Anton Çefa: “Kush ma diti poezinë, dhembjet nuk m’i diti dot”

(Kuptimësia e dhembjes në poezinë e Lasgush Poradecit)


Për njeriun jeta është një dhembje e gjatë, për poetin është dhembje që përpiqet të shërojë dhembjet e të tjerëve. Bjelinski ka thënë me të drejtë “Poetët kanë fuqinë të ngrenë dhembjet e veta në lartësira arti, ku ne të gjithë gjejmë dhembjet tona”.
Poeti ynë i madh, Lasgushi, jetoi gjatë i harruar në vendin e vet dhe i mërguar në vetvete, në dhembjet e veta. Ai diti të vuajë dhe vuajti madhërishëm. Në vargjet e tij të lartësive poetike më të epërme buçet dhembja. Dhembja e fjalës, dhembja e zemrës, dhembja e vendit, dhembja e popullit, dhembja e një bote.
Dhembja e fjalës – Gjuha dallojë e kombit, shenja e parë, më e qenësishmja e identitetit të tij, për poetin tonë është një dhembje e fortë, e thekshme:
                Kur të këndoj me gojë, kur të kuptoj në kartë,
                Posi një kraharuar ti dhem, o Gjuhë e zjarrtë,
                Posi kullim i gjakut që rreh në zemër time

Poeti i njeh gjuhës atributin e komunikimit, e kumtit, e informacionit. Ajo ndriçon si drita dukuritë e jetës në thelbin e tyre, duke e nxjerrë botën nga errësira e së panjohurës në dritën e kuptimit, të dijes: “Ti ndrin në thelb të jetës, si dritë e përvëluar”, i drejtohet poeti gjuhës.

Gjuha poetike është e shenjtëruar dhe e zjarrtë, është mall, vetëtimë e qiellit, diell i llaftaruar.
Edhe pse mjeshtër i shqipes, që i njohu asaj lashtësinë e moshës, fuqinë e shprehjes, rrënjët e kuptimit, diapazonin e gjerë figurativ, larminë e ngjyrave, harmoninë e tingujve, tonalitetin e ritmeve, kadencën imitative; edhe pse është reformatori më i shquar i fjalës poetike shqipe dhe ndriçohet në dritën e saj, ai e ndjen veten “të huaj” dhe pikëllohet përballë kësaj paje të rrallë e të çmueshme:
                Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë
                Sepse prej botës suaj kam mbetur kaq i huaj

Fjala poetike, duke u thurur në inde tekstore, në dihotominë e saj kundërshtuese, nga një anë, sendërton shumëkuptimësinë, nga ana tjetër, paaftësinë për të hedhur dritë në të fshehtat më të hijesuara të shpirtit, në misteret e tij, që ndrydhen në vetëdijen dhe, më së tepërmi, në nënvetëdijen e njeriut. E gjithë kjo dukuri e ndërlikuar, sipas së cilës diçka mbetet gjithnjë e pashprehur, është dhënë nga poeti ynë me një sintagmë të tipit të tij fjalëformues: “O gjuh’-e-zemrës sime, o mos-e kuvenduar”.
Në poezinë “Kënga pleqërishte”, Lasgushi e ka cilësuar gjuhën si “çudi e mosfjalosur”. Është ky “moskuvendim”, kjo mosfjalosje”, që bart në ndërgjegjen tonë dhembjet e pathëna.1).
Protestuese dhe plot impulse nevralgjike është vijëzuar gjuha, në poezinë kushtuar Naim Frashërit, dhembja e poetit ndaj realitetit gjuhësor të kohës së tij për dëmet që po ndodhnin në rrafshet e pastrisë, shprehësisë dhe ngjyrësisë së shqipes në vitet njëzetë:
                Po nër bijt’ e Memës s’ate, me gjyrmashë-e me stërnipër 2).
                Shkatërrim’ i shpejt’ i gjuhës sot qëndron në vepr’ e sipër;
                Sot po humb kuvënd’ i zogut ç’ gjithë bukuri që kishte,
Po lëngon e nis të shembet folja jonë pleqërishte . . .

