Showing posts with label Elisabeta Luli (Anxhaku). Show all posts
Showing posts with label Elisabeta Luli (Anxhaku). Show all posts

Elisabeta Luli (Anxhaku): Pretenca e Prometeut qytetar shqiptar

- Themistokli Gërmenji dhe familja e tij. 
Bota shqiptare, jeta, epopeja korçare dhe gjyqi në Selanik -

Ka raste kur fati vendos pretencën e gjyqit të historisë në çekiçin dhe daltën e skulptorit, i cili godet dhe godet në rrëmbat e rëndë të rrënjëve të gurit dhe, nga minuta në minutë e nga dita në ditë, paraqet Monumentin.
Kështu ka ndodhur edhe me Themistokli Gërmenjin, kur, më 1933, skulptori Odise Paskali shkoi në Korçë i ftuar nga qyetarët korçarë: Duhej të ngrinte një munument për Prometeun e qytetarisë shqiptare.
Në kujtimet e tij Odise Paskali shkruan: “Për monumentin e Themistokli Gërmenjit përgatita një maket të studjuar më shumë me kërkesat artistike, se sa të realitetit historik të personazhit. Dhe nuk ma pëlqyen punën në Korçë, ndaj bëra një tjetër, duke pasqyruar vetitë fizike dhe shpirtërore të atdhetarit të shquar.
Portretin e punova në shtëpinë e Themistokliut, në prani të së vesë dhe nën vërejtjet e personave që e kishin njohur.”

Në vitin 1919, nga patriotët shqiptarë u botua një libër me dokumente që iu paraqitën Konferencës së Paqes në Paris. Midis dokumentave më të rëndësishme ishte edhe një për veprën e Themistokliut: Shqipëria e shqiptarëve, kjo është kryefjala e tërë ndënjësve të fushës pjellore të Korçës...
... Qysh sot, dy muaj që është formuar Republika e Korçës dhe shqiptrarët po na e provojnë se janë të zot me jetuem në harmoni me njëri-tjetrin. Ngatërresa fetare nuk ka më kush t’i nisë.”
Republika Autonome e Korçës ishte familja e shënjtë e Themistokliut. Ishte vepra e madhe e jetës së tij. Me këtë vepër ai e shpëtoi Korçën nga pretendimet shoviniste dhe njeherësh tregoi para botës aftësinë për të qeverisur.