Showing posts with label Biseda. Show all posts
Showing posts with label Biseda. Show all posts

„Gjërat e frikshme për njeriun kanë qenë të vlefshme për shkrimtarin. …” - Bisedë me shkrimtarin Bashkim Shehu

Fragment

Revista Haemus: I dashur Bashkim Shehu. A mendon se fjala e një shkrimtari të veçantë si ti dëgjohet / lexohet mjaftueshëm në këto kohëra, kur të gjithë flasin e shkruajnë, të bindur se kanë diçka vendimtare për të thënë?

Bashkim Shehu: Unë e marr si sfidë. Dhe më intereson më shumë cilësia e lexuesve, jo dhe aq sasia e tyre. 

Revista Haemus: Duke u përqëndruar në ngjarje të natyrës politike, vëmendja e lexuesve është zhvendosur nga të fshehtat e hershme që nisin e ngjizin një autor… Si kanë qenë fillesat e tua letrare? Çfarë veçon nga fëminia dhe rinia? 

Bashkim Shehu: Nga fëmijëria do të veçoja gjënë e parë që kam shkruar. Isha 10 vjeç dhe lexova një roman për fëmijë disi më të rritur, „Gojama krifëverdhë” titullohet. Protagonisti ishte një luan, të cilin e vret gjahtari në fund të romanit. Unë e ndryshova fundin e këtij romanit duke shkruar me laps në pjesën bosh të faqes së fundit: e ripërshkrova episodin përmbyllës në mënyrë të atillë që luani vret njeriun. Ngjan si pozicionim i kundërt me atë që thotë Camus në ligjëratën e tij gjatë ceremonisë së Çmimit Nobel, në lidhje me njeriun përballë luanit. Puna është se në kopertinën e atij libri ishte koka e një luani me sy shumë të butë dhe kjo më kujtonte macen time, që unë e doja shumë. Për më tepër, ajo që bëra duke ia ndryshuar fundit atij libri, që është po kjo bëj tani kur shkruaj libra nga fillimi gjer në fund për ta rishkruar botën të ndryshuar nëpërmjet imagjinatës, përkon me atë që thotë Camus pak a shumë te Njeriu i revoltuar kur flet për artin e romanit: është refuzimi i heteronomisë, rebelimi ndaj botës, ku jemi të huaj pashmangësisht, ku nuk jemi në shtëpinë tonë, e megjithatë duam të jemi në këtë botë. Fiksioni letrar, tekefundit, është kjo botë dhe s’është. Ndërsa nga rinia do të veçoja një ngjarje që ndodhi kur isha 17 vjeç, kur dëgjova një fjalim të Enver Hoxhës kundër të ashtuquajtura ndikime të huaja dhe që paralajmëronte kësisoj fillimin e një gjuetie shtrigash në fushën e kulturës dhe të arteve. Ishte një kohë kur në Shqipëri po ndodhte njëfarë hapjeje kulturore dhe unë kisha iluzionin se kjo do vazhdonte dhe se ajo lloj letërsie që ende ishte e ndaluar do të bëhej e pranueshme. Por, duke dëgjuar atë fjalim, formulova me vete mendimin „ky regjim duhet përmbysur” ose „ky sistem duhet përmbysur”. Ai fjalim ishte një goditje vendimtare për iluzionin që përmenda, ose goditja e parë vendimtare. Dhe atë natë, kur shkova në dhomën time, nuk rashë për të shtrat, po mora një fletore me vija, nga ato të shkollës, dhe shkrova një tregim, katër-pesë faqe fletoreje gjithsej. Me sa mbaj mend, ai tregim fillon me shfaqjen e disa fantazmave të veshura me armatura të ndryshkura kryqëtarësh, në dhomën time, ngaqë kanë ardhur të më arrestojnë. Më pas, arrij të shpëtoj prej tyre dhe fshihem në një bodrum, ku ishin fshehur edhe të tjerë si unë dhe përgatiteshin për t’i dëbuar ato fantazma kalorësish mesjetarë. Tregimi mbaron me një pamje të megaliteve të Stonehenge-it, përfytyruar si observator astronomik i stërlashtë, dhe shkëputjen e këtyre gurëve nga dheu për të goditur një fushë të madhe sahati duke i bërë akrepat që të rrotullohen mbrapsht. Kisha shkruar nja dy gjëra të shkurtra edhe më përpara, nën shembullin e Kafkës dhe të Migjenit, porse atë natë për herë të parë vendosa ose ndieva se do t’i kushtohesha letërsisë. Ndërkaq, midis këtyre dy episodeve kam pasur mëse një herë vegimin e një libri me kopertinë të zezë dhe emrin tim përsipër, si emër i autorit. 

Lidhjet e pashkëputura letrare shqiptaro-rumune



Në 20 vjetorin e themelimit të Revistës Europiane Haemus, bisedë me bashkëthemeluesin dhe bashkëdrejtuesin e saj Ardian Kyçyku:


Në rast se hulumtojmë zhvillimin dhe promovimin e letërsisë shqipe në dekadën (dhjetëvjetshin) e fundit të shekullit XX., në qendrën e njohur kulturore europiane, Bukuresht, përveç zhvillimeve të tjera të dekadës së sapopërmendur, lidhemi me këtë vend edhe përmes vitit të fillimit të botimit të Revistës Europiane Haemus, që u themelua në vitin 1998 nga babë e bir, Kopi dhe Ardian Kyçyku, veprimtarë të çmuar të çështjes kombëtare.
Revista Haemus, qyshse u ngjiz dhe deri më sot pa shkëputje kontribuon në njohjen e letërsisë shqipe përtej kufijve administrativë të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës dhe qendrave të tjera ku zhvillohet kultura dhe letërsia shqipe, sikur janë Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare. Kontributi thelbësor i revistës lidhet me publikimin e veprave letrare dhe përkthimeve të shkrimtarëve të njohur shqiptarë në gjuhën rumune dhe shkrimtarëve rumunë në gjuhën shqipe. Ndihmesa të tjera të vlerësuara janë edhe organizimi i konferencave dhe ngjarjeve të përqendruara në promovimin dhe avancimin e vlerave kulturore, artistike, letrare kombëtare shqiptare sidhe veprimtari me synim thellimin e lidhjeve shqiptaro-rumune të konfirmuara qysh nga koha e krijimit të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit. 
Mendohet se ekzistojnë sfida për letërsitë e vendeve të vogla, siç është Kosova, që të njihen nga lexuesi i huaj, por kur shohim kontributin e jashtëzakonshëm të Kopi dhe Ardian Kyçykut në zhvillimin dhe promovimin e vlerave tona letrare para lexuesit dhe kritikës rumune me të drejtë edhe mund të shqetësohemi shumë për mosnjohjen e letërsisë sonë nga ky vend ballkanik dhe më tej. Përveç fushës së letërsisë, Revista Haemus, ka dhënë ndihmesë të çmuar edhe për njohjen e historisë së re të Kosovës brenda hapësirës gjeografike të Rumanisë. Prandaj, për të njohur më thellë punën njëzetvjeçare të revistës dhe lidhjen me trashëgiminë kulturore, letërsinë dhe historinë kombëtare do të bisedojmë me bashkëthemeluesin dhe bashkëdrejtuesin e saj, zotin Ardian Kyçyku.

Ardian KYÇYKU (pseudonime letrare: Ardian-Christian Kyçyku / Kuciuk), u lind në Pogradec më 23 gusht 1969, autor i mbi 50 librave origjinalë në gjuhët shqipe e rumune. Kreu studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega: Gjuhë-Letërsi. Mori titullin „Doktor i shkencave filologjike” në Universitetin e Bukureshtit, është doktorant në teologji në Universitetin e qytetit të Bukureshtit, profesor universiteti dhe rektor, bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i revistës evropiane „Haemus”; mori çmimin kombëtar të letërsisë "Penda e Argjendtë" për tregim (2012); u shpallë „Qytetar Nderi i Pogradecit” (2014); Akademia Kult ia ndau çmimin "Libri artistik i vitit / Shkrimtari i vitit" (2015); mori çmimin II "Katarina Josip" për Dramë Origjinale Shqipe (2016), çmimin e madh – Festivali Ndërkombëtar i Filmit Très court (2017). Krijimet e tija janë përkthyer në disa gjuhë të huaja.



Një fragment shkëputur nga eseja „10 nga vitet e Ballkanit” (2009)

„... kur ishim në vdekje, revista Haemus u bë për ne jetë fjalë e fjalë jete; kur ishte jetë, Haemus-i mbeti mbi-jetë, ose folé mbijetese; kur u dynd kaosi, mbeti më e dukshmja pasuri e patundshme. Në njëfarë mënyre, historia e shkurtër e revistës sonë mund të këqyret edhe si një dramë e disave që nuk qëndruan dot në atdhe dhe e atyre që nuk ikën dot nga atdheu. U shtjellua si një dramë që prekte heraherës edhe trojet e tragjedisë së heshtur, edhe të komedisë së pavetëdijshme të të paftuarve dhe të cilën hapësira e mërgatës e përktheu dalëngadalë në një përmasë të re vështrimi. Jo pak vetë e shihnin ndërkaq kulturën si kopje të skllavëruar të gjeografisë, madje si një ngrehinë me kufij, zyra, roje, shefa, zëdhënësa, ministri, diplomatë, qenër kufiri etj”.

