Në 20 vjetorin e themelimit të Revistës Europiane Haemus, bisedë me bashkëthemeluesin dhe bashkëdrejtuesin e saj Ardian Kyçyku:
Në rast se hulumtojmë zhvillimin dhe promovimin e letërsisë shqipe në dekadën (dhjetëvjetshin) e fundit të shekullit XX., në qendrën e njohur kulturore europiane, Bukuresht, përveç zhvillimeve të tjera të dekadës së sapopërmendur, lidhemi me këtë vend edhe përmes vitit të fillimit të botimit të Revistës Europiane Haemus, që u themelua në vitin 1998 nga babë e bir, Kopi dhe Ardian Kyçyku, veprimtarë të çmuar të çështjes kombëtare.
Revista Haemus, qyshse u ngjiz dhe deri më sot pa shkëputje kontribuon në njohjen e letërsisë shqipe përtej kufijve administrativë të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës dhe qendrave të tjera ku zhvillohet kultura dhe letërsia shqipe, sikur janë Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare. Kontributi thelbësor i revistës lidhet me publikimin e veprave letrare dhe përkthimeve të shkrimtarëve të njohur shqiptarë në gjuhën rumune dhe shkrimtarëve rumunë në gjuhën shqipe. Ndihmesa të tjera të vlerësuara janë edhe organizimi i konferencave dhe ngjarjeve të përqendruara në promovimin dhe avancimin e vlerave kulturore, artistike, letrare kombëtare shqiptare sidhe veprimtari me synim thellimin e lidhjeve shqiptaro-rumune të konfirmuara qysh nga koha e krijimit të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit.
Mendohet se ekzistojnë sfida për letërsitë e vendeve të vogla, siç është Kosova, që të njihen nga lexuesi i huaj, por kur shohim kontributin e jashtëzakonshëm të Kopi dhe Ardian Kyçykut në zhvillimin dhe promovimin e vlerave tona letrare para lexuesit dhe kritikës rumune me të drejtë edhe mund të shqetësohemi shumë për mosnjohjen e letërsisë sonë nga ky vend ballkanik dhe më tej. Përveç fushës së letërsisë, Revista Haemus, ka dhënë ndihmesë të çmuar edhe për njohjen e historisë së re të Kosovës brenda hapësirës gjeografike të Rumanisë. Prandaj, për të njohur më thellë punën njëzetvjeçare të revistës dhe lidhjen me trashëgiminë kulturore, letërsinë dhe historinë kombëtare do të bisedojmë me bashkëthemeluesin dhe bashkëdrejtuesin e saj, zotin Ardian Kyçyku.
Ardian KYÇYKU (pseudonime letrare: Ardian-Christian Kyçyku / Kuciuk), u lind në Pogradec më 23 gusht 1969, autor i mbi 50 librave origjinalë në gjuhët shqipe e rumune. Kreu studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega: Gjuhë-Letërsi. Mori titullin „Doktor i shkencave filologjike” në Universitetin e Bukureshtit, është doktorant në teologji në Universitetin e qytetit të Bukureshtit, profesor universiteti dhe rektor, bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i revistës evropiane „Haemus”; mori çmimin kombëtar të letërsisë "Penda e Argjendtë" për tregim (2012); u shpallë „Qytetar Nderi i Pogradecit” (2014); Akademia Kult ia ndau çmimin "Libri artistik i vitit / Shkrimtari i vitit" (2015); mori çmimin II "Katarina Josip" për Dramë Origjinale Shqipe (2016), çmimin e madh – Festivali Ndërkombëtar i Filmit Très court (2017). Krijimet e tija janë përkthyer në disa gjuhë të huaja.
Një fragment shkëputur nga eseja „10
nga vitet e Ballkanit” (2009)
„... kur ishim në vdekje, revista Haemus u bë për ne jetë fjalë e fjalë
jete; kur ishte jetë, Haemus-i mbeti mbi-jetë, ose folé mbijetese; kur u dynd
kaosi, mbeti më e dukshmja pasuri e patundshme. Në njëfarë mënyre, historia e
shkurtër e revistës sonë mund të këqyret edhe si një dramë e disave që nuk
qëndruan dot në atdhe dhe e atyre që nuk ikën dot nga atdheu. U shtjellua si
një dramë që prekte heraherës edhe trojet e tragjedisë së heshtur, edhe të
komedisë së pavetëdijshme të të paftuarve dhe të cilën hapësira e mërgatës e
përktheu dalëngadalë në një përmasë të re vështrimi. Jo pak vetë e shihnin
ndërkaq kulturën si kopje të skllavëruar të gjeografisë, madje si një ngrehinë
me kufij, zyra, roje, shefa, zëdhënësa, ministri, diplomatë, qenër kufiri etj”.