Dhembja etnike - Shpirti njerëzor është universal dhe, në këtë hapësirë, edhe ajo hise e tij, shpirti lirik, është universal, por në këtë universalitet ka një substancë të qenësishme, të patjetërsueshme që i vë vulë origjinaliteti atij universaliteti, dhe ky është shpirti etnik. Edhe në këtë rrafsh përjetimi poetik i dhimbjes së poetit është domethënës.
Në poezinë “Poradeci” përshkrimi piktoresk i një muzgu mbi liqenin e qytetit përkapet deri tek problemi më rëndësor i kombit, ai i trojeve. Kur janë shuar e kanë humbur edhe zhurmëritë më të fundit të ditës dhe të gjallimit, kur në liqen hesht lopata e fundit dhe shqiponja e arratisur fluturon në Mal të Thatë; pra, kur “kudo krahinë e gjerë më s’po qit as pipëlim” dhe “tërë fisi, tërë jeta ra u dergj, e zuri gjumi”, atëherë dëgjohet rrjedha e lumit Drin, që kalon mespërmes Shqipërisë, përmes trojeve të shpirtit shqiptar, të ndërgjegjes sonë kombëtare. E lexojmë dhe e rilexojmë këtë varg, mbasi e kemi stërlexuar më parë, dhe merr një shkëlqim të ri në vetëdijen tonë dhembja e poetit, dhembja e bashkimit të trojeve. E përjetuam dhe e përvajtuam bashkë me poetin dhembjen e këtij vargu, që ka për të mbetur i gdhendur në lapidarin e kujtesës kombëtare.
Lasgushi qe optimist për një çlirim të shpejtë të Kosovës dhe për bashkimin e saj me Shqipërinë. Këtë na e ka dëshmuar Petraq Kolevica në librin e tij “Lasgushi më ka thënë. . . .”: “Do të vijë një ditë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë, në mos u bashkofshim me Kosovën! Dhe sytë i shkëlqenin dhe i përpiqnim gotën me filxhanin bosh e prapë përsëriste: “Do të vijë një kohë, kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë, në mos u bashkofshim me Kosovën!” 3).
Dhembja shpirtërore, dhembja e njeriut përballë Zotit, pulson më së tepërmi në poezinë “Njeriu dhe Zoti”, të cilën e anashkaloi pena e analizës së diktaturës ose e trajtoi poetin si “vargëzues fjalësh e figurash abstrakte” 4) - Poezia fillon si papritmas me vargun lajmërues, me një dramatizëm që vjen duke u bërë gjithnjë e më i fuqishëm:
                Ndaj ty qëndron, po, Zoti – tha zemra shpesh vetiu, . . .

Është zëri i ndërgjegjes, i mbjellë në thellësitë e saj nga vetë Krijuesi, që i flet njeriut, duke i dëshmuar prezencën e tij. Dhe njeriu e ndjen në zemër, e kupton qenien e Tij dhe ndjehet i frikshëm dhe i mjerë ndaj Tij:
                Ahere thelb’ i zemrës m’u droth posi thërrime,
                Sepse në vetëveten të pata ndjerë, o Zot!
                Mjerush të pata ndjerë në vetëveten time

Njeriu e ndjen Krijuesin me zemër, çka vjen si shkallë e parë e njohjes së Tij. Njeriu është gjithnjë “dyshimtar” në rrugën e koklavitur të njohjes (kur “me sy të vetëtimshëm dhe dyshimtar e tinës / që nga shkëmb’ i vetes qëndrova të sodas” . . .). Dhe sado që me mëdyshje, karakteristikë për Homo sapiens, sepse është pikërisht mëdyshja që e përforcon dhe i jep sigurinë besimit, dhe me mendje të turbulluar, njeriu sado me vështirësi, e kupton dhe e pranon Atë edhe me aftësitë e tij intelektuale (“nga shkëmb’ i vetes”), çka vjen si shkallë e dytë e njohjes dhe e pranimit të Tij. Soditja në vetëvete, që thellon “të fellat e greminës” dhe “fundet e llaftarisë”, të kujton pyetjen e Zarathustrës tek Niçe: “A nuk është vështrimi në vetëvete një shikim humnere?” Por ka një dallim të qenësishëm në rrafsh filozofik-teologjik mes Niçes dhe poetit: ndërsa i pari në fundet e humnerave sheh kufomën e Zotit, poeti ynë “ndaj fundesh llaftarie” sheh, kupton e pranon Krijuesin:
Kur që nga shkëmb’ i vetes qëndrova të sodas
Sa keq m’ju patnë hapur të fellat e greminës –
Ndaj fundesh llaftarije ku syr’ i im u mvrejt,
E mënt’ e turbulluar askurr s’u mund t’i matin:
Ta pata matur shtatin! T’a pata matur krejt!”
Ndaj fundesh llaftarije T’a pata matur shtatin!