Mimoza Hasani Pllana: Zoti Kyçyku, sivjet Revista Haemus shënon njëzetvjetorin e themelimit të saj. Për ju viti 1998, është shenjë që ju kujton këtë ngjarje të rëndësishme, ndërkaq për lexuesit kosovarë ky vit kujton pjesë të një periudhe të dhimbshme që shqiptarët e Kosovës përballeshin me emigrim masiv dhe dëbim sistematik e të dhunshëm të shqiptarëve nga atdheu i vet. Në këtë pikë, lexuesit ndajnë një të përbashkët me ju, largimin nga atdheu. Ju jeni lindur në Pogradec; në Universitetin Shtetëror të Tiranës keni mbaruar studimet e larta; në Bukuresht keni fituar titullin doktor i shkencave filologjike, dhe jeni doktorant në teologji në Universitetin e qytetit të Bukureshtit, ku edhe jetoni. Si ndodhi kjo shkëputje fizike nga Shqipëria, atdheu juaj?

Ardian-Christian Kyçyku: Ndodh shpesh që, për arsye nga më të ndryshmet, një komb të mos dojë t’ia dijë për dhimbjet e një shkrimtari, por s’ka shkrimtar të vërtetë që të mund të shkëputet nga trandjet e kombit të vet, madje as kur kjo i sjell qetësi, ose frymëzim. Sa më përket, kur nuk i bëj dot dhimbjet libra, nuk flas për to as me miqtë apo të njohurit. Për më tepër që, gjatë këtyre njëzet e ca vjetëve, shumë vetë kanë folur në emër e në vend të të tjerëve. Ndonjëherë një dhimbje e madhe është vetë zgjidhja e një drame dhe madje edhe shpërblimi për durimin e saj. U zhvendosa në Bukuresht në fund të vitit 1991 dhe e përjetova mërgimin radhazi: si mallkim, si bekim, si gjendje e përzjerë, por sidomos si „mposhtje” e shkallëzuar e realitetit përmes shqipes. Duke qënë mes dy mërgimesh njëheresh, më vonë m’u dha edhe rumanishtja. Jo pak nga librat e mi e përshkruajnë me hollësi këtë vdekje-ngjallje të shumëfishtë dhe që ka vlerë të pazëvendësueshme për letërsinë. Edhe drama „Si”, që sapo është botuar në Prishtinë nga Sh. B. Armagedoni, apo romani „Home”, i botuar pó në Prishtinë nga Sh. B. PA, trajtojnë disa nga përmasat e mërgimit, qoftë ai jashtë a brenda kufijve, qoftë jashtë a brenda vetes, përmes vuajtjeve dhe vegimeve që sjell ai.
Po shtoj se Revista Haemus i ka kushtuar dy numra të veçantë kulturës dhe historisë së Kosovës, qysh para shpalljes së Pavarësisë së saj. Numrat 3-4 (28 -29) të vitit 2006, 400 faqe, hapen me shënimin: ”Në materialet që po botojmë i është dhënë përparësi botës së pasur shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës, e cila përshfaqet në të gjitha aspektet e jetës së tyre plot përpjekje dhe arritje frymëzuese”.
Në rastin tim të „shkëputjes”, - po përdor thonjëzat, sepse jetoj në shqiptarínë kulturore, - si edhe ndonjë tjetër, mund të them se atë që u sul ta shkatërronte historia, e shpëtoi letërsia.

- Sot, kur shohim rezultatet e punës, kuptojmë se lëvizja juaj drejt Bukureshit është një fat për letërsinë shqiptare të njohur pak në nivel ballkanik dhe global. Themi është fat, për fakin se ju bashkë me babain tuaj dhe me me miqtë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, para njëzet vjetësh filluat një veprimtari që sot shënon arritje të jashtëzakonshme në procesin e njohjes së letërsisë shqipe në nivel ballkanik. Si i kujtoni vitet e para të punës, ç`ju motivoi të themeloni këtë veprimtari?

- Fat a fatkeqësi – shpërngulja ndodhi. Por qe e dyfishtë dhe, shumë më tepër se çrrënjosje, ishte ri-rrënjosje në Kujtesën e Përhershme të botës shqiptare dhe asaj rumune. Ndaj edhe jam shprehur diku se „ika, që të mos mbetesha gjysmak”. „Ne na nxorën nga Shqipëria me pinca (forceps)”, u shpreh dikur im atë. Dhe vendosëm t’i mblidhnim e t’i përqëndronim thelbet e kulturave shqiptare e rumune jo vetëm në librat tanë (unë në letërsi e ai kryesisht në histori), por edhe në një revistë. Asokohe kultura jonë njihej pak dhe e cunguar. Tani vetëm arkivi i botuar i Revistës Haemus i kalon shtatë mijë faqet, në shqip, rumanisht e në gjuhë të tjera.

- Aktualisht, keni përkthyer krijimtarinë e rreth dyqind autorëve shqiptarë, të periudhave të ndryshme letrare shqipe duke filluar nga periudha e romantizmit, ajo moderne, e deri deri te krijimtaria e ditëve të sotme, që do të thotë është një përzgjedhje me shtrirje të gjerë, mbi njëshekullore. Cili ka qenë motivi juaj që keni përfshirë të gjitha periudhat letrare shqipe në përmbledhjen e përkthimeve tuaj?

- Ishte e domosdoshme të pranohej se letërsia shqipe nuk ka dalë nga hiçi, nuk përfaqësohet nga tubime, çmime e vetëm nga dy-tre emra, dhe ka ende të përkushtuarit, të ndaluarit dhe vlerat e veta të padiskutueshme, shumica ende të panjohura. Më ndihmoi mjaft edhe hulumtimi për doktoratën e parë („Drejtimet e modernizmit evropian dhe jehona e tyre në letërsinë shqipe të mes dy luftrave botërore”, ku përqasa veprat e Konicës, Poradecit, Kutelit, Nolit, Migjenit, Koliqit e Fishtës me përfaqësues të shquar të letrave evropiane). Tani gjithandej vazhdojnë të përkthehen pak emra, sipas kriteresh gjithnjë e më jashtëletrarë, edhe ngaqë lexuesit e zgjedhur janë pakësuar shumë, edhe ngaqë përkthyesit janë mësuar me dy-tre autorë, edhe ngaqë s’para i dinë të gjitha shqipet e Shqipes. Shtypi sundohet nga autorët zyrtarë, që vetëm krijojnë përshtypjen se trajtojnë tema të përmasave botërore dhe jo politically correct. Janë literally correct. E mira e kësaj gjendjeje që duket e dëshpëruar është se të ndalon të ndalesh. Bota shqiptare ende bën letërsi nga historia, por sidomos bën histori nga letërsia. E para është mëse e natyrshme, - po të ruhet baraspesha, - sepse mbron kujtesën dhe emrin. Ndërsa e dyta, sidomos kur bëhet nga të paftuarit, mund të shfarosë Kujtesën dhe Emrin, duke dëmtuar rëndë letërsinë. Këtu, në fakt, përqëndrohet thelbi i globalizimit: detyrimi për të gjetur, gjer edhe duke kafshuar gjuhën, aq ngjashmëri mes teje dhe çdo të huaji, saqë dikur të pushosh së gjalluari si emër. Falë hershmërisë së shqipes, autorët shqiptarë janë më të mbrojtur se të tjerët nga tretja në anonimat, por nuk janë jashtë rrezikut.

- Përveç përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhën rumune, kontributi juaj vlerësohet edhe për përkthimin e letërsisë rumune në gjuhën shqipe, duke filluar nga shkrimtari i njohur si zëri më i rëndësishëm poetik në letërsinë rumune,Mihai Eminescu. Si e vlerësoni, cili është relacioni i lexuesit shqiptar me veprën rumune që keni ofruar ju?

- Nga rumanishtja shumë më tepër ka shqipëruar im atë. Kjo punë titanike nis qysh në vitin 1960, kur ai erdhi për studimet e larta në Bukuresht. 
Një pjesë e shqipërimeve janë përmbledhur në „Antologji e poezisë rumune moderne”, me pjesë nga krijimtaria e mbi 185 autorëve të rumanishtes. Di se kjo është antologjia më e pasur e poezisë rumune e përkthyer në një gjuhë të huaj. Pasoi në rumanisht „Bukuria që vret” – prozë shqipe, vëllimi I (2006) me pjesë nga vepra e Konicës, Kutelit, Poradecit, Migjenit, Camajt, Koliqit, Pashkut dhe Hiqmet Meçajt. Do të veçoja sonetet e Viktor Eftimiut, botuar në vitin 1999 nga „Dukagjini”. 

Ndërkaq im atë përktheu në e nga të dyja gjuhët, por edhe në italisht etj, vëllime poezish të zgjedhura, drama apo romane nga autorë të të gjitha trevave shqipfolëse, përfshi Mërgatën, si dhe nga autorë të huaj në shqip. Shumë tituj të tjerë janë botuar në Haemus, ose në revista kulturore të gjuhës rumune. 



Sa i përket Eminescu-t, poezia e tij është përcjellë në shqip nga Lasgushi, Mitrushi e të tjerë. Duke shqipëruar disa nga kryeveprat e Eminescu-t, me besnikëri të panjollë e shqipe të kulluar, im atë e „çliroi” poezinë e Poetit kombëtar rumun nga çdo theks vetjak përkthyesi-shkrimtar, ia ridhuroi frymës së autorit, aq sa jo rrallë duken sikur Eminesc-u t’i ketë shkruar shqip.


Veç vëllimit „Një alfabet i poezisë shqipe” (101 poetë shqiptarë në rumanisht, 2003), kam shqipëruar pak, më fort duke ndjekur shprehjen njëfarësoj hokatare të Lasgushit: „As unë s’e shkruaja dot më mirë”. Ndërsa autorët e shqipes i përkthej për Haemus-in dhe për revista të ndryshme letrare, gjithnjë falas, duke i ruajtur secilit të drejtat e plota. Së fundi, në shtëpinë e njohur botuese rumune Charmides, doli vëllimi me poezi të zgjedhura i Arian Lekës, „Biblioteka lundruese”, që befasoi jo pak lexues.


