Showing posts with label Migjeni. Show all posts
Showing posts with label Migjeni. Show all posts

Eranda Allmetaj: "Letërsia sociale si dukuri botërore: vështrim krahasues krijimtarisë së Migjenit dhe të poetit kinez Lu Xun"



1. Lëvizja e 4 Majit dhe lëvizja e re kulturore në Kinën e fillimit të shek. XX
Ngjarjet historike që trazuan Kinën e shek. XX kanë lënë gjurmë të thella duke u bërë shenjuese të fillimit të një epoke të re në disa aspekte kryesore si kultura dhe letërsia. Një nga ngjarjet e shënuara tashmë në kalendarin historik të saj është edhe Lëvizja e 4 Majit, e njohur për impaktin e thellë që pati tek masat e gjëra popullore. Arsyeja pse trajtohet një ngjarje e tillë historike në një punim me karakter letrar ka të bëjë me ndikimin themelor që kjo lëvizje pati në lindjen e të ashtuquajturës Letërsia moderne kineze. Ishte pikënisja dhe reagimi masiv i kësaj lëvizjeje që solli ndryshime të mëdha dhe konkretizoi etapën e re të Kinës.
Lëvizja e 4 Majit i pati fillesat rreth vitit 1919 nga një grup studentësh të Universitetit të Pekinit. Ajo erdhi si një pakënaqësi masive e popullsisë, kryesisht intelektualëve, ndaj politikës dhe reagimit të lidershipit të vendit ndaj problemeve që Lufta e Parë Botërore kishte lënë pas, veçanërisht përballja me Japoninë si forcë kryesore kundërshtare. Po ashtu, pakënaqësi të madhe kishte shkaktuar edhe Traktati i Paqes i Versajës, një traktat i cili kishte zgjuar pakënaqësi mbarëbotërore.

Eranda Allmetaj: "Ligjërata e brendshme e personazheve në disa prej prozave të shkurtra të Migjenit dhe shkrimitarit Lu Xun"


Në shpjegimin e tij si koncept, narracioni definohet si akti ose procesi i rrëfimit të një historie. Në aspektin letrar, narracioni kuptohet si mënyra apo stili me të cilin rrëfehet një histori ose novelë. Teoricieni letrar Gerard Genette e përkufizon rrëfimin si reprezentim i një ngjarjeje, ose i një vargu ngjarjesh, reale a fiktive, me anën e ligjërimit, e në mënyrë më të veçantë, me ligjërimin e shkruar[1].
Aspekti narrativ në fushën e letërsisë ka qenë gjithmonë në proces evoluimi, ku tërësia e elementeve narrative ka gjetur shfaqje të formave të larmishme në varësi edhe të mbizotërimit të zhanrit apo natyrës së formave letrare. Që në zanafillën e krijimtarive letrare narracioni ka qenë pjesë përbërëse e rëndësishme e veprave apo shkrimeve me natyrë letrare, por kritika herë i ka dhënë rol parësor e herë të tjera e ka lënë në hije. Kryesisht në kohët e hershme letërsia shihej e lidhur me shkencat e tjera dhe kritika ndaj saj nuk kishte si të mos ndikohej nga ky aspekt. Teoritë e ndryshme letrare i kanë dhënë përparësi aspekteve të ndryshme në varësi të këndvështrimit që ato kanë pasur në thelb.
Me kalimin e kohës, teoritë letrare filluan të krijonin një ndarje nga këto dukuri duke synuar studimin e veprave bazuar vetëm në aspekte letrare dhe duke lënë mënjanë aspekte të cilat konsideroheshin jashtëletrare. Siç dhe gjuhëtari dhe teoricieni letrar Roman Jackobson përkufizon që subjekti i studiuesve dhe shkollave letrare nuk duhet të jetë letërsia, por elementet të cilët e bëjnë një vepër të jetë letrare The subject of literary scholarship is not literature in its totality but literariness i.e. that which makes of a given work a work of literature[2].