Showing posts with label @rketipal. Show all posts
Showing posts with label @rketipal. Show all posts

Kopi Kyçyku: Vargje

Mbi supe


Mbi supe mbart një zog, që flatrat rreh,
Nga fjalët më jan' bërë buzët gjak,
Si vdekja, dashuria kosën mpreh
Mbi ndjenjat që i vret, ose merr hak.


Vdekje e përkryer...


Edhe në qofsh prej guri, granit apo beton,
Kalon koha ngadalë, shkujdesur, me durim,
Me dhëmbët aq të mprehtë sikur të ledhaton,
Gjersa të shndrron në rërë prej plazhi plot shkëlqim.
Të vraka edhe drita, të vraka edhe terri,
Të vraka helmi, gazi, trishtimi dhe mërzia,
Të vraka thjesht vështrimi, dhe puthja erë ferri,
Por vdekja e përkryer vjen veç nga dashuria.


Si nuk e shihja, vallë?


Çuditem me vetveten: si nuk e shihja, vallë,
Si dimri vjen rënduar, me hënë të venitur,
Njëlloj si ai plaku me dhembje në dhëmballë,
Dentistin me rënkime te pragu duke pritur?

Habitem me vetveten: si nuk e kisha parë
Si dimri vjen mendueshëm, me pamjen e trishtuar
Të djalit çehrezbehur, përlotur, zemërvrarë
Nga ndjenja e kulluar, e thellë, por e dështuar?

Po grindem me vetveten: si nuk e kisha parë,
Si dimri vjen në pyje, me gjethe kalbur bore,
Që një drenushë e ndrojtur, në ar e argjend larë,
U merr erë tek dridhet si vetë gjethet prore?


Në sqep i mbiu...

(Në frymë popullore)


Kur u kthye me ushqim për të vegjlit zogu - at, i ziu,
Folenë e gjeti bosh, pa zogj, të shkretë, pa jetë,
Kërkoi por nuk i gjeti, iu thinjën pendët krejt,
Dhe fara, më në fund, në sqep atij i mbiu.


Tingujt e dëborës

(Kujtim i trishtë)

Në parvaz të dritares
dhe në pragun e jetës,
tingujt e dëborës
këtu, në vendlindje
më jehojnë në vesh
prej shumë vitesh.
Hije të shtënash pushke,
të mbetura diku,
si era e ngrirë
në degët e janarit -
akull në vena.
Në zemrën e ëndrrës së bardhë
një tingull prej vitesh nxihet.

Vasile Andru: ”... si një betim që ve vulën mbi të ardhmen„

(hija e të lumturit Vladimir Gjika në Japoni / umbra fericitului Vladimir Ghika în Japonia)



Kur mbërrita në shtator të 2010-ës në Tokjo, mësova se japonezët i numurojnë ndryshe vitet: ata janë në vitin 22 të erës Heisa. Ata i numurojnë vitet qysh nga hipja në fron e perandorit. (Përdoret edhe numurimi i zakonshëm, 2010, kuptohet). Perandori japonez, kur hip në fron, përuron një erë të re dhe i jep epokës së vet një emër-emblemë, një emër-program. Perandori i tanishëm, Akihito, i ka dhënë epokës së vet emrin Heisa, që përkthehet qetësi, paqe.
Mua fjala heisa më tingëlloi si hesychia (isihia), term grek që ka kuptimin po ‚qetësi’, qetësi e ndritshme. Ky paralelizëm m’u duk hyjnor. Të shkosh në Japoni bash në epokën e isihisë! E mora si një dhuratë vetjake, gjithsesi ogurmirë.
Luta një sivëlla japonez (të cilin e pata njohur në Kongresin e shkrimtarëve, ku isha delegat) të ma përkthente në japonisht formulën isihaste, fjalinë me 5 fjalë „Zoti Jezu Krisht, mëshiromë” (në origjinalin rumanisht – sh.p.), e cila përsëritet gjatë lutjes së mendjes (që doja ta bëja të njohur në Japoni, aq sa mundej). Kësisoj nocionet fillestare të gjuhës japoneze i mora nga mësimi i formulës isihaste; kjo tingëllon si më poshtë:

Shu Jesu Kirisuotoyo, watashi wo awarende, kudasai.

Në japonisht fjalia ka 7 fjalë, pra është më e gjatë se në rumanisht apo greqisht. Fjala e shtuar është një përkulje nderimi. Japonezët nuk mund të heqin dorë nga përkuljet e nderimit as në lutje. Ata janë të sjellshëm gjer edhe ndaj Zotit! (...)