Mjerush në vogëlsinë e tij njerëzore, ai (njeriu) kupton madhështinë dhe madhërinë e Zotit dhe qenësinë e Tij supreme si burim dhe shkak i të gjitha realiteteve, të cilat ai i shpjegon në saje të shprtit të tij, të cilin vetë Zoti e ka ngritur “në kulme lartësire” të shkencës, artit, teknikës, në të gjitha aspektet e veprimtarisë, në refleksionet filozofike, përvojat religjioze, krijimet artistike.
Shtërmadh në vete T’ënde – më dhe kaq vogëlsi...
                E si m’a ngrite shpirtin nër kulme lartësire –
                Sesa në fund ke zbritur, sesa në fund të tij! ”

Në këtë poezi dhe në poezitë e tjera të ciklit “Vallja e përjetësisë”, është prania e Zotit krijues e të gjithpushtetshëm dhe jo “zoti që si në çdo gjë të natyrës është edhe në vetë njeriun”5), dhe as “një shkallë e lartë e përqëndrimit të qenies” 6), çka vlen për disa poezi të tjera të Lasgushit, si “Zog’ i qiejve”, “Shpirti”, etj., por është plotësisht Zoti teologjik i tri besimeve monoteiste botërore.
Edhe pse na duket e tepërt të dëshmojmë besimin e poetit , po sjellim këtu një citim: “Zoti krijoi edhe Ditën e lirimit të Shqipërisë nga sunduesit e huaj – 28 nëntorin 1912 - ku u shpall pavarësia e shtetit shqiptar. Kjo është Ditë e shenjtëruar, e krijuar nga vetë Hyji, prandaj, thotë poeti, Atij, në shenjë nderimi e përkushtimi, do t’i falemi pa pushuar:
Ardhi dit’ e shentëruar,
Dita e njëzetetetës
me flamur të kuq në duar.
goj’e artë-e Zotit-vetës:
do t’i falem pa pushuar.
(Poradeci, Dita e Njëzetetetës)” 7).

Më vjen mbarë të shënoj këtu që vlerat kuptimore të nocioneve zemër dhe shpirt në poezinë e Lasgushit ndryshojnë, siç ndryshojnë edhe nocione të tjera si Zot, mall, yll, dashuri, etj.
Në poezinë “Poradeci” hasim vargun “Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit tim”, të komentuar dikur si përftesë figurative “kapriçioze”, që në të vërtetë s’ka të bëjë fare me ndonjë kapriçio poetike, por me nocionin e shpirtit si kuptimësi e veprimtarisë mendore dhe të zemrës si kuptimësi e veprimtarisë ndjenjësore, si vatër simbolike e ndjenjave, dëshirave dhe gjendjeve shpirtërore. Këtu, është ndjenja që vihet në bazë të arsyes; ndryshe: është poeti që gjykon me zemër. Një veçori e poezisë romantike evropiane.
Po kështu, në poezinë “Që larg”, kemi një zemër që dridhet në fund të shpirtit:
                Hidhur del nga shpirt’ i zi / Breng’ që s’ka të ngjarë, /
                Dridhet mun në fund të ti / Zemerëz’ e vrarë.

Po në këtë poezi, Lasgushi i përdor dy leksemat në fjalë si sinonime:
                Dashuri! Që mbete pas / Luleja me erë!
                Pse kalon si yll me gas, / nëpër shpirt të mjerë?