- Tani të bisedojmë për krijimtarinë tuaj letrare si romancier dhe dramaturg. Libri juaj i parë në gjuhën shqipe është romani „Në perandorinë e gurit”, botuar në Tiranë, më 1993, ndërsa i pari në gjuhën rumune është romani, “Viti kur u shpik mjellma”, botuar në Bukuresht më 1997. Prej atëhere ju keni publikuar mbi njëzet vepra në gjuhën shqipe dhe mbi njëzet vepra në gjuhën rumune, romane, drama, studime, skenarë filmash. A do të thotë kjo se ju e pëlqeni më pak poezinë?


- Duhet thënë se asnjë hapësirë tjetër nuk ka qenë kaq e mbarë për kulturën dhe historinë shqiptare sa ajo rumune. Po të kujtosh se në Rumani botuan së pari Naimi, Lasgushi, Mitrushi, Asdreni e të tjerë, - pra, gati një letërsi shqiptare më vete, një lloj ishulli, nga i cili del një kontinent, jo anasjelltas, - vetëkuptohet përgjegjësia, por edhe rëndësia e çdo botimi këtu, aq më tepër shkruar drejtpërsëdrejti në rumanisht (për disa milionë lexues të mundshëm). Historinë e botimit të romanit “Në perandorinë e gurit” e kam përfshirë në një roman ende të pabotuar. E ndonëse kisha gati për botim qysh në vitet 1986-1988 disa romane të tjerë, i pari për mua mbetet “Mortët”, përfunduar në Pogradec në korrik 1988 dhe botuar me përkushtim nga “Dukagjini” në Prishtinë (1997), ku edhe erdha si i ftuar në shkurtin e vitit 1998. 
Për takimin kushtuar romanit, ish-presidenti Rugova na liroi zyrën e tij. Ka qenë një javë e paharruar për mua, me dendësinë e një jete të tërë. Pata fatin të njoh nga afër e të miqësohem jo vetëm me intelektualë e artistë të shquar, por edhe me lexues e njerëz të thjeshtë, që, kur merrnin vesh cili jam, shpesh përloteshin. Më duket se atëhere lexohej shumë më tepër e më thellë... Një natë, vetura me të cilën udhëtonim u bllokua në dëborë – dhe pesë zotninj të shquar të kulturës kosovare, akademikë e shkrimtarë, më mbyllën brenda dhe e shtynë veturën mbi njëqind metra, në të përpjetë, mes acarit gati siberian. Mund të harrohet diçka e tillë?! Edhe intervistën e parë për shtyp pó në Prishtinë e kam dhënë.

- Bazuar në përvojën tuaj, në fushën e përkthimeve, si e vlerësoni njohjen e letërsisë shqipe përtej kufijve kombëtarë, në veçanti nga lexuesi ballkanik?

- Kur një letërsi ka fytyrë të pangatërrueshme, them se mjafton, të paktën në kushtet e tanishme gjeopolitike. Kjo fytyrë fiton tipare të qarta gjer edhe kur letërisa përkatëse nuk qarkullon si duhet dhe nuk përkthehet lehtë. Sprova kryesore vjen nga fakti se sot pragmatizmi i shumicës së idealistëve dhe idealizmi i shumicës së pragmatikëve janë afruar tejmase dhe shpesh, me ndihmën e shtypit, qëllimisht, ose jo, ngatërrohen. Principatat e lexuesve janë aq të copëzuara e të përçara, saqë ndodh që të jesh i famshëm në një lagje apo kafene, dhe të jesh krejt askush në lagjen apo kafenenë fqinjë. Elitat e rreme, pavarësisht nga breznia, po duan t’i japin letërsisë, - që mund të këqyret si një ilaç me veprim afatgjatë, - natyrën e drogës a të seksit. Ndaj edhe shtypi trymbeton libra përshkrues, pas leximit të të cilëve mund të informohesh, por jo edhe të formohesh. Megjithatë, nga përvoja di se mëkati më i rëndë ndaj letrave shqipe është këmbëngulja e shumicës së autorëve, kritikëve, gazetarëve, zyrtarëve dhe lexuesve për të heshtur ndaj gjërave që s’i bëjnë dot vetë. Vazhdojnë ta bluajnë edhe kafenë, edhe diamantet, ta themi, me të njëjtin mulli. Nga ana tjetër, nuk di sa autorë i bëjnë vetes pyetje të llojit: Ku mund të më çojë fama e skajshme? Për çfarë dhe si dhe sa mund ta përdor edhe në të mirë të diçkaje / dikujt tjetër veç vetes dhe nevojës për t’u bindur se një ditë nuk do të ik nga kjo botë? Sa ma shtojnë / mbrojnë përkthimet në gjuhë të huaja dhe fama lirinë e të shkruarit e sidomos të të shprehurit? Po frymëzimin, mprehtësinë e vështrimit, ngrohjen e zemrës, dhimbsurinë etj? Tingëllojnë paksa fëminore dhe besoj që bash nga fëminia vijnë. Se pyetjen: „Ku do të të vejë shpirti, o i gjorë?” mundoheshin t’ia prisnin hovin pleqtë e dikurshëm poradecarë ndonjë të çarturi që turrej të pushtonte botën në të gjitha anët njëheresh, i gatshëm të shkelte mbi gjithçka e mbi gjithkënd... Thënë ndryshe: nëse nuk pranohen me vërtetësi e ndershmëri hierarkitë e brendshme letrare, të huajt do t’i njohin vetëm në mënyrë të mangët letrat tona, gjë që hëpërhë duket se u shijon. Por meqë letërsia ka natyrë të ndryshme nga ajo e ligjit, - sepse këtu asnjëri s’është i barabartë me askënd, - forumet e epërme, të nivelit botëror, e njohin me themel ecurinë e çdo letërsie, si dhe të autorëve që vërtet thonë diçka, pavarësisht nga gjuha apo fama / mosnjohja e tyre në shtyp.


- Jemi të vetëdijshëm se puna juaj është e pamundur të tregohet gjatë një bisede. Për ne, është fat i mirë që jetojmë në shekullin digjital dhe lexuesi i kësaj interviste, i motivuar nga këtu, mund të vazhdojë hulumtimin më tej, megjithatë a mund të na tregoni diçka për projektet tuaja të tanishme në fushën e letërsisë, si në përkthimin e veprës, ashtu edhe në krijimet brenda zhanrit të prozës, dramës apo ndonjë zhanri tjetër?

- Le ta mbyllim me një shaka jo krejt të ëmbël: do të kenë përse të heshtin më tej.

- Faleminderit që ndatë kohën tuaj të çmuar me ne!

- Ndere paçi!
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana
 Gazeta Express, Prishtinë 24 tetor 2018

Jeton Neziraj: “Në thelb, teatri mund dhe duhet të jetë edhe argëtues, por duhet para së gjithash të jetë edhe një përvojë „e dhimbshme” për publikun”.

“Në thelb, teatri mund dhe duhet të jetë edhe argëtues, por duhet para së gjithash të jetë edhe një përvojë „e dhimbshme” për publikun”. - Bisedë me shkrimtarin Jeton Neziraj

Despre lumea lui Panait Istrati și nu numai... – convorbire cu cercetătorul Zamfir Bălan


Zamfir Bălan este Cercetător ştiinţific I. De-a lungul timpului s-a ocupat de cercetarea manuscriselor aflate în fondul caselor memoriale „Panait Istrati" şi „D. P. Perpessicius", din Brăila; de editarea operei bilingve a lui Panait Istrati (franceză-română), stabilire text, confruntare manuscrise, redactarea notelor şi a studiilor introductive. Ca profesor ascociat, conf. univ. dr., a predat la Universitatea „Constantin Brâncoveanu” din Piteşti, Facultatea de Științe Juridice, Administrative si ale Comunicării, cursuri de Semiotică și Retorică, Cultură și civilizație contemporană, Retorică și teoria argumentării. La Universitatea „Dunărea de Jos” din Galați, la Facultatea de Litere, a predat Teoria literaturii și Poetică. Este Doctor în științe filologice. Cărți și îngrijire ediții: 17. Articole: 47

Revista Haemus: Stimate Domnule Bălan; apariția în limba albaneză a ”Kirei Kiralina„, la 80 de ani de la plecarea lui Istrati spre o lume mai înțelegătoare, ne îndreptățește să vă adresăm câteva întrebări, Dumneavoastră fiind unul dintre cei mai buni cunoscători ai operei și vieții lui Istrati nu doar la nivel național. Ce înseamnă o nouă apariție din opera istratiană, mai ales într-o limbă străveche și rară ca albaneza?

Zamfir Bălan: O nouă traducere a operei istratiene nu poate fi decât o nouă poartă, o nouă deschidere spre universalitate. Panait Istrati este printre puținii scriitori din lume care s-au bucurat de traducerea operei lor într-un număr foarte mare de limbi, încă din timpul vieții. La cele aproape treizeci de traduceri antume s-au adăugat multe altele, după moartea scriitorului. Iată, a venit rândul culturii albaneze să și-l apropie pe Panait Istrati, prin intermediul traducerii semnate de Kopi Kycyku, un foarte bun cunoscător al literaturii române, om de mare cultură, el însuși scriitor.

