Shkrimtari dhe albanologu Martin Camaj, i lindur
në Temal të Dukagjinit, shkoi në Kolegjin Saverian, aty ku para tij u edukuan
shumë shkrimtarë e dijetarë shqiptarë. Aty mori bazat e para të formimit
klasik, të cilat i thelloi nëpër qendra të ndryshme. Djaloshi i ri që la malet
Temalit, “ku s’ka shkelë kurrë kamba e
kalit” zbriti në Shkodrën e kulturës- dhe në kolegj, pati fatin të kishte
për rektor, eruditin At Zef Valentini. Shkollimi iu ndërpreu në vitin 1946, kur
regjimi komunist ndaloi përfundimisht aktivitet e kolegjit. Nga këtu, kaloi 4
vite të vështira në Prekal, dhe vendosi të largohej nga atdheu.
Janë momentumet politike të kohës, ato që ia
prishin ëndrrat. Ideologjia staliniste lëshoi rrënjë në Shqipëri. Atëbotë,
Camaj i ri e me ndjeshmëri të theksuara- i edukuar me frymë lirie e ndërgjegje
refuzuese, vendosi ta braktiste vendin. Arshi Pipa, gjithashtu një i arratisur,
duke e shpjeguar këtë akt thotë se Martin Camaj “është tipiku i intelektualit europiano-lindor që, për arsye politike,
braktis atdheun dhe shëtit nga një vend në tjetrin. Po me të ngulitur diku- e
ndërkohë s’është më i ri në moshë-e kupton se është e pamundur për të, të
lëshojë rrënjë në tokën e re. E përndjek nostalgjia për atdheun e vet. E nëse
qëllon të jetë shkrimtar, do ta shprehë këtë nostalgji duke u përpjekur të
sillet rreth një teme-bazë, atë të humusit të vet kulturor.”