- Themistokli
Gërmenji dhe familja e tij.
Bota shqiptare, jeta, epopeja korçare dhe gjyqi në
Selanik -
Ka raste kur fati vendos pretencën e gjyqit të historisë
në çekiçin dhe daltën e skulptorit, i cili godet dhe godet në rrëmbat e rëndë
të rrënjëve të gurit dhe, nga minuta në minutë e nga dita në ditë, paraqet
Monumentin.
Kështu ka ndodhur edhe me Themistokli Gërmenjin, kur, më
1933, skulptori Odise Paskali shkoi në Korçë i ftuar nga qyetarët korçarë:
Duhej të ngrinte një munument për Prometeun e qytetarisë shqiptare.
Në kujtimet e tij Odise Paskali shkruan: “Për monumentin e Themistokli Gërmenjit
përgatita një maket të studjuar më shumë me kërkesat artistike, se sa të
realitetit historik të personazhit. Dhe nuk ma pëlqyen punën në Korçë, ndaj
bëra një tjetër, duke pasqyruar vetitë fizike dhe shpirtërore të atdhetarit të
shquar.
Portretin e punova
në shtëpinë e Themistokliut, në prani të së vesë dhe nën vërejtjet e personave
që e kishin njohur.”
Në vitin 1919, nga patriotët shqiptarë u botua një libër
me dokumente që iu paraqitën Konferencës së Paqes në Paris. Midis dokumentave
më të rëndësishme ishte edhe një për veprën e Themistokliut: Shqipëria e shqiptarëve, kjo është kryefjala
e tërë ndënjësve të fushës pjellore të Korçës...
... Qysh sot, dy
muaj që është formuar Republika e Korçës dhe shqiptrarët po na e provojnë se
janë të zot me jetuem në harmoni me njëri-tjetrin. Ngatërresa fetare nuk ka më
kush t’i nisë.”
Republika Autonome e Korçës ishte familja e shënjtë e
Themistokliut. Ishte vepra e madhe e jetës së tij. Me këtë vepër ai e shpëtoi
Korçën nga pretendimet shoviniste dhe njeherësh tregoi para botës aftësinë për
të qeverisur.
Për Themistokli Gërmenjin ka disa jetëshkrime. Por ai që
na duket më i gjerë dhe më i saktë është ai i lënë nga historiani, korçari i
paharruar, Petraq Pepo.
Nga vinte e cila ishte familja Gërmenji?
“Familja Gërmenji,
nga e cila ridhte Themistokliu, e kishte origjinën e saj prej fshatit Gërmenj
të zonës së Kolonjës.
Me largimin prej
andej dhe me vendosjen në Korçë të ungjit të tij, Mitres, u shpërngulën bashkë
Gërmenllinjtë.”
Por me se merreshin Gërmenjllinjtë? Cilat ishin pronat e
tyre? Si u shqua midis tyre Themistokli Gërmenji?
“Mitreja mbante një
han në Pazar të Korçës, njëkohësisht merrej edhe me punën e “amanetçinjve”.
Po çishin “amanetçinjtë ”?
“Në kushtet e
administrimit të Turqisë, shërbimi postar linte shumë për të dëshiruar, prandaj
kurbetçinjtë iu besonin tregëtarëve shqiptarë “njerëzve të amanetit” të hollat
dhe plaçkat për t’ua u dorëzuar familjeve të tyre në vëndlindje.”
Ja, pikërisht në një ambjent të tillë do të rritej
Themistokliu si fëmijë, si adoleshent dhe derisa mori edhe ai rrugën e
kurbetllinjve aty tek Lëndina e Lotëve.
“Kur ishte i ri,
merrte pjesë në lodrat e kohës, të përshtatshme për moshën e tij, shquhej në
rendje dhe në kërcime, ngjitej në malet dhe hynte në grykat e maleve të
Moravës, futej në pyjet e Bozdovecit, i pëlqente të vinte deri tek Guri i Capit
dhe të shlodhej tek lisi shekullor i Stamos.
Vërsnikët e tij,
shokët e shkollës dhe të një lagjeje, si Mihal Grameno, Loni Llogori, Nuçi Naçi
etj, e konsideronin si kryetar të grupit të tyre“.
Midis librave të biblotekës familjare, ndodhej edhe
“Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos.
