Savatie Baştovoi (l. 4 gusht 1976, Kishinjev) është murg ortodoks,
eseist, poet dhe romancier rumun.
1. Mos harro se duhet të vdesësh
Kur isha dy vjeç,
rashë nga koleshka e lidhur pas kalit, ndërsa babai eci më tutje pa më vënë re.
Babai ishte pylltar asokohe dhe ngjarja ndodhi bash te porta e Orikovës. Kur
kali u nis, unë rashë mbi dëborë dhe u përzieva me qiellin e bardhë të dimrit.
Atëhere pata për herë të parë vegimin e vetmisë dhe të vdekjes. Mbaj mend se
isha i veshur me një ca kominoshe të kaltra me kapuç. U ktheva i heshtur në shtëpi,
tek nëna, duke u çapitur ngadalë, për t’i dhënë tim eti kohë të më arrinte.
2. Mos harro se duhet të duash
Gjëja më e
tmerrshme që mund t’i ndodhë një njeriu është të mos e duan. Por besoj se edhe
më e tmerrshme është të mos duash. Gjithmonë e kam pasurt më të lehtë t’i dua
njerëzit, të gëzohem kur i shoh. Prandaj s’kam pasur asnjë pengesë për ta
kuptuar Ungjillin. Kur bëja ndonjë të pabërë, nëna më thoshte: ”Largomu, nuk dua të të shoh!” Ky ishte për
mua ndëshkimi më i hidhur, të cilin e përjetoja si një dëbim nga Parajsa. Shën
Isak Siriani thoshte se zjarri i ferrit
nuk është gjë tjetër veçse dashuria e humbur, të cilën je i dënuar ta shohësh përjetë.