Feride E. Berisha: Në vitin 2011 në
Gjermani doli një libër shumë i vogël, por shumë i rëndësishëm i autorit
franko-gjerman Stéphane Hessel me titullin
”Indinjohuni!”. E lexova dhe më bëri aq shumë përshtypje, saqë besova se ky
libër i nevojitej lexuesit shqiptar, prandaj i mora te drejtat nga botuesja
franceze për ta nxjerr këtë libër në gjuhën shqipe. Mirpo, ngaqë nuk gjeta
asnjë shtëpi botuese, që do ta botonte këtë libër, e themelova unë vetë një
shtëpi botuese. Pa derë, pa kulm, pa mure, por me një vatër mu në mes të shtëpisë dhe me dëshirën e
flaktë që të nxjerr “Indinjohuni! në shqip. I vura shtëpisë botuese emrin PA,
sepse me të vërtetë, kur fillova me këtë zanat, pa asnjë ide, se si do të
funksiononte; pa mjete financiare, pa përvojë apo dijeni se si bëhet kjo punë.
Deri atëherë marrëdhënia e vetme me librin kish qenë leximi. Pra, të merrem drejtpërdrejt me librat,
jo vetëm t’i lexoj ata, ka qenë me siguri një dëshirë e fshehtë e imja, e cila
pahiri m’u realizua. Ishte, pra, një rastësi
me dashje. Për ata që se dinë, emri i shtëpisë botuese PA i ka vetëm dy
shkronja, por është një fjalë.
- Cilët janë synimet kryesore të kësaj shtëpie botuese?
- Natyrisht të botoj autorë të mirë! Të nxjerr
libra të mirë, ndoshta edhe nga autorët jo fort “të përshtatshëm”... Po, një
ndër synimet kryesore është që të arrij të nxjerr libra, që shtjellojnë disa
tema pak më të papërpunuara deri më tani, ose fare pak në letërsinë shqipe.
Sidomos të sjell në gjuhën shqipe një copë letërsie nga ajo letërsia e madhe
gjermane. Gjithashtu, mendoj se ne si individë, pavarësisht në çfarë pune
bëjmë, duhet të angazhohemi për një shoqëri më të mirë. Nuk mendoj se autorët
do të duhet vetëm të ulen në karrige dhe të shkruajnë gjithë ditën e lume. Nëse
shkruajnë romane fantastike, puna e mbarë ju qoftë. Por nëse mundohen të marrin
tema nga e përditshmja, atëherë do të duhej patjetër të marrin më shumë pjesë
dhe të angazhohen me kumtesa dhe shkresa të domosdoshme për ngjarjet reale në
shoqëri. Mendoj se sidomos shkrimtarët duhet ta hapin gojën më shumë dhe të
përfshihen më shumë në zhvillimet politiko-shoqërore. Autorët gjermanë, për
shembull, edhe pse kanë pasur kushte më të mira pune, prapë se prapë nuk janë
ndalur pa marrë pjesë në përditshmërinë e shoqërisë dhe nuk kanë heshtur dhe
nuk heshtin.
- Disa nga botimet dhe autorët tuaj…
- Po edhe përzgjedhja e autorëve duket si një
rastësi: disa kanë ardhur vetë tek shtëpia botuese, e disa i kam ftuar unë, kjo
sa u përket autorëve shqiptarë. Ndërsa ata gjermanë, unë i zgjedh vetë nga ata
më të rrallët, që kanë qenë më ndryshe se të tjerët. Kanë jetuar dhe shkruar më
ndryshe nga e rëndomta. Nga autorët gjermanë, për shembull, dua të përmend Hans
Falladën, një autor i spikatur gjerman, i cili veprën e tij të fundit “Secili vdes vetëm për vetveten” me
vëllim prej 700 faqesh e shkruan në spital në ditët e fundit të jetës së tij
brenda tri javësh. Kjo vepër është bestseller prej 60 vjetësh, dhe është e
përkthyer në të gjitha gjuhët e mëdha të botës. Edhe në gjuhën shqipe, qysh në
vitin 1969, nga shtëpia botuese Naim Frashëri, ndonëse nga çenzura e atëhershme
librit i hahen gati 300 faqe. Ky autor ka shkruan për njeriun e thjeshtë, për
njeriun e varur nga alkooli, për njeriun e varur nga substancat e ndryshme
narkotike, për njeriun e varur nga duhani – e ai njeri është ai vetë. Fallada
shkruan për përvojat e veta, dhe për këtë arsye ka hyrë në letërsinë e madhe
botërore. Në shqip një vepër tjetër e këtij autori, e përkthyer nga unë: “Tri vjet jo njeri”, PA 2013.