Themistokli Gërmenjit do t’i nguliteshin thellë në shpirt
këto toponime të fëmijërisë nga Korça dhe do t’i mbronte ato me zjarr në të
ardhmen kundër çdo lakmie shoviniste.
Përshtypje të madhe do t’i linin Themistokliut të vogël
ditët e pazarit të madh të Korçës, kur vinin fshatarë nga Gora, Opari, Devolli
e deri nga Mokra, nga Kosturi, Skrapari etj.
Por familja e Gërmenjllinjve u trondit rëndë prej një
fatkeqësie të madhe, mbasi i ati i Themistokliut, Thanasi, vdiq në tokë të
huaj. Atë e patën vrarë agjentë të feudalëve turq. Kjo fatkeqësi e vuri
Themistokliun përpara detyrës morale. Ai duhej t’i vinte në ndihmë shtëpisë,
familjes.
Ai mori rrugën e kurbetit në Rumani, atje ku ndodhej edhe
vëllai i madh, Spiroja, motra e martuar Aleksandra, shokët e tij të Korçës,
Mihal Grameno, Thoma Avrami, Asdreni.
... Më jep një hero,
të jap një tragjedi. Fati tragjik nuk iu nda tërë jetën këtij njëriu të
madh. Por kjo tragjedi e tij, në fakt, ishte një tragjedi optimiste, në shërbim
të Shqipërisë...
“Siç thotë edhe
Themistoklica në kujtimet, ai do të ketë marrë rrugën e kurbetit aty nga vitet
nëntëdhjetë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Anëtarët e familjes dhe të afërmit
e përcollën Themistokliun duke vënë në jetë zakonet kombëtare të Korçës,
hëngren darkë të heshtur, shkuan tek vëndi klasik i përcjelljes, “Lëndina e
Lotëve”.
Në hejbe i vunë një qeskë me dhé nga dheu i Korçës,
mëmëdheut.
Rruga për në Rumani me karvane bëhej për 15-17 ditë. Pas
7-8 ditësh, Themistokliu arriti në Sofje, qytet të cilin qiraxhinjtë e kanë
quajtur si mesin e rrugës për të arritur në Rumani.
Në Sofje qëndroi dy ditë për tu shplodhur, për tu
furnizuar, për tu takuar me të njohurit, për të plotësuar porosi të ndryshme.
Bukureshti, Rumania, komuniteti shqiptar aty do të bëhej
një shkollë e madhe e jetës, e qytetarisë dhe e atdhetarisë.
“Gjatë rreth 3
viteve në Bukuresht, Themistokliu u muar me punë të thjeshta, pastaj shkoi në
qytetin Braila, ku, së bashku me një rumun, u muar me tregëti të vogël peshku.”
... Mbi gurin e rëndë të qëndresës dhe të pretencës
historike binte dalta dhe çekiçi i skulptorit të popullit ato ditë të vitit
1933.
Si arriti Themistokli Gërmenji, ky emigrant ekonomik, të
vinte në Shqipëri me një çetë të fuqishme patriotike dhe të kontribuonte
realisht për pavarësinë? Si i mbrojti kufinjtë tokësorë? Ku e fitoi artin
diplomatik për të negociuar e fituar jo vetëm në betejë, por edhe nepër tryezat?
Si u gatua Republika Autonome e Korçës dhe si francezët e besuan atë si Kryetar
të kësaj Repuplike? Si u bë ai një drejtues dhe menaxhues i aftë dhe i
talentuar i qytetit?
Në një gazetë të Korçës të quajtur “Populli”, të vitit
1936, midis të tjerave lexojmë: “Fytyra e
Themistokli Gërmenjit është një nga fytyrat më të pastra që ka nxjerrë gjiri i
popullit shqiptar, djalë i popullit, i rritur në mes popullit, për lirinë e
popullit shqiptar“.
E adhuronin fshatarët e qarkut të Korçës. Kudo ku e zinte
nata i shtronin Sofrën.
Një nga bashkëluftëtarët e tij tregonte një ditë, se si iu
përgjigj miqve që e këshillonin Themistokliun që të ruhej nga vrasësit dhe nga
hasmët. Menjëhërë revolucionari i maleve ju përgjigj: “Po, po, more miq të dashur, unë e di se trupi im në ndonjë hendek do të
mbetet, por kjo prapë nuk më trëmb, se çështja është më e shtrënjtë se jeta”.