Mimoza Hasani Pllana: Zoti Kyçyku, sivjet Revista
Haemus shënon njëzetvjetorin e themelimit të saj. Për ju viti 1998, është
shenjë që ju kujton këtë ngjarje të rëndësishme, ndërkaq për lexuesit kosovarë ky vit kujton pjesë të
një periudhe të dhimbshme që shqiptarët e Kosovës përballeshin me emigrim masiv
dhe dëbim sistematik e të dhunshëm të shqiptarëve nga atdheu i vet. Në këtë
pikë, lexuesit ndajnë një të përbashkët me ju, largimin nga atdheu. Ju jeni
lindur në Pogradec; në Universitetin Shtetëror të Tiranës keni mbaruar studimet
e larta; në Bukuresht keni fituar titullin doktor i shkencave
filologjike, dhe jeni doktorant në teologji në Universitetin e qytetit të Bukureshtit,
ku edhe jetoni. Si ndodhi kjo shkëputje fizike nga Shqipëria, atdheu juaj?
Ardian-Christian Kyçyku: Ndodh shpesh që,
për arsye nga më të
ndryshmet, një komb të mos dojë t’ia dijë për dhimbjet e një shkrimtari, por
s’ka shkrimtar të vërtetë që të mund të shkëputet nga trandjet e kombit të vet,
madje as kur kjo i sjell qetësi, ose frymëzim. Sa më përket, kur nuk i bëj dot
dhimbjet libra, nuk flas për to as me miqtë apo të njohurit. Për më tepër që,
gjatë këtyre njëzet e ca vjetëve, shumë vetë kanë folur në emër e në vend të të
tjerëve. Ndonjëherë një dhimbje e madhe është vetë zgjidhja e një drame dhe
madje edhe shpërblimi për durimin e saj. U zhvendosa në Bukuresht në fund të
vitit 1991 dhe e përjetova mërgimin radhazi: si mallkim, si bekim, si gjendje e
përzjerë, por sidomos si „mposhtje” e shkallëzuar e realitetit përmes shqipes.
Duke qënë mes
dy mërgimesh njëheresh, më vonë m’u dha edhe rumanishtja. Jo pak nga librat e
mi e përshkruajnë me hollësi këtë vdekje-ngjallje të shumëfishtë dhe që ka
vlerë të pazëvendësueshme për letërsinë. Edhe drama „Si”, që sapo është
botuar në Prishtinë nga Sh. B. Armagedoni, apo romani „Home”, i botuar
pó në Prishtinë nga Sh. B. PA, trajtojnë disa nga përmasat e mërgimit, qoftë ai
jashtë a brenda kufijve, qoftë jashtë a brenda vetes, përmes vuajtjeve dhe
vegimeve që sjell ai.
Po shtoj se Revista Haemus i ka kushtuar
dy numra të veçantë kulturës dhe historisë së Kosovës, qysh para shpalljes së
Pavarësisë së saj. Numrat 3-4 (28 -29) të vitit 2006, 400 faqe, hapen me
shënimin: ”Në materialet që po botojmë i është dhënë përparësi botës së
pasur shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës, e cila përshfaqet në të gjitha
aspektet e jetës së tyre plot përpjekje dhe arritje frymëzuese”.
Në rastin tim të „shkëputjes”, - po
përdor thonjëzat, sepse jetoj në shqiptarínë kulturore, - si edhe ndonjë
tjetër, mund të them se atë që u sul ta shkatërronte historia, e
shpëtoi letërsia.
- Sot, kur shohim rezultatet e punës,
kuptojmë se lëvizja juaj drejt Bukureshit është një fat për letërsinë shqiptare
të njohur pak në nivel ballkanik dhe global. Themi është fat, për fakin se ju
bashkë me babain tuaj dhe me me miqtë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, para
njëzet vjetësh filluat një veprimtari që sot shënon arritje të jashtëzakonshme
në procesin e njohjes së letërsisë shqipe në nivel ballkanik. Si i kujtoni
vitet e para të punës, ç`ju motivoi të themeloni këtë veprimtari?