Blerina Rogova-Gaxha është ndër poetet e para
shqiptare që me guximin e saj i futet poezisë me tema deri më tani “të
burrave”. Ndërsa në vëllimin e dytë të poezive të saj ajo kthehet më shumë kah
problemet sociale të njeriut të sotëm dhe apostrofon gjendjen e gruas në
shoqërinë tonë. Muzika që e përcjell vargun e gjatë dhe të ri në poezinë
moderne e bëjnë më të lexueshme dhe më të kuptueshme këtë poete. Shumë krenare
jam, gjithashtu, që e kam nxjerrë si botim të ri poetin e papërsëritshëm
Jamarbër Marko. Nga tematikat e veprave të botuara nga PA, duhet gjithsesi të
përmendet “projekt et party” të autorit kosovar Beqë Cufaj. Ai vjen me
shtjellimin e një teme gjithashtu të papërpunuar deri më tani në letërsinë
shqipe – me neokolonializmin në botë, me vendngjarje në Kosovën e pasluftës në
formë të re: të misioneve të huaja bamirëse. Kurrsesi nuk dua të harroj, apo të
veçoj dikë, por autorët e PA, si Arif Molliqi, Gëzim Aliu, Manjola Brahaj janë
një frymë e re dhe e bukur në letërsinë shqipe. Nga letërsia e huaj, si
përmbledhje e kësaj që thash më parë, i kam nxjerrë gjashtë libra, pesë prej të
cilëve janë bestsellerë botërorë dhe kam disa autorë shumë të mirë nga
Shqipëria.
- Vjen nga një zonë me shumë vuajtje dhe drama. Veç kësaj, të është
dashur të njohësh dhe të përballosh mërgimin, vështirësitë e tij, derisa të
gjesh vet veten…
- Vij nga Kosova për shkaqe socio-politike të
asaj kohe, jam e përplasur në Berlin dhe këtu tani mundohem t’i a gjej vetes
një vend. Jetoj edhe në Prishtinë, por shumicën e kohës në Berlin, se këtu e
kam familjen time. Mërgimi nga njëra anë është një vështirësi, apo një kafshatë
e rëndë për t’u kapërdirë, por nga ana tjetër një mundësi. Është sikur të të
gjuajë dikush në mes të oqeanit, dhe ti o do të notosh, o do të mbytesh. Pra,
duhet ta përshtatësh veten tënde, në një shoqëri të re. Më është dashur të
nxjerr nga xhepi i leckosur një Unë
të ri, i cili do të përshtatej duke u përplasur në ndalesat dhe pengesat në
rrethanat e reja. Mirpo gjuha është një urë e padukshme dhe e mrekullueshme.
Ajo të bart, duke i depërtuar edhe muret.
Tek mësoja gjuhën gjermane, e mësoja edhe më
mirë gjuhën shqipe. Fillova të lexoj dhe të kuptoj më shumë rrethin e ri. Jetën
time të re, jetën gjermane. Duke i krahasuar këto dy gjuhë, njëra shumë e madhe
e tjetra pak më e vogël, fillova të përkthej. Është një sfidë e Madhe që të
përkthehet një gjuhë e madhe në një gjuhë të vogël. Por është një kënaqësi e
pakrahasueshme me asgjë.