Thënia se Themistokli Gërmenji është një hero tragjik plotësohet edhe me këtë
fakt: Ai e dinte se fati po e çonte në një fund tragjik, megjithatë ecte drejt
këtij fati pa u lëkundur.
Po cilët ishin ata që e akuzuan?
“Për fatin e zi të
Korçës dhe për faqe të zezë të historisë tonë, u gjendën në mes të shqiptarëve
disa tradhëtarë që u bënë vegël e politikës greke dhe mbështetjes të tyre. Këta
tradhëtarë mos i kërkoni në popullin korçar, por në bejlerët e Korçës dhe në
parësinë e korruptuar të Korçës“.
Por çfarë shpifën dhe çfarë e akuzuan konkretisht?
“Shpifën dhe e
akuzuan se gjoja e kishin parë Themistoklinë të gjezdiste me Istref bej
Starovën dhe Seremen (politikan austriak) me një lundër në liqen të Maliqit”.
Cilët ishin konkretisht këta akuzatorë?
“E shpiknë këtë
Qani Dëshnica, Hysen Dëshnica, Ymer Fazlliu, Thimi Çikozi, Sabri Panariti. Se
kush nga këta shpresonte të zinte vëndin e Themistokliut. Për ta bërë shpifjen
kanë bërë dy mbledhje, një në shtëpi të Ymer Fazlliut në Korçë dhe tjetrën në
Dëshnicë”.
Bejlerët dhe parësia e korruptuar e Korçës... Si
gjithmonë paralelet mund t‘i heqim në çdo kohë, edhe në kohën e sotme edhe në
përsonazhe të tjerë. A nuk ishte Islam bej Këlcyra që, pas vrasjes së Dhespotit
Foti nga Topullinjtë, hakërrehej në “Albania” të Konicës se Topullinjtë nuk
kishin “monopolin” e patriotizmit, se atë në e paskërkej dera e tyre dhe aty
duhej të merreshin vendimet e rëndësishme. Këto kontradikta dhe luftë të
brëndshme shikojmë sidomos në epistolarin e Themistokli Gërmenjit – një përmasë
kulturore dhe qytetare e Heroit tonë.
Janë jo pak letra që janë ruajtur dhe, nëpërmjet tyre,
shikojmë se sa me zjarr, pasion dhe argumente, Themistokliu luftonte kundër
shpifjeve dhe kundër kurtheve.
Në njerën prej tyre, ja se si shkruan Themistokliu për
bejlerët dhe pashallarët: “Kush i
shkaktoi pra të gjitha këto gjakësi që i erdhën në krye Shqipërisë: “Shqipërinë
po e shkatërrojnë krerët e Shqipërisë, të cilët, së bashku me Esatin, u bënë
vegla të grekëve dhe të sërbëve“.
Prishja që na
erdhi në Shqipëri na erdhi vetëm nga pashallarët dhe nga bejlerët të cilët për
të mos humbur influencën që kanë patur në Shqipëri në kohërat e Turqisë, u bënë
vegla të propagandave të huaja dhe duke marrë ca të holla pa menduar fundin.
Pashallarët dhe bejlerët kujtuan se Shqipëria do të bëhej vetëm për ta dhe ata
do të kenë atë fuqi dhe influencë që kishin në kohë të Turqisë, por, kur
kuptuan se Shqipëria nuk u bë vetëm për ta, por u bë për të gjithë shqiptarët,
thanë: “Shqipëria nuk qënka jona, neve që kemi qënë oxhakët e Shqipërisë, sot
nuk na shkon fjala. Por pa mejtuar fare se oxhakët e tyre kanë shuajtur aq
shumë oxhakë dhe përse? - Vetëm për të rrëmbyer mall. Marshalla oxhak”.
Por nuk ishte vetëm lufta klasore, ishte edhe gjendja
ndërkombëtare që nuk po e ndihmonte heroin tonë tragjik. Ndërkohë, Greqia, në
luftën e parë botërore, nga një forcë neutrale ishte hedhur me Antantën.
Gjeneral Sarail shtabin e kishte në Selanik dhe aty grekët ndikonin mbi të. Në
Selanik ishte edhe Esat pashë Toptani dhe një forcë e vogël e tij, intrigat
zjenin.
