Francezët, - me romanin e tyre të ri, me teoritë mbi tekstualizmin, shkrimin si kundërletërsi, - ligjëruan, në fakt, mërzinë si lëndë, qëllim dhe stil në prozën moderne. Shfaqen me kile edhe tek ne autorë tejet të talentuar e me kulturë që shkruajnë për të shkruar, thurin, vallëzojnë, eksperimentojnë. Nuk e kuptoj sa të fituar dalin këta autorë në veten e tyre: ata shtojnë nga një ishull turbullire dhe kaosi në terrin dhe shëmtinë e botës, duke forcuar ngritjen e shpirtrave të vdekur përmes tekstesh ku s’gjendet asnjë ide e qartë, asnjë personazh, asnjë ngjarje. Aty nga fundi i jetës, thuhet se (Roland) Barthes-i qe shprehur ‘po sikur modernët të mashtrohen? Po sikur të mos kenë talent?’ (...)