Showing posts with label Shpend Topollaj. Show all posts
Showing posts with label Shpend Topollaj. Show all posts

Shpend Topollaj: Këngëtarja e pafat (Cântăreaţa nenorocoasă)

Kujtimit të Jorgjie Velos

Ndofta pak e mbajnë mend Jorgjien sot. Atë mexosopranon e bukur me atë zërin e rrallë. Dhe patjetër që akoma më të pakët janë ata që e dinë fatin e saj dhe mënyrën tragjike se si vdiq. Pas mbarimit të Liceut në Tiranë, Jorgjies i doli bursa për të vazhduar studimet e larta në Konservatorin e Bukureshtit. Ajo e priti me shumë gëzim këtë. Rumania seç kishte një histori të ngjashme me atë të Shqipërisë. Sidomos pushtimet romake dhe ato turke i afronin shumë këto dy vende. Ne kishim Skënderbeun, një hero që i bashkoi princët shqiptarë, dhe rumunët një shekull e gjysmë pas tij nxorën Mihai Trimin, që bashkoi tri principatat, duke mbetur kështu si simbol kombëtar për atë popull. Bukureshti, buzë lumit Dëmbovica, degë e Danubit, që ishte bërë kryeqytet qysh nga viti 1659 (nën sundimin e princit Gheorghe Ghica / Gjika), me ndërtimet, kishat mesjetare dhe njerëzit e shquar të shkencës dhe kulturës, ishte një qytet i madh dhe plot gjallëri.