Mbi të gjitha ishte puna vetmohuese dhe e përkushtuar e
Themistokli Gërmenjit për ta paraqitur Republikën Autonome të Korçës si një
model, ku të shihej Shqipëria nga bota e qytetëruar.
Amerikani Edvin Jasques, në librin e tij historik “Shqiptarët”
me të drejtë ka theksuar: “Në të vërtetë
Themistokliu doli një administrator i zoti, duke formuar një këshill qeveritar
dhe duke krijuar policinë dhe xhandarmërinë. Ai ngriti një sistem postar dhe
nxori pulla dhe bankënota. Hapi shkolla shqipe në të gjithë fshatrat e zonës,
kurse turqishten dhe greqishten i nxori nga përdorimi nga shkollat dhe zyrat.
Ekonomia pati përmirësim të dukshëm, ndikimi gjenial i Gërmenjit ushqeu besim
të madh për të ardhmen e vendit”. Mirëpo përparimi i vendit nuk ishte në
përputhje me vendimet e marra nga kombet që bënin pazar.
Traktati i Fshehtë i Londrës (1915) kishte një klauzolë
për ndarjen e Shqipërisë, sipas së cilës Gjirokastra dhe Korça i kalonin
Greqisë.
Rjedhimisht marrëveshja midis kolonelit Dekuin dhe
Gërmenjit për një provincë autonome shqiptare ishte krejt i paparanueshëm për
Francën, ashtu edhe për Greqinë.
Kohërat ishin të vështira dhe patriotët shqiptarë vepruan
me kujdes, se çdo çap duhej mbajtur mirë.
Në zonën e Korçës Themistokli Gërmenji ishte zemra dhe
shpirti i i veprimit atdhetar. Në letërkëmbimin që ai mban me atdhetarët, pyet,
merr mendime dhe nxjerr përfundime.
Janë dy letra me rëndësi të veçantë të Gërmenjit. Letra e
shkruar në shtator të vitit 1917, dërguar Hysen Nikolicës, dhe letra e 21
tetorit 1917, dërguar komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Janë nga dy letrat e fundit të Themistokli Gërmenjit, e në atë kohë këmbanat
kanë rënë. Por
toni i Themistokli Gërmenjit është i qetë, i matur, i sigurtë. Ai e di se
letrat hapen dhe edhe në gjyq do të shprehet pikërisht me fjalë të tilla
besnikërie dhe burrërore: “Të ndërçmit francize,
që na dhanë lirinë, këtu po na udhëheqin si të punojmë dhe, nën udhëheqjen e
komandantit francez, këtu, Shqipëria sa vete dhe po përparon dhe po forcohet.
Neve sa mundim po punojmë që t’i ndihmojmë francezët dhe që t’u tregojmë se
jemi me të vërtetë besnikët e tyre dhe mund të themi se çështja shqiptare sot
ka vajtur mirë dhe do të vejë akoma më mirë”. Këto fjalë u shkruan ai edhe
shqiptarëve të Amerikës. “Këtu merret
vesh çiltazi se neve nuk na bashkon interesi i xhepit, por interesi i Atdheut”.
...
Dhe dalëngadalë po vijmë në atë hon të frikshëm që ndonjëherë, në historinë
tonë kombëtare, rezulton fatal për disa figura të pastra, modele atdhetarie të
Shqipërisë: Gjyqi në Selanik më nëntor 1917.
...
Janë disa gjyqe që janë zhvilluar nën emrin e disa figurave të shquara të
nacionalizmit shqiptar: Si gjyqi për Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Sali
Nivicën etj. Por këta kanë qene gjyqe të zhvilluara pas vrasjes së tyre dhe
natyrisht që kanë rezultuar procese të dështuara.
Mendojmë
se ka ardhur koha që këta gjyqe të risillen në vëmëndjen publike të
jurisprudencës, të cilët sot janë të shumtë në numër dhe në cilësi. Sepse këto
gjurmime nuk do të kenë vëtëm vlera profesionale, por edhe vlera dhe mesazhe
shoqërore, pajtimi, besimi dhe ndoshta rishikimi real të historisë.
Përsa
i përket gjyqit të zhvilluar në nëntor 1917, në Selanik, për Themistokli
Gërmjenjit nga gjyqi ushtarak francez dhe me dëshmitarë dhe akuza të tyre të sajuara
dhe të formuluara nga shërbimi i fshehtë ushtarak francez nuk mund ta ndajmë
kurrsesi nga gjyqi i zhvilluiar në Paris
në qershor-dhjetor 1920 ndaj Avni Rustemit.