- Kujtime nga jeta e dikurshme… Si ishte mjedisi dhe cilët ishin
heronjtë e fëminisë sate?
- U rrita në një familje shumë të gjerë, ishim
tetë fëmijë. Secili i ndryshëm nga tjetri. Ishte një familje me qëndrime të
qarta politike, asnjëri nga ne nuk u fut në partinë e atëhershme komuniste të
Jugosllavisë, për të bërë karrierë të bujshme. U rrita në një vend të pushtuar,
dhe kjo ndjehej tërë kohën. Hero në fëmijërinë time ishte Daja Hasan, një burrë
shumë i mençur, që i fliste rrjedhshëm pesë gjuhë të huaja. Ai ka qenë një
personazh, si mund të përshkruhet një burrë i mirë, që e përplasën fatet prej
Kosovës, në Gjermaninë naziste, ku, i zënë rob lufte, shërbeu pesë vite si
punëtor i detyrueshëm, siç thoshte ai vetë, angari. Pastaj kthehet në Kosovë me
vizione dhe vullnet për ta ndërtuar një shoqëri të mirë dhe të re. Burgoset nga
regjimi i ish-Jugosllavisë, si kundërshtar i aneksimit të Kosovës nga
Jugosllavia. I thyer dhe i sëmurë, pas pesë vitesh burg të rëndë, shpërngulet
në Bosnjë, ku martohet dhe krijon familje. Ishte tepër i zoti, na tregonte
shumë përralla, të cilat më kanë përcjellë dhe formuar gjatë gjithë fëmijërisë
sime. Njëri nga vëllezërit e mi është diplomuar me këto përralla në Letërsinë
gojore shqipe. Daja Hasan, për të ma bërë qejfin, nganjëherë shkruante shqip me
alfabetin cirilik, ndërsa nganjëherë shkruante sërbisht me alfabetin arab.
Ishte tepër i formuar, por ai u rreshtu në anën e të papërshtatshmëve, atyre të
përndjekurve dhe të shtypurve. Gjithashtu, heronj për mua kanë qenë dhe kanë
mbetur prindërit e mi, të cilët ishin vetë, me pak ose pa shkollë, ndërsa ne
fëmijëve na rritën dhe na edukuan në një frymë, që të mos e ndërrojmë mendjen
kah të fryjë era.
- Si ishte takimi yt i parë me Shqipërinë?
- Në Shqipëri për herë të parë kam qenë me
familjen time në vitin 2000. Së pari nuk e besoja se po e shkeli tokën që për
neve shqiptarët e Kosovës ka qenë e Shenjtë. Posa hymë në Kukës, dikush ia theu
xhamat autobusit me gurë. Pak frikë, por më shumë kurreshtje. Isha shumë e
lumtur, kisha shumë pritje të mëdha, shumë paragjykime, disa nga të cilat më
janë varrosur menjëherë. Mirpo vizitën time e përsërita edhe shumë herë më
vonë, me familjen time të re, dhe shumë herë jam kënaqur me miq të rinj, me
mikpritjen shqiptare, me ushqimin e kurreshtjes ndaj historisë së Shqipërisë,
me bregdetin shqiptar, me qytetet historike. Me tregimet personale të shumë
njerëzve, që e kanë pasur fatin e zi të jenë të persekutuar nga regjimi i
atëhershëm enverist.
Në Shqipëri mund të kënaqesh sa të duash, por
kurrë të mos ngihesh.
- Cila ka qënë përvoja jote si mërgimtare?
- Unë hyra pa leje, në këmbë, në Gjermani dhe
mendoja se po shkoja në vendin e Hegel-it dhe të Kant-it. Takimi i parë ishte
tmerrues dhe shokues, sepse policia kufitare gjermane na zuri sapo kaluam malin
dhe neve si refugjatë na hodhën në burg dhe, pas dy ditësh, na kthyen pastaj
prapë ne Çeki. Por jo para se policët të na plaçkisnin në burg, ku na morën të
holla, sa deshën, ose sa kishim me vete. Pastaj, me orvatjen e dytë, u futa në
këtë vend, që nuk i donte të huajt. Pra, u mësova me jetu, pa asnjë drejtë.