- Fat a fatkeqësi – shpërngulja ndodhi. Por qe e
dyfishtë dhe, shumë më tepër se çrrënjosje, ishte ri-rrënjosje në Kujtesën e
Përhershme të botës shqiptare dhe asaj rumune. Ndaj edhe jam shprehur diku se „ika,
që të mos mbetesha gjysmak”. „Ne na nxorën nga Shqipëria me pinca
(forceps)”, u shpreh dikur
im atë. Dhe vendosëm t’i mblidhnim e t’i përqëndronim thelbet e kulturave shqiptare
e rumune jo vetëm në librat tanë (unë në letërsi e ai kryesisht në histori),
por edhe në një revistë. Asokohe kultura jonë njihej pak dhe e cunguar. Tani
vetëm arkivi i botuar i Revistës Haemus i kalon shtatë mijë faqet, në shqip,
rumanisht e në gjuhë të tjera.
- Aktualisht, keni përkthyer
krijimtarinë e rreth dyqind autorëve shqiptarë, të periudhave të ndryshme
letrare shqipe duke filluar nga periudha e romantizmit, ajo moderne, e deri deri te krijimtaria e ditëve
të sotme, që do të thotë është një përzgjedhje me shtrirje të gjerë, mbi
njëshekullore. Cili ka qenë motivi juaj që keni përfshirë të gjitha periudhat
letrare shqipe në përmbledhjen e përkthimeve tuaj?
- Ishte e domosdoshme të pranohej se
letërsia shqipe nuk ka dalë nga hiçi, nuk përfaqësohet nga tubime, çmime e
vetëm nga dy-tre emra, dhe ka ende të përkushtuarit, të ndaluarit dhe vlerat e
veta të padiskutueshme, shumica ende të panjohura. Më ndihmoi mjaft edhe
hulumtimi për doktoratën e parë („Drejtimet e modernizmit evropian dhe
jehona e tyre në letërsinë shqipe të mes dy luftrave botërore”, ku përqasa
veprat e Konicës, Poradecit, Kutelit, Nolit, Migjenit, Koliqit e Fishtës me
përfaqësues të shquar të letrave evropiane). Tani gjithandej vazhdojnë të përkthehen pak emra, sipas
kriteresh gjithnjë e më jashtëletrarë, edhe ngaqë lexuesit e zgjedhur janë
pakësuar shumë, edhe ngaqë përkthyesit janë mësuar me dy-tre autorë, edhe ngaqë
s’para i dinë të gjitha shqipet e Shqipes. Shtypi sundohet nga autorët zyrtarë,
që vetëm krijojnë përshtypjen se trajtojnë tema të përmasave botërore dhe
jo politically correct. Janë literally correct. E mira
e kësaj gjendjeje që duket e dëshpëruar është se të ndalon të ndalesh. Bota
shqiptare ende bën letërsi nga historia, por sidomos bën histori nga letërsia.
E para është mëse e natyrshme, - po të ruhet baraspesha, - sepse mbron kujtesën
dhe emrin. Ndërsa e dyta, sidomos kur bëhet nga të paftuarit, mund të shfarosë Kujtesën dhe Emrin,
duke dëmtuar rëndë letërsinë. Këtu, në fakt, përqëndrohet thelbi i
globalizimit: detyrimi për të gjetur, gjer edhe duke kafshuar gjuhën, aq
ngjashmëri mes teje dhe çdo të huaji, saqë dikur të pushosh së gjalluari si
emër. Falë hershmërisë së shqipes, autorët shqiptarë janë më të mbrojtur se të
tjerët nga tretja në anonimat, por nuk janë jashtë rrezikut.
- Përveç përkthimit të letërsisë
shqipe në gjuhën rumune, kontributi juaj vlerësohet edhe për përkthimin e
letërsisë rumune në gjuhën shqipe, duke filluar nga shkrimtari i njohur si
zëri më i rëndësishëm poetik në letërsinë rumune,Mihai Eminescu.
Si e vlerësoni, cili është relacioni i lexuesit shqiptar me veprën rumune që
keni ofruar ju?
- Nga rumanishtja shumë më tepër ka
shqipëruar im atë. Kjo punë titanike nis qysh në vitin 1960, kur ai erdhi për
studimet e larta në Bukuresht.