“Fati i popujve të vegjël kalon ndër dyer
tragjedish të mëdha”, na mëson plaku i Vlorës Ismail Qemali. Dhe po ai na
jep postulatin më të drejtë për gjykimin e historisë shqiptare: “Se historia shqiptare është një zinxhir i
gjatë ngjarjesh, fatesh, dhe çdo brez ka dhënë kontributin e tij në këtë
zinxhir të artë. Në një hallkë po të këputet zinxhiri, atëhere nuk do të kishim
më histori objective”.
Përsa
i përket figurës së Themistokli Gërmenjit janë, përveç qindra shkrimesh, dy
libra të plotë që i janë përkushtuar kësaj figure të ndritur: Libri “Një faqe historie” i Nikollaq Zoit dhe
libri “Themistokli Gërmenji”, shkruar
nga Pirro Tako. Në llojin e vet secili nga librat është shumë të vlefshëm: I
pari mëshon më shumë vëmëndje kujtimeve personale, adhurimit të natyrshëm ndaj
kësaj figure, fatit dhe mesazhit historik. Ndërsa në librin e dytë, mëgjithëse
nën suazën dhe ideologjinë e kohës, janë bërë përpjekje për të thënë me
ndershmëri të vërtetën historike, madje është bërë përpjekje e sukseshme për të
dhënë edhe një tablo të gjyqit të zhvilluar në Selanik.
Po
si ka mundësi që dosja e Themistokli Gërmenjit nuk është hapur ende nga
autoritetet franceze, ose, më mirë: Pse kjo heshtje e qeverive të njëpasnjëshme
ndaj kësaj hallke-kyçe të historisë shqiptare?
Vërtet
“Shtrati i Prokustit” i ka modeluar herë pas here heronjtë tanë historikë
shqiptarë, ua ka përcaktuar qëllimet, ua ka kalkuluar veprimet dhe ua ka
ngushtuar synimet, por heronj të tillë si Themistokli Gërmenji kanë mundur
megjithatë si titanë të vërtetë t’i çajnë këto klishe të hekurta dhe të na
flasin edhe me fatin e tyre tragjik.
Gjyqi
i Themistokli Gërmenjit në Selanik me gjyqin e Avni Rustemit në Paris kanë
lidhje të shumanëshme jo vetëm për faktin se të dy heronjtë u gjykuan nga
autoritetet franceze, jo vetëm se pas kuitantave ishin intrigat shoviniste
greke dhe veglat e tyre, Esat pashës, jo vetëm se të dy gjyqet u zvilluan në
terrenin e luftës së parë botërore, por edhe për faktin se ka qënë një regji e
vetme e fshehtë që ka përzgjedhur dhe ka dëmtuar të vërtetat, duke ndikuar
drejtpërdrejt mbi modelimin e ardhshëm të rrjedhës së ngjarjeve në historinë
shqiptare.
Duke
analizuar gjyqet e Themistokli Gërmënjit dhe të Avni Rustemit ne bëjmë edhe një
herë një homazh-nderimi ndaj figurave të tilla të shquara të popullit shqiptar,
të inteligjencës së vërtetë shqiptare, të figurave që sot minimizohen
padrejtësisht, për të errësuar dhe për të sfumuar nga realiteti historik
shqiptar, për t’ua lënë vëndin atyre që realisht dolën të mundur politikisht
dhe moralisht nga historia.
...
Po, po, ja heroi, ja edhe tragjedia...
Ja intrigat, ja intrigantët, ja levat që u përdorën, ja skenat dhe mizanskenat.
Shumë bashkëpunëtorë besnikë të Themistokliut u arrestuan dhe u morën në
pyetje, u torturuan për t’iu nxjerrë dëshmi të rreme. Burg pas burgu: Korçë,
Follorinë, Selanik. Marrje dhe rrimarje në pyetje. Tortura natën dhe ditën. Pati edhe dëshmitarë që vdiqën nga torturat. U
torturua dajua përpara nipit, nipi përpara dajos. Por asnjë fjalë. Se figura e
Themistokliut ishte e pastër, një figurë apostulli, dhe e atillë mbeti. Një
figurë drite, Prometeu. Dhe prandaj çekiçi dhe dalta e rëndë e skulptorit na e
jep atë në monument si një Promete të heshtur, të përjetshëm, midis nesh. Këtu
rri unë, këtu krijoi njerëz si unë, si unë qytetar, i pamposhtur nga zotat, dhe
frymëzues.