„S'më duhen lëvdata, as pare të thata Për vargjet që thurra me lotët e mi”


"Lindur në provincë, kujtesa e qytetit bri detit – detarët dhe njerëzit e brendatokës..." – Bisedë me shkrimtarin Arian Leka

Kafe “Detari”, ku uleshin njerëzit e detit, rishfaqt si në ëndërr, nuk është më, por durrsakët e vjetër, por edhe ata që e mbajnë mend në fëmijërinë e tyre, shohin se si në një tavolinë rrinë kapitenët e në një tjetër detarët e rinj. Mandej, e gjithë kujtesa e magjishme e një qyteti bri detit shpërfaqet në rrëfime ku ta ka ënda të futesh edhe vetë.

Fatmira Nikolli: Është botuar në Serbi, libri juaj i eseve “Dolap”. Si ka nisur shkrimi i këtij libri?

Arian Leka: Ka filluar para 10 vitesh, në vitin 2005. U ftova në një festival të esesë, “Esej Dani” në Pula, Kroaci, ku paraqita esenë, “Lindur në Provincë”, pjesë e këtij libri. Ky tekst bëri përshtypje të mirë dhe nga versioni i shkurtuar me të cilin u paraqita, ofrova për botim versionin e plotë. Kjo ese, tanimë e zgjeruar në formatin e një libri, është përkthyer dhe botuar në gjermanisht, polonisht, serbisht, anglisht, kroatisht dhe në gjuhën malazeze.

Eugjen Ionesku: “… bëhet fjalë për Zotin në mënyrë aq të qartë, saqë askush nuk e kuptoi”.


(pjesë nga një bisedë për krishterimin)[1]

Eugjen Jonesku: Ajo që më duket skandaloze është fakti që Kisha duket se kërkon të vetasgjësohet në Histori, aq shumë trembet se mos dalë jashtë Historisë. Kjo është e tmerrshme sepse në të vërtetë roli i saj është të jetë jashtë Historisë, ta udhëheqë botën drejt Së Përjetshmes, prandaj ajo duhet ta ngrejë Historinë në mbi-Histori, duhet të japë teknikat e faljes dhe të soditjes. Tani ajo duket se nuk bën gjë tjetër përveçse politikë dhe demagogji. Kisha nuk dëshiron të humbë klientelën, por të fitojë edhe klientë të tjerë. Kjo është një shënjë laicizimi me të vërtetë dëshpëruese. Sot njeriu ka nevojë pikërisht për një ishull, i cili të mos rrihet nga erërat e Historisë, që t’u bëjë ballë stuhive, që të mos jetë i përkohshëm. Domethënë për atë që Kisha nuk e do më, nuk mundet më, nuk e di më, nuk përpiqet të japë më apo të propozojë.

„Shkruaj romane për të mos e humbur poezinë që kam në vete…” - Bisedë me shkrimtarin Virion Graçi


Virion Graçi, lindur në vitin 1968... Në 1988 i lejohet të studiojë aty ku ka ëndërruar, për gjuhë e letërsi shqipe. Në 1991 emigron ilegalisht në Greqi. Kjo përvojë e jashtëzakonshme dhe tronditëse kthehet në lëndë të parë për romanin “Të çmendur në parajsë”, shkruar kur autori ishte vetëm 24 vjeç. Romani njeh sukses, përkthehet e botohet në Francë, “Edition Gallimard” dhe në Greqi, “Edition Patakis”. Me diplomimin në 1992 fillon të punojë në ATA (Agjensia Telegrafike Shqiptare e lajmeve). Puna e atyshme e njeh më mirë me dinamikën sociale të tranzicionit post-komunist dhe me mënyrën e shtresëzimit të ri klasor të krejt vendit. Thellësisht i neveritur prej asaj që duket qartësisht në Tiranë, në 1994 kthehet në qytetin e prejardhjes, në Gjirokastër, si ligjërues në Universitetin e qytetit për 16 vjet, deri në 2010. Gjatë kësaj periudhe boton: “San Valentino” (poezi, 1993) dhe romanet: “Të çmendur në parajsë” (1995), “Shpata e ndryshkur,” (1999), “Bijtë e zotit majmun” (1999); “Babai në shi” (2000), “Zonja pa emër” (2005), “Litari dhe lamtumira” (2011), “Stina e Hijeve” 2014. Nga viti 2004 e në vazhdim angazhohet si publicist editorialësh në shtypin e pavarur qëndror; bën recensione e analiza për vepra dhe autorë nga vendi dhe nga bota, të cilët i çmon, merr pjesë në formune e debate publike të shtruara në formë forumesh a polemikash. Aktualisht punon në Tiranë në Qendrën e Studimeve Albanologjike, në sektorin e letërsisë bashkëkohore shqipe. I njohur dhe i pranuar tashmë në vendin e tij si publicist dhe romancier, V. Graçi ka qenë i ftuar si shkrimtar edhe në aktivitete të ndryshme jashtë trevave shqipfolëse: Athinë, Sarajevë, Grac, Caen, Bruksel, Krems, Vienë. Romani “Stina e Hijeve” është fitues i Çmimit Kombëtar “At Zef Pllumi” dhe i Çmimit të Madh Kombëtar të Letërsisë, si romani më i mirë i vitit 2014.

Revista Haemus: I dashur Virion Graçi, çfarë ndryshimi që mund të cilësohet vendimtar për letërsinë gjen mes Tiranës së dikurshme dhe të sotmes?

Virion Graçi: Në Tiranën e dikurshme letërsia ishte pak a shumë tempull i atyre që lexonin dhe kjo përbënte një lloj sekreti, kishte një lloj shenjtërie. Kurse diskutimet letrare mund t’i ndaj në dy: ato institucionale, që vinin nga zyrat e pushtetit politik-shtetëror, dhe kjo ishte një punishte kolektive që përpiqej të krijonte vepra dhe emra me kriteret që kish dhe partia-shtet, e cila i kish përzgjedhur për atë punë besnikësh. Diskutimet e tjera, ato mes shokësh, miqsh, lexuesish, apo dhe midis vetë krijuesëve, por jo në redaksi, ishin me sqimë, serioze, me vlera të jashtëzakonëshme edukuese. Natyrisht, diskutimet kurrë nuk e mësojnë dikë si të shkruajë një vepër, por ta japin një panoramë të plotë të pikëgjykimeve të pafundme si mund të lexohet / interpretohet një vepër. Kjo ishte Tirana e viteve tetëdhjetë. Sot librit vetë i mungojnë dy gjëra bazë: agjensitë e shpërndarjes dhe LIBRARITË.

Muri i Katërt… - Bisedë me artistët Albert Dedja dhe Dardana Bërdyna -


Në vend të Curriculum Vitae…

ALBERT DEDJA & DARDANA BËRDYNA – Fëmijëria jonë ishte vrapim i gëzueshem dhe lojra pa fund në hapësirat e një natyre të mrekullueshme, me tokë të ngrohtë, në mes lumit Erzen dhe detit Adriatik, mes qytetit të Shijakut dhe Durrësit. Nuk mund të rritesh indiferent nga ajo bukuri e pejasazhit gjithë dritë, fllade të ngrohta dhe dimra me stuhi shirash, mes njerëzish të lidhur me tokën dhe detin. Pasioni dhe kontakti me artin lindi pikërisht brenda këtyre përvojave vizive, njerëzore dhe ndjesish të magjishme.

ALBERT DEDJA- Në moshën gjashtë vjaçare, fillova rrethin e pikturës për fëmijë me mësuesen e vizatimit Shpresa Beqiri. Ajo me shumë pasjon na mësoi të vizatonim dhe të dashuroheshim me artin, na mësoi disiplinën e përkushtimit, na nguliti në kokë idenë e kërkimit të së bukurës, si të ngazëlleheshim pas saj. Nga ajo kohë magjike nuk u ktheva më mbrapa për të kërkuar psenë, por vazhdova duke kaluar të gjitha fazat e formimit: Liceun Artistik në Shkodër, Akademinë e Arteve në Tiranë, punën si piktor në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, si skenograf në Teatrin «Aleksandër Moisiu» të Durrësit, kalimin në anën tjetër të detit, dhe jetën artistike në të gjitha dimensionet e saj. Kjo e fundit, për fat të mirë, është akoma në njëfarë mënyre në formim aktiv, ose në shndërrim, një domosdoshmëri e imja për të vazhduar rritjen.

“Gjuha është një urë e padukshme dhe e mrekullueshme...” - Bisedë me botuesen Feride E. Berisha

Revista Haemus: Si lindi ideja për të themeluar shtëpinë botuese PA?

Feride E. Berisha: Në vitin 2011 në Gjermani doli një libër shumë i vogël, por shumë i rëndësishëm i autorit franko-gjerman Stéphane Hessel me titullin ”Indinjohuni!”. E lexova dhe më bëri aq shumë përshtypje, saqë besova se ky libër i nevojitej lexuesit shqiptar, prandaj i mora te drejtat nga botuesja franceze për ta nxjerr këtë libër në gjuhën shqipe. Mirpo, ngaqë nuk gjeta asnjë shtëpi botuese, që do ta botonte këtë libër, e themelova unë vetë një shtëpi botuese. Pa derë, pa kulm, pa mure, por me një vatër mu në mes të shtëpisë dhe me dëshirën e flaktë që të nxjerr “Indinjohuni! në shqip. I vura shtëpisë botuese emrin PA, sepse me të vërtetë, kur fillova me këtë zanat, pa asnjë ide, se si do të funksiononte; pa mjete financiare, pa përvojë apo dijeni se si bëhet kjo punë. Deri atëherë marrëdhënia e vetme me librin kish qenë leximi. Pra, të merrem drejtpërdrejt me librat, jo vetëm t’i lexoj ata, ka qenë me siguri një dëshirë e fshehtë e imja, e cila pahiri m’u realizua. Ishte, pra, një rastësi me dashje. Për ata që se dinë, emri i shtëpisë botuese PA i ka vetëm dy shkronja, por është një fjalë.