Një pjesë e shqipërimeve janë përmbledhur në „Antologji e poezisë rumune moderne”, me pjesë nga krijimtaria e mbi 185 autorëve të rumanishtes. Di se kjo është antologjia më
e pasur e poezisë rumune e përkthyer në një gjuhë të huaj. Pasoi në rumanisht „Bukuria
që vret” – prozë shqipe, vëllimi I (2006) me pjesë nga vepra e Konicës,
Kutelit, Poradecit, Migjenit, Camajt, Koliqit, Pashkut dhe Hiqmet Meçajt. Do të
veçoja sonetet e Viktor Eftimiut, botuar në vitin 1999 nga „Dukagjini”.
Sa i përket Eminescu-t, poezia e tij është
përcjellë në shqip nga Lasgushi, Mitrushi e të tjerë. Duke shqipëruar disa nga
kryeveprat e Eminescu-t, me besnikëri të panjollë e shqipe të kulluar, im atë e
„çliroi” poezinë e Poetit kombëtar rumun nga çdo theks vetjak
përkthyesi-shkrimtar, ia ridhuroi frymës së autorit, aq sa jo rrallë duken
sikur Eminesc-u t’i ketë shkruar shqip.
Veç vëllimit „Një alfabet i poezisë
shqipe” (101 poetë shqiptarë në rumanisht, 2003), kam shqipëruar pak, më
fort duke ndjekur shprehjen njëfarësoj hokatare të Lasgushit: „As unë s’e
shkruaja dot më mirë”. Ndërsa autorët e shqipes i përkthej për Haemus-in
dhe për revista të ndryshme letrare, gjithnjë falas, duke i ruajtur secilit të
drejtat e plota. Së fundi, në shtëpinë e njohur botuese rumune Charmides, doli
vëllimi me poezi të zgjedhura i Arian Lekës, „Biblioteka lundruese”, që
befasoi jo pak lexues.
- Tani të bisedojmë për
krijimtarinë tuaj letrare si romancier dhe dramaturg. Libri juaj i parë në
gjuhën shqipe është romani „Në perandorinë e
gurit”, botuar në Tiranë, më 1993, ndërsa i pari në gjuhën rumune është
romani, “Viti kur u shpik mjellma”, botuar në Bukuresht më 1997. Prej
atëhere ju keni publikuar mbi njëzet vepra në gjuhën shqipe dhe mbi njëzet
vepra në gjuhën rumune, romane, drama, studime, skenarë filmash. A do të thotë
kjo se ju e pëlqeni më pak poezinë?
- Duhet thënë se asnjë hapësirë tjetër
nuk ka qenë kaq e mbarë për kulturën dhe historinë shqiptare sa ajo rumune. Po
të kujtosh se në Rumani botuan së pari Naimi, Lasgushi, Mitrushi, Asdreni e të
tjerë, - pra, gati një letërsi shqiptare më vete, një lloj ishulli, nga i cili
del një kontinent, jo anasjelltas, - vetëkuptohet përgjegjësia, por edhe
rëndësia e çdo botimi këtu, aq më tepër shkruar drejtpërsëdrejti në rumanisht
(për disa milionë lexues të mundshëm). Historinë e botimit të romanit “Në
perandorinë e gurit” e kam përfshirë në një roman ende të pabotuar. E
ndonëse kisha gati për botim qysh në vitet 1986-1988 disa romane të tjerë, i
pari për mua mbetet “Mortët”, përfunduar në Pogradec në korrik 1988 dhe
botuar me përkushtim nga “Dukagjini” në Prishtinë (1997), ku edhe erdha si i
ftuar në shkurtin e vitit 1998.
Për takimin
kushtuar romanit, ish-presidenti Rugova na liroi zyrën e tij. Ka qenë një javë
e paharruar për mua, me dendësinë e një jete të tërë. Pata fatin të njoh nga
afër e të miqësohem jo vetëm me intelektualë e artistë të shquar, por edhe me
lexues e njerëz të thjeshtë, që, kur merrnin vesh cili jam, shpesh përloteshin.
Më duket se atëhere lexohej shumë më tepër e më thellë... Një natë, vetura me
të cilën udhëtonim u bllokua në dëborë – dhe pesë zotninj të shquar të kulturës kosovare, akademikë e
shkrimtarë, më mbyllën brenda dhe e shtynë veturën mbi njëqind metra, në të
përpjetë, mes acarit gati siberian. Mund të harrohet diçka e tillë?! Edhe
intervistën e parë për shtyp pó në Prishtinë e kam dhënë.