Ishte politika e ditës në atë kohë. Nuk kishim asnjë të drejtë, as për të
punuar, as për të jetuar nëpër banesa normale, e as për të shkuar në shkollë.
Ishim të detyruar të jetojmë nëpër ish-barakat e kampeve të përqendrimit, të
mbetura nga Lufta e Dytë Botërore. Por ishin fëmijët që më shpejt filluan të
integroheshin, dhe unë nisa të mësoja gjermanishten, dhe kjo ma shpëtoi
dinjitetin e njeriut. Vetëm pas tri viteve fillova të përktheja në gjykatë dhe
gjeta një punë si ndihmëse në çështjet sociale. Për disa vjet kam punuar pranë
Senatit të Berlinit në politikën e zhvillimit të qytetit. Unë disi kam
depërtuar, por shumë të tjerë janë vyshkur, nuk kanë më shpresa dhe janë në
depresione të thella.
Tani më duket se jam kthyer prapë në atdhe, duke
u marrë me përkthime dhe duke botuar libra. Pra, e kam gjetur atë urën (gjuhën)
që më pat qitur në anën tjetër të lumit, dhe tash, siduket, po kthehem prapë
andej nga kam ardhur.
- Çfarë përfaqëson hapësira gjermane për ty?
- Tash qe disa vite e kam marrë edhe
nënshtetësinë e këtij shteti, im shoq është gjerman, por unë nuk mund të them
se jam gjermane. Nuk e di edhe sa kohë do të kalojë, por këtu do të më pyesin
gjithmonë se nga vij? Pra, edhe po të ndjehesh se ke zënë vend, dhe se askund
në botë nuk je më rehat se në shtëpinë tënde në Berlin, prapë dikush në
përditshmëri ta përkujton se nuk je nga / që këtu. Por prapë po e përsëris:
është gjuha ku jetoj unë, e jo vendi. Letërsia gjermane është aq e madhe, aq e
gjerë, saqë do të më nevojiteshin pa dyshim edhe disa jetë që të mund të
lëvroja më thellë në këtë arë. Berlini është kontradiktë në vete: Teksa ka vend
për shumë krijues dhe i frymëzon, mundet edhe të jetë i vrazhdë dhe armiqësor.
Por a nuk është kontradikta trualli ku lindin gjërat më të mira?
- Lidhjet e hershme dhe të tanishme me botën shqipfolëse…
- Kam jetuar 27 vite në Kosovë, në Prishtinë.
Atje kam edhe shtëpinë time, kaloj shumë kohë atje. Ndërsa një lidhje tjetër
shpirtërore është se kam filluar të botoj librat e autorëve shqiptarë pothuajse
nga të gjitha trevat. Edhe disa autorë i kam nga mërgata. Librat, letërsia janë
ajo ura e padukshme, por e fuqishme, drejt gjithçkaje. E edhe drejt vendlindjes
sime.
- Çfarë vështirësi has një botues i përkushtuar sot?
- Hëm... Kjo është pyetja më e vështirë, jo pse
flitet për vështirësitë, por se është shumë e vështirë të flasësh për
vështirësitë, dhe nuk mbetet vetëm me kaq. Kjo e përfolme shkakton edhe shumë
vështirësi tjera. Botimi i librave, apo të merresh në përgjithësi me libra
është një zanat, që ka pak klientë. Derisa unë punën time e kam parë si mision,
për një kohë shumë të shkurtër jam zhgënjyer, kur e kam kuptuar se shpesh është
si në gjithë pazaret tjera. Nuk po e përgjithësoj kurrsesi, por ka pas raste që
biseda e parë me ndonjë autor i ka ngjarë allishverishit. Pyetja e parë që më
është shtruar ka qenë se sa është honorari dhe se çka përfiton autori nga
botimi i librit. Naiviteti im, - që për botuesen dhe për autorin do të duhej të
kishte një qëllim të përbashkët nxjerrja e librit në dritë për t’u lexuar, -
m’u shua përnjëherë. E kuptova shumë shpejt se në këtë fushë ka shumë vështirësi.