- Cilët janë synimet kryesore të kësaj shtëpie botuese?

- Natyrisht të botoj autorë të mirë! Të nxjerr libra të mirë, ndoshta edhe nga autorët jo fort “të përshtatshëm”... Po, një ndër synimet kryesore është që të arrij të nxjerr libra, që shtjellojnë disa tema pak më të papërpunuara deri më tani, ose fare pak në letërsinë shqipe. Sidomos të sjell në gjuhën shqipe një copë letërsie nga ajo letërsia e madhe gjermane. Gjithashtu, mendoj se ne si individë, pavarësisht në çfarë pune bëjmë, duhet të angazhohemi për një shoqëri më të mirë. Nuk mendoj se autorët do të duhet vetëm të ulen në karrige dhe të shkruajnë gjithë ditën e lume. Nëse shkruajnë romane fantastike, puna e mbarë ju qoftë. Por nëse mundohen të marrin tema nga e përditshmja, atëherë do të duhej patjetër të marrin më shumë pjesë dhe të angazhohen me kumtesa dhe shkresa të domosdoshme për ngjarjet reale në shoqëri. Mendoj se sidomos shkrimtarët duhet ta hapin gojën më shumë dhe të përfshihen më shumë në zhvillimet politiko-shoqërore. Autorët gjermanë, për shembull, edhe pse kanë pasur kushte më të mira pune, prapë se prapë nuk janë ndalur pa marrë pjesë në përditshmërinë e shoqërisë dhe nuk kanë heshtur dhe nuk heshtin.

Kinemaja – diçka përtej shqetësimit - Bisedë me ARTAN MINAROLLIN


Revista Haemus: I dashur Artan Minarolli. Krijimtaria jote ka një ndriçim të brendshëm dhe një humor që zor se mund t’i lejonte, apo aq më pak t’i zhvillonte shkollimi në “epokën e lavdishme”. Si kanë qenë për ty dhe për brezin tënd vitet e studimeve? Sa liri, sa mungesë lirie kishte – dhe sa pengonin dhe/ose ndihmonin këto krijimtarinë kinematografike?...

Artan Minarolli: Ne jemi një brez që jemi rritur me barcaletën si formë e vetme e “opozitës” të asaj kohe. Çdo gjë e interpretonim përmes humorit, ku shpesh herë talleshim edhe me vehten, me plogështinë dhe paaftësinë per të folur më seriozisht rreth botës ku jetonim. Merreshim shumë me karikaturën e asaj kohe, guxonim dhe përqeshnim çdo gjë që na servirej, derisa në vitet e fundit talleshim hapur me “njeriun e ri”. Sot vë re se shakaja ka shkuar më tej akoma dhe po trajtojmë njeriun “shumë, shumë të ri” që, në fakt, është trashëgimia e asaj kohe. Bënim shakara me njeriun e ngrirë socialist, me mizerien, dëshpërimin, ulërimat e artit bajat folklorik si p.sh. në rastin kur Partia dhe shoku Enver iu përgjigjen flakazi Woodstock-ut të famshëm me një Koncert të Pleqve të Krujës përpara bujqve të dalluar në Bubullimë etj. Ne u lindëm dhe u rritëm në një mjedis ku nuk ekzistonte liria. Të gjitha këto shprehje ishin një reagim I vetishëm ndaj një dimensioni fare të panjohur për ne. Edhe shkollimi ynë u zhvillua në këtë kontekst. Ne nuk mund të gëlltisnim çdo gjë, pretendonim të ishim brez avangarde. Ironia dhe tallja u bënë reagimi ynë natyral ndaj çdo metode edukimi, dhe më vonë u kthye në një skeptitizëm të vulosur ndaj çdo shprehjeje artistike në atë kohë. Menjëhere mbas viteve ‘90 këto shprehi gjetën vend të bollshëm edhe në kinemanë e re shqiptare. Konkretisht, unë kam qenë gjithnjë ‘i lëngëzuar’ nga pasuria e njëfarë humori të zi që vazhdonte qysh nga koha e barcaletave jokomformiste të asaj kohe, ose, thënë më mirë: nga mënyra e trajtimit të karikaturës Shqiptare, që ndoshta, si pa dashje, u kthye në stil.

Je lindur në Tiranë, por ke edhe lidhje të thella, rrënjore, me Pogradecin. Si janë dhe si duken këta dy qytete nga sytë e tu?

KRENAR ZEJNO: 13 kapituj për 13 pikë llotarie pyetjesh


-->
Legjenda M, Një satirë e dhimbshme

Bisedë me Krenar Zejnon

Krenar Zejno, pas poemave dhe vëllimeve të tij me poezi, më së fundmi ka ardhur para lexuesit me librin e tij në prozë “Legjenda M”. Zejno tregon se çfarë sjell ndryshe në Letërsinë shqipe “Legjenda M”, ku është frymëzuar dhe çfarë presim më tej.

Ka pak muaj që qarkullon “Legjenda m”, libri juaj i fundit, ndërsa pritet edhe vëllimi i dytë. Së pari, a ka një masë përmes së cilës maten kategori si “e keqja” apo “e shëmtuara” në lëndën e një romani?

Krenar Zejno: Një Zot e di! Pikësëpari është vetë Ai, që me veprën e tij kompozoi realitetin e dhënë, realen bashkë me të pështirën e vet, që e mbartim me vete tok me gjërat që brënda gjithësecilit ngjizen edhe me të shëmtuarën e të Keqen. Për pjesën e artit i janë përgjigjur kësaj pyetje të mëdhenjtë shkrimtarë, qysh herët e deri te piktorët Duschamps, Dubuffet e më tej.

Kjo lloj satire e dhimbshme, sipas jush, është atribut i romanit modern?

Krenar Zejno: I romanit pa mbiemër, së pari i vetë romanit, klasik apo modern, qysh prej lindjes së tij, nga Rabelais te Cervantes deri te Swift e Joyce mandej Beckett, Kundera e Kadare, Mc. Ivan e të tjerë... apo dhe filmat që rrjedhin prej tyre nga Pasolini te Kubrick.
“Satira, tha Swift, është një pasqyrë paksa speciale: kush shihet në të, njeh jashtëqitjet e gjithë të tjerëve”.
Rabelais, gjeniu prej të cilit nisi gjinia e romanit - na e kujton gjithëherë Kundera - tregon se Gargamella, që ishte me barrë, hëngri gjithatë plëndës, sa që u detyruan t’i jepnin ilaç për ta bërë kaps, kështu fetusi i të paudhit Gargantua u vërvit në damar të aortës dhe duke u ngjitur sipër përfundoi të dalë nga veshi i majtë.
Mezi e prisja që satira e mjeshtrit ta kishte pjellë nga prapanica. Dhe po prisja që Rabelais ta zgjidhte si një rrugë e dy punë, me një gur dy zogj: pra, bashkë me shpikjen e artit të ri- romanit, të na pararendte edhe profecinë mbi lindjen e Njeriut të Ri.

Nuk ke ndonjë pendesë për këtë shpërfaqje të së keqes së krupshme?

Krenar Zejno: Jo dhe aq! Për mua të voglin do të mjaftonte fakti që vetë Yahveh u pendua pse pat krijuar njeriun, duke parë me ç’ligësi shkonte drejt së keqes ky ditëzi. Pastaj, e keqja mbetet arti bazë i njeriut, për më tepër këtu, në një botë libër.

Cilat do të ishin linjat teorike ku rrugëton një subjekt romani i kësaj forme?

Krenar Zejno: Nuk është detyrë e imja në këtë rast ta di këtë, por po të thoja nuk e di fare do të pretendoja edhe më tepër se ç’mund të jenë në fakt.
Megjithatë, do ta vija gishtin si në qull tek iluzioni darvinian dhe materializmi marksist, prejardhja e përbashkët e llojeve dhe më tej shndërrimi në një lloj të vetëm njeriu të ri. Ndoshta janë këto kollonat që mbajnë trupin e “legjendës M”. Nga i njëjti lloj bëhen shumë lloje, por që prapë janë një. Dhe nga shumë lloje sistemesh shkohet me shndërrim të forcuar tek i njëjti lloj. Jashtëqitja bëhet status-simbol i gjithë kësaj, ndërsa ajo fjala “konkretisht”, e cila përsëritet në një ritëm psallmoid, status-quo e gjëndjes që e mbart dhe vijon si një cikël i mbyllur dhe rreth vicioz.
“ Njerëzore, tepër njerëzore” e thoshte Niçe, pra njerëzore me tepri, por jo pa karar.
Me Darvinin zë fill ndoshta kthimi i vështrimit për nga vetja si aventurë filozofike dhe arti. Ashtu si merr ngarkesë fiziologjike edhe vepra e Niçes apo poezia e Rembosë, Bodlerit, të cilët qysh prej çastit gjenial të tyre nuk panë më peisazhin nga një dritare, por përkundrazi, njeriun në hapësirën brenda dritares, duke e vështruar dhe kqyrur atë nga jashtë. Siç mund ta shohë lexuesi dritaren e dizenjuar të kopertinës në këtë libër. Dhe mandej për të hyrë në brendësi të ndërtesës dhe kujtesës. Sa pa ardhur harresa e një epoke terri obskurantist dhe pa u shpërfillur përfare ankimet e filozofisë mbi “harresën e qënies” si dhe lutjen e saj për t’u kthyer e bërë bekçiu i qenies. Të mos harrojmë, meqë jemi te harresa, edhe banalitetin e atij regjimi absurd të cilin libri e trajton më direkt, ku bariu i qënies së re nuk lejohej të ishte vetë qenia, por tjetërkush. Ndaj në këtë vëllim qënia synohet të shihet edhe nga poshtë, nga jashtë qitja e saj, sidoqë edhe po qe se nuk shikohet ndonjë gjë e madhe, ama të paktën thuhet ajo që duket.