... Poeti kombëtar Gjergji Fishta, në mënyrë të çuditshme,
penën e tij të rreptë herë pas here e ka hedhur me mllef edhe kundër qëndrimeve
të disa qarqeve të Europës. Kujtojmë këtu katër vargje: Uh! Evropë, ti kurva e motit! / Që i re mohit, besës së Zotit! / Po, á
ky asht sheji i qytetnisë? / Me da token e Shqypnisë, / Për me mbajt klyshtë e
Rusisë?
Me këta pesë vargje portretizohet një politikë e tërë që
u vendos në traktatin e fshehtë të Londrës.
Sa i përket Korçës, dy shoqëritë e shquara shqiptare, e
Bukureshtit dhe e Amerikës, kishin lënë një vulë të pashlyeshme puritane
atdhetare shqiptare.
Gazetat e Dhori Kotit, Orhan Pojanit, çetat e Themistokli
Gërmenjit, Sali Butkës, shkrimet e zjarrta të Mihal Gramenos etj, kishin
krijuar një atmosferë të ndezur të folesë kombëtare pas puçit grek të Korçës,
ku dhanë një kontribut të shkëlqyer edhe oficerët hollandezë dhe amerikanë.
Por kish mbaruar një betejë, por jo lufta. Qarqet
shoviniste greke asnjëherë nuk i kanë pushuar dhe nuk do t‘i ndalin përpjekjet
e tyre shoviniste grabitqare. Përpjekjet e tyre të ethshme dhe të kordinuara me
pjesën e blerë të klerit ortodoks dhe me bejlerët e korruptuar, këto do të
ishin ato forca që do të vinin në lëvizje edhe gjyqin e Selenakut, në nëntor
1917, kundër Themistokli Gërmenjit.
Siҫ thotë Pirro Tako
në librin e tij: ″Në ditët e para pas
ngritjes së krahinës autonome të Korçës, Esat pasha dërgoi këtu tri nga
“ministrat” e tij, të cilët gjetën strehë në një nga shtëpitë më të mira.
Themistokliu i zëmëruar i kërkoi kolenel Dekuenit (Decoin), largimin brënda 24
orëve të këtyre “ministrave”.
Aty në Selanik, Esati, siç shkruante gazetari francez
Gostar Richard, një nga të katër qytetarët e nderit të Korçës, „në kohët e lira, pra, kur nuk e zbaviste
loja e pokerit dhe kur nuk iu bënte vizita të bukurave të tij, ëndërronte – dhe
ëndërrimet e tij zgjasnin më orë të tëra. Në ato raste ishe mirë të mos e
bezdisje”.
Përplasjet përfundimtare dhe përshpejtimi i gjyqit erdhi
pas betejës së Pogradecit.
Këtu një parantezë: Të gjithë patriotët shqiptarë,
përfshi edhe Themistokli Gërmenjin, kanë pasur një respekt të natyrshëm për
austro-hungarezët, për kontributin që ata kanë dhënë për pavarësinë e
Shqipërisë. Nga ana tjetër, Themistokli Gërmenji asnjëherë nuk e kishte mohuar
përpara Dekuenit se: “ai kishte njerëzit
e vet në zonën e pushtuar austro-hungareze“, që këtej do të merrte nismën e
vet Andre Benua dhe inspektori i tij Dryo, për të fajësuar miqtë dhe
bashkëpunëtorët e Themistokliut, si Feim Zboqi etj, si agjent i
austro-hungarezëve. Nga ana tjetër, në planin ushtarak, pushtimi i Pogradecit
nga francezët sillte që edhe Korça në shikimin e ushtarakëve të lartë francezë
të shihej si zonë e pushtuar dhe jo si një kombinim politik dhe diplomatik.
Këtu fillon historia e “kurbanit” të madh Themistikli Gërmenji. Këto janë edhe
diskordancat midis Gjeneral Sarait, që i jepte Themistokliut dekoratën e lartë
të Kryqit të Luftës, dhe kritikave të Marshallit Fosh për “miopi politike”.