Një gjë duhet patjetër të veçoj, se Ministria e
Kulturës, në vitet e fundit, ka përkrahur botimin e tre titujve dhe ka blerë
disa tituj nga PA.
Një e metë mjaft e madhe e të qënit botues(e)
është se nuk ke më kohë si më parë të lexosh shumë. Leximi është i përzgjedhur
dhe përqëndrohet kryesisht në librat që përkthej, ose që do të botohen. Nga ana
tjetër, për fat të keq, lexues të mirë ka pak...
- Si rrjedh një ditë e zakonshme për ty?
- Së pari, vrapoj disa hapa, për të lëvizur pak
dhe për t’u kthjellur. Me familjen hamë mëngjes. Dëgjojmë lajmet e ditës. Ata
shkojnë në punë, në shkollë, kurse unë futem në zyrë, në dhomën e punës në
shtëpi.
Pasi kam lexuar shtypin shqip, filloj me punën,
përkthimin e veprës së radhës dhe, paralelisht, koordinimin e punëve me librat
e rinj dhe të vjetër. Duhet të përcillen titujt më të hershëm, të punohet për
librat e rinj dhe të mendohet për librat e ardhshëm. Përndryshe, krejt normal
si një grua, si një nënë. Më duhet të kujdesem për fëmijët, të pastroj
shtëpinë, të përgatis ushqimin, të kultivoj shoqëritë e mia këtu, etj. Ndërkohë
jam duke studiuar në degën e terapisë familjare. Jam në vitin e tretë në degën Terapia sistemike familjare, edhe kjo
kërkon angazhimin e vet. Kam një varësi, apo një pikë të dobët: Filmin. Pa
shikuar disa filma në javë, nuk më qetësohet shpirti.
- Po një ditë të cilën mund ta cilësosh si të pazakontë?
- Me bashkëshortin udhëtojmë shumë, dhe gjithë
këto ditë janë të pazakonta, sepse ndeshemi me të kaluarën e vendeve tjera, me
një arkitekturë tjetër, me mënyrën e të riprodhimit të të vërtetave në formë
arti, etj.
- Një njeri, një libër, një fjalë e urtë që të ka mësuar diçka me vlerë
për mënyrën se si duhet të jetosh dhe / ose mbijetosh…
- Gjyshja ime, ajo ishte një grua e zonja dhe
s’i trembej syri kurrë. I kishte përjetuar dy luftërat e mëdha botërore, i
kishte rritur fëmijët vetë, pasi gjyshi im ishte vrarë nga serbet në kufi me
Serbinë. Ajo kishte zakon të thoshte: Veç
shnosh me kanë, se tjerat bahen!
- Çfarë u beson fëmijëve për të shkuarën dhe për të ardhmen?
- Fëmijët tanë kanë fatin të rriten në një vend
të ndryshëm nga ai ku janë rritur prindërit e tyre. Janë më të pasur, sepse
rriten në mes të dy kulturave: asaj nga vendi i prejardhjes së prindërve dhe
asaj të vendit ku ata rriten. Nëse nuk kemi kujdes të tepruar, mund të
thellohet ndonjë humnerë mes dy botërave. Mund të rriten edhe me dy malle. Unë
besoj se ata janë të mençur dhe do t’i shfrytëzojnë të mirat e të dy kulturave.
Në përgjithësi mendoj se fëmijët duhet të rriten me përralla. Atyre duhet t’u
rrëfehen përralla. Do të ishte mirë po të kishim më shumë letërsi të mirëfilltë
për fëmijë. Atëherë do të kishim edhe më shumë lexues të moshës madhore.