme, e shkëputur nga realiteti i çastit në disa shtresime kohore dhe hapësinore, të ndërthurrura e të ndërvarura (Arbëria, Çamëria, Kosova, Shqipëria, Diaspora, Guri, Kulla, Uji i Madh, Drini, Sharri, Ereniku, Arta, Bjeshkët e Namuna, ura dhe lumenj dhe kulla dhe të vdekur të mbivendosur në kohë dhe në hapësirë etj, zonë në të cilën një vashë, bie fjala, mbytet në një lumë falë pikëllimit të brigjeve që nuk takohen), por e pacënuar dhe e paprekshme në poezi. Ajo është Uni-Versi**** i shpërbërë dhe i përbërë nga vers-e (vargje). Poetografia, - që t’i vemë një emër gjeografisë së ngjizur nga Podrimja, - nuk është shprehja e një arratie në vargje, por e një angazhimi në fatin e amëshuar të etnisë, ku përmasat e kohës janë të shkrira në një të tashme të paskaj. Poeti i këqyr vuajtjet dhe pamundësitë e dje-sot-nesër me syrin global dhe nuk i thërrmon dramat e përditshme, apo të përjetshme, që të ushqejë globalizmin. Por është i vetëdijshëm se sa e tashme duhet të rrjedhë deri në (ri)përmbushjen e përfytyrimit të vet zanafillor, sa breza lipset të mbërrijnë në botën tjetër, mbase për ta ndrequr me çmimin e jetës baraspeshën e prishur të kohërave - dhe duron, por pa iu shmangur për as edhe një grimë tragjedisë së kombit të tij.

*

Poezia e Podrimjes është bërë dhe mbetet bashkëkohëse me Gurin që mendon e hesht në gjuhën shqipe. Në kushtet e sotme, ky Gur është jo vetëm kufi i së vetvetishmes dhe i dinjitetit, por edhe koka e kthjellët e vetëqënies së një kombi. Ai ndan qartë vdekjen e rëndomtë nga ajo e lartë, mbështetëse e Shpirtit. Guri e ndihmon Poetin të riformësojë vajtimin, kujën e sidomos ankesën, duke rishpirtëruar dinjitetin. Ajo që lëviz dhe përshkruan lëvizjen mund të shtjellohet në mënyrë të paparashikueshme dhe të panatyrshme, sidomos nën trysninë e pragmatizmit. Prandaj nga poezia e Podrimjes nisin të tërhiqen foljet. Tendosja, të cilën foljet e zbutnin dikur, mërgon tani drejt fjalësh të tjera, drejt përfytyrimeve të mëtuara në dhe nga mungesa e foljeve, struket deri në shkrirje, duke krijuar kësisoj një poezi thuajse të prekshme, por të prekshme deri në pikën ku s’mund të shformohet. Poezia bëhet frymëzim dhe frymëmarrje dhe asnjëra nuk vepron këtu si një folje, por si një realitet që ndërtohet shkallë-shkallë, si një lutje e dyfishtë: për të mbijetuar shpirtërisht dhe për t’i forcuar ata që ndjejnë njëlloj, por që nuk mund të shprehen në (uni)verse. Shpeshherë, sikurse ndodh me poezinë e madhe, tek Podrimja gjithçka duket sikur shkruhet vetë. Më saktë: qëniet, sendet, hapësira dhe koha duket sikur kanë rënë në ujdi që të përcaktojnë një ligjërim dhe të bëhen të lexueshme me shkuesinë e autorit. Poezia flet në një kohë kur jeta dhe vdekja mbajnë vesh, mbetur pa gjuhë. Nuk janë të paktë autorët që besojnë se mjafton t’ua krasitësh foljet disa përshkrimeve, t’u ndrrosh vendin ca fjalëve, të shtosh ca gllënjka sarkazme të epërme dhe ke për të fituar vetiu zërin e Podrimjes, mëninë e tij poetike, fuqinë për të folur ndër dhe nga brenda Dhembjes. Nuk mjafton, ndërsa numuri i epigonëve dëshmon edhe një herë, megjithse nuk është nevoja, se poezia e madhe nuk udhëhiqet nga muzat, por u prin muzave. Prandaj poezia e Podrimes nuk shumëfishon dramatizmin e lexuesit, por e shndërron në mençuri, në përvojë.

*

Kundërveprimi i rreptë ndaj padrejtësive është cilësuar si një përmasë e rinisë pa pleqëri. Në një banesë të lumtur Vdekja rri në vendin e duhur. Në kullën e Poetit mungesa e fëmijës të grabitur dikur, para përjetësimit të së tashmes, është bërë rini e prindit. Ky e ka mposhtur vdekjen e papërgjegjshme me flijimin e padëshirueshëm të birit, duke fituar kësisoj mbështetjen e Vdekjes së epërme. Ajo ka zënë vend tani pranë Gurit, në qëndër të UniVersit, e qarkuar nga fjalë-imazhe, në një marrëdhënie ende të paqartë me pjesën tjetër të botës. Vdekja e papërgjegjshme ulërin si ujku i uritur dhe i vëritet kullës. Por poezia e madhe nuk duhet t’i paguajë ritmikishjt tribut vdekjes e madje as jetës. Në një vështrim më të gjerë, kulla mishëron qënien e shqiptarit, rrethuar nga përfaqësues të të paftuarve, si dhe të hiçit që përgjon mbrapa mirëkuptimit. Një poezi shkundulluese e shkruar nga Podrimja flet pikërisht për këtë gjendje faktike dhe shpirtërore. Në takofsh në udhë ujkun dhe shqiptarin, thotë dikush, vraj shqiptarin dhe fale ujkun. Përgjigja e shqiptarit është e thjeshtë dhe shajnitëse: Po qe se me vret mua, more, i gjorë, kush do ta vrasë Ujkun?!
Ujku duket të jetë edhe njëri nga mishërimet e hiçit në këtë botë. Sa i përket vdekjes, por edhe hiçit, gjërat janë të qarta, të paktën për shqiptarët. Se Të jesh shqiptar / e vdekja të mos të gjejë / edhe në skaj të botës / e pamundur është.
Cili mund të thotë sa vdekje të shumanshme kanë gëlltitur këta vargje?!

Bukuresht, dhjetor 2007

* Kjo ese shoqëron vëllimin antologjik “Cartea ce nu se închide” (Libri që nuk mbyllet) të Ali Podrimjes, me 93 poezi, përkthyer në gjuhën rumune nga Kopi Kyçyku, që doli nga shtypi në Bukuresht në prag të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe si shenjë nderimi për 65-vjetorin e Ali Podrimjes.
** Ali Podrimja, poet i gjuhës shqipe, lindur më 28 gusht 1942 në qytetin Gjakovë të Kosovës, autor i një vepre poetike befasuese, i cilësuar si njëri nga themelvënësit e poezisë shqiptare moderne.
*** Lum Podrimja, i biri i poetit, vdiq në vitin 1982, pas vuajtjesh të gjata, nga një sëmundje e pashërueshme.**** Fjalë e A.-Ch. Kyçykut. Këtu ka njëherazi kuptimin: Universi, Vargu Unik, NjëVargu, NjëFjala (rumanisht) dhe Vargu i Unit (shqip).

[1] Arian Leka, Nava Somnului, (Anija e Gjumit), antologji autori, përktheu Kopi Kyçyku, botoi Librarium Haemus, Bukuresht, qershor 2007.[2] Shqipërim i imi – A.-Ch. Kyçyku.[3] Arian Leka, Kulishë të verbër, Strabizëm, botimet Ideart, Tiranë 2004, f. 108.