Dhembja e ëmbël! – Lasgushi më mirë se çdo kush tjetër e ka shprehur qenësinë e dashurisë si një ndjenjë të ndërlikuar dypolesh të kundërta, dhe e ka poetizuar si të tillë me sintagmat gjuhësore dhe përftesat stilistike të veçanta për të si “këngë-e-vaj-bashkuar”, “fshetësi plot llaftari, / plot ëmbëlsi vërerore”, etj., që nuk janë manierë dhe as obsesion i poetit, por shprehin qenien dhe qenësinë e ndjenjës së dashurisë, substancën reale të natyrës së saj. Ai vetë na e ka shpjeguar: “ . . . ekziztimi i ‘magjisë dhembëse’, qenia e ‘gazit helmplot’, që fshihet domosdoshmërisht në gjirin e dashuronjësve, e ka mburimin e thellë. Ky rrjedh nga natyra e dashurisë”. 7).
Me trajtimin në nivele të larta artistike të “dhimbjes së ëmbël”, ai na ka pikëzuar me mjeshtëri të rrallë bukurinë e shpirtit të dashuruar dhe kuintesencën e ndjenjës së ndërlikuar e komplekse të dashurisë, të përjetuar si dhimbje e si kënaqësi, si helm e si gëzim, si gaz e si vaj. Dashuria e kënduar si moment i përjetimit aktual të saj, a e kënduar si gjurmë kujtimesh të momenteve të përjetuara kohë më parë, gjithnjë cilësohet nga “dhimbja e ëmbël”. Ndërlikueshmërinë e ndjenjës së dashurisë, poeti ynë e ka kënduar në disa rrafshe psikologjike të përjetimit të saj, që nga vuajtja e deri te ekstaza. E ka poetizuar si mall në kohë ndarjeje, si dëshirë e zjarrtë për ta takuar vashën, si durim i dhembjes që shkakton ajo (“Dhemb malli-i-djegur-durim-plot, / Gjer i tret zemrat fare”...). Për poetin, dashuria është një ndjenjë e tallazitur, e fuqishme, që e bën të vuajë, e turbullon. Këtë kompleksitet ai e ka emërtuar me fjalën llaftari, aq e pëlqyeshme e aq e përdorur dendur prej tij:
Kujtimi im që më s’më jep të qetë, / kujtimi im q’u llaftaris pas teje,
                Në qetësi ësht’ iskër prej rrufeje,/ në ças llaftari zjarr e flakë vetë

I tillë qe Lasgushi, poeti i dhembjeve më të fisme, më sublime, i gatshëm gjithnjë për t’u bërë fli e tyre:
                “E në dhembjet venë-e-vinë, / Jam gati të vuajë më:
                Kush ma njohu dhëmbshurinë, / S’ pati njohur kurrëgjë.”

Brezni pas breznie, bota shqiptare, duke lexuar vargjet lasgushiane me bukuri të rrallë, do të dritësohet në dhembjet e veta, dhe vetëm atëherë do të mund të thotë se kuptoi diçka nga madhështia e shpirtit të poetit, nga madhështia e dhimbjeve të tij të buruara e të përjetësuara nga dashuritë.

Sqarime dhe refernca :

1). Studiuesi Aurel Plasari dukurinë e pavetëdijes poetike të moskuvendimit, a siç e quan ai “gjendje e pashprehshme, e papërcaktueme e përjetimit poetik”, a gatishmëri “për një nivel tjetër jetësor”, Lasgushi e ka të përbashkët me poetin gjerman Rilke, i cili e emërton si “të pafolur”. (“Shih: Princi përballë princërve” në “Don Kishoti zbret në Shqipëri dhe ese të tjera”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1990, f.249 dhe 245)
2). Gjyrmashë, pasardhës.
3). Petraq Kolevica, “Lasgushi më ka thënë. Shënime dhe biseda me Lasgush Poradecin. Botimi i dytë, “Toena”, Tiranë 1999, f. 424.
4). Myzafer Xhaxhiu: “Lasgush Poradeci – Lirika”, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, Tiranë, f.5.
5). Sabri Hamiti: “Lasgush Poradeci – Vdekja e Nositit”, Rilindja, Prishtinë, 1978, faqe 21.
6). Po aty, f. 8.
7). Anton Nikë Berisha: “Hyji dhe mbretëria hyjnore në poezinë shqipe”, në “Njëmendësia e fjalëve”, “Shpresa & Konica”, Prishtinë, 2006, f. 51-52.
8).Lasgush Poradeci: “Poezi et Coetera . . .”, tek: Sevdai Kastrati, “Lufta e penave – Zgjedhje antologjike e polemikës shqipe”, “Botimet Toena”, Tiranë, 2002, f. 424.