Dhe kështu erdhi 29 tetori 1917. Themistoklica, në kujtimet
e saj shkruan: ″Unë po e prisja të
kthehej me tryezën shtruar, kur, në vënd të tij, më erdhi drejtori i Syrtesë,
Glavani, dhe më tha greqisht: ″Mos e prisni Themistoklinë, e ka thirrur në
Selanik gjeneral Sarail dhe tani është nisur.
… Ne i thamë të
vinte t῾ju lajmëronte, por
ai na u përgjigj se shtëpia e tij e di që ka shumë punë, prandaj edhe gruaja
nuk do të bëhet merak.
Mua nuk më vajti
mëndja për keq, pasi gjithnjë kur e lajmëronin për ndonjë intrigë thoshte: Le
të më thërrasë gjeneral Sarail dhe aty do të shpjegohem”.
Por nuk do të ndodhte kështu... Kësaj radhe zaret ishin
hedhur dhe fijet e fatit po tendoseshin fort nga forca të qarqeve më të larta
civile dhe ushtarake franceze.
Themistokli Gërmenji u arrestua më 1 nëntor dhe u
pushkatua më 9 nëntor 1917. Gjithçka u zhvillua me shpejtësinë e një gjyqi
fantazmagorik, të montuar dhe të qepur keq. Bashkë me lisin e madh ranë dhe u
këputën nga kjo gjykatë edhe njerëz dhe bashkëpunëtorë të Themistokli
Gërmënjit.
Një gjyq që padinë e Këshillit të Luftës për tradhëti të
lartë e mbështet nga një treshe e tillë antishqiptare e progreke, A. Benua, G,
Dryo dhe K. Glavani. Këshilli i Luftës, i përbërë nga pesë oficerë francezë dhe
një “avokat mbrojtës” po ushtarak francez, që nuk thirri asnjë dëshmitar në
këtë farsë makabre me dyer të mbyllura.
Themistokli Gërmenji dhe njëzetë bashkëpunëtorë të tij u
gjykuan sipas një gjyqi të montuar që u shërbente hapur interesave shoviniste
greke.
Vetë gjeneral Sarail, një nga ata që ndikuan në fatin
tragjik të heroit tonë, në një raport që i dërgonte komandës së përgjithshme të
lindjes vinte në dukje: “se spiunazhi në
drejtim të Korçës drejtohej nga Semere e më pas nga Vitner, me ndërmjetës një
agjent të tyre të rekrutuar nga i pari, i quajtur Muharrem beu“ (sipas
librit të “Themistokli Gërmenji”, të Pirro Takos).
Pra, asnjë fjalë për Themistokli Grëmenjin, e ndërsa
Evdhoksia është një figurë që e plotëson më së miri Themistokli Gërmenjin, ajo,
që ai e quan “pjesa më e mirë e qënies
sime, Evdhoksia” ose siç e kanë quajtur korçarët, Themistoklica.
Ajo është një zonjë e parë shembullore në histori. Ajo
luftoi me të gjitha forcat që ky gjyq, gjyqi në Selanik, të ndriçohej dhe një
kopje e procesverbalit të gjyqit t’i jepej asaj.
Ajo do të krijonte në Korçë një revistë, revistën e parë
të gruas shqiptare, “Bleta”, dhe do
të krijonte shoqërinë e grave të Korçës.
Nikollaq Zoi, tek ″Në faqe historike″, ka edhe këtë
pasazh: “Dy-tri javë para ekzekutimit të
Themistokliut erdhi nga Selaniku një oficer frëng dhe, i paralajmëruar, vajti
në shtëpinë e Themistokliut, ku, për punë gjuhe ishte Ndrio Katundi dhe unë. Thirri
të shoqen e Themistokliut dhe i dorëzoi një letër, të cilën e kishte shkruar i
ndjeri në Selanik, pak kohë më parë se të ekzekutohej.
Ishte letra e
fundit, të cilën ia drejtoi shokut të tij që e kishte patur qysh në vogëli,
Pandeli Cales, ndonëse ky i fundit asokohe ndodhej në Gjenevë, por pritej që të
vinte në Korçë.
Në këtë letër
shkruante tekstualisht këto: ″I dashur Pandeli, frëngjtë po më vrasin pa faj,
por me ngritjen e flamurit shqiptar në Korçë, ngritje që e quaj të ngahershme,
unë qëllimin e jetës e kam mbushur dhe vete në botën tjetër i kënaqur: Rroftë
Shqipëria. Rroftë Franca.