- Bazuar në përvojën tuaj, në
fushën e përkthimeve, si e vlerësoni njohjen e letërsisë shqipe përtej kufijve
kombëtarë, në veçanti nga lexuesi ballkanik?
- Kur një letërsi ka fytyrë të
pangatërrueshme, them se mjafton, të paktën në kushtet e tanishme gjeopolitike.
Kjo fytyrë fiton tipare të qarta gjer edhe kur letërisa përkatëse nuk qarkullon
si duhet dhe nuk përkthehet lehtë. Sprova kryesore vjen nga fakti se sot pragmatizmi i shumicës së idealistëve dhe idealizmi i shumicës së pragmatikëve
janë afruar tejmase dhe shpesh, me ndihmën e shtypit, qëllimisht, ose jo,
ngatërrohen. Principatat e lexuesve janë aq të copëzuara e të përçara, saqë ndodh
që të jesh i famshëm në një lagje apo kafene, dhe të jesh krejt askush në
lagjen apo kafenenë fqinjë. Elitat e rreme, pavarësisht nga breznia, po duan
t’i japin letërsisë, - që mund të këqyret si një ilaç me veprim afatgjatë, -
natyrën e drogës a të seksit. Ndaj edhe shtypi trymbeton libra përshkrues, pas leximit të të
cilëve mund të informohesh, por jo edhe të formohesh. Megjithatë, nga përvoja
di se mëkati më i rëndë ndaj letrave shqipe është këmbëngulja e shumicës së
autorëve, kritikëve, gazetarëve, zyrtarëve dhe lexuesve për të heshtur ndaj
gjërave që s’i bëjnë dot vetë. Vazhdojnë ta bluajnë edhe kafenë, edhe
diamantet, ta themi, me të njëjtin mulli. Nga ana tjetër, nuk di sa autorë i
bëjnë vetes pyetje të llojit: Ku mund të më çojë fama e skajshme? Për
çfarë dhe si dhe sa mund ta përdor edhe në të mirë të diçkaje / dikujt tjetër
veç vetes dhe nevojës për t’u bindur se një ditë nuk do të ik nga kjo botë? Sa
ma shtojnë / mbrojnë përkthimet në gjuhë të huaja dhe fama lirinë e të
shkruarit e sidomos të të shprehurit? Po frymëzimin, mprehtësinë e
vështrimit, ngrohjen e zemrës, dhimbsurinë etj? Tingëllojnë paksa
fëminore dhe besoj që bash nga fëminia vijnë. Se pyetjen: „Ku do të të vejë
shpirti, o i gjorë?” mundoheshin t’ia prisnin hovin pleqtë e dikurshëm poradecarë
ndonjë të çarturi që turrej të pushtonte botën në të gjitha anët njëheresh, i
gatshëm të shkelte mbi gjithçka e mbi gjithkënd... Thënë ndryshe: nëse nuk
pranohen me vërtetësi e ndershmëri hierarkitë e brendshme letrare, të huajt do
t’i njohin vetëm në mënyrë të mangët letrat tona, gjë që hëpërhë duket se u
shijon. Por meqë letërsia ka natyrë të ndryshme nga ajo e ligjit, - sepse këtu
asnjëri s’është i barabartë me askënd, - forumet e epërme, të nivelit botëror,
e njohin me themel ecurinë e çdo letërsie, si dhe të autorëve që vërtet thonë
diçka, pavarësisht nga gjuha apo fama / mosnjohja e tyre në shtyp.
- Jemi të vetëdijshëm se puna
juaj është e pamundur të tregohet gjatë një bisede. Për ne, është fat i mirë që
jetojmë në shekullin digjital dhe lexuesi i kësaj interviste, i motivuar nga
këtu, mund të vazhdojë hulumtimin më tej, megjithatë a mund të na tregoni diçka
për projektet tuaja të tanishme në fushën e letërsisë, si në përkthimin e
veprës, ashtu edhe në krijimet brenda zhanrit të prozës, dramës apo ndonjë
zhanri tjetër?
- Le ta mbyllim me një shaka jo krejt të
ëmbël: do të kenë përse të heshtin më tej.
- Faleminderit
që ndatë kohën tuaj të çmuar me ne!
- Ndere paçi!
Bisedoi: Mimoza Hasani
Pllana
Gazeta
Express, Prishtinë 24 tetor 2018