A thotë diçka të re Legjenda M mbi njeriun?

Krenar Zejno: Të re, së paku për njeriun e ri, po. Por ndoshta edhe njeriu në përgjithësi modern nuk ka si rroket në tërësinë e vet pa qëmtuar karakterin e tipizimin fenomenologjik të njeriut të Ri. Filozofia përmes Faucoult-së tha se vetë Njeriu është krijesë e dy shekujve të fundit, prej mutacionit kulturor. Ndoshta njeriu i absurdit prej regjimi komunist do të ketë, ndër hulumtimet mbi risitë e modernitetit, një llozhë të vetën nëpër rrokapjekthet studimore, bile në pozicionet qëndrorë.

Gjithsesi, për t’ia mbërritur këtij qëllimi nuk kishte të tjera trajta më pak të rënda e mizore se jashtëqitjet?

Krenar Zejno: Një mizë mbi një copë jashtëqitje është në parajsën e vet të muzave, një mizë ndër mjalt ka cofur qysh prej rënies në këtë grackë të sheqerosur.

Kjo shtrydhje e lëndës, që ju e quajtët edhe dehidratim i frazës, fjalës pa përshkrimin e zgjatur prozaik, është tashmë tipike në frazën tuaj, apo jo?

Krenar Zejno: Në rastin konkret mbeturinat ushqimore të trupit janë në mënyrë të natyrshme koncentrat.
Së dyti, duke qënë i mrekulluar nga irlandezët e letërsisë së madhe, nga B. Show, Wilde, Swift, Beckett, të cilët e kanë sintetizuar me një mizori të hatashme, siç e thotë Borges, çdo tepri retorike, kështu pra tendencave të hershme të shkrimit tim të shtrydhur fort, si teshat para se të ndereshin në telin e robave, i është shtuar edhe ky telash, telashi i ujrave të tepërta. Tek e fundit unë ndjehem poet.

Atëhere, a ka ndikim prej Joyces-it, Orwell-it, Celine-it e të tjerë, botuesi i të cilëve ju jeni, kjo mënyrë e përkorë të shkruari?

Krenar Zejno: Përkorja është virtyt poetik thotë sërish Borges, meqë e morrëm nëpër gojë e kushedi po e zë lemza. Punën e lidhjes nuk e kam vënë re, makar të ishte! mbase keni të drejtë për formën e pakohë, pavendore dhe pa emra. Legjendare e disi bizare. Këta gjeni kanë madhështinë e katedrales, ndërsa kjo bëmë e vogël e imja atë të halesë, por dëgjo... nuk është pak! Edhe Kubriku në filmat e tij vrasjet i vendos të kryhen në WC, apo nga markezi de Sade te Kundera: dashuri edhe orgji në banesat ku prehen edhe mbetjet organike si në banesën e fundit. Pastaj, sot a nuk paguhet njësoj metri katror i banjos me atë të guzhinës apo dhomës së gjumit?!
Gjithsesi nuk do më vinte mirë që prania e këtyre ndër ne që merremi me ta, në formën e botimeve, përkthimeve dhe dashurive, të na fshihte pas tyre. Tek e fundit, siç e thotë Hygoi, ka një keqardhje më të thekshme se ajo përpara një pallati që digjet; dhe kjo është kur digjet një kasolle.

Personazhi në vetën e parë sikur nënkupton edhe një formë autobiografike të këtij romani.

Krenar Zejno: Personazhi, megjithëse në vetën e parë nuk shfaqet brenda në kohë, as jashtë kohës, por tenton afërinë me narrativën legjendare, pa kufij kohorë e vënde të përcaktuara, pra mundësisht ndër kohë. Nuk është njësh me autorin dhe bile nuk i bindet këtij, përsaqë ndjek qejfe dhe nevoja krejt personale. Mund të jetë një formë biografike edhe e njeriut të ri por jo vetëm, dhe jo autobiografike. Mbase i rri më mirë e thënë: bio grafike. Ose vetëm grafike, thjesht gjuhë. Por kjo nuk spjegon dot personazhin. E thënë me gjuhë mekanike, personazhi këtu është si një bullonë e spanuar që rrotullohet e liruar nga ingranazhet, por se lë karkasa e agregatit të dalë në hava dhe vjen vërdallë pa ndonjë funksion të spikatur, si çdo gjë e qitur jashtë.

Mendon se legjenda do thërrasë për reflektim dhe brerje ndërgjegje masën e lexuesit të prekur direkt, apo tërthorazi?

Krenar Zejno: Një libër nuk se duhet ta ketë qëllim këtë. Nuk e di fuqinë e saj, por mendoj se në një vend civil, jo vetëm akti i vetëdjegjes në publik por qoftë edhe gjesti i jashtëqitjes publike prej një shkrimtari, pavarësisht nga dëmi i vogël material, nuk do liheshin thjesht e qetësisht në tymin apo të pëgërën e tyre. Kjo nuk do të ishte e keqja e librit, por më së pari mënxyra dhe zgjyra e shoqërisë.
Sidoqoftë, ne sot i kemi ende plagët e hapura për të pasur lluksin e ndërgjegjes së vrarë, për më tepër përmes letërsisë. Shumë–shumë, meqë jemi në “legjendë”, mund të ndjehem nip i Gjergj Elez Alisë dhe të shplaj varrat e plagëve të mishëruara, si për të shpëtuar motrën a mbrojtur pragun, pasi një shkrues i thjeshtë dhe aspak prej soji Noe- nip i Matuzalemit, që mori përsipër të shpëtojë njerëzimin nga destruksioni total, nuk ndryshon dot as botën përreth mëhallës.

Cfarë synon prej “legjendës” tënde?

Të kem një të ardhur të vijueshme. Një rentë është si mjerimi, thotë Celine, zgjat tërë jetën.

Shkurt, çfarë do të ishte, e përcaktuar me një frazë, legjenda M?

Krenar Zejno: Me një fjalë të vetme, duke rrezikuar modestinë, do të thoshja: një legjendë.
Në fakt, me pak fjalë të një fraze, prej meje është parë e ka rrjedhur si një lojë, pra nën thanatosin si dhe kureshtinë lojcake infantile e profane të saj. Si fëmija që luan me një lodër teksa e shqyen, apo me një bombë që ia di turbullt rrezikun, por s’e shkon hë për hë në mend; ose luan me fekalet, i hap me shkop, i bie me shufër dhe pret symbyllur pickitat, që në variant më të squllët mund të thuhej edhe stërkalat.

Si ndjehesh në përfundim të vëllimit të parë të kësaj aventure letrare?

Krenar Zejno: Si ai shoferi i autobotit të komunales, i cili në ndonjë ëndërr agimi para se të bjerret zilja e sahatit kinez me zog pule ngjyrë limontie- tek çukit parreshtur guriçkat e sekondave por nuk rritet -, iluminohet nga vetë cilësia e ëndërritjes ose emri iluminist i ndërmarjes. Dhe ja ku po e nget si i marrë gazin 51-sh me rrotat e shqyera e të kthyera si në drejtim të parajsës. Pastaj brof përpjetë nga zilja mëlçigricëse e orës së socializmit, shkundet prej ëndrre, thotë shyqyr, vesh fanellën e leshit të qëmotit, shtrëngon rripin e pantallonave dhe ia kris drejt komunales. Nën rrëmujën e hamendjeve mes komunizmit dhe hales. Duke parë hënën e agut që po tretet dhe sahatin batall të qytetit, teksa ndërmend fëmijërinë, mësimin e anglishtes “the moon” dhe orën e Grenwicit, me frikën se mos i bëhet vonë për punë.
Pastaj, prej vëndit të punës e sheh veten në ëndërr syhapur mu në një ish- lëndinë lotësh, shtruar me yje të ndezur si thepa pishtarësh me 5 cepa, të cilën do duhet ta përshkosh i zbathur për 50 vjet me rradhë, herë me vrap e herë me hap pak ushtarak, gjithë fushën nga kreu deri në horizont prej nga krakëllima e gazit 51 mezi dëgjohet, por për fat, në fakt, duket qartazi ajo shtëllunga e tymit, ndërkaq ia grah megjithë 52 letrat e bizhozit në xhep dhe 53 lekët e ditëpunës, a thua po të përzenë 54 kuçedra me në krye nenin ogurzi 55, ndërkohë që duke mos ekzistuar asnjë lloj neni 56, për të evituar hë për hë nenin pararendës, duhet, pa një pa dy, të zbërthesh para komisionit të batalionit karabinën vetëmbushëse model 57, ama e gjithë kjo vetëm në 58 sekonda dhe ta mbërthesh atë sërish për 59 të tilla, maksimumi i maksimumit një minut, përndryshe, minimumi që në këtë rast mund të të ndodhë...
E kështu me rradhë... gjer sa të kesh provuar të nëntëdhjetenëntat, teksa pret krejtësisht i qetë të të thërrasin për të t’punuar qindin.
E mërkurë 27 maj 2009

Krisje… - Bisedë me shkrimtarin ISTREF HAXHILLARI (Pogradec)

Ju lutem një identitet për lexuesit tanë?