… Evdhoksinë ta
martoni dhe për nipin tim Vasilin, nuk kam merak për të, se jam i bindur se
Shqipëria do të bëhet, por në rast se jo, të lutem ta marrësh ti në mbrojtje.
Do të takohemi në botën tjetër”...
... Atë letër të
shkurtër, këto duar të mia që shkruajnë këtë dorëshkrim, e kanë zënë dhe sytë e
mi me admirim e lexuan disa herë.
Oficeri francez
dorëzoi edhe Kryqin e luftës me të cilin frëngjtë e kishin dekuruar
Themistoklinë për trimërinë që kishte treguar në luftën e Pogradecit”.
Evdhoksi Gërmenji, nëpërmjet revistës së saj, por e
ndihmuar edhe nga disa mikesha të pasura amerikane, kërkoi disa herë tek
gjeneralët francezë për ta pasur të plotë vendimin e gjyqit të Selanikut. Por
megjithë kërkesat e parreshtura dhe premtimet, asnjeherë praktikisht nuk iu
plotësua kjo kërkesë.
Në vitin 1924 ajo ju drejtua Kuvëndit Kombëtar që të
shlyente një pjesë të borxheve që kishte lënë Themistokliu për të mbajtur
vullnetarët
Themistokli Gërmenji vetë nuk kishte pranuar të merrte
rrogë për punën që bënte. Ai kishte lënë borxh shtëpinë për të jetuar dhe për
të mbajtur vullnetarët. Në vitin 1933 Themistoklica ishte një nga organizatoret
e fushatës për mbledhjen e fondeve për monumentin e Themistokliut.
Revista e saj ″Bleta” është një model, një jetë dhe një
pune fisnike se si duhet të jetë një grua të cilën fati e ka vendosur përkrah
një burri që jetën ia ka kushtuar kombit të vet.
“Bleta” është edhe një revistë emancipuese. Shëmbulli i
bashkëshortëve Themistokli dhe Evdhoksi Gëmenji është një model i
papërsëritëshëm në historinë shqiptare. Gjithë jetën e saj Themistoklica e
jetoi me synimin për të zbardhur të vërtetën e jetës dhe vdekjes së burrit të
saj të shquar. Në një shkrim të saj lexojmë këto fjalë të vërteta dhe pak
dëshpëruese: ″Çfarë mund t‘i shkëpusim
Sfinksit të jetës ? -Pak ose aspak. Por fakti që ata fshihen dhe largohen do të
thotë shumë.
Im shoq ishte një
luftëtar i madh, një shqiptar i madh, një qytetar i madh”.
Themistokliu u pushkatua. Shumë miq e bashkëpunëtorë të
tij patën dënime kapitale dhe burgime të tmerrshme. Krahas shumë të tjerave, në
Guajanën e largët, në një burg të sigurisë së lartë, u çua edhe shefi i
policisë së Korçës, Qamil Panariti. Një legjendë me vete. Në ditët e burgut dhe
në netët e gjata ai përgatiti një vapor-maket me shqiponjën e Republikës në
mes. Vetë mbeti në Guajanën franceze, ndërsa vapori-maket ndodhet në Muzeun
Kombëtar.
Çfarë mund të thosh me tëpër një monument? Ai ishte i
menduar dhe i ftonte njerëzit të mendonin. Por ai është i sigurt në qëndrimin e
vet. Shikon andej nga bëri lojërat e fëmijërisë dhe nga mori rrugën e kurbetit.
Ai duket se pyet qytetarët e të gjithë brezave: A bëra
gjithçka për qytetin tim? A bëra gjithçka që munda? A nuk është koha gjyqi më i
madh për një njeri që fati e vendos në qëndër të ciklonit të historisë?
LITERATURË
Ø Historia e Shqipërisë, viti
1965, Vëllimi i dytë.
Ø Muzeu
historik, Korçë.
Ø Korça dhe katundet përreth, Nuçi
Naçi, fq. 17 - 37
Ø Figura të shquara të Rilindjes së
Komitëve, Petraq Pepo, Vëllimi IV.
Ø Themistokli Gërmenji, Piro Tako
(komplet).
Ø Një faqe historike, Nikolle Zoi
(komplet).
Ø Këngë historike të Korçës, Pavllo
Panajoti, 102 – 184.