Istref Haxhillari: Jeta ime është fare e thjeshtë për cilindo dhe tmerrësisht e ndërlikuar për mua. Krijimtaria ime është një krisje e shpirtit të hepuar nëpër mote. Në kuptim metaforik njeriu i përngjet lisit, rrënjët e të cilit janë e shkuara, trungu e sotmja dhe lastarët e ardhmja. Ndër tre komponentët, rrënjët e padukshme, kohësia e kurrënjohur plotësisht, përjetohet tej përmasave reale zmadhuar e shformuar, pasqyrim konveks i tyre. Rrënjët e padukshme jetësojnë të sotmen dhe përimtojnë të ardhmen, mbushin me lëngun limfatik duknajën dhe fantazinë, vërtetësoren dhe imazhet prej të cilave më ka buisur shpirti që në rininë e herëshme. Kujtesa e mbingarkuar prej gjithfarë fiksionesh nduk dhe kurdis mekanizmin e pakuptuar të nënvetëdijes, prej nga ndihem çuditërisht i ngacmuar e i shqetësuar.
Jam lindur në Pogradec ku mbarova arsimin e mesëm. Në vitin 1977 u diplomova për Fizikë në Universitetin e Tiranës. Më 1985 kam kryer kursin pasuniversitar për këtë specialitet.

(AUTO)PORTRET

Nëse ke vendosur (!) të jesh shkrimtar,
nuk duhet ta fshehësh kurrë…
Bisedë me shkrimtarin Ragip Sylaj
(Convorbire cu scriitorul Ragip Sylaj)


Ragip Sylaj (lindur në Sllapuzhan më 1959) me shkrime merret qysh nga bankat e gjimnazit, kurse në periodikun letrar u paraqit në fund të viteve të shtatëdhjetë. Ka punuar mësimdhënës, gazetar në gazetën e studentëve "Bota e re", në të përditshmen "Bota sot", ndërsa tash është gazetar i rubrikës së kulturës në gazetën e përditshme "Zëri" të Prishtinës. Përveç shkrimeve nga fusha e gazetarisë dhe e publicistikës, Ragip Sylaj shkruan edhe poezi, prozë, ese dhe kritikë letrare. Ka botuar këto vepra letrare: Hije e gjallë (poezi), "Rilindja", 1986, Anatomia e rrënjës (poezi), "Rilindja", 1989, Obsesioni (tregime), "Rilindja", 1992, Lisi i shenjtë (poezi), "Fjala", 1993, Përhitja (tregime), "Plejada", 1996, Mëngjes qumështor me akull (poezi), "Rozafa", 2000, Humbella e fërgëllisë (tregime), “Rilindja”, 2001, S’kam kohë të jetoj me vdekjen (tregime), “Rozafa”, 2004, ndërsa në proces botimi e ka librin më të ri të poezisë „Eliksir”.
Për librin e poezive "Hije e gjallë" është lauruar me çmimin "Hivzi Sulejmani" që jepej për librin më të mirë të autorëve të rinj (1986), ndërsa në vitin 1999 u nderua me "Penën e artë" të revistës për kulturë, art dhe letërsi "Fjala" për poezinë më të mirë, “Kurth për liridashësin”, të botuar midis dy mitingjeve të poezisë në Gjakovë. Po ashtu është fitues i shumë çmimeve në konkurse të ndryshme letrare.
Poezia e këtij autori është përfshirë në antologjinë e Ali Podrimjes, “I kujt je, atdhe” (Sprovë për një antologji, 2), (Prishtinë, 2003), të A.-Ch. Kyçykut, “Un alfabet al poeziei albaneze" (Një alfabet i poezisë shqipe), antologji e poezisë shqipe në gjuhën rumune (Bukuresht, 2003), etj. Poezi të këtij autori janë përkthyer dhe botuar në gjuhën angleze, rumune etj.

Revista Haemus: I dashur Ragip Sylaj. Tek merresh njëherazi me poezi, prozë, ese dhe gazetari, le përshtypjen e një autori që vendos modestinë dhe heshtjen përbri kaq librash të botuar. A mendon se shkrimtari duhet të flasë më tepër dhe të ngjizë një strategji mediatizimi?

Ragip Sylaj: Është e çuditshme, gjë që nuk e di, ku dhe si e keni hetuar, i nderuar Haemus. Madje habitem mrekullisht me goditjen e cakut nga ana juaj. Është keq të jesh modest (lexo: ta nënçmosh vetveten) po aq sa këtë vetvete ta mbiçmosh a të shpërfaqesh megaloman. Që të dyja këto janë të dëmshme për atë që i manifeston. Ndërmjet këtyre dy skajeve do të duhej vënë një ekuilibër. Nëse më ka munguar ky ekuilibër ose drejtpeshim diçka me mua nuk ka qenë në rregull. Por, kjo modesti, disa herë nuk varet edhe vetëm prej një shkrimtari. Në fillim mendoja se modestia është virtyt, më vonë mësova se ai që i fsheh ose i mohon vlerat e veta është teveqel. Kjo i bie të thuash se nëse ke vendosur (!) të jesh shkrimtar, atë nuk duhet ta fshehësh kurrë. Mund të jetë kompleks inferioriteti, mund të jetë edhe gjendje e nxitur nga rrethanat që janë bërë shumë të disfavorshme për krijuesin. Edhe përkundër asaj se gjithçka varet prej nesh (ose: farkëtar të fatit e të fatkeqësisë jemi vetë), megjithatë ne jemi të ndërlidhur edhe me atë që receptohet prej të tjerëve dhe me atë stimulim që nganjëherë na e japin të tjerët. Kam bindjen se shkrimtari duhet të flasë më tepër (sigurisht kur e dëgjojnë) dhe të ngjizë një strategji mediatizimi por në një mënyrë normale e të paimponueshme.

Revista Haemus: Çfarë roli ka luajtur vendlindja në krijimtarinë dhe në jetën tënde? Largimi nga vendlindja ishte njëfarë “dëbimi nga Parajsa”, apo një nga ato dhembje që i kthejnë bukuritë dhe ndjesitë e rralla në libra?

Ragip Sylaj: Vendlindja në krijimtarinë dhe në jetën time e ka luajtur atë rol që e luan trualli për bimën. Ajo përvidhet në vargje, në prozë e në ese edhe kur autori nuk e ka një qëllim të domosdoshëm. Megjithatë një krijues që e ka gjakim të përhershëm idealitetin, ose te më e pakta përsosshmërinë, s’ka si të mos kërkojë t’i kapërcejë e kufijtë e “Itakës” së vet. Vendlindja, si çdo gjë tjetër, kuptohet dhe duhet në plotëninë e saj vetëm kur braktiset. Vetëm kur iket nga ajo parajsë pa qenë i vetëdijshëm se ndonjëherë ka qenë parajsë. Edhe vetë dëbimi nga parajsa është pasojë e një mëtimi a e njëfarë kryengritjeje të njeriut të parë. Ndoshta krijuesi si unë e ndonjë tjetër (për të mos thënë të shumtët) ka edhe bindjen se njeriu ferrin e parajsën i bart brenda vetes. Ndoshta parajsa nëse ka ekzistuar ose nëse arrihet ndonjëherë e ka emrin lumturi, për dallim nga ferri që është vetë vdekja e përkohshme ase vuajtja e përjetshme. Ndoshta një nga yshtjet e mistershme të krijimtarisë është që ose të iket nga dhembjet ose ato në mënyrë alkimike të shndërrohen në lumturi: në lumturi për veten dhe për të tjerët, për të treguar se jeta ka kuptim, apo se dhembjet e kanë bukurinë e vet dhe pa to nuk krijohet arti.

Revista Haemus: Në kohën kur botoje për herë të parë, Kosova ishte krejt e ndryshme nga tani? Si zhvilloheshin atëherë marrëdhëniet mes shkrimtarëve? A gjallonte një mirëkuptim dhe një ndihmë e ndërsjellë mes breznive të ndryshme letrare?

Ragip Sylaj: Në kohën kur botoja (jo) vetëm unë, dikur në vitin 1979 ishte njëfarë feste e vogël, por edhe një gëzim i madh. Aq shumë jam gëzuar kur e kam botuar poezinë e parë saqë sot do ta barazoja figurativisht me vetë aktin e ringjalljes. Kjo për faktin se kisha konsideruar se e kisha dhënë provimin kryesor jetësor, pa e ditur se në jetë e edhe në krijimtarinë letrare të presin provime të rënda e të pandërprera.
Në marrëdhëniet ndërmjet shkrimtarëve më duket se ka pasur më tepër humanizëm sesa ekziston sot dhe, siç theksoni edhe ju, ekzistonte edhe ai mirëkuptim e ndihmë e ndërsjellë ndërmjet breznive. Me shumë mall dhe respekt i kujtoj ato kohë dhe ata shkrimtarë. Ndoshta ishte ai sistem totalitar dhe antishqiptar që na bashkonte në një ideal etik e estetik... Ku ta dish!? Por, tash disi e kuptoj shembjen e antivlerave, por s’e honeps dot shembjen ose zhbërjen e atyre lidhjeve të forta ndërmjet shkrimtarëve. Gjithmonë mendoj se ai organizim e ajo mbështetje ishte aq e mirë (së paku mua më është dukur kështu) saqë i ngjante njëfarë misioni, ku gërshetohej në emër të artit të letërsisë: edhe miqësia, edhe atdhetaria, edhe respekti, edhe përkrahja nga mësimi i ndërsjellë i mjeshtërisë për të shkruar e deri te përkrahja e natyrës materiale. Mrekulli do ta quaja po të arrinim t’i tejkalonim vlerat e asaj kohe, në kuptimin e gjerë të fjalës.

Revista Haemus: Si e ke parë në fillimet e tua dhe si e sheh tani letërsinë që shkruhet shqip, pavarësisht nga gjeografia apo gjeo-politika?

Ragip Sylaj: E para e punës, akëcili njeri nuk mund të masë asgjë pa e matur ose krahasuar atë me diçka tjetër. Dikush ka thënë se njeriu nuk mund ta njohë veten pa i njohur të tjerët. Kultura jonë është ushqyer gjithmonë nga kulturat e mëdha. Në momentet kur ka munguar, të themi, ky shkëmbim ka pasur një venitje ose një djerrinë (kujto periudhën soc-realiste). Kësaj djerrine i kanë shpëtuar ata që kanë gjetur ventila të tjerë ta ushqyer veprën e tyre dhe bashkë me këtë mundësi e kanë pasur edhe koshiencën për një veprimtari të tillë. S’do mend se këtu bëhet fjalë për shkrimtarët më të mirë.
Në fillim, pavarësisht prej vlerësimit për një letërsi si tonën, e kam pasur të qartë se nuk mund të jetojë pa të. Që i ri, tepër i ri, pavarësisht prej kushteve të vështira nëpër të cilat ka kaluar një krijues si unë, më ka provokuar shumë letërsia e thellë, e mbrujtur, të them, me një lëndë filozofike. Ajo që më ngazëllente, qoftë kur lexoja apo ajo që e kërkoja te një autor, qoftë ajo që synoja ta krijoja vetë, ishte teksti që kishte erudicion, sensibilitet dhe zhdërvjelltësi e gjallëri, për të mos thënë, një dimension të përbërësit hyjnor. Ose thënë thjeshtë: një letërsi plotë shpirt. Përkundër mëdyshjeve të mëdha krijuese që mund të ketë një shkrimtar, megjithatë mund të them se një nga shtytjet e kësaj natyre është diskutueshmëria e njëfarë triniteti se, a duam të mësojmë për vete, të tregojmë se dimë diçka apo t’i mësojmë të tjerët, të cilëve iu dedikohet vepra (libri).
Kur flitet për vlerat e mirëfillta të letërsisë shqipe, pavarësisht nga gjeografia a gjeopolitika, mund të thuhet se i kanë pikëtakimet e tyre të përbashkëta. Kjo ngjan edhe përkundër asaj se akëcili autor është individualitet specifik. Pa pretenduar që t’i njohë të gjithë autorët (e do të duhej njohur domosdoshmërish më të mirët gjithmonë), mund të konstatoj se ata përafrohen në rrafshin e vlerës, në strukturën kompozicionale, në mjetet shprehëse, dhe në mesazhet që plasojnë. Në këtë kuptim gjithmonë ka pasur ndikime (a marrje e dhënie të ndërsjella, qoftë në aspektin stilistikor, qoftë në atë përmbajtësor), por modelet më të mira që kanë ardhur tek ne (mund të thuhet pa kompleksin e inferioritetit) janë të shkrimtarëve të mëdhenj botërorë.

Revista Haemus: Lexuesit tanë do të donin të dinin diçka nga përvoja jote si mësues.

Ragip Sylaj: Është një përvojë që nuk më pëlqen shumë ta kujtoj. Është një kohë zero e ekzistencës, siç e quan Franc Fanoni kohën nën okupim, kohë në të cilën nuk rrjedh asgjë. Megjithatë, edhe në këtë kohë kam bërë ose kam mëtuar të bëjë dy jetë herë paralele e herë unazore: jetën e mësuesit a të edukatorit dhe jetën e krijuesit a të shkrimtarit. Disa segmente të këtyre jetëve nuk janë prekur ndërmjet vetes atëherë kur janë dashur të mos ngatërrohen punët, por këto jetë janë gërshetuar në ato raste kur jeta e shkrimtarit është dashur ta ushqejë e t’i shërbejë si udhërrëfim jetës së mësuesit dhe në rastet kur jeta e mësuesit ka mundur ta shkundë nga letargjia jetën e shkrimtarit. E shkrimtari i asaj kohe kishte mundësi tepër të kufizuara për botim e të mos flas për anën e skajshme të destimulimit të krijuesit. Shkurt e shqip: gjatë kohës që e kam bërë punën e mësuesit jam munduar ta bëjë edhe jetën e artistit, gjë që ka qenë tepër e vështirë. Ndoshta rrjedhojë e atij angazhimi, në cilindo kuptim qoftë, është krejt ajo që mund të lexohet, përkatësisht ajo që e kam krijuar gjatë dhe pas luftës, qoftë si poet, tregimtar, eseist e gazetar.

Revista Haemus: Në poezinë dhe prozën e Ragip Sylajt gjejmë një thellësi dhe një përkushtim të veçantë ndaj gjithçkaje shpirtërore, të brendshme, të fshehtë – veti që mbrujtin fatthënën apo vetë fatin e njeriut, veçmas atij të sotëm...
Ragip Sylaj: E kam adhuruar krijimtarinë, ta quaj, të përftesave hyjnore. Në fillim, kur njeriu s’vdes i ri (sintagmë sipas S. Hamitit), çdo kush është poet. Ka një dashuri a energji që e nxit fjalën ndoshta si ajo forca e mistershme që e nxit zogun për të dalë nga veza, por edhe ajo tjetra që ia mundëson fluturimin. Kështu ka qenë me gjasë edhe me mua. Por për t’i mbetur besnik kësaj dashurie a devotshmërie më është dashur të gërmoj shpesh thellë brenda vetes, për të nxjerrë fjalë, siç thotë një koleg yni, nga palca. Ndoshta ky kërkim i shpirtërores me çdo kusht, i kësaj fshehtësie të bukur, ka qenë një mëtim për t’i mundur dhembjet, për ta ndriçuar terrin e brendshëm, për të përftuar diçka përndritëse. Madje mund të them se ka qenë një mëtim mbase i ndërdijshëm që kjo përndritje të reflektohet edhe te ata për të cilët mbruhet arti.

Revista Haemus: Si rrjedh një ditë e zakonshme e jetës së një gazetari në Prishtinë?

Ragip Sylaj: Një ditë e zakonshme e jetës së një gazetari (si unë) përafërsisht rrjedh kështu: Më duhet të përgatitem çdo ditë që të bëj rreth 120 km rrugë me autobus me pretendimin për të mësyrë qytetarinë, për të qenë në amën e rrjedhave të artit e të kulturës, me synimin për të krijuar diçka me vlerë. Sepse nëse nuk mund t’i shohësh vlerat nuk ke si t’i krijosh. Prishtina është, siç dihet, kryeqendra e Kosovës dhe atje gjithmonë ka funksionuar një qark i fortë kulturor. Nëse një krijues (si unë, në këtë rast) nuk ka mundur të jetojë pa letërsinë dhe ka vendosur të flijohet për të (dhe sa e vështirë e sa pengesa të dalin edhe në këtë rrugën e flijimit), të vetmen mundësi për t’i kurorëzuar rezultatet e tij sa më me sukses është mësymja drejt Prishtinës, edhe kur ky pretendim dikujt i duket donkishotizëm, edhe kur dikujt kjo mund t’i pengojë, e edhe kur për këtë dikujt mund t’i vijë keq.
Në këtë ditë rrjedha duket kështu: në autobus më duhet ta nxjerr librin e ri, qoftë pse ndonjëherë për të më duhet të shkruaj në gazetë, qoftë pse me autorin e tij më duhet të bëjë ndonjë bisedë (intervistë), qoftë për ta mbajtur hapin me rrjedhën e kulturës, përkatësisht të krijimtarisë letrare. I njoftuar me ngjarjet e ditës, gazetari (së paku i rubrikës së kulturës) duhet t’i ndjekë veprimtarit e fushës së tij dhe të kthehet të raportojë duke e baraspeshuar të vërtetën e asaj ngjarjeje a të një të teme aktuale. Pastaj pak figurativisht e më tepër jofigurativisht nis kthimi në vete, nëse mund të flitet për kthimin në vete të një gazetari, e sidomos të një personi, brenda të cilit grinden për supremaci gazetari e shkrimtari.

Revista Haemus: Le të shtojmë edhe një fjali gati të pandryshueshme të këtyre bashkëbisedimeve të Haemus-it: një ngjarje nga fëminia, një fjalë, ose një qenie njerëzore që të ka lënë mbresa të pashlyeshme…
Ragip Sylaj: Nuk e di kush e ka thënë, por është e njohur një thënie se shkrimtar bëhen të shumtën ata që nuk kanë pasur fëmijëri ose ata që kanë pasur një fëmijëri të keqe. Ndryshe, siç e kam thënë në njërin nga librat e mi, njeriu (lexo: shkrimtari) që nuk ka jetë reale kërkon jetë ideale. Ndoshta kjo mënyrë e të jetuarit është ikje nga liria a nga përgjegjësia, por është edhe vetë mrekullia, sepse krijuesi i gjen shtigjet e shpëtimit. Megjithatë: ”Gjëja më e bukur e jetës / Është se shpirti ynë / Ndal fluturimin / Në vendet ku njëherë e një kohë luanim” (Khalil Gibran).

Revista Haemus: E ke njohur mërgimin? Nëse po, na thuaj si të duket ai pas kthimit. E nëse jo, çfarë peshe dhe roli ka “mërgimi i brendshëm”, të cilin e përjetojnë gati të gjithë shkrimtarët?

Ragip Sylaj: Mërgimin e kam njohur nëpërmjet të të tjerëve: të dajave, të miqve, të fqinjëve e të vëllezërve të mi. Ndonëse, sipas shkrimtares angleze Daphne duMaurier (1907-1989) edhe “njerëzit që udhëtojnë janë gjithmonë të arratisur”. Edhe unë i kam ndjerë lotët e mërgimit. Edhe “mërgimi i brendshëm”, siç thoni ju, të cilin e përjetojnë gati të gjithë shkrimtarët e ka peshën dhe rolin e tij. Disa herë e kam të vështirë ta zbërthej këtë mërgim, porse mërgimi për të mos thënë azili kryesor imi është letërsia. Ndoshta vetëm aty jam i vetvetes...